25 09 2019

VETËVENDOSJE! hap fushatën në MITROVICË

Qytetarët prej vitesh presin ndryshimin, që Kosova të kthehet nga e mbara. Më në fund, erdhi dita për ta bërë realitet këtë dëshirë.

Fushata zgjedhore e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të nisë në Mitrovicën emblematike. Do të nisë prej qytetit që do të bëhet motori i zhvillimit ekonomik.

Ftojini të gjithë të marrin pjesë në tubimin e hapjes së fushatës zgjedhore, të mërkurën më 25 shtator, në orën 16:00, në Sallën e Sporteve “Minatori”, në Mitrovicë.

Kontribo

25 09 2019

Qytetarët përkrahin listën fituese të qeverisë Kurtit

Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidaten e listës tonë të përbashkët, Mimoza Kusari-Lilën, dhe me kandidatin tjetër Taulant Kryeziun ishin të pranishëm në takim me qytetarë organizuar në Hotel Sirius, në Prishtinë, nga pjestarë të Alternativës.

Në fjalën e saj, kandidatja Kusari tha se ajo që e bashkon me Lëvizjen është përpjekje esenciale për kthesën që duhet ta ketë Kosova në zgjedhjet e 6 tetorit. “Ne po përpiqemi në vazhdimësi për të treguar se Kosova ka mundësi të jetë një histori suksesi dhe kjo histori suksese do të fillojë me fitoren dhe qeverinë Kurti”, tha në mbyllje Kusari.

Për Taulant Kryeziun domosdoshmëria e qeverisjes Kurti shpërfaqet edhe nga raportet e të gjitha organizatave ndërkombëtarë e partnerëve tanë strategjikë ku thuhet se Kosova është një shtet i kapur dhe me shoqëri të politizuar skajshmërisht. “çkapja e shtetit dhe e shoqërisë tonë vjen me qeverinë Kurti pasi kryeministri i ardhshëm nuk është as i kapur as i dirigjuar prej të tjerëve”, e mbylli fjalën e tij Kryeziu.

Në fjalën e tij Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti theksoi nga alternativa qeverisëse rëndësinë e lidhjes së ekonomisë me arsimin, shtesat për fëmijët, sigurimin shëndetësor, pesë fishimin e inspektorëve të punës. “Ne angazhohemi që shteti ynë përherë të parë prej se është shpallur i pavarur të jetë edhe shtet social. Në duam që shteti ynë ta ketë karakterin universal dhe solidar që do të thotë që të gjithë do të paguajnë për të mirën e përgjithshme, por që do të thotë se në të njëjtën kohë do të ndihmojmë dhe t’u shërbejmë më së shumti dhe më së pari atyre që kanë edhe nevojat më të mëdha”, tha Kurti.

Një shtet i hapur për qytetarët, përkujdesës për rininë, gratë e punëtorët dhe i palëkundur përballë krimit do të jetë shteti i qeverisë Kurti dhe shteti që meriton Kosova.

Kontribo

25 09 2019

Takim me delegacionin e parlamentarëve danez

Kryetari Albin Kurti bashkë me kandidatët për deputetë, Avni Zogianin, Yllza Hotin, Fitore Pacollin dhe Vlera Gjakovën mirëpritën një delegacion të gjerë ish anëtarësh të parlamentit e qeverisë daneze nga shumica e partive daneze si dhe gazetarë prej andej. Delegacioni po e viziton Kosovën si pjesë të një vizite studimore në Ballkan.

Kryetari Kurti me kandidatët për deputetë u shpjegoi delegacionit se si e mendon situatën në rajon Lëvizja, se si do të duket qeveria e pas zgjedhjeve të 6 tetorit, se si do ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe se si e mendojmë ne t’i integrojmë serbët e Kosovës përmes dialogut të brendshëm për zhvillim ekonomik. Po ashtu, edhe ndaj interesimit të delegacionit për ndërtimet e shumta në Kosovë, Kryetari shpjegoi se në çfarë gjendjeje të rëndë është Kosova prej mafias së ndërtimit dhe shtetit të dobët në mbikqyrjen e ndërtimeve dhe ndalimin e atyre të paligjshme.

Në përfundim të takimit, i uruam vizitë të mbarë me plot të reja dhe mësime të nxjerrura nga Ballkani.

Kontribo

24 09 2019

Kandidati për Kryeministër Kurti Përballë të Rinjve

Kandidati jonë për Kryeministër, Albin Kurti, ndau dhe bashkëbisedoi me të rinjtë programin tonë për rininë në Kongresin Kombëtar të dytë të të Rinjve të Kosovës.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të të rinjve mbi korrupsionin dhe papunësinë nga njëra anë dhe jetën e varfër sociale e kulturore nga ana tjetër që po i shtyjnë ta braktisin Kosovën, Kryeministri i ardhshëm Kurti prezantoi masat kryesore të Lëvizjes mbi arsimin dhe zhvillimin ekonomik.

Skema e punësimit të garantuar për 16-18 vjeçarët, ringritja e një rrjeti shkollash të mesme profesionale, afrimi i universiteteve me praktikat për studentët dhe 1000 bursat për vajzat me prioritet studentet e shkencave të natyrës janë vetëm disa nga nismat që rinia jonë ta jetojë Kosovën si projekt të të ardhmes së tyre.

Pa rininë ndryshimet janë arnime të të njëjtit realitet. Me rininë ndryshimet e transformojnë realitetin.

Kontribo

24 09 2019

Lëvizja Infrastrukturë për Qytetarët

Në një bashkëbisedim me qytetarë nga Gjakova e Peja që jetojnë dhe punojnë në Prishtinë, ndamë idetë kryesore të ndryshimeve që do të sjellim pas 6 tetorit. Kandidati jonë për Kryeministër, Albin Kurti, shoqëruar nga kandidatët e listës tonë për deputetë, Mimoza Kusari-Lila, Arbërie Nagavci, Arben Vitia, Taulant Kryeziu dhe Vlera Gjakova bisedoi me shumë qytetarë të interesuar për planin tonë qeverisës.

Kandidatët tanë për deputetë prezantuan disa nga masat tona prioritare. E zemëruar me degradimin 20 vjeçar të shëndetësisë Lëvizja angazhohet për një sistem shëndetësor të fortë e të garantuar publik, ku qendrat e mjekësisë familjare janë vendi i parë ku marrim trajtimin që meritojmë dhe ku të gjithë kanë sigurime shëndetësore. Madje, 1 janari 2023 ne zotohemi se do të fillojë funksionimi i plotë i sigurimeve shëndetësore.

Ndërsa kapjes së shtetit të denoncuar edhe nga partnerët tanë më të mëdhenj do t’i përgjigjemi me një vetting të gjyqësorit, prokurorisë e drejtuesve të nivelit të lartë të policisë e inteligjencës.

Në sferën e ekonomisë, ndërmarrjet shoqërore nuk do t’i privatizojmë, por do t’i mbrojmë e zhvillojmë brenda fondit sovran që do të krijojmë.

Për realizimin e të gjitha këtyre masave dhe shumë të tjerave qytetarët do ta kthejnë 6 tetorin në një fitore referendare sepse ndryshime që na duhen dhe që do t’i sjellim janë shumë të mëdha. “Secila votë është një ndryshim më shumë, sa më shumë të votojnë aq më i madh do të jetë ndryshimi”, u zotua i pari i listës tonë, Albin Kurti.

Efektet e qeverisë Kurti, përmes grantit të katërt për pushtetin lokal dhe përmes investimeve strategjikë do t’i ndjejë edhe Gjakova, e lënë kaq shumë pas dore pas luftës. Ndër të tjera, kryeministri i ardhshëm Kurti shtroi idetë se, “është e rëndësishme që të funksionalizohet aeroporti i Gjakovës që të jetë për fluturimet cargo dhe me bileta të lira, por duhet ta bëjmë edhe një studim fizibiliteti me Republikën e Shqipërisë sepse është e rëndësishme lidhja infrastrukturore Gjakovë-Shkodër. Riaktualizimi socio-ekonomik, lidhja historike Gjakovë-Shkodër duhet të jetë prioritet kombëtar”.

Kontribo

23 09 2019

Akrashticë, Vushtrri: me ngazëllim për qeverinë Kurti

Akrashtica e Vushtrrisë nuk kishte sallë apo shkollë të madhe mjaftueshëm për të akomoduar numrin e madh të banorëve që kishin ardhur në tubim. Akrashtica gjithnjë e ka mbështetur Lëvizjen masivisht në tubime e protesta, por kurrë si dje, plot ngazëllim. Dukej sikur i gjithë fshati ishte para shkollës, nipa e mbesa me prindër e gjyshër, për të dëgjuar si do të duket Kosova pas 6 tetorit.

Gjithnjë, pahezitim dhe e pakursyer përballë forcave serbe e regjimeve të pasluftës, Akrashtica tashmë është gati edhe për ndryshimet e mëdha me qeverinë Kurti. Në sytë e banorëve nuk sheh urrejtje, por zemërim të madhe për mungesën e drejtësisë, nuk sheh dëshpërim, por dëshirë të madhe për një kthesë të madhe.

Kandidatët nga Vushtrria, Sulejman Meholli, Besim Muzaqi, Fjolla Ukjani e Gazmed Gjyshinca, përforcuan mbështetjen e madhe ku edhe sipas sondazheve të fundit lokale Lëvizja del e para bindshëm në këtë zonë. Aq më tepër në Akrashticë, e cila është angazhuar gjithmonë masivisht në aktivitetet tona.

Kosova nuk e ka luksin që të rinjtë t’i lërë të paarsimuar mirë dhe të papunë edhe kur janë të mirëarsimuar. Ndërsa, ata që i hapën rrugën papunësisë, arsimit të dobët e rrugët e kufijve për migrimin masiv, ne do të hapim derën e burgut për ta.

Me fjalët e tij, kandidati jonë për kryeministër, Albin Kurti, tregoi sesi qytetarët po e duan Lëvizjen dhe sesi po i japin zemër që përmes saj pa u dridhur të funksionojë shteti i Kosovës. Pritjes së madhe të banorëve iu përgjigj duke u thënë se, “e di që ju keni vuajtur shumë e keni pritur gjatë, me qeverisjen e VETËVENDOSJE! edhe Vushtrria edhe Akrashtica do ta kenë vemendjen e duhur sepse njerëzit patriotë e punëtorë duhet ta kenë pranë shtetin për ta përparuar shoqërinë”.

“Më së pari qytetarët do ta shohin ndryshimin e qeverisjes pas 6 tetorit me reformimin e administratës publike ku përulja ndaj qytetarëve dhe mbikqyrja e mirëmbajtja e pasurisë së përbashkët do të jenë praktikë e përditshme shtetit të Kosovës”, vazhdoi Kurti. Duke përmendur numrin e vogël të inspektorëve të punës dhe mbipunësimin në sektorë të tjerë administratës, i pari i listës tonë fituese shpjegoi se ka njerëz me vende pune e pa punë dhe ka njerëz që duan punë e nuk kanë vend pune. “Në administratën publike ne nuk do t’i hedhim njerëzit nga puna, por do t’u japim atyre punë. Aty ku ka dypunësim do t’i punësojmë në inspektoriatin e punës”, potencoi ai.

Besimi në Lëvizjen e prioritetet e qeverisë Kurti dhe dashuria për Kosovën do ta kthejnë 6 tetorin në një dasëm të madhe për një republikë të re për zhvillim për vendin tonë, ku qytetarët do të bashkohen në prodhim dhe do të jenë të barbartë përballë një shteti të drejtë.

Kontribo

22 09 2019

Fushë-Kosova: mobilizim edhe përmes piknikut.

Të dielën në Fushë-Kosovë e shndërruam në piknik mobilizues. Mes pishave të parkut të Sllatinës, me aktivistë e qytetarë, të rinj e të moshuari, mes gjelbërimit dhe ajrit të pastër, biseduam me entuziazëm për kthesën kah e mbara, që do të marrë Kosova pas 6 tetorit.

Qytetarët e kërkojnë Kosovën të pastër ashtu siç kërkojnë parqet, për fundjavat me familjet e tyre. “Me qeverisjen tonë të re”, u zotua Kryeministri jonë i ardhshëm Kurti, “ne do ta mbrojmë mjedisin, do ta luftojmë ndotjen dhe gjithashtu do ta pastrojmë Kosovën. Do ta pyllëzojmë Kosovën, sepse këta e kanë shpyllëzuar, dhe do t’i rregullojmë shtratet e lumenjve në mënyrë që sa herë kemi të reshura të mos kemi vërshime”.

Qeverisja e Lëvizjes nuk do të vijë me urrejtje e për inat të askujt, por me hir e për nevojat e popullit tonë. Kosova ka nevojë për një shtet aktiv i cili i kryen më së miri funksionet e tij kryesore të mbikqyrjes dhe mirëmbajtjes të pasurive tona të përbashkëta.

Kryeministri i ardhshëm, mes duartrokitjeve të ngrohta të qytetarëve, shtoi se, “duhet t’i luftojmë dy vese të këqija që vijnë prej lart-poshtë, harresën e lakminë. Harresa edhe lakmia e kanë përçarë e ndarë shoqërinë tonë, harresa ndaj krimeve të luftës e të paqes, dhe lakmia për pushtet e para. Këto duhet të ndalen. Harresën ta luftojmë me kujtesë institucionale dhe lakminë me një qeverisje të re e cila e bën reformën e administratës ku do kemi edhe departizim edhe profesionalizëm”.

Për kandidatët nga Fushë-Kosova, Albana Gashin dhe Avni Zogianin, përkrahja e përditshme qytetare po tregon se më 6 tetor Lëvizja do të fitojë edhe më bindshëm sesa në zgjedhjet e vitit 2017, kur doli e para në komunën në fjalë. Qytetarët duket se e kanë të qartë zgjedhjen mes qeverive të deritanishme të lidhura me tregtarët e mëdhenj të importit e dirigjimeve nga Serbia përballë qeverisë Kurti për prodhim vendor e reciprocitet me Serbinë.

Lëvizja është bërë zgjidhja e shqetësimeve, adresa e shpresave dhe ëndrrave tona, nyja që na mbledh në shoqëri prej bindjes se të mirat e përbashkëta janë për t’u bashkëndarë. Erdhi dita e një vullneti të përgjithshëm, për të mirën e përbashkët me Lëvizjen.

Kontribo

22 09 2019

Me Lëvizjen gratë sjellin ditën e barazisë në shoqëri

Gratë janë kusht për ta rritur dhe intensifikuar barazinë mes nesh.

Me këtë dëshirë e qëllim kandidatet tona për deputete, mbajtën tubim për shpalosjen e prioriteteve të Lëvizjes që avancojnë pozitën shoqërore dhe ekonomike të grave në Kosovë.

Kandidatja për deputete dhe aktivistja për të drejta të njeriut, Saranda Bogujevci, kujtoi se gratë kurrë nuk rezistojnë, angazhohen dhe luftojnë vetëm për veten. Gjithnjë janë aty për të gjithë shoqërinë dhe nuk e duan një botë pa tjetrin. Gratë janë emri i barazisë në shoqëri. Lufta e tyre kundër papunësisë së lartë, shfrytëzimit, dhunës dhe përfaqësimit të ulët politik janë diskurs, brengë dhe prioritet i yni politik.

Garantimi i përfitimit të trashëgimisë familjare, sistemi shëndetësor i fortë publik, skema e punësimit të garantuar, hapja e çerdheve dhe forcimi i edukimit parashkollor, arsimi pa pagesë në të gjitha nivelet, bursat për vajzat studente, shtesat për fëmijët, banesat sociale dhe mbrojtja e të drejtave të punëtoreve janë masat e qeverisë Kurti që ndryshojnë radikalisht gjendjen e grave e rrjedhimisht të të gjithë shoqërisë tonë.

Nga mungesa e shtetit shqiptarët kombin e kanë mirëmbajtur në familje dhe nga mungesa e barazisë familjen e kanë mirëmbajtur gratë. Kryetari i Qendrës së Prishtinës, kandidati, Arben Vitia, përshkroi gjendjen e grave në shoqëri, ku sipas nevojës janë ekonomiste e pastruese, mjeke e mësuese; punëtore 24-orë në shërbim të pakursyer që ta mbajnë familjen të qetë brenda katër mureve. Jashtë mureve të shtëpisë mbeten më së shumti të papuna e ato pak që punojnë keqpaguhen e tej shfrytëzohen. Ngaqë mungon shteti social, gratë shfrytëzohen edhe më shumë. Një shoqëri që i dhunon, fsheh e shfrytëzon gratë është një shoqëri burrash të frikësuar. Gratë ia kthejnë guximin e barazinë dhe ia heqin frikën shoqërisë.

Sipas kandidates, Jetmira Vrenezit, pjesa më e bukur e fushatës së Lëvizjes janë pikërisht takimet e tubimet me gra. Ato janë të bindura se programi i Lëvizjes është rruga për avancimin e pozitave të tyre në shoqëri. Gratë e dinë se fitorja e Lëvizjes është vetëm fillimi i zgjidhjes së çeshtjeve të grave dhe thirrje për mobilizim edhe më të madh të tyrin pas 6 tetorit.

Temat me karakter gjinor nënvlerësohen me termin `punë grash`. Tinka Kurti, kandidate, bëri thirrje për çlirimin e krijimin e hapësirave publike pikërisht për ato që quhen çështje grash, që të dëgjohen e trajtohen me seriozitet e prioritet. Gratë kërkojnë një shtet të mirëqenies me një sektor publik të gjerë ku ka shtëpi të pleqve, çerdhe, kopshte, qendra kulturore për fëmijët e të tjera të ngjashme. Duhet të çlirohen nga kapja e shtetit mjetet e shoqërisë me dëshirën, ëndrrat e organizimin për ndarjen e tyre sipas nevojave për barazi, drejtësi e zhvillim.

Lufta për një shtet aktiv, social, e zhvillimor është edhe luftë për gratë dhe e grave në Kosovë. “Dobësimi i shtetit dihet që e godet më shumë gruan sesa burrin në familje e jashtë saj, e forcon patriarkalizmin dhe e rrit varësinë e gruas. Shteti ynë është dobësuar nga moszvhillimi, nga padrejtësia dhe pabarazia”, rikujtoi në fjalën e tij Kryeministri i ardhshëm Kurti dhe shtoi se, “erdhi dita për fitoren e madhe të grave e të burrave që vendosin vetë, fitorja jonë do të jetë fitore e grave dhe e vajzave që do të lëvizin për ndryshime si forcë emancipuese për të gjithë shoqërinë tonë”.

Gratë në lëvizje po ia shtojnë mobilizimin organizatës, por po ia shtojnë edhe zgjidhjet problemeve e vendit. Shteti me Lëvizjen dhe gratë do të jetë një shtet që nuk ia kap dhe mbyt mundësitë qytetarëve por i çliron dhe shpalos ato.

Kontribo

22 09 2019

Petrova e Shtimës mbështet fort Lëvizjen

Nga Petrova e Shtimes me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtin, dhe me kandidatët për deputetë, Fatmir Rashitin, Enkelejda Arifin dhe Qemajl Aliun mbajtëm tubim mobilizues.

Kandidati Fatmir Rashiti tha në tubim se një qeveri si ajo e Albin Kurtit nuk mund të dështojë kur e ka prioritet arsimimin e rinisë së vendit. Pas datës 6 tetor brenga e braktisjes së Kosovës nga të rinjtë do të marrë përgjigjen e përkujdesin që ka kërkuar në një qeveri e cila arsimin e bën cilësor dhe e lidh atë me tregun e punës përmes përgatitjet praktike e profesionale të studentëve e nxënësve.

Kandidati Qemajl Aliu shpjegoi masat e qeverisë Kurti për sistemin shëndetësor me krijimin e fondit të sigurimeve shëndetësore publike, listën esenciale të barnave të paguara nga buxheti i shtetit për mjekimet bazë, ambulancat e lagjeve e fshatrave të depolitizuara dhe fokusimin te mjeku i familjes e organizimi i mjekësisë familjare.

Kandidatja Enkelejda Arifi bëri thirrje për votim masiv sepse vota është e drejtë dhe detyrim i çdo qytetari, për t’u shfrytëzuar nga secili, “sepse nëse ne nuk votojmë votojnë të tjerët për ne, prandaj të dalim të gjithë me 6 tetor të votojmë për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë”.

Në fjalën e tij Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti tregoi sesi me shtetin e së drejtës e luftojmë padrejtësinë korrupsionin e krimin, me shtetin zhvillimor papunësinë dhe me shtetin social sjellim barazinë në mënyrë që ata që kanë nevoja më të mëdha të shërbehen më së pari nga shteti. “Me VETËVENDOSJE!-n në qeverisje do të ndihmojmë dhe mbështesim ata që janë më keq, sepse milionerët bëjnë zgjidhjeje gjithsesi”, tha i pari i listës tonë. Për mjedisin premtoi se, “do ta ruajmë dhe mbrojmë mjedisin, do ta pastrojmë Kosovën dhe nuk do ta lejojmë ndotjen e saj. … Toka, ajri dhe uji jonë duhet të mbrohen në mënyrë të pakompromis e pa rezervë. Planifikimi hapësinor dhe mjedisi janë kushtetuta e dytë e një republike”.

Për çdo ditë rritet pjesëmarrja e qytetarëve në tubimet e Lëvizjes, për çdo ditë rritet entuziazmi për ditën e madhe të 6 tetorit. Fitorja e Lëvizjes do të jetë masive e referendare ashtu siç e meritojnë ndryshimet e mëdha për barazi, drejtësi e zhvillim.

Kontribo

22 09 2019

Hajvalia gati për një ditë e kohë të re me qeverinë Kurti

Në një sallë të mbushur plot me qytetarë të Hajvalisë të Prishtinë bashkë me kandidatin për Kryeministër, Albin Kurtin, dhe kandidatët për deputetë, Arben Vitinë, Fatmire Mulhaxha Kollçakun, Fitore Pacollin dhe Hekuran Muratin bashkëndamë masat prioritare të qeverisë Kurti.

Kandidati Arben Vitia kujtoi se problemet e mëdha sociale si papunësia e lartë dhe afatgjatë, më e larta në rajon, dhe gjendja e rëndë në sistemin shëndetësor do të ndryshojnë përmes mbështetjes për prodhimin vendor dhe për ringritjen e një sistemit të fortë shëndetësor publik. Për kandidaten Fitore Pacolli zhvillimi ekonomik që duam është i pamundur pa investime në edukim, ku përmes hapjes së çerdheve publike dhe garantimit të edukimit parashkollor publik nuk do t’i lëmë nënat e 92% të fëmijë që qëndrojnë në shtëpi t’i kenë fëmijët pengesë për të kërkuar punë.

Kandidati Hekuran Murati tregoi sesa e madhe është mbështetja aktuale për Lëvizje ku edhe votuesit e LDK-së po bëhen gati ta votojnë Lëvizjen pasi LDK-ja nuk pranoi të bënte koalicion parazgjedhor, por ku edhe votuesit e PDK-së do ta votojnë Lëvizjen ngaqë PDK-ja nuk po shkëputet nga kapja e shtetit. Ndërsa kandidatja Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha me bindje se fitorja e Lëvizje me 6 tetor është realizimi i dëshirave dhe ëndrrave të kamotshme të shqiptarëve në Kosovë për të jetuar në një vend të lirë, të drejtë, të barabartë dhe në zhvillim e sipër.

Në fjalën e tij Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti u zotua se shteti i qeverisur nga Lëvizja do të jetë në shërbim, i mirësjellshëm dhe i përulur ndaj nevojave e brengave të qytetarëve. Luftimi i krimit dhe i korrupsionit është prioritet i yni sepse, “shteti diskreditohet dhe nuk ka autoritet të mbledhë tatime në një shoqëri kur qytetari e sheh qartë se qeveria po vjedh dhe prokuroria po fle”, tha Albin Kurti. Fjalën e tij e mbylli duke thënë, “na duhet një qeveri 4 vjeçare, prandaj pjesëmarrja masive dhe fitorja e madhe për ndryshimin radikal janë të domosdoshme në mënyrë që të flitet për periudhën para 6 tetorit dhe atë pas 6 tetorit, ku bashkë ndërtojmë një kohë të re prej nga kujtojmë votën për numrin 126. Mbështeteni Lëvizjen VETËVENDOSJE! si e vetmja zgjedhje dhe zgjidhje e cila ju beson juve dhe ju duhet t’i besoni asaj”.

Në përfundim të tubimit përuruam edhe hapjen e zyrës tonë në Hajvali. Lëvizja dhe mbështetja qytetare për të nuk do të ndalen as deri në 6 tetor as pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kontribo

21 09 2019

Prodhues, fermerë e pensionistë duan fitoren e Lëvizjes

Nga Vitia deri në Gjilan, kandidati i Lëvizjes për Kryeministër Albin Kurti shoqëruar nga kandidatë për deputet bëri një tur takimesh nga akademia shkencore për Pjetër Bogdanin, në vizitë te prodhues vendor e familje aktivistësh të Lëvizjes deri në bashkëbisedim me të moshuar.

Në Stubëll, ku Dom Mikeli hapi shkollën e parë shqipe morëm pjesë në akademinë shkencore e manifestimin e përvitshëm letrar e kulturor “Takimet e Dom Mikelit 2019” mbi jetën e veprën e Pjetër Bogdanit. Bogdani mbetet jehonë nga e kaluara për të drejtën dhe detyrën e çdo qytetari për t’u kujdesur për tjetrin. Përkujdesja ndaj tjetrit është ajo që e bën bashkë të drejtën, barazinë dhe të vërtetën. Përndryshe harresa, mashtrimi e lakmia i përmbysin zemrat tona.

Në Viti vizituam fabrikën e miellit “Thesari” me 100 punëtorë të punësuar e në vazhdim në Gjilan fabrikën e vajit “Floil” e fermën “Mendy”. Prodhuesit vendor ndanë me ne mungesën e mbështetjes shtetërore, kreditë me interesa të larta dhe mungesën e një arsimi që i përgatit praktikisht studentët. Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, u premtoi se qeverisja e Lëvizja do të qëndrojë pranë bizneseve në përgjithësi ngaqë nuk do të ketë biznesmenë të përveçëm në marrëdhënie më të ngushtë me qeverinë.

Në takim me pensionistët në Gjilan Albin Kurti tha se ka ardhur dita e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, “të tjerët i kanë patur nga dy e tre shanse për ta drejtuar Kosovën, ndërsa VETËVENDOSJE! kërkon vetëm një shans për ta luftuar krimin e korrupsionin dhe për t’i mundësuar ndryshime e mëdha sociale të nevojshme për Kosovën”. Rritja e buxhetit për shtëpitë e pleqve nëpër komuna dhe kërkesa ndaj serbisë për kthimin e fondit të pensioneve, mes të tjerash, do të jenë dy masa të Lëvizjes ku zëri i të moshuarve do të flasë përmes shtetit të Kosovës.

Procesi i dhunshëm i privatizimit nuk ka sjellur zhdukjen totale të industrive, por e i ka copëzuar ato aq shumë sa i ka bërë të padukshme. Shkëputja e arsimit nga përgatitja praktike profesionale ka sjellë një situatë ku as çdo i 20-ti punëtor nuk aftësohet dot në muajin e parë të punës. Ndërsa dy funksionet më efektive të shteti, mbikqyrja e mirëmbajtja, nuk funksionojnë në shteti e Kosovës. Qeveria Kurti do t’i fitojë zgjedhjet e 6 tetorit pikërisht për të ndryshuar këtë situatë.

Kontribo

21 09 2019

Solidaritet me të lënduarit nga tërmeti në Durrës e Tiranë

Tërmeti i fuqishëm që tronditi Durrësin dhe Tiranën ka lënduar dhjetëra njerëz e ka dëmtuar rëndë disa objekte banesore. Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh solidaritetin e saj me Shqipërinë, veçanërisht me njerëzit që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Shpresojmë që të lënduarit të bëhen mirë sa më shpejt, e sigurisht që edhe mbështetësit tanë do të bashkohen në mbështetje e ndihmë për bashkëkombasit tanë, sapo të merren vesh se cilat janë përmasat e dëmeve ekonomike e pronësore, dhe nevojat urgjente.

Kontribo

21 09 2019

Në Mitrovicë e Vushtrri fryma e qeverisë Kurti ndihet gjithandej

Mes qindra qytetarësh që po bëhen me mijëra nga Gushavci në Zhabar, nga Mitrovica në Vushtri, Lëvizja mbajti katër tubime mobilizuese me kandidatin tonë për Kryeministër, Albin Kurtin me një pjesë të listës tonë të kandidatëve, Xhelal Sveçlën e Rexhep Selimin, kandidatët nga Mitrovica, Faruk Mujkën, Arjeta Fejzën e Fidan Ademin dhe kandidatët nga Vushtrria, Besim Muzaqin, Gazmend Gjyshincën, Fjolla Ujkanin e Sylejman Mehollin.

Në tubime mori pjesë e foli edhe Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke kujtuar mbështetjen e madhe që ka marrë nga Lëvizja dhe Albin Kurtin për të mos i lënë 7 fshatra të Mitrovicës të bëheshin pjesë e komunës veriore. “Njeriu që ka dëshmuar për këtë vend edhe si student, edhe si demostrues, edhe si parlamentar, edhe si i burgosur, njeriu që ka dëshmuar se mund të bëjë gjithçka për Kosovën, të cilin nuk mundën ta thyejnë sepse ka një ideal në shpirt, një zemër të fortë dhe një vizion të qartë”, kujtoi Bahtiri.

Në fshatrat e qytetet tubuese, Kryeministri i ardhshëm Kurti prezantoi masat ndërhyrëse për ndryshimet e mëdha për Kosovën, nga vettingu, te shëndetësia dinjitoze, arsimi falas e cilësor, garantimi i kushteve të punës e deri te prodhimi vendor. “Fitorja e Lëvizjes është e vetmja garancë që PDK-ja të shkojë në opozitë e atje në centrifugë të pastrohet, mirëpo Lëvizja jonë nuk duhet të fitojë vetëm që të shkojë PDK-ja në opozitë. Lëvizja duhet të fitojë që t’i zëvendësojë emigrimin me punësim, korrupsionin me drejtësi, krimin me siguri, skamjen me begati, sëmundjen me shërbim, arrogancën me respekt e injorancën me arsim”, tha Albin Kurti.

Me alternativën tonë qeverisëse me drejtësinë në zemër, me dëshirën për barazi e me zhvillimin në mendje do t’i zvogëlojmë pabarazitë në aftësi profesionale, pabarazitë në të ardhura dhe pabarazitë përpara ligjit. Një ditë e re e një kohe të re për Kosovën e barazinë mes qytetarëve të saj vjen me qeverisjen Kurti nga data 6 tetor e tutje.

Kontribo

20 09 2019

Zhegër e Pozharan: qindra tubojnë për qeverinë Kurti që po vjen

Nga Zhegra e Agim Ramadanit në Pozharan, me Kryeministrin e 6 tetorit, Albin Kurtin, shoqëruar nga shumë kandidatë për deputetë mbajtëm dy tubime të zjarrta me qindra qytetarë bashkangjitur. Qytetarët duan ndryshime të mëdha për Kosovën dhe jetët e tyre dhe po vijnë në tubime për të dëgjuar sesi do të duket jeta e tyre pas 6 tetorit.

Në tubime mori pjesë edhe Aleksandra Channer, aktivistja e angazhuar në Kosovë prej fillimit të dekadës së kaluar, e ardhur posaçërisht nga Britania e Madhe për të mbështetur Lëvizjen tonë. Në fjalën e saj, Aleksandra Channer shpjegoi dy arsyet se pse ka ardhur në Kosovë duke thënë, “së pari, unë besoj se VETËVENDOSJE! e sjell ndryshim sepse e ka vullnetin e dijen për ta çkapur shtetin nga politikanët që janë bërë kriminelë dhe po ashtu ka vullnetin dhe bindjen për t’i ndryshuar thellësisht jetët e njerëzve. Ndërsa arsyeja e dytë është Albin Kurti, të cilin e kam njohur si aktivist, si i burgosur dhe si deputet, dhe jam thellësisht e bindur në ashtin e trupit se do ta njoh Albinin edhe si Kryeministër pas 6 tetorit”.

Ndërsa kandidati jonë për Kryeministër tregoi sesi gjithandej nëpër kosovë po vlojnë tubimet e popullit tonë të uritur për ndryshime barazie, drejtësie e zhvillimi. “Kosova ka nevojë për shërim sepse e kanë trajtuar shumë keq. Hajni plaçkën e tij e trajton keq, mallin që e ka vjedhur e trajton keq, automjetin e vjedhur e ndesh shpesh. Ne duhet t’ua marrim Kosovën tonë të dashur prej duarve atyre që e kanë plaçkitur dhe me ta duhet të merret prokuroria dhe gjyqësia. Hajnat duhen në burg dhe plaçka e tyre në buxhet”, u zotua Albin Kurti.

Zhegra e Pozharani, fshatrat e qytetet e Kosovës janë të vetëvendosur për kthesën e madhe të 6 tetorit, janë të vetëvendosur për ta mundësuar drejtësinë në mënyrë që ta pamundësojnë hakmarrjen. Pabarazia, papunësia dhe padrejtësia do të kenë një armik të palëkundur pas 6 tetorit. Më pak se tri javë e ndajnë Kosovën nga dita e lindjes së një qeverie të barazisë, drejtësisë dhe zhvillimit.

Kontribo

19 09 2019

Takim me ambasadorin gjerman Christian Heldt

Kryetari Albin Kurti takoi sot ambasadorin gjerman Christian Heldt, me të cilin foli për zhvillimet e fundit politike dhe rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Bashkë me ambasadorin ndamë mendimin që qytetarët e Kosovës e meritojnë të kenë një proces të rregullt zgjedhor, demokratik e të lirë, me transparencën e nevojshme dhe me një fushatë zgjedhore të ndershme. Mbi zhvillimet e fundit politike, Kryetari Kurti i prezantoi ambasadorit Heldt prioritetet e VETËVENDOSJE!-s me theks në sundimin e ligjit që lufton krimin e korrupsionin dhe zhvillimin ekonomik që gjeneron vende pune.

Kontribo

19 09 2019

S’ka lagje e fshat të Gjilanit të pamobilizuar për Qeverinë Kurti

Në Gjilan, nga lagjia Arbëria deri në fshatin Malishevë përgjatë mbrëmjes vazhduam radhën e pafund të tubimeve mobilizuese e bashkbisedimeve me qytetarë në koridore të gjata shkollash e në palestra sportive mbushur plot.

Kandidatët nga Gjilani, Alban Hyseni e Arbëreshë Kryeziu, Labinota Demi e Shemsi Syla, folën në lagjen Arbëria për nevojën e një faze mobilizimi final drejt fitores së 6 tetorit. Ndërsa Nevzad Isufi e Ismajl Kurteshi, Arijeta Rexhepi e Sami Kurteshi mbajtën fjalët e tyre në fshatin Malishevë.

Thirrja për fitoren e Lëvizjes është në të njëjtën kohë detyrë qytetare, dëshirë popullore dhe nevojë imediate. Përkrahja për Lëvizjen është masive, bindëse dhe e palëkundur. Kosova dhe bashkëqytetarët tanë meritojnë më shumë arsim, shëndetësi, infrastrukturë e ligjshmëri, më shumë barazi, solidaritet e zhvillim.

Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, shpjegoi programin qeverisës të Lëvizjes. Në qeverinë Kurti e për Kryeministrin e zemrave tona, për punëtorin do të ketë ligj pune, 5-fishim të inspektoriatit, gjykatë të punës e fuqizim të sindikatave, për ndërmarrësit do të ketë bankë zhvillimore me këste të ulëta në periudha të gjata e gjykata komerciale dhe për ndërmarrjet publike e shoqërore do të kemi fondin sovran.

“Kurrë më nuk do të kemi pushtet që sillet si prona i republikës dhe popullin e vet e ndan si argat e armiq”, deklaroi Albin Kurti. “Më së shumti duhet t’u shërbejmë atyre që kanë nevojat më të mëdha”, u zotua i pari i maratonës tonë fituese Kurti.

Varfërisë, pabarazisë dhe padrejtësisë po u vjen dita e fundit. Qytetarët me qeverinë Kurti nuk do të ndihen të vetmuar e të mangët, por të bashkuar e të zotët e këtij vendi. Paaftësinë do ta zëvendësojë profesionet, urrejtjen dashuria, frikën entuziazmi, pabarazinë barazia e mjerimin zhvillimi.

Kontribo

18 09 2019

Erdhi dita për një shtet në funksion të shëndetit dhe banimit

Entuziazëm i lartë edhe në pjesën e Prishtinës së vjetër ku qytetarët e mbushën hollin e shkollës ‘Emin Duraku’ për të dëgjuar kryeministrin e ardhshëm Albin Kurti dhe kandidatët për deputet Arben Vitinë, Leonora Shabani-Bajraktarin, Shpejtim Bulliqin dhe Venera Llunjin. Pati edhe dhjetra anëtarësime të reja e të pranishëm ishin edhe kandidatët e tjerë të listës së Lëvizjes.

Arben Vitia tha se statistikisht 20% e popullsisë për arsye ekonomike nuk shkon te mjeku dhe që kjo do të ndryshoj me sistemin e sigurimeve shëndetësore që do e sjell qeveria e re, ku secili qytetar do t’i marr shërbimet më të mira e sidomos ata që kanë pak.

Kandidatja Leonora Shabani-Bajraktari foli për betejat që ka zhvilluar edhe individualisht por edhe përmes VETËVENDOSJE!-s në Komunën e Prishtinës për t’i ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta. Ajo tha se qeveria e re do ta marr përsipër të kujdeset për fëmijët, arsimimin dhe zhvillimin e tyre.

Shpejtim Bulliqi tha se VETËVENDOSJE! është e vetmja që sjell ndryshimin dhe perspektivën për qytetarët e vendin dhe se andaj është bërë pjesë e saj. Ai porositi që mos t’iu besojmë atyre që flasin tani për vija të kuqe ngase e kaluara ka dëshmuar se ato vija të kuqe bëhen të gjelbra në përfundim të zgjedhjeve.

Venera Llunji foli për sistemin arsimor duke theksuar nevojën për cilësi dhe dinjitet më të lartë në këtë fushë si parakusht që të kemi mjekë, ekonomistë dhe inxhinierë të mirë por edhe qytetarë të denjë në të ardhmen.

Kryeministri Kurti tha se në Kosovë nuk është treguar aspak kujdes me klasën e mesme dhe se një sëmundje më serioze po i zhvendosë ata nën pragun e varfërisë, për shkak se nuk ka sigurime shëndetësore, as medikamente bazë dhe shpeshherë as shërim brenda vendit.

“Tek ne veturat kanë sigurim por jo edhe njerëzit dhe kjo tregon që e kemi një shtet në funksion të veturave, asfaltit, qarkullimit, por jo në funksion të banimit. Me qeverinë e re do të kalojmë nga investimet në asfalt në investime që gjenerojnë vende të punës e akumulojnë kapital. Me sigurime shëndetësore dhe spitale që e bëjnë ndarjen mes privates dhe publikes në mënyrë që mjekët të mos rekrutojnë pacientë paradite për ordinancat e tyre private pasdite. Me një shtet human që nuk është në funksion të veturës, mallit, parasë dhe ku pacienti kur niset për në QKUK të mos e mendoj xhepin e tij por sëmundjen që ka, do ta fillojmë qeverisjen e re”, tha ai.

Deri më sot data dhe subjekti dihej, tash e dimë edhe numrin e fitores 126, andaj duhet të mobilizohemi që fitorja të jetë sa më e madhe ngase ndryshimet duhet të jenë sa ma rrënjësore.

Kontribo

17 09 2019

Gjakova: Erdhi dita për prodhuesit e punëtorët

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, qëndroi dje në Gjakovë ku bashkërisht me kandidatët për deputetë Jahja Koka, Arbërie Nagavci, Agon Batusha, Mimoza Kusari-Lila, Mimoza Shala, Hysamedin Feraj, Taulant Kryeziu, Lorik Lipoveci dhe Vlora Vula-Gojani, vizituan ndërmarrjen shoqërore ‘Jatex’, kompanitë që merren me përpunimin e drurit për mobileri ‘Mebel’ e ‘Deva’ si dhe një fermë në fshatin malor Babaj të Bokes, me të cilët nga afër u diskutua për problemet e tyre dhe zgjidhjet që i parasheh qeveria e re e VETËVENDOSJE!-s.

Në ‘Jatex’, Drejtori Riza Lula tregoi se si kjo ndërmarrje me prodhimtarinë e saj eksportuese dikur punësonte rreth 1300 punëtorë, kurse tani në listë ka vetëm 600 prej të cilëve vetëm 30 marrin paga. Ai shprehu shqetësimin se si pronat e ‘Jatex’ në rajon, të blera me pagat e 12-ta të punëtorëve, në Bosnje (5), Mal të Zi (4) dhe Serbi (24) janë uzurpuar e janë shitur dhe shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë. Si përgjigje, Kryetari Kurti tha se qeveria e re do ta shfuqizoj AKP-në dhe përmes Fondit Sovran që i përgjigjet Kuvendit, një bordi profesional, do ta menaxhojë dhe strukturojë këtë ndërmarrje duke ua mundësuar qytetarëve e në veçanti atyre nga diaspora të bëhen aksionarë në të. Qeveria e re do të kërkojë zyrtarisht zhdëmtim për shkatërrimet që ka bërë Serbia, përfshi këtu edhe pronat që janë uzurpuara e shitur si ato të ‘Jatex’.

Kompanitë që merren me mobilieri shprehën shqetësimin për ikjen e punëtorëve të kualifikuar, hapësirën e punës dhe ngjashëm me fermerët mungesën e subvencioneve dhe kreditë e larta që detyrohen t’i marrin. Me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s, do të ketë sistem dual të arsimit që e lidh këtë të fundit me ekonominë në atë mënyrë qe barra e edukimit të punëtorëve të mos bie më mbi bizneset. Kurse kamatat do të bien nën 3% dhe koha e kthimit do të rritet përmes Bankës Zhvillimore që do t’i ndihmojë prodhuesit vendor, tha Kryetari Kurti.

Pas këtyre takimeve, Kryetari Kurti, së bashku me kandidatët për deputet nga Gjakova, uruan mirëseardhjen për 50 e më shumë anëtarë të rinj në Qendrën e Lëvizjes në Gjakovë, me të cilët u zhvillua një diskutim publik rreth mobilizimit për zgjedhjet e 6 tetorit. Dalja do të jetë masive, fitorja e madhe dhe ndryshimet rrënjësore.

Kontribo

16 09 2019

Besiana mezi po e pret 6 tetorin

Në qendër të Besianës dhe në oborret e shkollave të fshatit Sfeqël e Gërdoc me qytetarë të bashkuar edhe nga Kaqybegu të po kësaj komune kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti mbajti tre tubime bashkëbiseduese dhe mobilizuese. Në tubime morën pjesë edhe kandidatët për deputetë të Lëvizjes, Ajet Potera, Sabri Kiçmari, Shpejtim Bulliqi, Mevlyde Hyseni, Fitim Haziri dhe Fatmir Humolli duke mbajtur fjalët e rastit.

Sabriu tregoi gatishmërinë e qytetarëve dhe të Lëvizjes për t’i nxjerrur në pension qeveritë e deritanishme bashkë me mentalitetin e tyre, ndërsa Shpejtimi shprehu bindje se fitorja e Lëvizjes do vijë falë bashkimit të qytetarëve të të gjitha gjeneratave që identifikohen me qëllimin tonë. Ajeti u zotua për mbështetjen e duhur buxhetore për ushtrinë, ndërsa Mevlydja foli për mbrojtjen e punëtorëve dhe grave në qeverisjen e Lëvizjes. Fitimi tha se në asnjë mënyrë qeverisja Kurti nuk do t’i ngjajë qeverisjeve të deritanishme, ndërsa Fatmiri ndau bindjen se Kosovës ndryshimi nuk mund t’i vijë nga jashtë por nga dëshira e madhe që kanë qytetarët e saj.

I rrethuar nga plot anëtarë të rinj të Lëvizjes, Kryeministri i ardhshëm Kurti tha se gjëja e parë që do të bëjë në qeveri do të jetë zvogëlimi i qeverisë dhe zgjerimi i shtetit duke thënë se, “unë nuk kam nevojë për 3 zëvendësa dhe 35 këshilltarë”. Më tutje, mbështetjen për prodhimin vendor në prodhim, shpërndarje, por edhe në konsum tregoi se qeveria e Lëvizjes do ta garantojë përmes ligjit për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe e ilustroi me shembullin se, “shteti si konsumator do të jetë konsumues i prodhimeve vendor më së pari”.

Përmes shtetit social, zhvillimor dhe të së drejtës Lëvizja do ta luftojë edhe pabarazinë, edhe papunësinë edhe padrejtësinë. Tashmë, ka ardhur dita që qytetarët e shumtë që po na bashkohen e dinë se Kosova nuk mund të vazhdojë më kështu, e duan ndryshimin e kësaj gjendje dhe do ta votojnë masivisht Lëvizjen.

Kontribo

15 09 2019

Lëvizja e përkushtuar në mbrojtjen e votës

Zgjedhjet e 6 tetorit janë shumë më shumë se sa vetëm zgjedhje. Në këto zgjedhje, qytetarët me të drejtë vote do t’i japin fund keqqeverisjes, e do t’i hapin rrugë një kulture krejtësisht tjetër të qeverisjes së mirë, të ndershme, transparente e nga profesionistë të thekur. Ndryshimi i madh ka qenë vazhdimisht i nevojshëm, por kësaj here është edhe i mundshëm po aq sa i domosdoshëm.

Mbështetja e madhe për Lëvizjen, është dëshmi për ndryshimin e madh që po vjen. Por, përkrah mobilizimit për ndryshim, strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë filluar tashmë mobilizimin për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të për garantuar paprekshmërinë e vullnetit të votuesve.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë marrë kuptim me praninë e komisionerëve dhe të vëzhguesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër vendvotime e qendra të votimit. Roli i komisionerëve dhe vëzhguesve tanë ka qenë vendimtar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Ndërsa, në zgjedhjet e 6 tetorit jemi edhe më të përgatitur e më të mobilizuar për të mos lejuar çfarëdo përpjekje apo tendence për ta deformuar vullnetin e votuesve. Komisionerët dhe vëzhguesit e Lëvizjes do të jenë gardian të secilës votë, të secilit qytetarë pa dallim. Në ditët e javët në vijim, do të zhvillojmë takime mobilizuese, e trajnime profesionale me të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve për të mundësuar zgjedhje të lira, të ndershme e në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Ftojmë të gjitha instituciont shtetërore përgjegjëse për të përgatitur apo garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme institucionale që garantojnë pacenueshmërinë e zgjedhjeve.

Kontribo

14 09 2019

Tubim mbresëlënës në lagjen Bregu i Diellit

Qindra qytetarë të lagjes Bregu i Diellit u mblodhën në një tubim mobilizues për zgjedhjet e 6 tetorit. Në tubim foli kandidati për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatët për deputetë Nora Kelmendi, Rexhep Selimi, Driton Vela dhe Getoar Mjeku. Të pranishëm në hollin e mbushur të shkollës ‘Ismail Qemali’ ishin edhe kandidatët e tjerë të listës tonë.

Nora Kelmendi tha se Lëvizja me punën e saj të pandalshme në Kuvendin e Kosovës dhe në Komunën e Prishtinës e ka dëshmuar se rrënjët e së keqes mund të luftohen dhe të çrrënjosen dhe se pas 6 tetorit ato rrënjë do t’i largojmë njëherë e përgjithmonë.

Rexhep Selimi foli për nevojën e një sistemi arsimor që i aftëson fëmijët drejt një ardhme më të ndritur e qe arrihet vetëm përmes programit të VETËVENDOSJE!-s.

Driton Vela kujtoi uzurpimet e hapësirave publike dhe përforcoi domosdoshmërinë e çlirimit të tyre nga të gjithë ata që keqpërdorin.

Ndërsa Getoar Mjeku, si më i riu, theksoi rëndësinë e punës dhe dinjitetit të arsimtarëve dhe profesorëve. Ai përmendi se si lagja e Bregut të Diellit në kohë lufte ofronte hapësirë për mësimdhënie kurse sot i mungojnë hapësirat e duhura për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Kryeministri – siç e thërrisnin qytetarët në sallë – Albin Kurti, përdori figurën e një ulëseje të vjetër tradicionale për ta paraqitur programin e Lëvizjes, “Shkëmbi që të jetë ulëse duhet t’i ketë tri këmbë: Zhvillimin, Drejtësinë dhe Barazinë. Shkëmbi siç e dimë të gjithë nuk është për politikanë, nuk është karrigë politikani, por është ulëse për popullin. Ai e mban peshën e popullit dhe ato tri këmbë janë aty për ta luftuar dhe për t’i rezistuar pabarazisë, padrejtësisë dhe papunësisë”.

Një kësi shkëmbi i nevojitet vendit tonë. Një shtet i ri, një qeverisje e re, në të cilin ata që kanë më shumë paguajnë më shumë për të mirën e përgjithshme dhe ata që i kanë nevojat më të mëdha shërbehen të parët. Një këso shteti zotohemi që do ta sjellim që nga dita e parë, pas fitores tonë me 6 tetor – tha kryetari Kurti.

Kontribo