05 05 2019

Urime Muaji i Ramazanit

Lëvizja VETËVENDOSJE! i uron të gjithë besimtarët muslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit. Ky muaj është i mbushur me domethënie shpirtërore e me shenjtëri, për të gjithë besimtarët.

Muaji i Ramazanit është muaji jo vetëm i besimit, por i besimit me besnikëri. Në Ramazan besohet jo vetëm përmes shpresës e dëshirës, por më së shumti përmes vullnetit, disiplinës e guximit. Agjërimi na tregon se pastrimi dhe kalitja e mendjes dhe e zemrës nuk vjen nga jashtë, por duhet të bëhet vetë dhe mund të bëhet vetë, prej të gjithëve atyre që zgjedhin të jenë pjesë e një komuniteti dhe e një fryme.

Në Ramazan mësojmë po ashtu se vetësakrifica, me dhimbjet dhe idealet e saja, apo edhe besimi me devotshmëri ndaj idealeve nuk ushtrohen vetëm, e nuk mbahen vetëm për vete, por në bashkësi dhe me të tjerë, në solidaritet e në bashkëveprim.

Urojmë që muaji i Ramazanit, të na i forcojë lidhjet me të dashurit tanë dhe të na përbashkojë me të tjerë që nuk i kemi njohur.

Qoftë i lehtë agjërimi për ata që do të agjërojnë, sjelltë lumturi e gëzim në zemrat e besimtarëve!

Kontribo

03 05 2019

Korrupsioni në prokurim e tenderë, pengesë për integrimin, por burim pasurimi për qeveritarët

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media rreth korrupsionit të lartë dhe sistemik në prokurimin publik në Kosovë ku folën nënkryetari i Lëvizjes, Besnik Bislimi dhe eksperti i sapo anëtarësuar në Lëvizje, Jeton Zulfaj.

Korrupsioni në vend është bërë barrierë për proceset integruese të vendit, liberalizimin e vizave, rritjen ekonomike, zvogëlimin e pabarazisë dhe forcimin e kapaciteteve të adminsitratës publike. Krijimi i koalicionit PAN me bashkangjitjen e AKR-së kanë qenë shenjë ogurzezë se apetitet për korrupsion do të shtohen.

“Tani kemi pasurim të shpejtë përmes metodave korruptive si stërngarkimi i administratës publike me punësime familjare, falje e borxheve, rritje arbitrare e pagave, ndryshime të ligjeve për të privilegjuar klientelën politike dhe shumë e shumë të tjera”, denoncoi nënkryetari Bislimi.

Ndërkohë që kjo qeveri tenton korrupsionin ta trajtojë si kulturë dhe rezistencën qytetare ndaj tij si të pashpresë, Besnik Bislimi theksoi se Lëvizja e ka për mision të bindë se, “luftimi i korrupsionit është i mundur dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”.

Më tutje, Jeton Zulfaj tregoi me statistika gjendjen e rëndë të krijuar nga korrupsioni në prokurim publik. Kjo është mundësuar për shkak të numrit të madh të autoriteteve kontraktuese, planifikimit të dobët të nevojave buxhetore, menaxhimit të dobët të kontratave dhe mungesës së transparencës.

Në vitin e kaluar më shumë se 1/4 e buxhetit ka kaluar përmes prokurimit publik me mbi 35% rritje të volumit dhe vlerës së kontratave krahasuar me vitin 2017. Rritjen më të madhe e ka Ministria e Infrastrukturës me 1/5 e të gjithë vlerës së prokurimit, një rritje kjo prej gati 500%, kurse komuna e Deçanit ka shtuar për 9 fish vlerën e prokurimeve. Numri më i madh i ankesave dorëzuar për parregullsi në procedura prokurimi është pikërisht për Ministrinë e Infrastrukturës, 70 sosh. Kjo ministri prin me numrin e kontratave të lidhura fshehurazi, që ndryshe njihet si procedure e negociuar, pa publikim të kontratës. Ka dhjetra aneks kontrata për punë të papërfunduara në kohë apo për shpenzime shtesë që shkojnë deri në 100 milion euro dhe ka kompani të cilat janë të lidhura me pushtetin të cilat po bën monopole në fushën ku operojnë.

Po ashtu, gjatë vitit 2018 është dyfishuar numri i kontratave me vlerë minimale në mbi 4 mijë, për më shumë se 4 milion euro për shërbime dhe mallra të cilat duhet të jenë subjekt i hetimit të prokurorisë, por edhe i monitorimit nga KRPP dhe agjensia antikorrupsion, sepse në këtë kategori janë blerë ora dore, kostume dhe veshmbathje pa arsyetim dhe pa adresë me taksat e qytetarëve.

Afër 100% e tenderëve kanë kaluar përmes cmimit më të ulët, kriter ky i kritikuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian sepse lë hapsirë për korrupsion para dhënies së tenderit dhe pas tij për shkak të ritenderimeve nga cilësia e dobët e punimeve fillestare.

Ndërsa masat që do të duhej të merreshin për zgjidhjen e kësaj situate Jetoni i listoi duke thënë se, “duhet një reformë e thellë e cila prek edhe agjensinë për regjistrimin e bizneseve. Kemi tepër pak njohuri se kush qëndron prapa bizneseve që fitojnë tenderët. ARBK duhet të bëjë transparente përfituesit përfundimtar të kompanive, menaxhmentin e kompanive dhe aktet ligjore me ndryshimet e tyre. Kjo është kërkesë edhe e Komisionit Evropian. Kompanitë që duan të bëjnë biznes me shtetin duhet të i nënshtrohen një standardi më të lartë të transparencës. KRPP duhet të përjashtojë nga prokurimi kompanitë që operojnë në zonat pa taksa (tax heavens) dhe të bëjë transparente të gjitha kontratat, urdhërpagesat dhe faturat që qarkullojnë përmes prokurimit publik. Kjo mund të arrihet shumë lehtë nëse ministria e financave e hapë thesarin për publikun. Thesari mbushet me djersën e popullit, por populli nuk e din se si shpenzohet paratë e tij. Thesari mund dhe duhet të lidhet direkt me modulin për menaxhim të kontratës në KRPP duke treguar se ku shkon secili cent i qytetarëve. Agjensia kundër korrupsionit duhet të zgjerojë listen e zyrtarëve publik të cilët deklarojnë pasurinë duke përfshirë të gjithë zyrtarët e prokurimit. Ka vite të tëra që Komisioni Evropian kërkon hetimin e pasurisë së pashpjegueshme të zyrtarëve të lartë shtetëror”.

Kjo qeveri nuk është e interesuar ta zbardhë këtë gjendje sepse prek direkt interesat e bizneseve me të cilat është e lidhur. Ndërsa Lëvizja as nuk është e kapur me dhe nga bizneset, as nuk i mungon ekspertiza dhe as nuk i mungon guximi për ta luftuar korrupsionin brenda dhe rreth institucioneve shtetërore.

Kontribo

28 04 2019

Urime e Pashkë të gëzuara të gjithë besimtarëve ortodoksë

Ditët e Pashkës janë shenjim i vlerave që frymëzojnë besimtarët. Disa prej këtyre vlerave janë besnikëria ndaj angazhimit të marrë, mbajtja e fjalës së dhënë, vetësakrifikimi e përkushtimi ndaj së vërtetës së mbrujtur në të përbashkëtën, në komunitet.

Porosia e ripërtëritjes i mbush besim e gëzim ata e ato që besojnë e të gjithëve i udhëzon se edhe “ripërtëritja” kombëtare e shoqërore do të vijë si pasojë e punës, sakrificës dhe përkushtimit të atyre që besojnë në të.

Le të qëndrojmë e përpiqemi së bashku. Qëndron mirë kush qëndron deri në fund.

Me këto porosi në mendje e në zemër u urojmë të gjithë ortodoksëve për shumë mot Pashkën!

Kontribo

27 04 2019

20 vjet nga masakra e Mejës

Sot, në 20 vjetorin e njërës prej masakrave më të tmerrshme që u kryen përgjatë luftës së fundit në Kosovë, masakrës së Mejës në Gjakovë, ku u vranë 376 shqiptarë, civilë të paarmatosur, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, deputetë Fitore Pacolli e Liburn Aliu dhe Kryetari i Qendrës së Gjakovës Agon Batusha e asamblistë e aktivistë të kësaj qendre ka bërë homazhe te varrezat e martirëve në Kompleksin Memorial në Mejë. Po ashtu delegacioni i Lëvizjes bëri homazhe edhe pranë lapidarit të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Skivjan të Gjakovës.

20 vite më parë, përmes një operacioni të planifikuar ku morën pjesë njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët dhe fqinjët e maskuar, u bllokuan të gjitha rrugët në drejtim të Mejës për të seleksionuar dhe ekzekutuar më pas 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me “lojërat e juristëve” të Millosheviqit më 27 prill 1992.

Askush nuk arriti t’i mbijetojë kësaj masakre, dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi. Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

20 vite më pas, ne kujtojmë luftën dhe përpjekjen për çlirim përmes heronjve, dëshmorëve dhe martirëve, ndaj të cilëve dhe për sakrificën e të cilëve jemi krenarë dhe përkulemi. 20 vite më pas, ne poashtu qëndrojmë pranë familjarëve dhe atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre, duke kërkuar drejtësi për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë. Këto krime nuk vjetërohen, këto krime nuk harrohen, këto krime kërkojnë drejtësi.

Kontribo

27 04 2019

Thellohet bashkëpunimi me Fondacionin “Westminster”

Në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë u organizua një prezantim mbi sfidat e partive politike në shekullin XXI dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Prezantimin e mbajti z. Iain Gill, konsulent i “Westminster Foundation for Democracy” (Fondacioni Westminster për Demokraci). Z. Gill ka një përvojë të gjerë bashkëpunimi si konsulent me mbi 200 parti politike në Evropë, ShBA, etj. Prezantimi u zhvillua në kuadër të projektit të bashkëpunimit mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD), që funksionon si një agjenci e pavarur publike në Mbretërinë e Bashkuar (MB) e cila punon me partitë politike brenda dhe jashtë MB-së në mbështetje të demokracisë.

Në këtë prezantim morën pjesë deputetë, anëtarë kryesie, asambleistë komunalë, dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ata u përfshinë në një bashkëbisedim në lidhje me parimet e subjekteve politike, angazhimin e grupeve të papërfaqësuara, strategjitë e komunikimit dhe mesazhet politike. Projekti do të vazhdojë me hapa të tjerë në të ardhmen që janë në përputhje me parimet demokratike të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të WFD-së.

Kontribo

26 04 2019

Lepur ik, duam Republikë

Sot, në orën 11:55, tek zyra e Prokurorisë së Shtetit, në rrugën Luan Haradinaj, në Prishtinë, disa mijëra qytetarë u mblodhën paqësisht në një protestë të thirrur pak ditë më parë.

Protesta u hap me fjalët e deputetes Albulena Haxhiu, e cila tregoi se ky aktivitet është vetëm hapi i parë, në drejtim të zhbllokimit të prokurorisë së kapur nga pushteti e të frikësuar nga krimi. Znj. Haxhiu kërkoi që prokuroria të dëgjojë kërkesat e qytetarëve, duke lejuar prokurorët e aftë e të ndershëm të punojnë, e duke larguar shërbëtorët e PANhajnisë. Vetëm kështu do të fillonte hetimi i pasurisë të paligjshme të pushtetarëve.

Më pas, disa studentë u veshën si prokurorë dhe ngritën aktakuza për keqpërdorim të buxhetit dhe abuzim me detyrën, kundër disa prej njerëzve më të korruptuar në pushtet. Kështu, Arbër Binaku ngriti aktakuzë kundër Pal Lekajt, Yll Sokoli kundër Kadri Veselit, Berita Abazi kundër Hashim Thaçit dhe Altinë Nika kundër Aleksandër Lumezit.

Protesta u mbyll me fjalët e Glauk Konjufcës: “Ky nuk është kryeprokuror, por është prontokuror. Jemi bërë bashkë këtu me shpallë një aktakuzë kolektive ndaj sistemit tonë të dështuar të drejtësisë. Të pandehurit janë pushtetarët e korruptuar dhe prokurorët e shitur. Kurse emri i krimit është amnistia e keqbërësve nga prokuroria e shtetit.”

Falënderojmë të gjithë qytetarët që morën pjesë sot në protestën për largimin e kryeprokurorit, si dhe aktivistët që punuan për përgatitjen e mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, i cili do të pasohet nga tubimet e tjera kundër PANhajnisë dhe zyrtarëve të korruptuar në prokurori e qeveri.

Kontribo

25 04 2019

Kurti e Konjufca dorëzojnë kallëzim penal për Thaçin e Veselin, për dëshmi të rrejshme nën betim

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti dhe kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Glauk Konjufca dorëzuan sot në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kallzim penal për dëshmi të rrejshme nën betim ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ndaj Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Thaçi dhe Veseli kanë deklaruar rrejshëm nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018 në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës organizata Syri i Popullit, ku kanë deklaruar se Kryetari Kurti dhe deputeti Konjufca janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste.

“Këta dy njerëz që ndodhen në postet më të larta institucionale kanë rënë në pozitat më të ulëta njerëzore dhe këta jo që nuk e mbrojnë Republikën, por Republika është e rrezikuar prej këtyre njerëzve të cilët shpifin nën betim”, deklaroi për mediat Kryetari Kurti.

Ndërsa deputeti Konjufca e lidhi dëshminë e rreme të dy krerëve të institucioneve me sulmin e vazhdueshëm ndaj Lëvizjes, “një tendencë politikë e qartë që përmes kontrollimit të drejtësisë të luftohet Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ne këtë e kualifikojmë si përpjekje për eliminim politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, meqë Albini dhe unë, padrejtësisht dhe me shpifje, prej Presidentit të Shtetit jemi lidhur me një organizatë, e cila pretendohet se është terroriste, që është Syri i Popullit. Pra, Presidenti në deklarimin e tij gjatë dëshmisë ka thënë që, dhe i ka urdhëruar gjykatën faktikisht, që të zgjerohet akuza në drejtim të Albinit dhe meje”.

Arsyeja e dorëzimit të kallzimit u përforcua edhe nga Kryetari Kurti edhe deputeti Konjufca se Lëvizja nuk resht kurrë së besuari se brenda sistemit të drejtësisë ka prokurorë të guximshëm të cilët do të guxojnë ta çojnë përpara këtë rast, edhe pse sistemi në tërësi është i kapur.

Kontribo

24 04 2019

Kryeprokurori vallëzon tango me pushtetin

Ardhja e Aleksandër Lumezit në krye të prokurorisë paska qenë për ta centralizuar dhe monopolizuar gjithë praktikën e hetimit të korrupsionit të profilit të lartë, tha Glauk Konjfuca, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes, në konferencën e sotshme për media ku u fol edhe për protestën e së premtes.

Aleksandër Lumezi ka krijuar një komision i cili brenda pesë ditëve duhet t’i raportojë atij për secilin rast të profilit të lartë publik që është nën hetim për korrupsion, tha ai, duke përmendur 70 rastet e zyrtarëve të lartë publik, ndaj të cilëve në kohën e Lumezit, ose janë braktisur aktakuzat, ose kanë pushuar hetimet ose dënimi nuk ka qenë efektiv.

Konjufca tha se shpjegimi i deritashëm politik i kapjes së drejtësisë duhet të riformulohet. “Kjo nuk është kapje, kapja është e njëanshme kurse ky është vallëzim tango ku siç dihet nevojiten dy palë. Njëra palë në tango është Lumezi i cili po vallëzon për mrekulli me pushtetin dhe kjo është e dyanshme, e vullnetshme, dhe për t’u rregulluar kjo gjë, duhet vullnet politik.” tha ai duke aluduar te zgjedhjet e reja që i jepin një mundësi të re qytetarëve.

Ndërkaq, anëtarja e kryesisë dhe deputetja e Lëvizjes, Albulena Haxhiu përmendi se si në pozitën e kryeprokurorit Lumezi erdhi me dy premtime publike. Me premtimin që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin (gjë që nuk ndodhi asnjëherë) dhe me premtimin për hetimin e krimeve të luftës (që poashtu nuk ndodhi asnjëherë).

“Në këto 4 vite, gjatë kohës sa Lumezi ishte në krye të prokurorisë, mund të themi me bindje e përgjegjësi që skandalet e korrupsionit në nivelet e larta vetëm sa janë rritur dhe në anën tjetër nuk ka pasur veprime konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit” tha ajo.

Ajo po ashtu përmendi rastet më flagrante të krimit dhe korrupsionit për të cilat kërkoi përgjigje nga kryeprokurori: vendimi për rritjen e pagës nga Qeveria, favorizimet e njerëzve të kryeministrit, 53 milionë eurot për Bechtel-Enkan, kontrata e dëmshme e Contour-Global, keqpërdorimet me subvencione në bujqësi, shpenzimet e parasë publike për librin personal të Hashim Thaccit, vjedhja e qytetarëve nga ZRRE me fatura të rrymës dhe shumë raste të tjera.

Sipas organizatave që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, del se mbi 60% e rasteve të profileve të larta, prokuroria ose i hedh poshtë kallëzimet penale, ose i pushon hetimet tha ajo duke shtuar se prokuroria duket e pafuqishme përballë kriminelëve e të korruptuarve në këtë vend.

Ky prokuror që nuk vepron po i kushton shumë Republikës tonë. Nuk mund të presim edhe 3 vite të tjera që Lumezi ta dëshmoj veten.

Andaj, sa nuk është bërë vonë, të mblidhemi e të angazhohemi kundër PANhajnisë dhe kundër atyre që nuk po verpojnë ndaj kriminelëve dhe të korruptuarve” porositi Haxhiu duke ftuar qytetarët që të premten e 26 prillit, 5 minuta në 12 të marrin pjesë në protestën që do zhvillohet para zyrës së kryeprokurorit.

Kontribo

23 04 2019

Klina kundër PANhajnisë

Këta qeveritarë e vodhën shpresën, popullin dhe kërcënuan drejtësinë. Ata janë kundër mirëqenies, kundër zhvillimit ekonomik e hapjes së vendeve të punës dhe kundër ligjit e rendit. Prandaj edhe janë bërë bashkë në koalicionin e hajnisë, PANhajnisë.

Si është e mundur që shqetësimi kryesor i qytetarëve të vendit të jetë korrupsioni, i raporteve të huaja të jetë po ashtu korrupsioni, ndërkohë ende nuk kemi luftim të krimit e korrupsionit, përkundrazi ka bashkëjetesë mes prokurorisë e krimit. Kryeprokurori i zgjedhur nga partia siç e kemi dëgjuar në ”Pronto-aferë” sigurisht se nuk mund ta luftojë krimin. Ai është emëruar në detyrë nga krimi.

Me qeverisjen e re, prokurorët do të jenë armiqtë kryesor të krimit, e jo bashkëpunëtorë të tij. Shteti i së drejtës do të ngadhnjejë mbi krimin e korrupsionin. Pa u luftuar korrupsioni nuk do të ketë as ekonomi dhe zhvillim e as siguri dhe mirëqenie.

Prandaj, nga Klina përplot me vullnet, si qytetarë të Republikës, u mblodhëm për të ngritur zërin kundër Kryeprokurorit që nuk bënë zë ndaj krimit dhe hajnisë së nivelit të lartë, dhe përçuam mesazhin se të premten e 26 prillit do të protestojmë paqësisht para zyrës së Kryeprokurorisë.

Kontribo

21 04 2019

Më 26 prill, në ora 11:55, protestojmë te Kryeprokurori i Shtetit

Korrupsioni në vendin tonë është shtuar e përhapur si asnjëherë më parë. Kurrë shteti i Kosovës nuk ka qenë më i kapur sesa sot.

Prokuroria e shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës e as krimet e paqes, as krimet ekonomike e as krimet politike. Në vend se presidenti, kryeministri e kryeparlamentari t’i frikësohen kryeprokurorit, ky iu frikësohet atyre.

Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë ministra kaq shumë të korruptuar. Mirëpo, asnjë ministër i qeverisë nuk i frikësohet kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, dhe, ky i druhet cilitdo, pra secilit, prej tyre.

Në Kosovën tonë të dashur nuk mund të kemi luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të institucionalizuar, nuk mund të kemi gjyqësor të drejtë e drejtësi gjyqësore, me kryeprokuror Aleksandër Lepurin.

Me këtë kryeprokuror, shteti i Kosovës nuk është Republikë, por Lepurblikë.

Nga raportimet e përditshme nëpër medie për aferat korruptive të qeverisë e deri te të gjeturat e shumta të Zyrës Kombëtare të Auditimit, asgjë nuk i bën përshtypje këtij kryeprokurori. Ai është frikacak dhe, mbase, i shantazhuar.

Sulmit dhe kërcënimeve të kryeministrit ndaj prokurorit Elez Blakaj, ai ju përgjigj me sulme e kërcënime shtesë kundër këtij vartësi të vet. Asnjë prokuror i Kosovës, ama bash asnjë, nuk foli as sot e kësaj dite, 8 muaj më vonë.

Me këso lepurushash nuk mbahet republika e nuk bëhet shteti.

Me hajna nuk ka shtet, por as me lepurusha nuk bëhet shteti.

Andaj, për të premten e 26 prillit 2019, në ora 5 n’12, pra 5 minuta para mesditës, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për protestë paqësore para ndërtesës ku ndodhet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë. Ky Lepur nuk e ka vendin në rrugën që mban emrin Luan.

Kontribo

21 04 2019

GËZUAR PASHKËT!

Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë besimtarët katolikë gëzuar pashkët, këtë kremtim të virtyteve më të larta njerëzore të vetësakrificës, mëshirës dhe dashurisë për liri e barazi.

Pashka është dita e lajmit të mirë ku vetësakrifica dhe mëshira zëvendësojnë sakrifikimin e të tjerëve, ndërsa dashuria dhe drejtësia tregojnë se janë më të mëdha se shtypja dhe hakmarrja. Pashka është dita kur kuptojmë se liria është e pamundur të realizohet pa bashkimin barazitarmes besimtarëve, dita kur kuptojmë se barazia dhe bashkimi mes besimtarësh janë filizat e lirisë kundër perandorisë.

Në mesin tonë, festa të tilla janë ditë paqeje, solidariteti dhe dashurie shoqërore e kombëtare ndërfetare.

Besimtarëve katolikë ju urojmë mbarësi, shëndet e lumturi në këtë ditë feste.

Gëzuar Pashkët!

Kontribo

21 04 2019

Ferizaj kundër PANhajnisë

Qeverisja e re do të bëjë investime që gjenerojnë vende të reja pune, por jo në asfalt që mbetet i zbrazur. Këta politikanë që mbyllin perspektivën për qytetarë nuk mund të hapin vende të reja të punës. Këta investimin dhe investitorin së pari e shohin si përqindje pastaj si investim.

PANqeveria që ndjek prokurorin nga shteti nuk mund të sigurojë investime për vendin. Pa drejtësi e siguri nuk mund të ketë zhvillim e punësim. Andaj, me qeverisjen e re, siguria e ligji, zhvillimi e barazia do të jetë rruga e vetme për ta nxjerrë Republikën nga kjo ngrehinë.

Sot, në Ferizaj, qytetarët e bashkuar treguan se Kosova po ndryshon, një herë si vendosmëri, sikur sot, pastaj edhe në protestë e zgjedhje të reja.

Kontribo

20 04 2019

Ata që bënë pazare me Serbinë nuk mund të sjellin drejtësi për viktimat

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sami Kurteshi dhe Saranda Bogujevci mbajtën një konferencë për media ku folën rreth dy nismave të PDK-së në lidhje me krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

Sami Kurteshi tha se kjo PDK që votoi kundër njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale dhe që votoi për Gjykatën Speciale, tani po provon kinse të bëjë diçka karshi krimeve të Serbisë. Sipas tij, janë po këta njerëz që kanë mohuar luftën çlirimtare përmes kushtetutës, që nuk i kanë përfshirë në dialog krimet e luftës, që kanë refuzuar të krijojnë një gjykatë për krime të luftës në Kosovë dhe që kanë penguar e më pas vulosur shuarjen e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës.

“Janë po këta persona, veçanërisht Abelard Tahiri, që në rolin e Ministrit të Drejtësisë edhe sot bën përpjekje për të penguar integrimin e “Gjykimit në mungesë” për kriminelët e luftës në Kosovë”, tha Kurteshi në fjalën e tij, duke përmendur edhe mosdokumentimin e rasteve.

“Për 20 vite me radhë, pushtetarët e këtij vendi kanë mohuar krimet e Serbisë me mosveprimin e tyre në drejtim të dokumentimit e gjykimit të tyre”, tha deputetja Saranda Bogujevci në fjalën e saj. Përse të kalojnë 20 vite që një nismë ligjore e tillë të vij në kuvend, kur dihet se Serbia ua ka mohuar shqiptarëve të drejtat elementare për dekada me radhë?

Duke theksuar mosdokumentimin e krimeve të luftës dhe mungesën e mekanizmave shtetëror për përkrahjen e dëshmiratëve si vetëmohim, Bogujevci tha se, “Mosndërtimi dhe mungesa e insistimit ndaj komunitetit ndërkombëtar për mekanizma shtetëror për gjykimin e krimeve të luftës është vetëmohim. Mospërmendja e krimeve të luftës në negociata me Serbinë është vetëmohim. Shuarja e Institutit për mbledhjen e të dhënave për krime lufte është vetëmohim. Kot janë deklaratat se gjoja po kërkojnë llogari nga Serbia kur këta si bartës të institucioneve nuk kanë bërë asgjë në nivel shtetëror për të adresuar krimet e luftës në Kosovë.”

Propozimi i kryesuesit të Kuvendit për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krime ndaj shqiptarëve është absurditet. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të thërritet nga ne për të bërë punët tona. Ne duhet ta kemi vetë gjykatën tonë për krime lufte, të vendosim drejtësi dhe eventualisht të kërkojmë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kontribo

20 04 2019

Gjilani kundër PANhajnisë

Shqetësimi i qytetarëve të Kosovës vazhdon të jetë korrupsioni enorm. PANqeveria po vazhdon me rritjen e korrupsionit në dy drejtime, përmes punësimeve partiake e të familjarëve dhe përmes logjikës së shtrimit të asfaltit.

Kjo qeveri dëshiron ta mbajë klientelën në Kosovë e qytetarin e zakonshëm ta largojë nga ajo. PANqeveria dëshiron ta vendosë popullin para zgjedhjes: ose PAN-in ose largimin nga vendi.

Por Lëvizja VETËVENDOSJE! së bashku me popullin jo vetëm që do të hedhin poshtë koordinatat që sjellin këto dy alternativa, por do të rrëzojnë edhe vet shkaktarët e këtij shantazhi. PANhajnia nuk mund të bllokojë e falimentojë Republikën, qytetarët janë mobilizuar dhe PANhajnia duhet ndëshkuar.

Së bashku do të largojmë PANhajninë, do ta zhdukim korrupsionin dhe institucionin publik do ta kthejmë në shërbim të qytetarëve.

Kontribo

19 04 2019

Prizreni kundër PANhajnisë

Në mbrëmje ishim në qytetin e Prizrenit në kuadër të takimeve e tubimeve me qytetarë kundër PANhajnisë.

Plani politik dhe ekonomi i PANqeverisë: varfëri dhe papunësi, mbytje të shpresës dhe mërgim.

Në Kosovë përveçse diasporës që vidhet e kërcënohet kur investon, po ndiqen edhe qytetarët nga vendi. Në mungesë të investimeve të huaja në Kosovë, Kosova po bëhet e huaj për qytetarët e saj.

Kosovës dhe Prizrenit i duhet më shumë se kurrë ndryshimi, për ta kthyer zhvillimin dhe për kthyer perspektivën.

Vendit i duhet një qeveri që qeverisë së bashku me qytetarët dhe i punëson ata, dhe jo qeverisje mbi qytetarët dhe që punëson vetëm familjarët. Qeveria e re e VETËVENDOSJE!s përmes fondit sovran, në njërën anë, do të investojë në industri prej nga do të hapen vende të punës, dhe në anën tjetër, përmes bankës zhvillimore kamatat do të jenë shumë të ulta dhe kthimi afatgjatë.

Kontribo

19 04 2019

Drenasi kundër PANhajnisë!

Kryeminstri i PANqeverisë ia rriti pagën vetës prej 100% me arsyetimin, kinse për të mos vjedhur. Por menjëherë nisi punësimi i familjarëve të PAN-it në borde të ndërmarrjeve e institucione publike. Pra ky kryeminstër dy herë i gënjeu qytetarët e vendit e dy herë i vodhi buxhetin e shtetit, përmes rritjes së pagës vetes, e përmes punësimeve familjare, të cilat janë vjedhje.

Dhjetra storie televizive, qindra fakte dhe atë të pranuar nga vetë zyrtarët politik për punësimet korruptive me ndikim partiak dhe ende asnjë aktakuzë apo ftesë nga prokuroria. Kjo është vula e kapjes së shtetit. Kryeprokurori i Prontomafisë nuk mund të sjell drejtësi.

Në tubimin e sotëm në Drenas para qytetarëve theksuam nevojën për një shtet të së drejtës ku Kryeprokurori i përgjigjet vetëm Kushtetutës dhe jo shefave, ndërkohë që punësimet bëhen me meritokraci pa kriter mbiemrin e partinë. Kudo në Kosovë po shohim një shpresë, se këtyre politikanëve e kësaj lloj qeverisje po i vjen fundi.

Së bashku do të ndërtojmë frymën dhe do ta bëjmë ndryshimin.

Kontribo

18 04 2019

Raporti i shpenzimeve të PANhajnisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti një konferencë për shtyp ku analizoi Raportin e Shpenzimeve për vitin 2018, publikuar nga Ministria e Financave.

Deputetja Arbërie Nagavci dhe aktivisti Edison Jakurti, i specializuar në ekonomi, vunë në dukje disa nga të gjeturat e analizës së raportit:

Kosova ka pasur normën më të lartë të papunësisë dhe normën më të ulët të rritjes së vendeve të punës. Përveç zvogëlimit të tregut të punës, me njerëz që po e lëshojnë vendin, rreth 58% e atyre që janë në treg të punës duhet të presin më shumë se një vit për të gjetur punë. Rritja ekonomike e publikuar nga qeveria, e cila nuk po krijon vende të punës mbetet veç një shifër pa ndikim pozitiv e efektiv në mirëqenie.

Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve është për 3.3% më i lartë në mars të 2019 sesa ai në mars të 2018. Cmimi i bukës dhe drithërave është rritur për rreth 12%, çmimi i mishit është rritur përreth 4%; ai i qumështit, djathit, dhe vezëve për 4%, i perimeve për 33%; e kostoja e përdorimit të pajisjeve për transport personale për 6.4%. Këto janë produkte e shërbime bazë, nuk janë luks. Pra, raporti i zhdrejtë mes normës së papunësisë dhe normës se inflacionit, tek ne është kthyer në raport të drejtë: ne kemi edhe rritje të papunësisë, edhe rritje të çmimeve. Pra na kanë ofruar një gjendje të katastrofës.

Një përcaktues tjetër i rritjes ekonomike thuhet të jetë eksporti në shërbime. Por, në masë të madhe, kjo ndodh për shkak të mërgimtarëve që vijnë në Kosovë për vizitë – nuk është meritë e ndonjë politike proaktive të qeverisë. Në tregtinë me mallra, ku mund të ketë dorë kjo qeveri, kemi deficit të lartë tregtar: ne vitin 2018, deficiti tregtar iu afrua shifrës së 3 miliard eurove, që ishte mbi 11% më i lartë se deficit tregtar në vitin 2017. Pra, për një euro të fituar nga eksporti, ne i kemi dhënë 9 euro në import.

Krenaria tjetër e Ministrisë së Financave mbetet stabiliteti makroekonomik. Por, norma e papunësisë rreth 30%, norma e popullsisë ekonomikisht joaktive 59%, deficiti tregtar prej afër 3 miliardë eurosh; inflacioni prej rreth 3.3%; tregojnë se ne jemi në krizë. Dhe, në kohë krizë stabiliteti do të thotë mirëmbajtje e krizës. Pra duhet stimulim i ekonomisë, e jo stabilitet.

Në vitin 2018, mbi 12 milionë euro janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit, nga të cilat mbi 7 milionë vetëm për akomodim dhe meditje të zyrtarëve. Ndërsa, qeveria ka ndarë 120,000 euro për 800 familje të rrezikuara të komunitetit egjiptian. Pra, 150 euro për ta nxjerrë nga rreziku një familje të komunitetit egjiptian, dhe mbi 7 milionë për meditje dhe akomodim të zyrtarëve jashtë vendit.

Gjatë vitit të kaluar, rreth 3 milionë e gjysmë janë shpenzuar në dreka zyrtare. Ndërsa për këtë vit, për 103,409 qytetarë të varur në ndihmën sociale janë ndarë 30 milionë euro, që i bie rreth 0.79 euro në ditë. Pra, qeveria që ka shpenzuar 3.5 milionë euro për dreka zyrtare në 2018 ndërsa ka planifikuar 0.79 euro në ditë për një të varfër në vitin 2019.

Asnjë biznes i madh i ri nuk u regjistrua në Kosovë vitin që lamë pas.

Për Vetura zyrtare janë shpenzuar mbi 1 milionë euro. Ndërsa për Fushat sportive vetëm 300 mijë euro. E për pajisje muzikore për artistët tanë 0 euro. Furnizim me ushqim dhe pije në total kjo qeveri i ka shpenzuar rreth 12 milionë euro.

Dhe të marrësh me mend se çfarë kanë qenë rezultatet në politikën apo në tregtinë e jashtme të Kosovës përballë 7 milionë eurove të shpenzuara gjatë 2018.

Shpenzimet për shënimin e pavarësisë mbi 600 mijë euro, pra për një ditë të vetme shtuar kësaj dhe pagesën e borxhit të prapambetur nga një vit më parë rreth 200 mije euro, pra gati 800 mijë euro për shënimin e pavarësisë.
Raporti i të punësuarve me kontratë për shërbime të veçanta, pra ata që i angazhojnë ministrat sipas interesit të tyre mbi stafin civil që e ka të përcaktuar çdo ministri.

Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë 207 persona
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve 118 persona
Ministria e Infrastrukturës 135 persona.

Nuk është çështja vetëm që ka keqpërdorimeve enorme, këtu është problemi që mendësia e tyre është e tillë. Dhe se secili prej tyre nga PANQeveria mendon se i takon ta përdorë paranë publike sipas interesit të ngushtë.
Nuk mundemi më me këtë mendësi. 11 vite menaxhim i buxhetit, 11 vite paradigmë ekonomike e mbrapsht.
Është koha për ta ndërruar rrënjësisht këtë situatë.

Kontribo

18 04 2019

Takim me Vasfije Krasniqi Goodman

Në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari Albin Kurti, nënkryetarja dhe deputetja Fatmire Mullhaxha Kollçaku, përfaqësuesja në KQZ dhe drejtuesja e sekretariatit të gruas Nazlie Bala, deputetja Saranda Bogujevci, deputeti Sami Kurteshi dhe anëtari i Kryesisë Arben Vitia takuan dhe bashkëbiseduam dashamirësisht me Vasfije Krasniqi Goodman, gruan e guximshme që i mbijetoi tmerrit të luftës dhe heshtjes së pasluftës.

Një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë janë dhunimet seksuale të kryera nga forcat e Serbisë. Ky krim shpërfaq faktin se Serbia nuk mjaftohej me vdekjen e shqiptarëve. Përçmimi i tyre ndaj nesh nuk kishte të sosur. Aq i rëndë ka qenë ky përçmim sa institucionet e vendit dhe shoqëria jonë e pasluftës nuk ia kanë të dalë të kenë guximin të përballen hapur me këtë dhunë ndaj vajzave dhe grave.

Ndërkohë, për asnjë rast të vetëm drejtësia nuk është sjellë në vend dhe asnjë gjykim nuk është dhënë për ata që planifikuan, organizuan dhe kryen dhunimet ndaj grave dhe vajzave në Kosovë. Këtë brengë të drejtësisë rindau Vasfije Krasniqi Goodman. Drejtesia për ta denuar krimin dhe kriminelin ka munguar.

Institucionet e vendit duhet ta marrin guximin dhe ta kenë vullnetin për t’u angazhuar për t’i vendosur kriminelët përballë drejtësisë.

Thirrja e Vasfijes është thirrja e 20.000 grave dhe vajzave të dhunuara. Thirrja e Vasfijes është thirrja që i jep zë dhimbjes. Një forcë dhe guxim i jashtëzakonshëm duhet për t’u përballur dhe për t’i dhënë zë dhimbjes, duhet forca dhe guximi i të vërtetës dhe të drejtës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet misionin dhe iniciativën e Vasfijes për të sjell drejtësi.

Kontribo

17 04 2019

Peja Kundër PANhajnisë

Kosovës i duhet një riorientim politiko-ekonomik. Drejtësia duhet të triumfojë mbi korrupsionin dhe krimin, ndërsa barazia mbi pasurimin e paligjshëm dhe varfërinë esktreme. Qeverisja e re do të rishpërndajë pasurinë prej nga do të rritet mirëqenia për të gjithë.

Kosovës nuk i duhen qeveri si kjo PANqeveria, e cila shikon vetëm veten prej ku ia rrit pagën vetës 100% dhe punëson vetëm familjarët e saj. Kosova nuk është as e qeverisë dhe as e farefisit të Kryeministrit. Ajo duhet të jetë e barabartë për të gjithë pavarësisht postit apo mbiemrit.

Nga qyteti i bukur i Pejës sot, së bashku me qytëtarët e kësaj komune, përçuam edhe një herë mesazhin: Kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja.

Së bashku do ta ndryshojmë vendin dhe do t’i japim shpresë Republikës sonë, Kosovës.

Kontribo

17 04 2019

Takim me Ambasadorin e Turqisë, z. Çagri Sakar

Dje, në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Albin Kurti bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar Glauk Konjufca pritën në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çagri Sakar.

Kryetari Kurti falenderoi ambasadorin e Turqisë për rolin e saj në ndërhyrjen e NATO-s në ndaljen e gjenocidit të Serbisë para 20 vjetëve, në njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës para 11 vjetëve, dhe, në ndihmën humanitare dhe mbështetjen me projekte zhvillimore. Ambasadori Sakar vlerësoi rolin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në skenën politike në Kosovë dhe shprehu interesimin për të mësuar për idetë, pikëpamjet dhe qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s.

Në takim të dy palët theksuan rëndësinë e mbarëvajtjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, dhe avansimin e tyre sidomos në aspektin ekonomik.

Takimi njoftues me ambasadorin Sakar u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe Kurti e Sakar u pajtuan për të vazhduar edhe në të ardhmen me komunikim të vijueshëm dhe takime të tjera.

 

Kontribo

16 04 2019

Kastrioti kundër PANhajnisë

Në kuadër të tubimeve e bashkëbisedimeve me qytetarë nëpër Kosovë sot ishim në qytetin e Kastriotit ku u pritëm nga qindra qytetarë.

Kastrioti që i jep gjithë dritën Kosovës është lënë nën tymin jo vetëm të elektranave pa filter, por edhe nën mjegullën e harresës së qeverisjeve të pasluftës.

Me angazhimin e përbashkët qytetar dhe lëvizje popullore do të funksionalizohet drejtësia e do të kapet korrupsioni. Me një qeverisje ndryshe shteti do të jetë ai i së drejtës dhe pa hakmarrje. Ndërkohë me shkapjen e shtetit do të ndihen të kemi jo vetëm investime të huaja që i mungojnë Kosovës, por do të fitohet edhe besimi i diasporës që asnjëherë s’u la e lirë të investojë në vendlindje.

Me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen ndryshe nuk do të ketë më përqindje në tendera dhe kërcënime për investitorët nga grupet kriminale të lidhura me politikën.

Prandaj edhe Kastrioti shprehu sot vullnetin e qytetarëve te vet, për ndryshim të menjëhershëm, për ndalje të PANhajnisë, për zgjedhje të reja.

Kontribo