Kryeministrin dhe Presidentin e Kosovës i ndan taksa ndaj Serbisë por i bashkon korrupsioni në Kosovë. Dhe, ajo që i bashkon është më e fuqishme sesa ajo që i ndan, meqë po rrinë bashkë në pushtet. Prandaj, këta duhet të shkojnë bashkë. Ne kërkojmë dorëheqjen si të presidentit, ashtu edhe të kryeministrit.
100 ditë në vitin 2004 Haradinajt mund t’i jenë dukur pak për ta treguar veten, mirëpo këto gati 600 ditë në vitet 2017, 2018 dhe tash 2019, janë tepër shumë për të pasur çfarëdo dilema rreth tij. Korrupsioni, papunësia e migrimi po rriten, kurse investimet, rendimentet dhe arsimi po bien. Mbi të gjitha, po shtohet hajnia e po zvogëlohet durimi.
Prej ditës së nesërme fillojmë me tubime me qytetarë, kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja. Në ora 14:00, në Sheshin “Adem Jashari”, nesër, pra të premten, jemi në Vushtrri. Pasnesër, të shtunën, në ora 13:00, në Besianë (Podujevë), kurse në ora 15:00, në Mitrovicë. Vazhdojmë pastaj për çdo ditë anembanë nëpër qytetet e qytezat e Kosovës. Me këto tubime nëpër komuna gjithandej Kosovës shkojmë bashkë drejt protestave qytetare dhe mocionit të mosbesimit në Kuvend që e largon këtë qeveri dhe mundëson zgjedhjet e parakohshme demokratike për ndryshimet e dosmosdoshme politike, ekonomike e shoqërore.
Taksa duhet të mbetet, por kjo qeveri duhet të shkojë. Taksën e vendosën 10% e mandej 100%, pa plan, pa strategji, pa përllogaritje e pa mbikëqyrje të zbatimit, në vend se të marrin vendim për reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, nga i cili hoqën dorë. Sidoqoftë, tash që Vuçiqi na kushtëzon kurrsesi nuk bën të hiqet kjo taksë, ama nuk pranojmë që në emër të kësaj takse të legjitimohet zhvatja e keqqeverisja. Ashtu sikurse që pjesëmarrja në luftën çlirimtare nuk është leje për uzurpime të pasluftës, edhe taksa ndaj mallrave të Serbisë nuk mund të jetë biletë për vjedhjen e pasurive dhe buxhetit në Kosovë.
Nuk ka mbledhje të kabinetit që prej formimit të PAN Qeverisë ku nuk është marrë një vendim kundër interesit publik apo që përbën skandal.
Ky kryeministër,
Emëroi 23 ministra, mbi 80 zëvendësministra, 5 zëvendëskryeministra, e 35 këshilltarë, pa asnjë bazë të arsyeshme dhe në shpërfillje të nevojave e me shpërdorim të buxhetit. Zyrtarë politikë me aktakuza për keqpërdorim e korrupsion i ricikluan si ministra dhe zëvendësministra. Kërcënoi ish prokurorin e vetëm që shprehu integritet profesional dhe guxim publik, Elez Blakajn.
Bëri pazar me kriminelin, Milan Radojçiq, për formimin e qeverisë dhe pagoi 1 milion euro nga buxheti për serbët në veri që nuk paguajnë energjinë elektrike.
I mashtroi qytetarët në Kosovë se do të korrigjonte marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ndërsa ka falur 8.200 hektarë nëpërmjet ratifikimit në Kuvend. Premtoi se për 90 ditë qeverisje do të merret liberalizimi i vizave. Nuk e mbajti fjalën, sepse qysh në fillim ka gënjyer për këtë.
Nënshkroi kontratën më të dëmshme në historinë e sektorit energjetik, atë me “ContourGlobal” që do ta rrisë çmimin e energjisë elektrike prej 45–80% dhe do ta zbraz buxhetin e shtetit, sepse “ContourGlobal”-it do t’i paguhen të gjitha kostot, këstet e kredisë, kamata e tyre, fitimi dhe tatimi, e ku normën e kthimit të brendshëm në kapital, e kanë paraparë tejet e lartë, 18.5%, thua se bëhet fjalë për ndonjërin prej këtyre institucioneve mikrofinanciare.
Ia dha 53 milionë euro kundërligjshëm Bechtel-Enkas.
E rriti 100% pagën për veten dhe stafin e tij, paligjshëm, e legjitimoi me Ligjin mbi Pagat, dhe i la nën mesataren pagat e mijëra shërbyesve civilë.
Liroi nga akciza e produkteve të duhanit, për interes të kompanisë së vetme në Kosovë, atë të këshilltarit të vet, Gazmend Abrashit.
E çoi drejt falimentimit Telekomin e Kosovës duke mos ndërprerë kontratën me Z-mobile, duke mbipunësuar në konflikt interesi. Emëroi drejtor Gent Begollin e AAK-së, mandej Bedri Istrefin PDK-AAK, secili pa përvojë e pa integritet. Emëroi bordin partiak dhe jokompetent të Telekomit. Shkeli Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Telekomin të datës 9 korrik 2018.
Emëroi anëtarë jokompetent në bordin e Trepçës dhe kompromentoi statutin e Trepçës. Emëruan kryeshef ekzekutiv të KEK-ut, Nijazi Thaçin, kushëririn e korruptuar të presidentit.
E dështuan procesin e realizimit të sigurimeve shëndetësore publike.
Dështim i gjithanshëm në politikën e jashtme, çorientim institucional i qëndrimeve politike dhe skandale të njëpasnjëshme përballë partnerëve dhe aleatëve.
Premtuan uljen e papunësisë, sollën të kundërtën. U rritën ca e për disa të ardhurat, por u zvogëlua numri i vendeve të punës, pra u rrit pabarazia. Asnjë kompani e madhe nuk u hap as në vitin 2017 e as në vitin 2018 në Kosovë. Dhe, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nuk po mbërrijnë të hapin vend të ri pune.
PANqeveria është PANhajnia.
Që ta ndalim hajninë duhet ta largojmë qeverinë. Me këtë rast u bëj thirrje dhe i mirëpres të gjithë qytetarët, pa dallim moshe a gjinie, pa dallim feje a partie, nëpër këto tubime anembanë Kosovës, në ditët e javët në vijim.