14 09 2019

Erdhi Dita e Listës Fitimtare

Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kandidatit për Kryeministër, Albin Kurtit, prezantoi listën fitimtare të kandidatëve tanë për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në një atmosferë të zjarrtë mes aktivistësh që nuk dinë të ndalen, Kryetari, Albin Kurti foli për vizionin e një qeverie e cila do t’i japë fund hajnisë dhe korrupsionit për një shtet ku drejtësia është e padiskutueshme, zhvillimit i hapet rruga dhe lulëzon barazia.

Kryetari Kurti tregoi se, “Lista e VETËVENDOSJE!-s për zgjedhjet e 6 tetorit është dëshmi e një qasjeje ndryshe për ndryshim progresist e për përfaqësim të pandryshueshëm. Lista jonë përbëhet nga burra dhe gra me edukim cilësor, me atdhedashuri të dëshmuar, me profesionalizëm të lartë e me aktivizëm shoqëror”.

Me aktivistë me guxim të palëkundur dhe me profesionistë të zotë që nuk mund të rrinë pa i shërbyer vendit, Kosovës po i vjen një ditë e re, një ditë e drejtësisë, barazisë dhe e zhvillimit.

Kontribo

14 09 2019

Kurilla – Pika e Ndryshimit

Në lagjen e rëndësishme të Kurillës, që ishte edhe vendimtare për fitoren e Lëvizjes në zgjedhjet e nëntorit 2017 në Prizren, u hap sot zyra e shtabit të Kurillës. Me këtë rast, interesimi i madh i banorëve e shndërroi oborrin privat të familjes Doda në një tubim publik ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, i cili foli për ndryshimet që e presin vendin pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kryetari Kurti tha se qeveritë e mëparshme, në veçanti panistët, kanë hy në borxh me Prizrenin, duke aluduar në ndarjen e buxhetit. “Kryeqytetit tonë kulturor dhe historik i është ndarë një buxhet simbolik. Njerëz që nuk e duan Prizrenin kanë qenë në këtë panqeverinë, që shkoi për të mos u kthyer më kurrë.”

Në zgjedhjet e qershorit 2017 i fituam tre deputetë nga Prizreni, ndërsa tani duhet t’i kemi 6: Artan Abrashin, Arbër Rexhajn, Drita Millakun, Hajrullah Çekun, Dafina Alishanin dhe Yllëza Hotin, të cilët nuk janë thjeshtë njerëzit e VETËVENDOSJE!-s në Prizren, por edhe njerëzit e Prizrenit në VETËVENDOSJE! e së shpejti deputetët e Kuvendit të Republikës.

Shteti i dobët dhe i kapur i Kosovës nuk mundet ta mbajë edhe një qeveri të kriminalizuar dhe të korruptuar të këtyre panistëve, andaj ata duhet të shkojnë. Panistët janë në panik e prandaj po na sulmojnë porsi opozita e ardhshme neve që jemi qeveria e ardhshme.

VETËVENDOSJE! zotohet para jush që pa rezerva dhe pa kompromis, pa kursim për qeverinë, do ta luftoj krimin dhe korrupsioni, se do ta çlirojë prokurorinë nga ekzekutivi në mënyrë që edhe hajnat të shkojnë në burg edhe plaçka të kthehet në buxhet.

Në vend të emigrimit na duhet punësimi. Duhet ta lidhim tregun e punës me shkollimin cilësor. Arsimin me ekonominë. Në mënyrë që hendekun e aftësive ta urëzojmë fuqishëm për herë të parë 20 vjet pas çlirimit dhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Shëndetësia do të jetë në nivelin e duhur, siç ka dëshmuar Arben Vitia në Prishtinë, në mënyrë që qytetarët kur të sëmuren të mos e kenë parasysh thellësinë e xhepit, por vetëm seriozitetin e sëmundjes që do ja diagnostikoj mjeku ynë e që do ua shërojnë barërat tona që nuk do të detyrohet t’i blej jashtë.

Ne do ta zbusim pabarazinë. Do të ketë drejtësi sociale përveç se rritje ekonomike në mënyrë që edhe ligji të mos jetë thjeshtë një instancë që e ndanë popullsinë në ata që janë të pambrojtur dhe ata që janë të paprekshëm, por që na bën bashkë duke qenë çdoherë kudo të barabartë para tij dhe përpara tij. Sundimi i ligjit nuk ka alternativë në qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s.

Me Lëvizjen, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor që më herët ka qenë ministri e shpronësimit dhe asfaltit të shtrenjtë me neve bëhet ministri që e mbron mjedisin. “Bëhet ministri e cila planifikimin hapësinor e shndërron në kushtetutë të dytë të vendit tonë. Nëse kushtetuta siç e njohim ne kodifikon të drejtat civile dhe organizimin institucional kushtetuta e dytë është mjedisi dhe planifikimi hapësinor ku prioritet do ti jepet mbrojtjes së ambientit e jo shpronësimeve për asfaltin e shtrenjtë”

Kurilla di të përcaktohet, të punojë, të angazhohet dhe organizohet që fitoren e 6 tetorit në Prizren ta përkthejmë në gjithë Kosovën.

Kontribo

13 09 2019

Një intervistë e kryetarit Albin Kurti për rrjetin publik gjerman, Deutsche Welle dhe një raportim mbi aktivitetet e tij të ditëve të fundit në Gjermani

Kryetari i grupit parlamentar të Evropës Juglindore, Josip Juratoviç (SPD), dikur tejet kritik ndaj Vetëvendosjes dhe ish-liderit të saj, i tha Deutsche Welle-s se Albin Kurti “i ka idetë e duhura për ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje që sundon prej disa dekadash e ku pushteti ka mbetur në dorë të një klike të dalë prej luftës e që nuk ka qëllim tjetër veç mbajtjen e pushtetit”. Josip Juratoviç dhe Albin Kurti diskutuan të mërkurën në Berlin për të ardhmen e Kosovës, në një panel të përbashkët, të organizuar nga Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert” dhe dega gjermane e Institutit Aspen.

Një tjetër deputet socialdemokrat nga Bundestagu, Stefan Schwartze, mbajti një fjalë të shkurtër në tubimin zgjedhor në Berlin-Neukölln, që u mbajt të mërkurën në mbrëmje dhe i inkurajoi shqiptarët e diasporës që të votojnë për Albin Kurtin. Krahas Kurtit, në tubim folën edhe drejtuesi i grupit parlamentar të VV, Glauk Konjufca dhe kandidatja e re për deputete, Mevlyde Hyseni, si dhe drejtuesi i fondacionit Friedrich Ebert në Prishtinë, Frank Hantke.

https://m.dw.com/…/kurti-prioriteti-ynë-është-lu…/a-50400770

Kontribo

13 09 2019

Erdhi Dita edhe për lagjen e Muhaxherëve

Mes banorësh të etur për ndryshime Lëvizja VETËVENDOSJE! me kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin, mbajti tubim në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë. Në tubim mbajtën fjalën kandidatët nga Qendra e Prishtinës, Arben Vitia dhe Venera Llunji, e të pranishëm ishin edhe kandidatë të tjerë nga lista jonë fituese.

Arben Vitia foli për një problem të madh, që i prek gjithë qytetarët, gjendjen e rëndë nëpër spitalet e vendit tonë, përfshi edhe QKUK/në. Vitia u zotua se qeveria e Lëvizjes do të garantojë trajtim të barabartë: “erdhi dita që gjërat t’i kthejmë kah e mbara, bashkë me shumë njerëz të guximshëm, e profesionistë të fushave të ndryshme”.

Venera Llunji theksoi nevojën e angazhimit të barabartë të grave dhe burrave për fitimin e zgjedhjeve dhe për ndryshimet për barazi mes gjinive. Vota e grave është tepër e rëndësishme për të siguruar ndryshimin për të cilin Kosova ka kaq shumë nevojë.

Kryeministri i ardhshëm Kurti tregoi se ka ardhur dita për angazhimin e shtetit kundër krimit të organizuar, se ka ardhur dita për lidhjen e arsimit me tregun dhe për financimin e shkencës e kulturës. Ka ardhur dita që ta rregullojmë sistemin shëndetësor në mënyrë që asnjë pacient kur niset për spital ose për në ambulancë, apo për në qendër të mjekësisë familjare të mos mendojë sesa të thellë e ka xhepin, por vetëm sesi të shërohet sa më shpejt e më mirë në shërbimin publik shëndetësor në vendin tonë – tha kryetari Kurti. Tubimi u mbyll përzemërsisht me fjalët, “për hir të amanetit të dëshmorëve, për hir të ëndrrave të fëmijëve në djep, për hir të dëshirave të të rinisë bëhuni bashkë, punoni ditë e natë, në mënyrë që të shohim shumë dritë me 6 tetor”.

Problemet e mëdha që ka Kosova kanë nevojë për një kthesë të vërtetë, dhe Lëvizja ka idetë, programin, ekipin dhe guximin për realizimin e tyre. Brengat e qytetarëve janë programi i Lëvizjes. Rruga për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është e hapur. Erdhi dita që drejtësisë t’i japim zemër e guxim. Erdhi dita që ekonominë ta furnizojmë me ide zhvillimore. Erdhi dita që qytetarëve t’ua sigurojmë spitalet, shkollat dhe të drejtat në punë e mes gjinive në emër të barazisë mes vetes. Kapjes së shtetit i ka ardhur fundi. Erdhi dita për t’u bërë pjesë e një ëndrre të përbashkët për drejtësi, zhvillim e barazi.

Kontribo

12 09 2019

Bashkatdhetarët me Albinin

Më 7 shtator, në Aarau të Zvicrës në një tubim me mbi 1000 pjesëmarrës, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me deputetin e Këshillit Kombëtar në Zvicër, Cedric Wermuth, mbi zgjedhjet që i presin dy vendet tona dhe për nevojën e angazhimit qytetar në to.

Mërgata është elementi që e përforcon fitoren e Lëvizjes në Kosovë, në zgjedhjet e 6 tetorit. Bashkatdhetarët kanë qenë gjithnjë nismëtarët e ndryshimeve të mëdha në Kosovë. Tashmë, edhe Partia Social-Demokrate në Zvicër ka nevojë për mbështetjen e mërgatës shqiptare në zgjedhjet e radhës.

Shqiptarët e mërgatës po e ndjejnë nevojën e një angazhimi politik qoftë si aktivistë e qoftë përmes votës si qytetarë edhe në vendet ku kanë mërguar edhe në Kosovë. Angazhimi për avancimin e pozitave të shqiptarëve kudo ku janë si angazhim për barazi me të tjerë shpërfaq rritjen e vetëdijes politike mes nesh.

Si dy qytetarë të angazhuar, aktivistë e organizatorë, Kurti dhe Wermuth përforcuan nevojën për një social-demokraci energjike e cila e zgjeron raportin me qytetarët brenda vendeve dhe e forcon koordinimin mes forcave politike me të njëjtat bindje edhe mes shtetesh të ndryshme.

Në këtë tubim mbi 500 pjesëmarrës plotësuan regjistrin për të votuar në Kosovë, e me entuziazmin e tyre na e afruan ndjenjën e mirë të fitores që po vjen në 6 tetor.

Kontribo

12 09 2019

Shtabi zgjedhor takohet me kandidatët e listës fitimtare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Shtabi zgjedhor dhe kandidatët nga Lista fitimtare, ajo e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e mbajtën sot një takim të përzemërt, motivues e mobilizues. Mes shumë diskutimesh e bashkëbisedimesh, nisi një punë e përbashkët, e cila do të na shoqërojë deri në 6 tetor, kur së bashku do ta festojmë fitoren tonë dhe për Kosovën, kthesën e madhe kah e mbara!

Kontribo

12 09 2019

Erdhi Dita e Ndryshimit me Diasporën

Mbrëmë në Berlin, në tubimin me bashkatdhetarët tanë, kandidati për kryeministër i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me kandidatët për deputetë, Glauk Konjufca dhe Mevlyde Hyseni, shoqëruar edhe nga deputeti i Bundestagut nga radhët e SPD-së, Stefan Schwartze, dhe Drejtori i FES-it për Kosovë, Frank Hantke, folën për domosdoshmërinë e ndryshimeve në Kosovë dhe për qeverisjen e re të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

“Me fitoren e Lëvizjes me në krye njeriun që mishëron më së miri, programin dhe konceptin e saj, Albin Kurtin, do të ndryshojë çdo fushë e jetës në Kosovë, nga vënia e rendit dhe ligjit deri te vendosja e Kosovës në binarë të sigurtë të zhvillimit ekonomik”, tha në fillim Glauk Konjufca.

Më tej, kandidatja Mevlyde Hyseni vazhdoi duke thënë se me gjithë kontributin e saj mërgata duhet të ketë vendin e vet në të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe akoma më shumë të faktorizohet pas këtyre ndryshimeve. “Kemi nevojë për biznesmenë dhe bashkatdhetarë që investojnë në Kosovë, mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, mbajnë rininë brenda vendit, dhe sjellin përvojën e tyre të punës.”

Ndërkaq deputeti i SPD-së gjermane Stefan Schwartze tha se zgjedhjet në Kosovë, janë zgjedhje historike për investimet në shëndetësi e arsim dhe foli për sistemin dual që e lidhë arsimin me ekonominë dhe nevojat e saj, gjë që Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka në program. Ai përshëndeti dhe uroi kandidaturën e kryetarit Kurti për kryeministër, si realizimin e një dëshire personale të kahershme të tij për një socialdemokraci të vërtetë në Kosovë.

Frank Hantke në fjalën e tij tha se si Drejtor i FES ka 15 vite që punon për të ndihmuar ardhjen e socialdemokracisë në Ballkan, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës brenda Evropës. Tutje, përmendi se diaspora shqiptare më së shumti ka dhënë për Kosovën dhe se solidariteti i vërtetë nuk është vetëm të japësh, por edhe të marrësh. Ka ardhur koha që diasporës t’i njihet kontributi dhe të faktorizohen brenda Kosovës, përfundoi ai.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti në fjalën e tij tha se emri i shansit për ndryshimin në Kosovë është Lëvizja VETËVENDOSJE!, që me programin e saj me qëndrimet konsistente, orientimin socialdemokrat, patriotik dhe me njerëz të pathyeshëm do të marrë përsipër që ta bëjë vendin të lehtë për t’u jetuar nga njerëzit e ndershëm dhe të vështirë për të korruptuarit. Do ta mundësojmë drejtësinë pa hakmarrje, në salla gjyqi, me prokuror të zotë e të patrembur, të dijshëm, kompetent, kredibil dhe po ashtu gjykatës që nuk zmbrapsen para asnjë vështirësie, tha ai.

“Ne dëshirojmë që paraja e diasporës të mos jetë thjeshtë për mbijetesë sociale, por të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit. Për këtë do ta themelojmë Fondin Sovran që ndërmarrjet publike ia merr qeverisë, ndërmarrjet shoqërore ja merr AKP-së, i ristrukturon dhe i shet aksionet në vend të privatizimit të egër. Kështu hapet rrugë për investimet vendore, të diasporës dhe të vendeve tjera. Po ashtu, zotohemi se punëtorët dhe punëdhënësit shqiptarë në Gjermani, Zvicër dhe gjetiu duhet ta kenë të drejtën e votës në Kosovë pa pengesa. Erdhi dita që diaspora të vijë të votojë më 6 tetor, që entuziazmi i tubimeve tona të na mbajë gjatë dhe pas fitores së madhe”, përfundoi Kurti.

Kontribo

11 09 2019

Banditët nuk e kanë vendin në debate televizive

Pas emisionit “Pressing” në T7, kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesi i tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë.

Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizive.

Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët.

Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë.

Qëndrojmë në mbështetje të plotë të z. Haki Abazit, dhe të cilitdo aktivist që është sulmuar me dhunën e tyre verbale e fizike.

Kontribo

08 09 2019

Ta ndihmojmë fitoren për të mirën e vendit

Të dashur miq e mbështetës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Si në çdo zgjedhje, ne i drejtohemi qytetarëve për mbështetje financiare. Si subjekti më transparent në Kosovë, ne e kemi patur një mbështetje financiare në rritje, e cila është përkthyer edhe në rezultat më të mirë elektoral. Kësaj radhe fitorja jonë është e domosdoshme, për ta çliruar shtetin e Kosovës nga kapësit e korruptuar e kriminalë.

Ne nuk pranojmë financime nga persona apo biznese të dyshimta. Nuk pranojmë shuma të mëdha. Fuqia jonë bazohet në ndihmat e vogla, që na i jepni shumë prej jush.

Andaj, me rastin e zgjedhjeve të 6 tetorit, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! do të fitojë, ne duhet të bëjmë një fushatë perfekte. Për ta arritur këtë, është e nevojshme ndihma juaj. Cilado shumë që keni mundësi, pa ju ngushtuar e pa ju vënë në vështirësi, neve na ndihmon që ta sjellim më pranë kthesën e madhe. Qeveria Kurti do të jetë momenti i kthimit të Kosovës kah e mbara, për të gjithë qytetarët e saj.

Udhëzimet mund t’i gjeni në faqen: https://donacion.vetevendosje.org

Kontribo

05 09 2019

Albin Kurti kandidat për Kryeministër të Republikës

Lëvizja, përmes organit më të lartë vendimmarrës, Këshillit të Përgjithshëm, vendosi që në zgjedhjet e 6 tetorit të mandatojë për kryeministër njeriun më të votuar në Kosovë, aktivistin e shquar dhe politikanin shembullor, Albin Kurtin. Kryetari Kurti u votua nga të gjithë pjesëmarrësit, me kërkesën unanime, që të na prijë drejt fitores e ta sjellë kthesën kah e mbara, që Kosovës i duhet kaq shumë.

Duke iu drejtuar delegatëve dhe qytetarëve Kryetari i Lëvizjes shfaqi bindjen se një përmbysje e madhe në politikën e vendit po ndodh me këto zgjedhje. Është përmbysja e kapjes së shtetit dhe e logjikës së korrupsionit, karakterizuese e partive të vjetra. Për këtë fushatë, në këto zgjedhje dhe vitet e ardhshme të qeverisjes Kryeministri i ardhshëm Kurti kërkoi që ndryshimi të bëhet së bashku dhe me ndihmën e qytetarëve.

“Më ndihmoni që të fitojmë me një diferencë të madhe në mënyrë që ndryshimi të jetë i madh dhe fitorja të jetë masive. Më ndihmoni të çlirojmë shtetin nga kapja. Më ndihmoni ta luftojmë pabarazinë, nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Më ndihmoni të ndërtojmë një të ardhme ku të gjithë jetojnë në paqe, në siguri dhe me dinjitet”.

Në Këshillin e Përgjithshëm pjesëmarrësit konfirmuan se VETËVENDOSJE! është Levizja e popullit për transformimin që ka nevojë Kosova. Albin Kurti është kandidati më i denjë që përfaqëson konsistencën politike, aktivistin e pathyeshëm dhe njeriun që mund të bëjë ndryshimin.

Po ashtu, Këshilli autorizoi Kryesinë e Lëvizjes për të bërë plotësimet e fundit në listën e kandidatëve për deputetë të miratuar në Këshillat e Qendrave të Lëvizjes dhe nga Kryetari Kurti.

Me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtin na mbetet të themi na priftë e mbara e na priftë i mbari në këtë fushatë entuziaste.

Kontribo

05 09 2019

Në Medvegjë shqiptarët po fshihen nga regjistrat civilë

Kosova është në ethet e zgjedhjeve të parakohshme, dhe qytetarët presin ndryshimin e domosdoshëm. Por, në të njëjtën kohë po ndodhin zgjedhjet vendore në Medvegjë, ku më 8 shtator do të votohet. Është tepër shqetësues fakti se, në vitin 2015 kanë qenë 4200 votues shqiptarë të regjistruar në lista, e në 2019 janë vetëm 800 votues shqiptarë. Atyre po u fshihen emrat nga lista e adresave e regjistrat civilë, dhe po u konfiskohen letërnjoftimet.

Shqiptarëve të Medvegjës të cilët kanë mërguar, po iu mohohet kësisoj e drejta themelore qytetare, e drejta e votës. Ky proces është një spastrim burokratik i Medvegjës prej shqiptarëve, të cilët janë banorë autoktonë, pronarë të tokave, banorë të kahershëm të atyre anëve. Fshirja e tyre prej listave është një proces i nxitur nga A. Vuçiqi, i cili kontrollon një pjesë të madhe të pushtetit në Serbi, dhe e përdor atë edhe kundër shqiptarëve, në kundërshtim me të drejtën dhe ligjin vendor e ndërkombëtar.

Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës, vazhdimisht thonë se e kanë nën vëzhgim situatën, mirëpo mohimi i të drejtave dhe çregjistrimi i 85% të shqiptarëve të Medvegjës është një ngjarje e cila kërkon reagim të fortë dhe të menjëhershëm, përndryshe do të jetë çështje e vështirë për t’u zgjidhur në të ardhmen.

Lëvizja VETEVENDOSJE! kërkon prej qeverisë të Kosovës e asaj të Shqipërisë të veprojnë në mbrojtje të shqiptarëve të Medvegjës, që të mos lejohet eleminimi i tyre prej listave të adresave dhe konfiskimi i letërnjoftimeve të tyre.

Kontribo

03 09 2019

Pranverë vullnetarësh në Tiranë

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti mbajti një bashkëbisedim entuziast në Tiranë me qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri. Zgjedhjet e 6 tetorit i kanë dhënë më shumë se kurrë aktualitet nismës kombëtare të Lëvizjes si dhe entuziasmit të shqiptarëve kudo ku janë për fatet e tyre.

Tubimi u hap me fjalën e një prej vullnetarëve të shumtë që do të nisen nga çdo kënd i Shqipërisë për t’u bërë pjesë e fushatës në Kosovë. Një tjetër aktivist u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë, që janë të lindur ose kanë një prind të lindur në Kosovë, të regjistrohen dhe të votojnë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Fjala e Albin Kurtit u përshkua nga bindja se Lëvizja do të jetë fituesja e madhe e zgjedhjeve dhe se fitorja do t’i ndryshojë koordinatat e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Taksat brenda Shqipërisë dhe ato mes Shqipërisë e Kosovës nuk do t’i sabotojnë më marrëdhëniet mes nesh. Kudo ku mund të kryhet bashkimi, marrëveshjet do të punojnë vetëm për këtë. Deri tani, pesë mbledhjet mes qeverive të dy vendeve tona dhe 50 marrëveshjet e nënshkruara nuk kanë mjaftuar as për integrimin e tregut dhe as për investimet e përbashkëta. Të dy vendet ende vazhdojnë të importojnë dhe eksportojnë jo mes vetes. Me fitoren e Lëvizjes do të ndryshojnë koordinatat e marrëdhënieve ekonomike.

Ëndrra jonë ka qenë një shtet i së drejtës ku jetojmë të lirë, të bashkuar, të barabartë dhe me dinjitet. Ndaj, do të punohet për tregun e përbashkët, unionin doganor, sistemin e unifkuar energjitik, regjistrin e përbashkët civil dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë.

Ndryshimi kurrë nuk ka qenë më afër, kurrë më i domosdoshëm dhe kurrë më i mundshëm, si në Kosovë edhe në Shqipëri. Shqipëria dhe Kosova janë të Kastriotit dhe jo të Kastratit tha kryeministri i ardhshëm Kurti. Le të jetë fitorja e Lëvizjes në Kosovë shpresë e guxim për shqiptarët për ndryshimin e Shqipërisë. Të bëhemi bashkë kundër korrupsionit dhe kundër krimit andej dhe këndej kufirit. Të jemi të drejtë në qëllime, të pastër në zemër dhe të kthjellët në mendje, ky është ndryshimi që kemi pritur.

Tiranë, 3 shtator 2019,
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

01 09 2019

Homazhe në Prizren

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Kryetari Kurti vizitoi sot familjen Kuzhnini në Prizren, për të shprehur nderimet më të larta për veprimtarin e kombit shqiptar i cili disa ditë më parë u nda nga jeta, Mikel Kuzhnin. Mikeli së bashku me vëllain e tij Simonin ka themeluar Lidhjen e Shqiptarëve në Botë, dhe ka kontribuar gjithë jetën e tij për bashkimin, lirinë dhe vetëvendosjen e shqiptarëve. Ai do të mbahet mend nga të gjithë si një atdhetar i palodhshëm dhe i pakursyer i çështjes shqiptare, si ai që ka dhënë një shembull të atdhedashurisë dhe përkushtimit për të.

Delegacioni bëri homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve në Landovicë, për të vazhduar tek lapidari aty ku është zhvilluar beteja e Vrrinit, në përvjetorin e 21-të të asaj beteje.

21 vite më parë, në zonën e lirë të fshatrave të Vrrinit në Prizren, u zhvillua një nga betejat më të hershme dhe më të lavdishme të UÇK-së. Brigada 125 e saj me komandant Drinin iu kundërvu rrethimit të ushtrisë serbe, e cila prej sipër zonës malore kishte drejtuar artilerinë poshtë fshatit dhe qytetit. Brigada 125 e UÇK-së, nën rrethim e në pamundësi për përforcime dhe me një armatim të lehtë, bëri të pamendueshmen asokohe, duke rezistuar dhe mbajtur forcat serbe aq gjatë në distancë, sa të hapej rruga për evakuimin e popullatës, spitalit ushtarak dhe dokumentacionit të shtabit. Betejë e përgjakshme, por edhe e lavdishme, prej betejave të para që u zhvilluan aq hapur si në fshatra ashtu edhe në qytet, dhe me aq shumë të rënë, 27 dëshmorë dhe 54 martirë që mbrojtën shtëpitë e tyre.

Kontribo

31 08 2019

Anëtarësime të reja në Qendrën e Gjilanit

Dhjetëra studentë, absolvent të mjekësisë së përgjithshme, bachelor të shkencave kompjuterike dhe ekonomisë, sportistë, punëtorë dhe veprimtarë nga mërgata, iu bashkuan sot Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan. Në prani të Kryetarit Albin Kurti, Kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Gjilan, Nevzad Isufi, së bashku me anëtaren e kryesisë dhe asambleisten Arbëreshë Kryeziun, uruan mirëseardhjen për anëtarët më të rinj në Gjilan duke nënvizuar se ky bashkim i përditshëm i qytetarëve me Lëvizjen po e përafron fitoren e 6 tetorit.

Pas anëtarësimeve, në tubimin e mbajtur me strukturat e gjera të organizatës në Gjilan, Kryetari Kurti tha se pesë javë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, nga dita e fitores aq shumë të nevojshme për qytetarët e Republikës. “Ndryshimi me datë 6 tetor do të jetë në formë referendumi ngase dalja do të jetë masive, vota e plotë dhe fitorja e madhe, tha ai duke shtuar se krejt çfarë na duhet tani në këto pesë javë është të punojmë që ta ushqejmë tutje këtë mbështetje për Lëvizjen”, tha ai.

Kryetari Kurti theksoi se bashkatdhetarët që nuk kanë nënshtetësi të Kosovës duhet të regjistrohen si votues deri më datë 10 shtator, kur është edhe afati i fundit për regjistrim. Edhe pa nënshtetësi këta qytetarë mund të votojnë përmes ndonjë dokumenti tjetër të Republikës, por këtë duhet ta bëjnë online. Ndërsa për bashkatdhetarët që kanë nënshtetësi të Kosovës ai tha se është e rëndësishme të vijnë në Kosovë në ditën e zgjedhjeve, ku, përveç se do të votonin, një ditë pas edhe do ta festonin fitoren e Lëvizjes.

Në lidhje me koalicionin, ai u shpreh se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë gjithçka çfarë është e mundshme për një bashkëpunim parazgjedhor dhe se tash i ka mbetur vetëm të fitojë në zgjedhje.

Pas këtij tubimi me struktura, Kryetari, Albin Kurti takoi edhe studentë nga fusha e kimisë, biologjisë dhe teknologjisë ushqimore me të cilët foli për rëndësinë e këtyre drejtimeve për ekonominë e vendit, si dhe për rëndësinë e ndërlidhjes së arsimit me ekonominë, që do të ndodhë me qeverisjen e re të Lëvizjes.

Kontribo

31 08 2019

Lëvizja mban zgjedhjet e brendshme për kandidatë për deputetë

Demokracia e brendshme është një nga shtyllat më të rëndësishme të organizimit tonë. Në përputhje me Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2019.

Të gjithë anëtarët e Lëvizjes, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues brenda 48 orëve nga publikimi i këtij njoftimi. Në secilën Qendër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë ngritur Komisionet Zgjedhore ad hoc të Qendrave, ku anëtarët e interesuar mund të drejtohen për çdo informacion të mëtejshëm.

Me besimin e plotë në vlerat e demokracisë sonë të brendshme, ky proces synon të çojë përpara kandidatet dhe kandidatët më të përgatitur për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Prishtinë
31.08.2019
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

30 08 2019

Në ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur

Në ditën ndërkombëtare për personat e zhdukur, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti bashkë me ish-deputetë, anëtarë të kryesisë dhe aktivistë të Lëvizjes mbajtën homazhe në sheshin Skënderbeu para përmendores dedikuar të pagjeturve të luftës.

Prej luftës së fundit në Kosovë fati i 1652 të pagjeturve ende mbahet peng në errësirat e zyrave të shtetit serb. Familjarët e tyre ende kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë për ta. Fati i të pagjeturve është ngushtësisht i lidhur me fatin tonë, të mos kërkosh drejtësi për ta do të thotë ta zhdukësh veten prej drejtësisë. Paqja, ardhmëria dhe zhvillimi nuk e mbushin kurrë boshin dhe mungesën e tyre. Brenga për të pagjeturit na mëson se paqen në jetë e sjell vetëm vendosja e drejtësisë.

Kontribo

29 08 2019

Inovacioni dhe teknologjia: Oferta e Qeverisë Kurti

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë mbështetje e jashtëzakonshme për të rinjtë krijues në biznes, teknologji dhe fusha të tjera.

Energjia, talenti dhe përkushtimi i të rinjve profesionistë dhe entuziastë në inovacion dhe teknologji është kontribuese në rritjen e produktivitetit dhe punësimit në vend, mirëpo kjo po ndodhë pa mbështetjen e shtetit.

Duke e ndjekur këtë zhvillim, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përpunuar një sërë zgjidhjesh që do t’i bëjë të qëndrueshme sipërmarrjet e të rinjve dhe do ta hapin rrugën për më shumë nisma të tilla. Kryetari Albin Kurti prezantoi këto zgjidhje, në një takim me pjesëmarrjen e dhjetëra të rinjve e sipërmarrësve nga ky sektor, me moderimin e Hekuran Muratit nga Komiteti për Politika Financiare e Tregtare.

Masa e parë ka të bëjë me talentin. Lëvizja ka për synim ndryshimin e kurrikulave ekzistuese, harmonizimin dhe certifikimin e tyre, edhe në bashkëpunim me ofruesit privatë të kurseve dhe programeve të fushës së teknologjisë. Po ashtu, synohet edhe ndërtimi i programeve të veçanta për shkollimin e mesëm dhe të lartë për teknologji informative në programim, zhvillimi i web-it, dizajn grafik, media online etj., si dhe përfshirja e këtyre si lëndë zgjedhore nëpër shkollat e mesme dhe në veçanti në shkollat profesionale të teknikës.

Masa e dytë ka të bëjë me themelimin. Ata të rinj që kanë ide për të themeluar një start-up për së paku një vit do të kenë ndihmë ligjore në themelim, në përpilimin e statutit dhe në ndarjen e aksioneve përfshi edhe kontabilitet. Përveç kësaj, ata do të kenë edhe mbështetje me anë të ofrimit të kapitalit bërthamë (Seed Capital) ku do t’iu ofrohen mundësi të ndryshme financimi, qoftë si hua e garantuar nga shteti, qoftë si pjesëmarrje në ekuitet. Rëndësi të veçantë do t’i jepet edhe ndihmesës për të pasur qasje në fondet e Bashkimit Evropian që ndahen për këtë fushë. Infrastruktura nuk duhet të jetë më problem, do të krijohen qendra rajonale për zhvillimin e ideve. Një start-up me një ide të mirë, me mbështetjen e duhur në themelim, dhe me financimin e nevojshëm mund t’i japë Kosovës një produkt me të cilin mund të shënohet në hartën e inovacionit. Të gjithë e dimë ngjarjen e kompanisë ‘Skype’ që dy vite pas formimit u ble për 2.6 miliardë dollarë nga një kompani tjetër.

Masa e tretë ka të bëjë me tregun. Shumë produkte dhe shërbime sot tregtohen online më lehtë dhe më shpejtë se gjithçka më parë. Në Kosovë aktualisht mungon infrastruktura e nevojshme që mundëson një treg online në të cilin do të mund të zhvilloheshin kompanitë e sektorit të IT-së. Mungon infrastruktura e nevojshme ligjore dhe teknike për të kryer transaksionet online. Mungon legjislacioni për nënshkrimin digjital për pagesën e produkteve. Dhe përveç kësaj hapja e kontove ‘Merchant Accounts’ ende has në vështirësi sidomos në pranimin e parave nga jashtë. Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i largoj këto barriera, dhe do ta kemi edhe Switch Nacional të Electronic Financial Transactions (EFT) në Bankën Qendrore të Kosovës, dhe shërbimet e-Commerce do të jenë të lira dhe të shpejta.

Masa e katërt që e përmbushë ciklin e një ekosistemi për zhvillimin e ndërmarrjeve inovative kalon përmes asaj që quhet “Transaksioni i Fundit i Themeluesit të Ndërmarrjes”, pra, momenti kur themeluesi, pas maturimit të ndërmarrjes, e shet atë, me synimin për të ndërtuar e financuar një projekt të ri me një ide të re e më të anvancuar. Ta zëmë siç ka bërë Elon Musk, kur pas shitjes së aksioneve në kompaninë ‘Paypal’, paratë e shitjes i investoi në dy projekte tjera: ‘Tesla’ dhe ‘SpaceX’. Kompania e parë tani është prodhuesi më i madh i veturave elektrike, kurse e dyta dërgon njerëz në hapësirë. Paypalin e Elon Musk, e kishte blerë ‘eBay’. Por në Kosovë aktualisht nuk ka ndonjë kompani si ‘eBay’ që ka mjetet financiare për të siguruar një Exit (shitje) të suksesshme të një start-upi. Por deri sa të arrijmë aty, këtë funksion do ta kryej Fondi Sovran, i cili pas themelimit do të ketë edhe degën e Private Equity, e cila do të investojë në blerjen e pjesërishme apo të plotë të aksioneve të ndërmarrjeve të suksesshme me qëllim që ta përshpejtoj këtë cikël.

Pjesëmarrësit me komente dhe propozime konkrete u përfshinë në prezantimin e këtyre masave. Theksi u vu te sistemi arsimor dhe ndërlidhja e tij me fushën e teknologjisë përmes bursave, internshipeve dhe trajnimeve të specializuara. Si problem, përveç infrastrukturës, mjedisit për punë, u paraqit edhe mangësia e ligjeve si dhe mungesa e komunikimit institucional me ndërmarrësit e rinj. Të gjitha këto komente dhe propozime që u dhanë do të merren parasysh nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Kontribo

28 08 2019

Mërgata po vjen për të bërë ndryshimin

Mërgata po vjen për të bërë ndryshimin Me shpalljen e datës së zgjedhjeve në datën 26 gusht, bashkatdhetarët nga të gjitha vendet e Evropës, SHBA e vende të tjera, kanë filluar të blejnë biletat, për të ardhur në Kosovë në datën 6 tetor. Disa prej tyre tashmë na i kanë dërguar biletat që i kanë blerë. Ata do të votojnë për shpresën e vetme, për ndryshimin e domosdoshëm për Kosovën. Mërgata vazhdimisht ka mbështetur me një shumicë të madhe Lëvizjen, sepse mërgata vazhdimisht e ka ndihmuar ekonomikisht Kosovën, dhe ka sjellë shembull demokratik e dije perëndimore në vendin tonë. I falënderojmë bashkatdhetarët që po vijnë për të forcuar fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qeveria Kurti do të marrë vendime të rëndësishme për ta ndihmuar mërgatën që të kontribuojë në Kosovë.

Kontribo

27 08 2019

Entuziasëm i Ri në Vushtrri

Në Vushtrri, mes shumë aktivistësh të rinj të Lëvizjes, bashkë me Kryetarin e Lëvizjes në Qendrën e Vushtrrisë Besim Muzaqin dhe drejtorët e Lëvizjes në Komunë i uruam mirëseardhjen anëtarit të Kuvendit Komunal, Hajriz Mustafës dhe shumë të rinjve të tjerë të cilët bashkë me të sapo janë bërë pjesë e jona.
Hajriz Mustafa është me profesion gazetar, moderator dhe kryeredaktor në radion lokale Vicianum, si dhe korrespondent i disa mediumeve mediatike në vend. Profesionistët, politikanët, artistët, por më së shumti të rinjtë po i shtohen çdo ditë Lëvizjes. Lëvizja ua çel fytyrën të rinjve, por edhe të rinjtë ia zbukurojnë fytyrën Lëvizjes e qytetarëve.

Livadhi mundet me pas lule shumë, por pa bletë që shkojnë lule më lule nuk ka mjalt të cilin bletët nuk e kanë për vete, por për njerëzit. Edhe Lëvizja ka përkrahje shumë, por pa aktivistët e rinj që punojnë si bletët nuk mundemi ta bëjmë Kosovën të ëmbël siç e duam të gjithë.

Kontribo

25 08 2019

VETËVENDOSJE! e dënon sulmin ndaj një autobusi me udhëtarë nga Kosova në afërsi të Krushevcit

Edhe një akt barbarie anti-shqiptare në Serbi. Burracakëria shoviniste kësaj radhe u shfaq në sulmin me gurë e mjete të forta ndaj një autobusi me udhëtarë nga Kosova dje në afërsi të Krushevcit, që shkonin drejt vendeve të BE-së.

Është retorika zyrtare e shtetit dhe pushtetit në Serbi, e riprodhuar nga kisha, shkolla e media, ajo që i mbush qytetarët e Serbisë me urrejtje ndaj shqiptarëve. Kjo ideologji ka shkaktuar spastrime, vrasje e dhunime në të shkuarën, dhe ende mund ta bëjë të njëjtën nëse nuk ndryshohet. Duhet një përpjekje e bashkërenduar, ndërkombëtare, për ta defashistizuar politikën e Serbisë, dhe për ta ndalur urrejtjen e retorikën shoviniste.

Nga ana tjetër është edhe joserioziteti i shtetit tonë në raport me këtë Serbi haptazi anti-shqiptare. Me deklarata jodinjitoze diplomatët dhe pushtetarët e Kosovës bëjnë përpjekje për të mbuluar dhjetëra marrëveshje që i kanë nënshkruar me Serbinë, pa e kushtëzuar asnjëherë. Sa deklarata janë bërë se po sigurohet lëvizja e lirë, por gjendja mbetet e njëjtë: qytetarët e Kosovës lëvizin me frikë, dhe kohë pas kohe sulmohen. Përveç se mërgata jonë dhunohet duke pritur me orë të tëra në kufi duke hyrë e dalur nga vendi ata me vete bartin edhe frikën nga sulmet që mund t’i marrin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër sulmin, dhe i bëjmë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë presionin e duhur ndaj Serbisë, si dhe që ta ngrejë këtë çështje në nivel ndërkombëtar, që të sigurohet liria e lëvizjes për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, që të mos rrezikohet jeta e askujt dhe kryerësit e këtij akti vandal të ndëshkohen. Si çdo politikë diskriminuese, edhe anti-shqiptarizmi është i papranueshëm, e sidomos për ne shqiptarët.

Kontribo

24 08 2019

Lëvizim

Sot u mbajt aktiviteti i parë i kampanjës “Lëvizim” ku morën pjesë më shumë se 200 çiklistë. Qëllimi i aktivitetit ishte që permes kësaj kampanje të rritet ndërgjegjësimi i politikbërjes për përfaqësimin e politikave mjedisore dhe ndaljen e vendimeve që dëmtojnë cilësinë e ajrit, ujit dhe tokës sonë duke kërkuar kështu programe e investime konkrete në krijimin e kushteve për ecje të papenguar të këmbësorëve, për shtigje të dedikuara e qarkullim të papenguar për biçikletat, për lëvizje me transport urban. Falendërojmë të gjithë pjesëmarrësit që e bënë këtë aktivitet madhështor. Po ashtu falenderojmë prodhuesin vendor Pilot Bike dhe të gjithë njerëzit me zemër të madhe që dhuruan bicikletat e tyre për këtë aktivitet. Shihemi në aktivitetet e radhës.

Kontribo