24 08 2019

Takim me ambasadorin e Francës Didier Chabert

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti së bashku me anëtarët e kryesisë, Fitore Pacollin dhe Arben Vitinë pritën në takim ambasadorin e Francës Didier Chabert bashkë me bashkëpunëtoret e tij zv. shefen e misionit Carole Blestel dhe Celia Freudenberger nga zyra politike.

Përgjatë takimit ramë dakord për nevojën e organizimit sa më të mirë të zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Kosovë, pa keqpërdorime dhe shkelje të këtij procesi kaq të rëndësishëm për vendin. Në bisedë i treguam ambasadorit edhe për nevojën urgjente që ka Kosova për një qeveri të re e cila i përqendron forcat dhe vëmendjen e saj për ta lidhur arsimin tonë me tregun e punës, për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur investimet në shërbim të zhvillimit ekonomik.

Në përfundim të takimit ambasadori përsëriti përkushtimin e tij në përforcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe në ndjekjen e zhvillimeve Kosovë.

Kontribo

23 08 2019

Kryetari i Mitrovicës dhe qindra qytetarë i bashkohen Lëvizjes

Në një tubim madhështor që u mbajt sot në Mitrovicë, qindra anëtarë të strukturave të AKR-së së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Agim Bahtirin, vendosën t’i bashkohen Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kryetari Albin Kurti tha se një qytet me rëndësi strategjike për zhvillimin e ekonomisë dhe mbrojtjen e shtetësisë si Mitrovica, është me fat që për dy mandate e ka në krye Agim Bahtirin, i cili i zmbrapsi mujsharët e vjetër dhe strukturat e Serbisë që bënin zullum mbi popullsinë shqiptare në Mitrovicë, dhe dëshmoi që qëndresa e rezistenca njëmend vlen e sjell rezultate, kur nuk lejoi në asnjë mënyrë që Vinarci, Gushavci, Vidimiriqi dhe Suhodolli të shkojnë me pjesën veriore të Mitrovicës, pavarësisht trysnisë së lartë të shumë pushteteve.

Kryetari uroi ardhjen e Bahtirit dhe qindra aktivistëve në Lëvizje, dhe tha se Lëvizja me ose pa koalicione po marshon sigurte dhe fuqishëm drejtë fitores, dhe se ardhje e bashkime të tilla vetëm sa na forcojnë në atë drejtim.

Bahtiri falënderoi kryetarin Kurti që i ka dalë në ndihmë në një kohë kur Mitrovica i ishte lënë krimit, strukturave paralele serbe dhe trysnisë së tyre për ta ndarë qytetin e Mitrovicës te lumi Ibër. Sipas tij, ishte përkrahja e Kryetarit Kurti për t’iu kundërvënë atyre pushteteve që asokohe kërkonin ndarje të qytetit – si e vetmja përkrahje nga Prishtina, që e shtyu jo vetëm atë, por edhe gjithë strukturën e AKR-së, t’i bashkohen Lëvizjes në këto zgjedhje, drejt bërjes së Albin Kurtit Kryeministër të vendit.

Kontribo

23 08 2019

Tubim me bashkatdhetarë në Kaçanik

Në Kaçanik, në një takim shumë të ngrohtë e motivues, mërgimtarët që po e kalojnë verën në atdhe, e pritën kryetarin e Lëvizjes Albin Kurtin dhe kryetarin e qendrës sonë atje Avni Tafilin. Në Kaçanik Lëvizja prin prej disa vitesh, dhe në zgjedhjet e qershorit 2017 Kaçaniku votoi masivisht për VETËVENDOSJE!-n. Edhe në zgjedhjet e ardhshme do të fitojmë. Garancë për këtë është përkrahja e madhe e pa rezervë e banorëve të Komunës së Kaçanikut, e sidomos atyre nga mërgata jonë. Kaçaniku i varfëruar e me shumë probleme, e meriton një qeveri e cila do të zhvillojë ekonominë, arsimin, shëndetësinë e infrastrukturën, dhe që punon për realizimin e amanetit të dëshmorëve e të ëndrrave e fëmijëve.

Kontribo

21 08 2019

Takim me ambasadoren e Suedisë znj. Karin Hernmarck Ahliny dhe sekretarin politik të ambasadës z. Olle Ingvarsson.

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti dhe drejtuesi i grupit parlamentar Glauk Konjufca pritën në takim ambasadoren e Suedisë znj. Karin Hernmarck Ahliny dhe sekretarin politik të ambasadës z. Olle Ingvarsson.

Në takim u ndanë mendimet mbi situatën në vend dhe mbi zhvillimet që priten të ndodhin në skenën tonë politike në ditët dhe javët në vazhdim. Kryetari Kurti përsëriti me partnerët e ambasadës së Suedisë qëndrimin e Lëvizjes për domosdoshmërinë e ndryshimeve të mëdha politike në Kosovë që do të hapin një horizont të ri për daljen nga kriza dhe përparimin e saj. Në veçanti u diskutua për nevojën e trajtimit të barazisë gjinore dhe krizës klimatike ne shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Në bisedë ambasadorja Ahliny përsëriti gatishmërinë e saj për t’i përforcuar marrëdhëniet mes dy vendeve, një gatishmëri reciproke kjo edhe nga ana e Lëvizjes.

Kontribo

21 08 2019

Tubime në Bakshi e Sibovc të Kastriotit

Lëvizja VETËVENDOSJE! po vazhdon tubimet me qytetetarë. Mbrëmë, Kryetari Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Qendrës së Lëvizjes në Kastriot, Halil Thaçin, Donik Sallovën si dhe veprimtarin Aziz Bicin vizituan fshatin Sibovc dhe Bakshi të komunës së Kastriotit, ku u mirëpritën nga banorë të shumtë që kishin ardhur për të dëgjuar dhe folur rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.

Kryetari Kurti tha se janë dy probleme themelore që qeverisja e Lëvizjes do t’i adresojë qysh në fillim të mandatit. “E para ka të bëjë me prokurorët. Neve na duhen prokurorë të aftë dhe të guximshëm që e gjurmojnë dhe e ndalin krimin e lartë financiar. Atyre do t’u ofrohet mbrojtje dhe asistencë shtetërore për ta hetuar dhe ndalur krimin. Dhe e dyta ka të bëjë me dekriminalizimin e prokurimit. Në Kosovë janë mbi 170 autoritete të prokurimit që blejnë mallra dhe shërbime me para të buxhetit dhe ku tenderë fitojnë kompanitë e njëjta rregullisht. Nuk është e thënë të bëhet një autoritet i vetëm i prokurimit, por edhe 170 janë shumë. Le të kemi më pak që ta kontrollojmë më mirë paranë publike”.

Kryetari Kurti tha se qeverisja e re do të krijojë kushtet që diaspora të faktorizohet në ekonomi. “Ne jemi të interesuar që diaspora jonë të bëhet faktorë në ekonomi, por çfarë i bie kjo? Ta zëmë, në vend se një familje nga Shtutgarti ta blejë një banesë në Prishtinë, më mirë do të ishte t’i investojë 0.01% në Telekom, të blejë aksione, dhe shteti do të ishte garantues, ose në Trepçë, ose KEK, dhe jo të investojnë në një banesë në të cilën nuk dihet se a qëndrojnë një javë përgjatë gjithë vitit, e për të cilën nuk ka as llogari ta lëshojë me qira. Pra, më mirë është që diaspora të bëhet aksionare në zhvillimin ekonomik sesa mirëmbajtëse e mbijetesës sociale”.

Për ta rritur ekonominë duhet edhe një bankë zhvillimore tha kryetari Kurti. “Në Kosovë operojnë 10 banka, 8 prej të cilave janë të huaja dhe vetëm 3 prej tyre e kanë 75% të kapitalit – që i bie se tre veta mund të pinë kafe një ditë dhe të dakordohen për kamata dhe për interesat në depozita. 3.2 miliardë janë depozitat, pra shuma që qytetarët ua kanë dhënë bankave ku interesi është më pak se 1%, kurse 2.7 miliardë janë kreditë, paratë që ata na japin neve e ku interesi është 7%. Neve na duhet një Bankë Zhvillimore, një BQK tjetër, që i zbret kamatat për bujqit, për industrinë nën 3% dhe periudhën e pagesës së kamatës e rrit në 7-8 vite”, tha ai duke theksuar se në Kosovë përveç shtetit edhe populli është i kapur nëse i referohemi statistikave të BQK-së, ku 350 mijë janë të punësuar, kurse 600 janë në kredi bankare.

Kurti foli edhe për rëndësinë e lidhjes së arsimit me ekonomi duke përmendur sistemin dual ekonomik Zviceran-Gjerman, ku 2/3 e shkollave të mesme janë profesionale, kurse 1/3 Gjimnaze. “Ndërmarrjet prodhuese duhet që bashkë me administratën e universitetit t’i shkruajnë planprogramet. Tek ne nuk ndodhë që ndërmarrjet të shkojnë në universitet për të pyetur se çfarë kuadro prodhojnë, dhe as nuk ndodhë që universiteti t’i pyes këto ndërmarrje se çfarë kuadro ju duhen. 4.3% të prodhuesve vendor në Kosovë kanë deklaruar (në anketën e përgjithshme të 5 mijë ndërmarrjeve) që punëtorin që e marrin në punë, pas një muaji aftësohet. 166 mijë biznese janë të regjistruara në Kosovë, vetëm 50 mijë janë funksionale, prej tyre vetëm gjysma janë të fiskalizuara, pra që paguajnë tatime me rregull, dhe prej tyre vetëm 5 mijë janë prodhuese dhe numri mesatar i punëtorëve te ato është 6. Te këto 50 mijë ndërmarrje 90% i kanë më pak se 10 punëtorë, edhe për vite të tëra, neve na duhet që ky sektor të rritet, pra qasje më të lehtë në kapital dhe shkolla që e furnizojnë jo me fuqi punëtore më të lirë, por më të shkathët.”

Kontribo

21 08 2019

Të dëgjohen kërkesat e punëtorëve të aeroportit

Në periudhën kur fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” po rriten, e rrjedhimisht po rriten edhe te hyrat për kompaninë private që e ka marrë me koncesion, të drejtat e punëtorëve po shkelen çdo ditë e më shumë. Eliminimi i dallimeve në paga, pagesa për përvojën e punës, pagesa për orët e punës gjatë vikendit dhe të drejta të tjera që parashihen në Ligjin e Punës, janë vetëm disa nga kërkesat e punëtorëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kohë qe ka paralajmëruar dëmet e politikave neoliberale të imponuara mbi ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës dhe i ka kundërshtuar ato. Imponimi është bërë në forma të ndryshme, herë privatizim e herë koncesionim, por rezultatet kanë qenë të njëjta: shpronësim i qytetarëve e shkelje e të drejtave të punëtorëve.

Thirrjet e menaxhmentit për ta anuluar grevën dhe protestën do të ishin legjitime, nëse punëtorëve do t’u ofrohej dialogu nga menaxhmenti dhe drejtësia nga shteti. Por, punëtorët po përballen me arrogancën e menaxhmentit dhe injorimin e shtetit. Ditëve të fundit madje u është ndaluar hyrja në punë një numri të grevistëve, e veprime të tilla nga ana e menaxhmentit duhet të ndalen sepse punëtorët dhe sindikata kanë të drejtë për t’u organizuar në greva.

Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në solidaritet me punëtorët e organizuar rreth Sindikatës së Pavarur e ANP dhe mbështet veprimet e tyre sindikale. Kërkesat e tyre janë legjitime, ato duhet të realizohen.

Kontribo

19 08 2019

Takim lamtumirës me ambasadoren e Kroacisë, znj. Marija Kapitanović, dhe Sekretarin e parë të ambasadës, Zlatko Vnućec

Ambasadoren e Kroacisë, znj. Marija Kapitanović, dhe Sekretarin e parë të ambasadës, Zlatko Vnućec, sot, i pritën në takim lamtumirës, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari Albin Kurti dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Kryetari Kurti e falënderoi znj. Kapitanović për bashkëpunimin gjatë shërbimit të saj dhe i uroi suksese në angazhimet e tjera të radhës.

Përgjatë bisedës u theksua rëndësia e institucionalizimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve tona. Po ashtu, u diskutuan përvojat e Kroacisë në forcimin e saj ligjor e demokratik dhe ndihma e mbështetja e Kroacisë në shtetndërtimin e Kosovës. Kryetari Kurti përsëriti nevojën e vendit tonë për një qeveri të re e cila do t’i intensifikojë marrëdhëniet ndërshtetërore me vendet aleate e partnere, veçanërisht me Kroacinë.

Në fund të takimit, znj. Kapitanović shprehu dëshirën e saj për t’i ndjekur edhe më tej zhvillimet në Kosovë, ndërkaq zyrtarët e Lëvizjes shprehën gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin me pasuesin e Ambasadores.

Kontribo

19 08 2019

Takim me pikën e Drenocit

Mbrëmë ishim në fshatin Drenoc të Malishevës me ç’rast u takuam me pikën tonë të re në këtë fshat, ku së shpejti do t’i themelojmë edhe dy pika të reja.

Së bashku me kryetarin e qendrës Adem Berisha e veprimtarin e çështjes kombëtare Gani Krasniqi ishte edhe kryetari i Lëvizjes Albin Kurti.

Veçanërisht këto ditë duhet të angazhohemi në çdo fshat e lagje të Republikës për të sjell ndryshimin që i duhet vendit. Është momenti vendimtar të ndërrojë orientimi i shtetit të cilin e kanë mbytur me korrupsion dhe kapluar me papunësi.

Pika jonë është pikëtakimi i qytetarit me Lëvizjen, aty takohen kërkesat e popullit me angazhimin politik të aktivistit. Jemi shumë afër ndryshimit prandaj duhet të jemi gjithmonë e më afër qytetarëve. Lëvizja është e popullit dhe asnjëherë nuk do të jetë ndryshe.

Kontribo

19 08 2019

Vizitë në HardhFest

Vera e hardhive të Rahovecit bëri bashkë në HardhFest vreshtarë, verëprodhues e dashamirës të pijes së cilës i kanë thurur vargje prej Homerit te Khajami, prej Hafizit te Emersoni, e Neruda e Lorka e sa poetë të tjerë.

Vera e Rahovecit është produkt vendor me të cilin krenohemi. Ajo zë vende të larta në konkurse botërore, dhe e vendos Kosovën në hartën e verërave të mira. Por, duhet punuar më shumë, dhe nevojitet më tepër koordinim e ndihmë nga shteti, që kjo verë të marrë famën e duhur e të mund të konkurrojë denjësisht, së paku me prodhimet e vendeve të rajonit.

Me prodhues e njohës të verës, me vreshtarë e punëtorë të kompanive të ndryshme që prodhojnë verën e Rahovecit, folëm për mundësitë që do t’u hapen në qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e cila do të jetë gjithnjë përkrahësja e prodhimit vendor.

Kontribo

18 08 2019

Takim me bashkatdhetarë në Rahovec

Dje ishim në Rahovec për t’u takuar me bashkatdhetarët prej këtij vendi shumë punëtor. Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti së bashku me deputetë e aktivistë nga qendra e Rahovecit mirëpritën mërgimtarët që po kalojnë ditët e pushimit në atdhe.

Mërgata jonë e fuqishme deri tani është parë vetëm permes ndihmës së madhe që i ka dhënë familjes. Me Lëvizjen kjo gjë do të ndryshoje, mërgata do të jetë edhe katalizatore direkte e zhvillimit ekonomik të Republikës. Paratë e shumta që dërgon diaspora nuk do të shkojnë vetëm në konsum, por do ta zhvillojnë ekonominë e rrisin mirëqenien e qytetarëve. Republika nuk do të eksportoje paratë e mërgimtarëve, por përmes investimeve do t’i shumfishojë ato.

Kontribo

17 08 2019

Homazhe për Fazli Greiçevcin.

Sot, në përvjëtorin e vrasjes mizore të mësuesit atdhetar Fazli Greiçevci, një delegacion i Lëvizjes i prirë nga Kryetari Albin Kurti bëri homazhe te varri i tij në Sankofc të Drenasit.

Fazli Greiçevci përvec angazhimit në punë ishte pjesë e grupeve ilegale të asaj kohe që për qëllim kishin vetvendosjen për Kosovën dhe bashkimin me Shqipërinë. Ai ishte pjesëmarrës në mbledhjen e shtatorit të vitit 1963 ku u themelua organizata e fshehtë atdhetare e quajtur, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve“ e cila udhëhiqej nga veprimtari i cështjes kombëtare Adem Demaçi.

Shkrimtarit tonë Adem Gashit ja arrestuan mësuesin flamurtar para 55 viteve. Ishte ditë tregu ajo. Ai sot mbajti një fjalë rasti para neve të pranishmëve që ta përkujtonte atë:

“Fazli Greiçevci ishte me profesion mësues, me vokacion atdhetar dhe më pasion poet. Me të trija këto ai arriti majat dhe shkëlqeu”, tha ai.

Mësuesi atdhetar u vra mizorisht me torturë në burg nga shteti serb që më pas tentoi edhe të fsheh vrasjen e tij. Por, tashmë ishte vonë, vepra e Fazli Greiçevcit ishte bërë frymëzim për shumë dimensione të jetës e për të gjithë popullin. Emri dhe vepra e tij u bënë inspirim për rapsodët e këngës popullore, për vargjet e poetëve dhe rrëfimet e shkrimtarëve. Ai ishte bërë simbol i angazhimit për çlirim kombëtar.

Lavdi jetës dhe veprës!

Kontribo

16 08 2019

Takim lamtumirës me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Ruairi O’Connell

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, kryesuesi i Grupit Parlamentar, z. Glauk Konjufca, dhe dy deputetet e Kuvendit të Republikës se Kosovës, znj. Saranda Bogujevci dhe znj. Fitore Pacolli, pritën në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Ruairi O’Connell, dhe Sekretarin Politik, z. Samuel Paice. Zyrtarët e Lëvizjes e falënderuan Ambasadorin O’Connell për bashkëpunimin gjatë misionit të tij në Kosovë dhe për qasjen e sinqertë që kishte në relacion me institucionet e vendit tonë. Gjatë këtyre viteve, Ambasadori O’Connell gjithashtu dha një kontribut drejt avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në takim, Kryetari Kurti e theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të parakohshme që pritet të shpallën së shpejti, dhe, domosdoshmërinë e ardhjes së një qeverie të re, e cila në theks ka luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik për punësim, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, e sidomos përmirësimin e cilësisë së arsimit e shëndetësisë.

Populli ynë përherë është falënderues ndaj mbështetjes së pa rezervë të Mbretërisë së Bashkuar, si një prej aleatëve kryesor dhe një prej shteteve më të fuqishme në Evropë. Shteti ynë duhet të punojë në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetin e z. O’Connell. E, kjo arrihet me një qeveri e cila nuk ka të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i dëshiron dhe uron Ambasadorit O’Connell suksese në angazhimet e tij të radhës.

Kontribo

14 08 2019

Hidrocentralet në Shtërpcë, Deçan dhe Mitrovicë – kush po fiton nga degradimi i lumenjve?

Sot deputeti Liburn Aliu paraqiti sërish problemet që po vijojnë me degradimin e pellgjeve lumore në kurriz të banorëve e balancit ujor.

Aliu vërejti se me rënien e qeverisë është krijuar përshtypja e rrejshme e qetësisë nëpër institucione. Vëmendja mediatike është drejtuar kah deklarimet para elektorale teksa disa mekanizma po funksionojnë me zell të madh në degradimin e ambientit, konkretisht lumenjve. “Dje pata rastin të jem në vizitë në Shtërpcë, sërish në vizitë për punimet rreth hidrocentraleve që po ndërtohen atje, punë këto që qytetarët atje po i kundërshtojnë tash e sa kohë. Kundërshtimi i tyre i pandërprerë dhe i drejtë ka bërë që të rritet një sensibilizimi edhe në shoqërinë civile” – tha Aliu.

Për çështjen e hidrocentraleve të reja kudo në Kosovë deri më tani është protestuar dhe ka pasë edhe raportime në komisionet parlamentare. Punimet në hidrocentrale janë duke u bërë me shkelje të shumta ligjore dhe pa analiza ujore dhe mjedisore.

Para një muaji Avokatit i popullit ka paraqitur kërkesë për masë të përkohshme në punimet ndërtimore në hidrocentrale, kërkesë kjo që deri më tani është pa përgjigje. Ministria e Mjedisit dhe planifikimit hapësinor arsyetohet se nuk ka mandat të marre vendime për shkak se janë në pritje të përgjigjes nga Gjykata kushtetuese. Në ndërkohë që dikasteret e tjera apo edhe i njëjti kur bëhet fjalë për dhënie të lejeve funksionon shumë mirë. Këta po gjejnë lloj-lloj arsyetimi banal dhe cinik kur bëhet fjalë për të ndaluar diçka të keqe në këtë vend. Në ndërkohë që në ministri përpiqen të arsyetojnë heshtjen, në terren vazhdojnë punimet.

Në Shtërpcë dhe Biti po vazhdon të punohet që të fusin plotësisht lumenjtë në gyp. Lepenci dhe lumenjtë e vegjël Kallugjer dhe Bolovan janë jetë për banoret atje dhe ata kanë të drejtë në kërkesën e tyre. Ata janë të mbështetur për muri pasi i vetmi ujë qa u kalon pranë po u merret.

Sasia e ujit në këta lumenj është e vogël, ajo rritet vetëm në muajt e shkrirjes së borës, ajo shërben për pije dhe për ujitje për qytetarët atje. Ata kanë fermat e tyre, kopshtet dhe plantazhet e mbjella me mjedra dhe pemë tjera, qe varen drejtpërdrejtë nga ai ujë. Në ata lumenj ka edhe troftë dhe ai ujë e mban gjallë tërë ekosistemin përreth. Është e pakuptimtë se cila mendje ka marrë atë vendim për ti futë në gyp ata lumenj. Nuk mund të besojmë që ka ndonjë ekspert që mirëfilli trajton dhe vlerëson nevojat për atë ujë dhe vlerëson të mundshëm hidrocentralin, e njëjtë edhe për institucionin. I tërë ai dëm për banorët duke i lënë pa ujë vetëm që dikush privatisht të përfitojë. Kjo është tejet kriminale dhe nuk duhet të shpëtojë pa u hetuar. Këtu ka çështje hetimi.

Sot shteti nuk funksionon apo më mirë të themi funksionon vetëm në dobi të dëmit. Në emër të një vakumi institucional tani po vazhdon degradimi i cili në Kosovë ndodhë tash sa vite. Lumi Bistrica në Shalë të Bajgorës tanimë është mbyllë, është futë në gyp dhe banorët atje kanë reaguar dhe reagojnë në vazhdimësi. Të njëjtën duan ta bëjnë kudo në Kosovë.

Situata plotësisht e rënduar paraqitet në Lumbardh të Deçanit. Aty ish Ministri së bashku me sekretarin e Ministrisë së Mjedisit i kanë kërkuar jashtë çdo rregulle e norme ligjore Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që t’ia zgjasë afatin edhe për tre muaj kompanisë “Kelkos” gjoja për të plotësuar kushtet. Të gjithë që punojnë në këtë fushë dhe banorët po ashtu e dinë që për tre muaj “Kelkos” nuk mund të bëj asgjë lidhur me degradimin e madh që ka shkaktuar.

Inspektorati për ujërat dhe Autoriteti i pellgjeve lumore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk mund të fshihen pas faktit që nuk dihet a kanë ministër a jo. As pas ZRRE-së. Ligji për ujërat i njeh ata përgjegjës për të vepruar. Respektivisht për të ndalur punimet aty ku po dëmtohen pellgjet lumore, apo ka raportim për degradim e shkelje të autorizimeve. Andaj, t’i ndalojnë këto punime. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mjedisin por bëhet fjalë për drejtpërdrejtë jetën dhe ekonominë e qytetarëve dhe për këto shkelje duhet ta kenë të qartë se nuk do të mund t’i shpëtojnë hetimit dhe drejtësisë.

 

 

Kontribo

14 08 2019

Takim me bashkatdhetarë në parkun e qytetit të Prishtinës

Shiu nuk na pengoi që sonte, në Parkun e Qytetit në Prishtinë të organizonim një ndejë me bashkatdhetarët. Ky takim ishte paraprirë nga shumë takime të tjera gjithandej nëpër Kosovë.

Mërgata vazhdon të mbajë ekonomikisht familjen e varfër të Kosovës, e gjithnjë është rreshtuar drejt politikisht. Lëvizja falenderon të gjithë mërgimtarët e shumtë që morën pjesë në aktivitetet e organizuara në shenjë respekti për ta. Megjithatë takimet tona do të vazhdojnë, edhe në vendet ku ata jetojnë e punojnë, por edhe në Kosovë, ku tash po troket një kohë e re.

Kontribo

09 08 2019

Numrat t’i kthehen Valës, Telekomi të veprojë, Rregullatori mos të pengojë

Kanë kaluar 9 ditë nga përfundimi i kontratës që Telekomi i Kosovës pati me ish Z-Mobile. Brenda 30 ditëve duhet që numrat e kësaj të fundit të rikthehen aty ku e kanë vendin, pra në kompaninë mëmë, në Telekomin e Kosovës.

Është e pritshme që Bordi dhe Menanxhmeti i Telekomit të Kosovës të njoftojë publikun se kanë marrë masat në plotni dhe se brenda 30 ditëve numrat do të kthehen nën përdorimin e Valës.  

Autoriteti Rregullativ (ARKP), Bordi dhe zyrtarët përgjegjës, marrë parasysh ligjin dhe interesin publik të mos krijojnë asnjë pengesë. Opinionet a shpjegimet që dekurajojnë, relativizojnë, pengojnë, këtë proces tejet të rëndësishëm i shkojnë përshtat dëmtuesve të Telekomit.

Çdokush që e vonon këtë proces, apo e devijon, do të jetë padyshim, subjekt i proceseve të ardhshme gjyqësore, ku do të përllogariten dëmet e shkaktuara nga kontrata dhjetëvjeçare PTK-Dardafone. Në të cilën ish anëtarët e bordeve të Rregullatorit kanë pasur rol tejet destruktiv.

Numrat, pra, janë të Valës sepse abonentët që i kanë ata numra e shfrytëzojnë infrastrukturën e Valës, ndaj nuk mund te jenë të askujt tjetër përveçse të Valës. Telekomi i Kosovës duhet t’i kalojë edhe praktikisht nën administrimin e vet menjëherë e pa vonesë. Alibi procedurale dhe ligjore për pritje nuk ka.

 

Kontribo

08 08 2019

Dështimet e  ish Ministrave të Punës dhe Shëndetësisë në kurriz të punëtorëve e pacientëve

Në konferencën e sotme për media, Nënkryetarja, dr.Fatmire Kollçaku, ngushëlloi familjen dhe miqtë e gruas së vrarë në Prizren si dhe u shpreh se shoqëria jonë, e ka emergjencën që t’u thotë vendosmërisht jo dhunës ndaj grave. Hezitimet e shpeshta të sistemit të drejtësisë e sigurisë në vend për paralajmërimet e dhunës, relativizimi së kudo ndodhkan krime të tilla vetëm sa do ta shtojnë numrin e viktima. Duhet të jemi të pakompromistë në këtë drejtim. Edhe do të jemi të tillë.

Më tej Dr.Kollçaku, vijoi me çështjen e punëtorëve të Kosovës dhe pacientëve është prej disa vitesh duke u rënduar.

Bilanci i punës së një Qeverie bëhet nga këndëveshtrimi i qytetarëve, nëse i ka sjellë ndryshim cilësor në mirëqenien e tyre. Ministritë e Punës, Mirëqenies sociale dhe Ministria e Shëndetësisë këto dy vite qeverisje i patën si këto 20 vite. Por me dëm më të madh. Ngase padrejtësia tek punëtorët tanë dhe tek pacientët ka mbërritur kulmin.

Premtuan se do të rrisnin pagën minimale, dështuan. Premtuan se do të bënin ligjin e ri të punës. Sipas tyre më të mirë e më të përshtatshëm. As nuk e hartuan të tillë e as nuk mbërritën ta finalizonin. Premtuan se do të rrisnin punësimin me programet e Minsitrisë së Punës, dështuan. Vitin që lamë pas në Kosovë janë 17 mijë vende pune më pak. Premtuan se do të bënin ligjin e veçantë për pushimin e Lehonisë, dështuan. E hoqën atë dhe nga Projekti i Ligjit të punës, gjë e papranueshme. Premtuan se do të rrisnin pagën minimale, dështuan. Askund nuk duket në horizont puna dhe vendimarrja e Këshillit Social Ekonomik, e as dëshmia e vullnetit politik në këtë drejtim. Premtuan se do të marrin masa për sigurinë dhe shëndetin në punë. Dështuan. Inspektoriati i punës është shumë larg standarteve për mbrojtjen e punëtorëve. Nuk ka ditë që nuk njoftohet për lëndimin apo edhe për humbjen e jetës së dikujt. Premtuan reformë të sistemit pensional, dështuan plotësisht. Asnjë lëvizje në atë drejtim. Premtuan buxhetimin e qëndrueshëm të strehimoreve për gratë, dështuan. Në fakt mashtruan. Premtuan se do të buxhetonin shtesat për fëmijët. Dështuan. Asnjë cent nuk ndanë për këtë vit e për vitet në vijim.

Punëtoret në industrinë e shërbimeve dhe punëtorët në ndërtimtari, paguhen shumë pak e punojnë me orare të zgjatura, pa pushime të plota vjetore, pa sigurime shëndetësore, pa 2 ditë në javë pushim, e edhe pa kontratë.

Sot një grua që punon në sektorin e vetshërbimit paguhet 190 euro. Asaj nuk i lejohet të qëndrojë e ulur teksa i shërben klientëve. Ajo nuk i ka 2 ditët e pushimit në javë. Dhe turnet e pasdites e të mbrëmjes janë sipas diktatit të menaxhmentit.

“Puna provuese”, ose punëtorët e heshtur. Shfrytëzimi arbitrar i punës së të rinjve tanë, po stërzgjatet e nuk po njihet si përvojë pune. Nuk ka provë në punë që duhet të zgjasë më shume se 1-3 muaj. Në Kosovë mbetesh në punë provuese mbase me vite të tëra. Diku 4 muaj, diku gjashtë muaj. Ka të rinj që po i bëjnë tre vite punë e ende nuk e kanë marrë një kontratë pune. Këtë më së miri e kuptoni ju gazetarët e rinj. Asnjë veprim se ndërrmori ish Ministri për punëtorët e heshtur, për të rinjtë tanë.

Ministria e Shëndetësisë është një prej dështimeve më të mëdha të ish Qeverisë. Së bashku me Ministrinë e Punës ata janë përgjegjës drejtëpërdrejtë për cilësinë e jetës në këtë vend.

Roli i Ministrisë është drejtimi dhe hartimi i politikave që adresojnë krizën në shëndetësi. Por a e dini sa Projektligje të reja i ka sjellë gjatë dy viteve të PANQeverisë ish Ministri i Shëndetësisë? 1, për të mos zero, sepse Ligji për transfuzionin e gjakut ishte nga mandate i kaluar dhe ishte i gatshëm.

Thanë do ta bëjnë fondin e sigurimeve shëndetësore para se të bëhet protokollet e sistemi informative. Dështuan. Ngase as nuk bëhet dot ashtu, e as nuk dinin çka po deklaronin. Sot ne jemi pa sigurime shëndetësorë. 20 vite nga çlirimi.

Thanë do ta rishikojnë Ligjin për Sigurime Shëndetësore, dështuan. Thanë do të rishikojnë Ligjin për Shëndetësinë, dështuan. Thanë do ta finalizojnë listën esenciale të barnave, e mbyllën mandatin pa e nënshkuar ata listë. Lista esenciale e barnave gjendet në konsultim publik aktualisht, e kjo qeveri e rrëzuar nuk ka mandat më ta zyrtarizojë.

Kosova nuk ka ligj për transplantin e organeve. Shkenca e teknologjia në mjekësi kanë përparuar kaq shumë por pacientët tanë nuk e kanë të drejtën të transplantojnë qoftë edhe një veshkë në Qendrën tonë Klinike Universitare. E vendet fqinje me ne, bëjnë transplantet edhe në Spitalet rajonale, se për atë qendrore as nuk diskutohet.

Pra, dy ish ministrat dhe Qeveria në tërësi shkoi pa i përmbush zotimet kryesore që ata vet paraqitën gjatë mandatit. Sa nga padija aq dhe nga pangopësia. Çdo premtin i ri elektoral i tyre duhet matuar me çka ata tashmë e kanë dështuar.

Lajmi i vetëm i mirë në këto dy sektorë është se qeveria u rrëzua. Dhe së shpejti do ta kemi dhe datën e zgjedhjeve. Qofshin këto ditët e fundit kur punëtorët e pacientët e Kosovës gjenden të braktisur nga shteti i tyre.

Kontribo

06 08 2019

Kriza në shëndetësi kërkon adresim urgjent

Është jetike që shërbyesit civil të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin sa kohë nuk ka qeveri u tha në konferencën e mbajtur sot për media, ku doktorët Arben Vitia dhe Baton Kelmendi nga Komiteti për Shëndetësi në Lëvizjen VETËVENDOSJE! folën për gjendjen e institucioneve shëndetësore duke ritheksuar se çdokush që merr vendime në këtë kohë jashtë mandatit, apo shfrytëzon këto momente të boshllëkut do të ketë pasoja ligjore.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të domosdoshme për Kosovën. Kështu edhe i jipet fund keqqeverisjes në shëndetësi tha Vitia. Është tentuar t’ju lihet faji profesionistëve shëndetësorë, ose mungesës së strategjisë për zhvillimin e shëndetësisë kur në fakt ka “strategji” për ta dështuar rregullin e zhvillimin në të.

“Instrumenti që përdoret për ta zbatuar këtë strategji të mbrapshtë është edhe sistemi i prokurimit. Kështu po shkaktohen padrejtësi të shumëfishta karshi pacientëve, të cilëve u pamundësohet trajtimi i dinjitetshëm, stafit shëndetësor, të cilëve u është kthyer në sfidë puna e përditshme në mungesë të mjeteve bazike, kompanive të specializuara, të cilëve u është mohuar puna nëse nuk japin ryshfetin e kërkuar, tha Vitia. Raste që e ilustrojnë këtë fenomen ka shumë, por dr. Vitia u ndal në rastin e furnizimit me stenta, të blerjes së shtretërve dhe hemodializës.

“Aty janë shpërblyer kompani të cilat nuk garantojnë minimumin e cilësisë përmes certifikatave bazike. Janë blerë stenta të cilët sipas dokumentacionit nuk garantojnë cilësinë e duhur. Paramendoni, “stenta” vendoset në arteriet koronare në zemër e pacientit. Pikërisht ato nuk e kanë të garantuar cilësinë dhe sigurinë përmes certifikimeve”, tha ai.

“Rasti i furnizimit me shtretër për pacientët ku u porositen mbi 700 shtretër për persona me peshë deri në 300 kg. Standardi është maksimumi deri në 250 kg”. Ky furnizim shkaktoi situata komike ku dyert nuk kishin dimensionet e shtretërve. E tragjike mbetet fakti se në fund, pacientët mbesin pa shtretër, gjersa blerja e tyre është bërë mbi vlerën reale të tregut. Bëhet fjalë për mbi 1 milionë euro.

Tutje, Vitia tha se “simulohet një situatë emergjente e furnizimin për produktet e hemodializës, shfrytëzohet për tenderë me procedurë emergjente të negociuar. I jepet tenderi një kompanie të formuar në kohën e qeverisë së rrëzuar tashmë. Rastësia e sjell që kompania ka për themelues dy persona të afërt me ish-qeverinë. Domethënë, produkte shumë të nevojshme dhe delikate të cilat futen në organizmin e njeriut, fillimisht rrezikohet të mbetet pa to për shkak të mungesës së planifikimit dhe pastaj përmes një procedure emergjente që lë për të dëshiruar, blihen me çmime edhe më të larta.”

Këto mund të evitohen sikur ta kishim të funksionalizuar Sistemin Informativ Shëndetësor, por këtë sistem e kanë dështuar po të njëjtët, përkundër investimeve milionëshe tha ai.

Për të dëshmuar konkretisht se me çfarë përballen mjekët brenda QKUK-së Doktor Baton Kelmendi, shpjegoi sfidat e përditshme për pacientët e mjekët.

“Situata në Qendrën Klinike Universitare është shembulli më përfaqësues ku cinizmi ka mbërritur deri aty sa marketingu personal i ish ministrit Ismajli merret me përurime të punëve që janë kontraktuar ose kanë filluar të punohen vite më parë, ngjyrosjen e vijave të bardha pak para se të përurohet asfaltimi në parkingun e QKUK, e të tjera si këto”, tha Kelmendi.

Ai theksoi se pa vendimmarrje të drejtë dhe transparencë që sjell krijimin e kushteve minimale për punë e kurim, është e kotë lyerja e korridoreve dhe promovimi i sallave nga disa herë, duke përmendur sallën e dytë të kardiokirurgjisë që u promovua dy herë para se të vihej në punë.

“Shumë prej jush jeni përballur dhe ende po përballeni me skena e pasoja të rënda gjatë kurimit aty. Njëjtë edhe mjekët e punëtorët shëndetësorë”, shoti ai, para se t’i rendis problemet për të cilat tha se uron të jenë të fundit me të cilat përballet Qendra Kryesore e Shëndetësisë Publike.

Çfarë janë pra problemet me të cilat përballen pacientët dhe mjekët në QKUK?

1. Ende nuk kemi një raport zyrtar për vdekjet e supozuara nga gazi në QKUK. Ditën e parë të komplikimeve është alarmuar menaxhmenti dhe drejtorët e klinikave përkatëse. Në vend se të fillojnë hetimet është tentuar të fshehët ngjarja.

“Pyetja është pse nuk u lajmëruan organet kompetente të policisë dhe prokurorisë që në ditën e parë me 7 shtator 2017? Ligji për rastet e vdekjeve të dyshimta e obligon këtë lajmërim. Që në oret e para duhet të merren analizat përmes së cilave verifikohet toksiciteti i gazrave apo medikamenteve të përdorura. E kundërta ndodhi. Menaxhmenti nuk njoftoi me kohë policinë dhe prokurorinë dhe me datë 8 shtator 2017 bëri presion që të fillonte puna në salla operatore. Kjo kërkesë u refuzua kategorikisht nga ana e kirurgëve dhe anesteziologeve, janë dhe dëshmitë, pra, protokollet ku vërehet se në ditët në vijim nuk është punuar asnjë rast”, tha Kelmendi duke shtruar pyetjen se përse nuk u mbyllën sallat por qëndruan të hapura gjatë vikendit me datë 9 dhe 10 shtator 2017?

Sipas tij, aty ka pasur lëvizje të njerëzve, ku mundësia e manipulimit me dëshmi ka qenë e madhe.

Tutje, duke folur rreth këtij rasti, ai shtroi pyetjen se përse nuk janë marrë mostrat për analiza gjatë atyre ditëve?

“Pse u dorëzuan trupat që të merren nga familjarët, të varrosen, kur është e ditur se kemi pasur te bëjmë me një situatë të jashtëzakonshme, dhe pastaj të shkaktohet trauma e dytë me zhvarrosje dhe obduksion, kjo pasi që kanë kaluar disa ditë, dhe shumica e dëshmive mund të jenë dëmtuar?”

“Fshehja e rasteve dhe lënia e mundësisë për manipulim cilësohet si bashkëpjesëmarrje ne krim. Ende sot, dy vite pas, nuk ka përgjigje dhe përgjegjësi për këtë rast”, tha ai.

2. QKUK është ndoshta vendi i vetëm në botë ku sallat operatore janë pa filtër steril. Filtri steril është ajrosja, ndërrimi i plotë i uniformës para hyrjes në salla të operacioneve. Ky është një proces pa të cilin nuk imagjinohet kirurgjia. Revolucioni ne këtë fushë daton 1867, kur dhe ka filluar me aplikimin e antisepses dhe Asepses. Është e turpshme dhe kriminale te behën investime marramendëse ne lyerje te objekteve ndërsa sallat funksionojnë pa filtër dhe te ndotura. Për këtë, në çdo vend normal sallat e operacioneve mbyllen”, tha ai duke shtuar se nuk kemi filtër steril ngase nuk përbënë investim milionësh.

3. Salla e emergjencës është ne korridorin kryesor të QKUK-së. Ambienti më i frekuentuar, nga ku nëpërmjet një dere të vetme është hyrë në sallën e operacionit. Unë vetë kam qenë prezent në raste kur qytetarët vizitorë janë futur gabimisht brenda në sallë ku po operohej pacienti.

4. Ndoshta jemi spitali i vetëm në botë, përjashto spitalet e luftës, ku rrobat e kirurgëve dhe të anesteziologëve pas operacioneve lahen në shtëpitë e këtyre të fundit. Shërbimi përkatës nuk sigurohet nga QKUK. Paramendoni, rrobat e ndotura me gjak, qelb, jemi të detyruar t’i dërgojmë në shtëpitë tona. Kjo është situatë tragjike dhe rrezikon shëndetin e familjareve te stafit shëndetësor.”

5. Që nga paslufta nuk punon gypi C (C arm) në sallat e kirurgjisë. Mjeti elementar për të bërë diagnozë intraoperatore, pra gjatë operacionit. Asnjëherë nuk është marrë as mundimi më i vogël për ta rregulluar. Për rëntgenin mobil as nuk është diskutuar.

6. Sa është vlera totale e aparatit të koronarografisë? I njëjti u përurua kur mbërriti në aeroport para disa muajve, kur e sollën në QKUK, dhe promovimi final kur e vendosën në punë në repartin e kardiologjisë invazive. Ky aparat me vite ka qëndruar në depo në vendin e origjinës duke paguar qiranë e magazinimit sepse në Kosovë nuk ka pasur hapësirë adekuate ku të vendoset. Nga kush është bërë porosia dhe si është e mundur të porositet pa e pasur infrastrukturën bazë se ku do të vendoset?

“A është kërkuar përgjegjësi për këtë, dhe nga cilat struktura mbrohet një dëm e keqpërdorim i tillë i buxhetit?”, shtroi pyetjen Kelmendi.

7. Sistemi shëndetësor është një zinxhir i plotë, i pashkëputur. Tek ne kanë mbetur vetëm hallkat e zinxhirit të palidhura me njëra-tjetrën. Shpesh merren vendime ad hoc nga klinikat. Shkaku është mungesa e protokolleve klinike. Ato janë si ABC-ja e trajtimit klinik. Për çdo sëmundje ekziston përshkrimi se si të trajtohet një rast sipas protokollit. Ai zyrtarizohet dhe standardizohet. Në vitin 2019, kur shkenca ka avancuar aq shumë dhe shpejt, në shumicën e klinikave tona nuk ekzistojnë protokollet. Kolegjiumet interdisiplinare ku specialistet e profileve të ndryshme konsultohen në baza të rregullta për trajtimin e pacientëve as që bëhet fjalë të funksionojnë. Në çdo spital sado modest, Kolegjiumet janë normë dhe takimet e tilla mbahen të paktën çdo javë.

8. Materiali shpenzues, përkundër premtimeve dhe shtimit te buxhetit, pra mungesa e mjeteve elementare vijon të jetë sfidë për ne dhe pacientët. Çdo herë diçka është mangut. Edhe kur njëri preparat është ne stok, tjetri mungon. Është e pabesueshme kur pacienti që ka nevoje urgjente për ndërhyrje kirurgjike, nuk mund t’i nënshtrohet operacionit pa u siguruar tubusat endtraheal, pa të cilin nuk mundet të hyj në anestezion. Tubusat prej numrit 3.5 mm deri në 8 mm kanë munguar për gati 1 vit.

Ka pasur mungesa të Ampulave Metilprednisolon që janë pjesë e antishok terapisë. Mungesa e tyre është rrezik i drejtpërdrejtë i jetës së pacienteve.

Ka pasur periudha të gjatë me mungesë të kontranstit për imazheri.

Në Mjekimin Intenziv Pediatrik, ka pasur po ashtu mungesa bazike të materialit shpenzues duke filluar nga “kalaqet”.

Javën e kaluar për shembull ka pasur mungesë të sistemeve për infuzion, apo gypave që përdoren për marrjen e infuzionit. Furnizimi me to kushton pak cent.

“Ka muaj që mungojnë penjtë në sallë (Vicryl 2.0, Vicryl 5.0 etj), si dhe elektrokauteri në sallën e 2 të emergjencës është në defekt. Praktikisht vetëm një sallë është e gatshme për operacione. Radhët e panevojshme për operacione urgjente e kanë edhe këtë si shkak. Merreni me mend nëse bëhet fjalë për ndonjë pacient që duhet ti nënshtrohet operacionit brenda minutave e salla është e zënë. Pra, gjithë QKUK me vetëm një sallë funksionale për operime.”

Me 13 maj 2019 në disa salla operatore nuk ka punuar për shkak të mungesës së fentanilit, medikament për anestezion. Si është e mundur që nuk mbërrijnë të planifikojnë furnizimet me kohë por ditën e operacionit mjeku përballet me mungesën e tyre.

Kërkojmë sqarime se nga është planifikuar të sillet aparati i dytë ekstrakorporal, për operacionet kardiokirurgjike. Aparati i ri ka pasur defekt. Rastësia e solli, që pa filluar operacioni të ndodhë defekti. A servisohen me rregull aparatet nga kompanitë e specializuara për to?

9. Prej 2 vitesh nuk ka përgjegjës për vjedhjen në barnatoren qendrore të SHSKUK. Para dy vitesh janë vjedhur një numër i konsiderueshëm i Sevofluranit, medikament që përdoret për anestezion.

10. Drejtoria dhe bordi ka bërë partizim brutal në SHSKUK. Ky fenomen ka mbërritur kulmin aktualisht. Një ndër arsyet e dështimeve të shumta është mungesa e plotë e kritereve profesionale dhe etike të këtyre personazheve. Ndërtesa e administratës së SHSKUK më shumë i përngjan zyrës lokale të PDK-së për lagjen e spitalit se sa një institucioni përgjegjës për të vetmen Qendër Klinike Universitare në vend, dhe të gjitha spitaleve rajonale të Kosoves.

“Cilat ishin pra prioritet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe menaxhmentit të Shërbimit Klinik Universitar? Ngjyroja e vijave të bardha në asfaltin e parkingut apo krijimi i kushteve elementare për punë dhe kurim të dinjitetshëm?”, tha ai.

11. Ish ministri Ismajli vjen nga përvoja e menaxhimit të bizneseve dhe njëjtë veproi me sistemin shëndetësor në Kosovë. Por shëndetësia nuk ka asgjë të ngjashme me veprimtaritë e rëndomta biznesore. Aty reklama e shet produktin. Në shëndetësi duhet dhënë shërbime, të dinjitetshme, cilësore, në kohën e duhur dhe me etikë të lartë profesionale e njerëzore.

“Është i kotë promovimi nga tri ose katër herë i gjërave të njëjta si dhe dalja nëpër rrjete sociale -teksa në spitale mungojnë gjërat elementare dhe pacientëve nuk ju sigurohet një qëndrim i dinjitetshem në çastet më të vështira të jetës së tyre.” tha Kelmendi.

Kontribo

02 08 2019

Zgjedhje të reja dhe një Qeveri që e kthen fokusin te Forca e Sigurisë së Kosovës

Në hyrje të konferencës së sotme për media Deputeti Shemsi Syla paraqiti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në kundërshtimin e zvarritjes nga ana e Presidentit të datës së zgjedhjeve dhe takimit për këtë datë duke ia dhënë edhe një herë mundësinë për një mandatar tjetër koalicionit PAN.

Më pas, foli për ngecjet në funksionalizimin e Forcës së Sigurisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përkundër ngritjes së kapaciteteve ushtarake të shteteve në rajon, përkatësisht Serbisë që ende ka një qasje armiqësore ndaj Kosovës, për të cilën foli më gjatë Enver Dugolli.

“Gjendja në Ministrinë e Mbrojtjes është alarmante. Elementet kyçe të fazës së parë të Planit Gjithëpërfshirës të Transformimit të FSK-së në ushtri nuk janë realizuar”, tha Syla.

Ai përsëriti objektivat që është dashur të arrihen më 21 Maj 2019 të fazës A+120 ditë, si:

1. Riorganizimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes dhe Komandës së Forcave Tokësore në Shtabin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (objektivë e parealizuar).

2. Vendosja e elementit drejtues (udhëheqës) (objektivë e parealizuar).

Projektet kryesore gjatë kësaj faze të cilat tashmë është dashur të jenë të përfunduara, si:

1. krijimi i dokumenteve strategjike; dhe

2. vendosja e bazës doktrinare.

“Fatkeqësisht, asnjëra nuk është e gatshme apo e miratuar nga autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe për pasojë një pjesë e madhe e personelit ushtarak dhe civil të kësaj ministrie dhe FSK-së gjendet në një situatë të vazhdueshme kaosi.” – theksoi ai.

Sipas tij, krahas këtij kaosi Ministria e Mbrojtjes për 6 muaj ka përdorur vetëm 3% të shpenzimeve kapitale.

“Buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës e sidomos shuma për shpenzime kapitale të tregon të vërtetën se sa ishte e përkushtuar Qeveria e rrëzuar, për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse.”

Syla tha se marrë parasysh situatën e sigurisë dhe kapacitetin ushtarak të vendeve të rajonit, buxheti për Forcën ka qenë jo serioz dhe se Vetëvendosje me kohë e ka ngritur këtë çështje.

“Me paaftësinë që ka demonstruar Ministria e Mbrojtjes për të investuar në kapacitete ushtarake, me aq buxhet sa i ndau vetes, lihet të kuptohet se kjo mund të ketë qenë e qëllimshme”, tha Syla.

Kjo ngase raporti i auditimit për vitin 2018 ka dhënë vërejtje për shpenzimet kapitale të grumbulluara vetëm në tre mujorin e fundit te vitit. “Auditori ka kërkuar që të ndërpritej kjo praktikë pasi që përmes kësaj Ministria e Mbrojtjes i ka ikur mekanizmave te kontrollit. Shkurt e shqip, në tre mujorin e fundit të vitit ka procedura të lehtësuara për tendera. Kjo metodë është duke vazhduar edhe këtë vit,” tha Syla.

Ai më tej foli edhe për keqpërdorimet që sipas tij po përgatiten në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes parasheh që mbi 13 milionë euro t’i shpenzon këtë vit, pra muajt që kanë mbetur, përmes blerjeve të veçanta me procedura të negociuara (duke u thirrë në aspektet e sigurisë), të përjashtuara nga Ligji i Prokurimit Publik të Republikës.”

Syla bëri iu bëri thirrje zyrtarëve civil, që mos të marrin për bazë asnjë vendim të nënshkruar pas datës së dorëheqjes së ish Kryeministrit dhe rrëzimit të qeverisë.

“Përderisa qeveria e rrëzuar ka shfaqur paaftësi në formimin e ushtrisë dhe keqmenaxhim me paranë publike, ne i bëjmë thirrje që mos të ndërmarrin ndonjë veprim tani, në këtë kohë, për të mbuluar paaftësinë dhe keqmenaxhimin.”

Të ndalet keqmenaxhimi i buxhetit; të ndalet punësimi i militantëve partiakë; të mos lidhin kontrata me kompanitë kliente të tyre nën petkun se kinse janë duke i ngritur kapacitetet ushtarake; të mos ndërhyhet në strukturat organizative tashmë të miratuara.

“Çdo veprim i bërë në këto drejtime do të kallëzohet penalisht. Dhe nuk do të merret parasysh nga qeveria e re,” tha ai në fund.

Enver Dugolli u përqëndrua tek çështje e kapaciteteve ushtarake në rajon dhe pozicionin e Kosovës.

“Ditëve të fundit, jemi dëshmitar të një ekspansioni të fuqishme të Serbisë në fushën e armatimit me armë dhe pajisje tejet moderne. Kontingjenti i mjeteve te blinduara bashkë me avionët dhe helikopterët, janë një sinjal i qartë se Serbia po lëviz fuqishëm si forcë dominonte ushtarake ne rajon”, tha Dugolli duke shtruar pyetjen se për çfarë po armatoset Serbia.

Sipas tij, të gjitha opsionet apo variantet mund te jenë te sakta përveç atij që deklaron presidenti Vuçiq kur thotë se po armatoset për ta mbrojtur vendin. Vallë kush po e rrezikon Serbinë shtroi pyetjen ai.

“Në fakt ka diçka këtu, edhe mund të jetë e rrezikuar sikur në të kaluarën kur Millosheviqi kryente gjenocid në Kosovë. Ky mund të jetë rreziku ngase edhe planet ndaj Kosovës nuk është se dallojnë shumë nga ajo kohë. Një gjë dihet, deri sa Serbia shfaq haptazi aspirata armiqësore ndaj nesh, Kosova është caku i parë i rrezikut”.

“Mekanizmat e kontrollit ndërkombëtar, si duket për Serbinë nuk vlejnë edhe aq nga fakti se në gjithë ketë situatë, nuk kemi reagime, kemi një heshtje te çuditshme. Për këtë rastin e fundit u paraqit edhe një kontradiktë, një vend si Rumania e ndali konvoin me tanke dhe autoblinda nga Rusia për Serbinë. Ndërsa pak më vonë të njëjtat u transportuan përmes vijës ajrore të Hungarisë. Le të kujtojmë se Hungaro Control e mbikëqyr edhe hapësirën e lartë ajrore të Kosovës në emër të NATO-s.”

“Ne anën tjetër, Republika e Kosovës zyrtarisht ka FSK-në e cila është pajisur me mandat për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, por ende e paaftë për të marrë këtë rol”, tha ai.

Kemi misionin e NATO-s, KFOR-in i cili vepron sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe është neutral ndaj statusit politik të Kosovës.

“Një kastë të pa përgjegjshme e cila udhëhoqi deri tani qeverinë e Kosovës dhe përveçse u krekosen për ato tri ligje, nuk benë asgjë në drejtim të forcimit për ngritjen e kapaciteteve mbrojtës.”

“Prandaj, për ta ndërruar këtë gjendje, ashtu siç duhet shkuar urgjentisht në zgjedhje të lira dhe demokratike, me ç ‘rast do të krijohej një legjitimitet i ri politik dhe institucional. Qeveria dhe institucionet e ardhshme duhet të kthejnë fokusin e vërtetë në investime dhe reforma të mëdha në ketë fushë tejet të rëndësishme.”

Kontribo

02 08 2019

Kallzim penal për ish Ministrat e zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë – keqpërdorimet milionëshe me grantet

Kallzim penal për ish Ministrat e zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë – keqpërdorimet milionëshe me grantet

Grantet dhe subvencionet nga fondet publike janë të dedikuara për fermerët e bujqit tanë. E veçanërisht pë ata më në nevojë.

Praktika e qeverive të Kosovës deri më tash ka qenë krejt e kundërta. Grantet në vend se të shkojnë për ata që merren me bujqësi kanë shkuar për kompani milionëshe të cilat në shumicën e rasteve as nuk janë fermer e as nuk merren më këtë fushë drejtpërdrejtë.

Sot deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Salih Zyba, anëtar i komisionit parlamentar për këtë fushë, dorëzoi kallëzimin penal për ish ministrat e Bujqësisë, Nenad Rikallo, Memli Krasniqi, Blerand Stavileci, sekretarin e Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi, drejtorin e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj dhe ish drejtorin e kësaj agjencie, Elhami Hajdari.

Jemi të vetëdijshëm që tashmë dhjetëra fermerë për vite të tëra kanë kallëzuar në prokurori, në polici për keqpërdorimet e mëdha qoftë me grantet e qoftë me subvencionet. Qindra ankesa e padrejtësi kemi pranuar prej tyre në këtë drejtim.

Ndaj i kërkojmë prokurorisë që të mos vonohet me këto hetime, tashmë ka fakte të bollshme prej fermerëve, prej këtij kallëzimi e veçanërisht prej Raportin e performancës së Auditorit lidhur me procesin e menaxhimit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë.

Kallëzim i sotshëm i mbulon dy çështje, grantet në shumën 4 milionë euro të dhëna për 4 konzurciome dhe një kompani secila prej tyre e lidhur drejtpërdrejtë me drejtues politkë dhe ish ministra si dhe keqpërdorimet prej vitit 2014 në këtë fushë.

Vitin e fundit në Ministrinë e Bujqësisë u sajua një masë e veçantë, në shpërputhje të plotë me vet kriteret e kësaj ministrie. Mandej edhe këto kritere ilegjitime të bëra publike për këtë masë fiktive, nuk u morën parasysh.

Kompanitë që i fituan ato janë: Konzorciumit “NOVUS” SHPK-Pleurat Halili/Sofra Distribution SH.P.K/Blerim.B SH.P.K/ Catering Prishtina SH.P.K”, për projektin e ndërtimit e tregut të produkteve bujqësore në Prishtinë, “Horec Agromarket”, i janë dhënë 1 milionë euro, “Konzorciumi Dhemetra” – Armend Malazogu, Moea.shpk, i janë dhënë 1 milionë euro për ndërtimin e e kapaciteteve për prodhimin e plehut organik dhe ndikimin në mjedis, Zubin Potok D.O.O. – Rade Utovic, i janë dhënë 1 milionë euro për investime në objekt për magazinimin dhe ruajtjen e frutave si dhe në modernizimin e objekteve tjera përcjellëse-magazinimin dhe ftohjen e depove futjen e pajisjeve dhe të teknologjisë së re si dhe “Konzorciumit-NTP Arena Engineering-Kamer Elezaj/ D.P.T.Të shija/ Heron and Adea”, për “rritjen dhe therrjen e brojlerve” i janë dhënë 1 milionë euro.

 

Kontribo

30 07 2019

Konferencë e organizuar nga Internacionalja Socialiste

Sot, në Ramallah, filluan punimet e konferencës së organizuar nga Internacionalja Socialiste, e cila do ta trajtojë nevojën për paqe dhe mungesën e barazisë në Lindjen e Mesme. Pas Ramallahut, kjo konferencë treditore do t’i vazhdojë punimet në qytetin e Tel Avivit.

Në këtë konferencë po marrin pjesë të gjitha subjektet social-demokrate të cilat janë anëtare të Internacjonales Socialiste. Lëvizjen VETËVENDOSJE!, po e përfaqësojnë kryetari Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti

Kontribo

26 07 2019

Homazhe për Imer Alushanin

Kryetari i VETËVENDOSJE!-s Albin Kurti me deputetët e Lëvizjes Albulena Haxhiu, Rexhep Selimi, Arbërie Nagavci, Shemsi Syla dhe Xhelal Sveçla sot ishin për homazhe edhe te varri i dëshmorit Imer Alushani në Kleçkë, ku vendosën lule të freskëta, me rastin e 21 vjetorit të rënies. Bashkë me ta ishin edhe kryetari i Qendrës së Drenasit, Shemsi Elezi, veprimtari Enver Dugolli, publicisti Zeqir Bekolli etj.

Imer Alushani ishte luftëtar trim i UÇK-së i cili ra heroikisht në betejën e Grykës së Llapushnikut më 26 korrik 1998.

Kontribo