28 03 2019

Takim me fondacionin socialdemokrat gjerman (Friedrich Ebert Stiftung – FES)

Në zyren e Fondacionit socialdemokrat gjerman (Friedrich Ebert Stiftung – FES) në Prishtinë, dje kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe nënkryetarët, Prof.Besnik Bislimi dhe Dr.Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, u takuan me deputetët e Bundestagut nga radhët e SPD-së, z.Josip Juratoviq dhe znj.Gabriele Weber.

Në këtë takim të përzemërt te nikoqiri, drejtori i FES, z.Frank Hantke, u diskutua për situatën politike në Kosovë dhe rajon, për nevojën e zhvillimit socio-ekonomik si dhe të luftimit të krimit e korrupsionit. Kryetari Kurti tha se zgjedhjet e reja e të parakohshme janë zgjidhja e drejtë dhe e duhur në Kosovë, dhe kritikoi sundimin e autokratëve si dhe bashkëpunimin midis tyre që nuk është i kufizuar vetëm në Ballkan. Në veçanti, ai theksoi se projekti i shkëmbimit territorial Thaçi-Vuçiq ka dështuar porse ideja e tyre ende nuk nuk ka vdekur.

Kontribo

27 03 2019

Mbrojtja e resurseve ujore të Kosovës

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja organizoi tryezë profesionale mbi mungesën e planifikimit dhe të menaxhimit të resurseve ujore në Kosovë.

Kjo është tryeza e dytë mbi krizën mjedisore, pas asaj të para tre muajve për ndotjen mjedisore, dhe u moderua nga deputeti i Lëvizjes Liburn Aliu.

Kryetari Albin Kurti mbajti parashtrimin fillestar ku foli për domosdoshmërinë e hartimit të politikave zhvillimore ekonomike në përputhje dhe pa i shkaktuar dëme politikave për mirëmenaxhimin e resurseve ujore. Kryetari i Lëvizjes u shpreh se ujërat janë edhe themeli i luftës gjeopolitike bashkëkohore, edhe një nga të drejtat e njeriut për të pasur qasje në to, por edhe nje garanci për cilësinë e jetës. Ne kemi nevojë për një zhvillim ekonomik i cili nuk i dëmton pakthyeshëm burimet e ujit, por i optimalizon këto burime.

Kosova ka një sasi të kufizuar të burimeve ujore, megjithatë kjo çështje nuk ka qenë prioritet për qeveritë e pasluftës. Prandaj, mungojnë të dhëna për sasinë, kontrollin dhe cilësinë e ujit. Përgjegjësia institucionale për menaxhimin e ujërave mbetet e paqartë dhe e shpërndarë mes disa institucionesh dhe ka një mungesë transparence mbi punët dhe të dhënat e tyre. Nga ana tjetër, Ligji i ujërave ka një mori dështimesh si: monitorim jo të mirë të resurseve nëntokësore; keqmenaxhim të përmbytjeve pa plane paraprirëse; ndërtime problematike në zona të mbrojtura ujore; shfrytëzim të egër të inerteve duke dëmtuar lumenj, shtretërit dhe brigjet e tyre; vjedhje e ujit dhe keqpërdorim i tij; dhe ndërtime të paligjshme të HEC-eve.

Në këtë situatë me politika të improvizuara ka komuna dhe fshatra që nuk e ndajnë ujin me një komunë apo fshat tjetër. Po ashtu, infrastruktura e sistemit të ujitjes, kolektorët dhe trupat ujore janë amortizuar, ndotur, pa investime dhe menaxhimi i tyre nuk është i pakoordinuar me problematikat e ndotjes së ambientit. Sikur të mos mjaftonin këto, qeveria i fal borxhet kompanive të ujit për ambalazhimin dhe lejon që në veri të vendit të operojnë kompani pa liçensë për këtë shërbim.

Në përfundim të tryezës u nxorën edhe konkluzionet e mëposhtme:

· Moszbatimi dhe neglizhenca në zbatimin e Ligjit të ujërave po i rrezikon resurset ujore;

· Institucionet bartëse për resurset ujore duhet të funksionalizohen dhe të forcohen sipas Ligjit;

· Hidrocentralet nuk janë dhënë koncesione në bazë të legjislacionit, prandaj është i paligjshëm secili prej tyre;

· Duhen ngritur kuadro dhe profesionistë të rinj të ujërave;

· Duhet inspektim dhe monitorim më i fortë i resurseve;

· Duhen studime dhe të dhëna më të plota për planifikimin dhe hartimin e një plani për të ardhmen;

· Duhet planifikuar akumulimi i ujit dhe formimi i liqeneve të reja;

· Duhet plan parandalues për emergjencat e vërshimeve dhe për raste të ngjashme;

· Duhen bërë publike të gjitha lejet ndërtimore të ndërtimeve në zonat në fjalë;

· Duhet formuar një institut për ujërat dhe hidro-ekonominë e Kosovës, i cili do jetë vend studimi dhe propozimi për këtë sektor;

· Ky sektor duhet të jetë prioritet strategjik për politikat e vendit dhe duhen rritur ndjeshëm investimet për të.

Politika zhvillimore për të ardhmen e vendit dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Kosovës e ka të domosdoshëm një planifikim, menaxhim dhe një investim strategjik në sektorin e ujërave. Për Lëvizjen ky sektor duhet të marrë vëmendjen që i takon, të jetë prioritet jetik për vendin, një e drejtë e garantuar për qytetarët dhe një garanci për sovranitetin.

Kontribo

27 03 2019

Afera ContourGlobal, 8 arsyet pse ky projekt duhet të ndalet

Në një akt të paprecedent në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u mbyllën mikrofonat kur u prezantua një informatë për kontratën e dëmshme me ContourGlobal.
Qeveria e Kosovës, Kryeministri Haradinaj e privoi publikun në Kosovë nga të dhënat për një çështje themelore siç është ajo e ndërtimit të Termocentralit të ri.

Ky projekt nuk kalon. Qeveria bën mirë të tërhiqet para se të jetë vonë dhe të gjenden në procese gjyqësore secili përgjegjës. Aktualisht Ministria e Ambientit veçse është paditur mbi dhënien me shkelje të pëlqimit mjedisor.

*****

1. 1.3 MILIARDË PËR 500MW [KOSOVA E RE] KRAHASUAR PËR SHEMBULL ME 210 MILIONË PËR 600 MW, [RINDËRTIMI I TRE BLLOQEVE TË TC KOSOVËS A] – Kostoja mesatare e një blloku plotësisht të ri prej 1MW të energjisë elektrike nga qymyri, në botë, është rreth 1.4 milionë €/MW përderisa ContourGlobal na ofron 2.6 milionë/MW.

2. 80€-96/MW ÇMIMI I GARANTUAR I BLERJES NGA CONTOUR GLOBAL, KRAHASUAR ME 30€/MW NGA KEK – me kontratën e re qeveria i garanton çmimin prej 80€ deri 96€/MW në vend se çmimi të jetë i rregulluar nga tregu në momentin e blerjes. Sa për ilustrim KEDS sot importon energjinë elektrike me çmim prej 60€-80€.

3. NORMA E KTHIMIT PREJ 18.5% DHE GARANTIMI I KREDIVE NGA QEVERIA E KOSOVËS – Në kushte të ekonomisë së tregut norma e kthimit duhet të jetë pjesë e rrezikut që e merr çdo investitor, ndërsa në këtë rast qeveria i jep garanci fitimi pa asnjë rrezik ContourGlobalit. Qeveria merr edhe rrezikun e pagesës së kredisë për ContourGlobal po qe se ai dështon ta paguaj kredinë.

4. RRITJA E TARIFAVE TË ENERGJISË ELEKTRIKE PËR KONSUMATORË DERI NË 80%– Sipas analizave të ndryshme të pavaruara përfshirë Zyrën e Rregullatorit, ndërtimi i Termocentralit (TC) Kosova e Re do të ketë një impakt prej 45% deri në mbi 80% në rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Këtë rritje do t’ia ngarkojnë qytetarëve qoftë drejtpërdrejtë përmes tarifave apo përmes buxhetit të Kosovës.

5. 5-7 MILIARDË € – KOSTOJA TOTALE ENERGJISË ELEKTRIKE NGA TC KOSOVA E RE PËR PERIUDHËN PREJ 20 VJETËSH, Kosovës do t’i kushtojë 5-7 miliardë € (bazuar në të hyrat e lejuara përgjatë 20 viteve) – e njëjta sasi e energjisë nga blloqet e rindërtuara të TC Kosova ka kosto prej vetëm 2.2 miliardë euro.

6. KRIJIMI I NDËRMARRJES FANTOME NKEC – QEVERIA KA THEMELUAR NDËRMARRJEN E RE KOSOVARE TË ENERGJISË “NEW KOSOVO ENERGY COMPANY [NKEC]” E CILA DO TË BLEJË ENERGJINË ELEKTRIKE NGA CONTOURGLOBAL ME ÇMIM PREJ 80€-96/MW e cila më pastaj do t’ia shes KESCO-s me çmim më të ultë se tregu. NKEC pra do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.

7. ÇRREGULLIMI I TREGUT TË ENERGJISË ELEKTRIKE NË VEND – Në kundërshtim me të gjitha praktikat evropiane dhe ligjeve në fuqi, qeveria siguron pozicion monopolistik për ContourGlobal.

8. ASNJË BLLOK I NGJASHËM (SI KOSOVA A) NË RAJON E MË GJERË NUK ËSHTË DEKOMISIONUAR POR JANË RINDËRTUAR APO RIPARUAR – Blloqet e rindërtuara të TC Kosova A do të kishin rritje të rendimentit mbi 20%, gatishmërisë me 7300 orë fuqi të plotë, siguri si bllok i ri dhe e sigurtë në raport me mjedisin. Rindërtimi realizohet për 4 vite, angazhohen vetëm 210 milionë euro e fitohen 3 blloqe nga 200 MW me koogjenerim.

 

Kontribo

22 03 2019

Partneriteti Publiko-Partiak: Prona Publike, Punëtorët e Partisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti aktivitet simbolik për të denoncuar edhe një herë punësimet e fundit partiake dhe familjare në institucione publike. Pranë njërit prej filialeve të VALA-s në qendër të qytetit aktivistët e Lëvizjes shkruan parullën Partneriteti ‘Publiko-Partiak: Prona Publike, Punëtorët e Partisë’.

Punësimet partiake dhe familjare në kompanitë publike nuk kanë të ndaluar, vetëm këto ditë kishim qindra sosh nga forcat politike në pushtet. Prej 20 vitesh vazhdon rituali i shfrytëzimit të këtyre kompanive shtetërore për të rehatuar nga pushteti elektoratin e pakënaqur me ekonominë në vend. Këto keqpërdorime janë njëri prej shkaqeve pse ndërmarrjet publike humbin produktivitetin e tyre dhe bëhen gati për t’u privatizuar. Sikur të mos mjaftonte kjo, deklaratat e fundit të figurave politike nga rradhët e pushtetit, se sikur të mundeshin të gjithë militantët e tyre do t’i punësonin në kompani shtetërore, tregojnë se situata vetëm sa do të përkeqësohet nëse lihet të rrjedhë në këto linja.

Telekomi është rasti më shembullor i degradimit përmes korrupsionit dhe partitizimit të një kompanie publike.

Aktivisti Avni Zogiani i denoncoi këto raste duke thënë, “Që nga Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari dhe deputetë kanë filluar një fushatë masive të punësimit të familjarëve të tyre në kompani publike, sidomos në Telekom, e cila është e vetmja alternativë që japin ata ndaj një situate tepër të rëndë që ekziston në sektorin publik“.

Situata është aq e rëndë sa vetë organet e brendshme të kompanive publike kanë dalur me vendime për ndalimin e punësimeve arbitrare. Po ashtu edhe rezoluta e fundit e votuar në Kuvend për Telekomin bënë thirrje për zgjidhjen e krizës në këtë ndërmarrje, por situata vazhdon të rëndohet. Ky pushtet është aq i dobët sa të vetmen zgjidhje që ofron është normalizimi i këtyre fenomeneve anormale.

Republikës së Kosovë i duhet riorientim i qasjes ndaj pasurisë publike, ndërkohë ndërhyrja për transformimin e situatës me qëllim shpëtimin e kompanive publike nga shkatërrimi dhe privatizimi është i domosdoshëm.

Kontribo

21 03 2019

Haradinajt iu desh një vit që ta kuptojë se e kanë mashtruar për Demarkacionin

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës për një vjetorin e ratifikimit të marrëveshjes Demarkacionit me Malin e Zi, prej nga Kosova humbi 8.200 hektarë një vit më parë më 21 mars 2018. Në konferencë folën shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca dhe anëtarja e kryesisë dhe deputetja e Lëvizjes, Arbërie Nagavci.

Haradinaj u bë Kryeministër duke premtuar korrigjimin e gabimeve të Demarkacionit me Malin e Zi. Një vit më pas, nuk është bërë asnjë hap përpara, asnjë raport apo sqarim për korrigjimin e tij. Deputetja Nagavci kujtoi deklaratat ku vetë deputetët e AAK-së shpreheshin se ishin detyruar ta votonin marrëveshjen dhe se vizat do të liberalizoheshin menjëherë pas ratifikimit të saj. Prej një viti, Kosova vteëm ka humbur dhe vizat akoma nuk janë liberalizuar. Për më tepër, deputetja Nagavci shpjegoi se si ratifikimi i Demarkacionit me idenë e korrigjimit të versionit fillestar po shërben aktualisht si precedent për Presidentin Thaçi që të rehatojë në sferën tonë publike idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë. Krejt çka Qeveria ka bërë për një vit janë skandale korruptive, punësime partiake e familjare.

Deputeti Konjufca theksoi në vazhdim deklaratën e Kryeminsitrit Haradinaj të datës 2 mars, ku ky i fundit e kishte pranuar se e kishin mashtruar në rastin e Demarkacionit dhe sesi kjo nuk do të përsëritet sërish me rastin e marrëveshjes me Serbinë. Ky deklarim i Haradinajt i vërteton pretendimet e para një viti të Lëvizjes se Kosova tashmë i ka humbur 8.200 hektar dhe se Kryeministri ose është mashtruar ose po mashtron. Prej një viti komisioni nuk ka dalë fare në terren, edhe pse vullneti dhe gadishmëria e anëtarëve të tij nuk mungon.

“Nëse je Kryeministër që të mashtron gjithkush, për besë duhet të japësh dorëheqje”, u shpreh deputeti Konjufca.

Në këto kushte Kryeministri duhet të marrë përgjegjësi edhe për mashtrimin që ka bërë për liberalizimin e vizave, por edhe për mashtrimin që ia kanë bërë për Demarkacionin.

Kontribo

20 03 2019

Reagim mbi qëndrimin e zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

Në konferencë për media, më 18 shkurt paraqitëm qëndrimet tona në raport me pozitat e shumëfishta të zyrtarëve të lartë publikë, ndër të tjera edhe për pozitat e shumfishta të Kryeprokurorit të Shtetit, z.Aleksandër Lumezi.

Një ditë më pas zyra e Kryeprokurorit reagoi duke iu bërë mbulesë punësimit të shumëfishtë të z. Lumezi.

Së pari, kushdo në Kosovë pret nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njoftime për veprimet konkrete në luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit e jo justifikime për 7 pozitat e Kryeprokurorit.

Së dyti, është absurde të besosh që një kryeprokruror i cili mban 7 pozicione, të jetë efikas në kryerjen e detyrave primare të kryeprokurorit të shtetit.

Së treti Kryeprokurori ka konflikt të interesit sipas ligjeve në fuqi për pozitat e shumëfishta drejtuese që aktualisht i mban.

Së katërti Kryeprokurori duhet të jetë shembulli kryesor për të gjithë prokurorët e tjerë se si respektohet etika, ligji dhe misioni i prokurorit e jo të shfrytëzojë çdo justifikim procedurial për përfitim vetjak.

Së pesti, Kryeprokrurori dhe prokurorët duhet të jenë në nivelin e detyrës dhe gjatë orarit zyrtar ta kenë prioritet punën e tyre, në mënyrë të papenguar.

Po meqë Kryeprokurori është larg të qenit shembull i mirë, i rikujtojmë atij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë se sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit neni 13 par. 2 theksohet se:

2. Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.

Kryeprokurori Lumezi mban këto pozita:

1. Kryeprokuror i Shtetit,

2. Anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës,

3. Anëtar i bordit të Akademisë policore në Kosovë,

4. Kryetar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës,

5. Kryetar i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë,

6. Kryetar i Komisionit për mbrojtjen e dëshmitarëve

7. Anëtar i bordit drejtues të Njësisë së Intelegjencës Financiare.

Si dhe sipas po të njëjtit nen, zyrtari nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.

Nëse Kryeprokurori po paguhet për të gjitha këto pozita – në dijeni tonë po ndodh – sipas kodit penal të Republikës së Kosovës është duke konsumuar veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe atë të konfliktit të interesit.

Kontribo

19 03 2019

Një vit bllokim të KQZ-së, një vit shkelje të Kushtetutës nga Presidenti

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes një aksioni simbolik ritheksoi edhe një herë veprimin flagrant antikushtetues të Hashim Thaçit, i cili i vetmuar në zyrën e tij dhe i braktisur nga populli, po rrezikon hapur jetën politike në vend dhe funksionimin e pavarur të institucioneve kushtetuese siç po bën me bllokimin e KQZ-së për më shumë se një vit.

Deputetja Drita Millaku foli për përgjegjësitë kushtetuese që ka presidenti Thaçi për garantimin e funksionimit të organeve kushtetuese, që e ka kthyer zyrën e Presidencës në të kundërtën e funksioneve dhe përgjegjësive dhe që po rrezikon sa integritetin shtetëror, po aq edhe ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend, cënimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve.

“Është bërë plot një vit nga kur KQZ-ja, ky institucion i rëndësishëm kushtetuese, është shndërruar nga Hashim Thaçi në një institucion ku testohen skenarët e Hashim Thaçit kundër opozitës e për të penguar veprimtarinë politike të subjekteve opozitare, por edhe për të shpërblyer deputetë e grupe deputetësh tregtarë për shërbimet ndaj tij”, tha Drita Millaku.

Gjatë këtij viti, KQZ-ja që do të duhej të kryente shumë punë, thjesht nuk ka ekzistuar. 37 asamblesitë presin për të marrë detyrën, por nuk kanë mundësi, sepse nuk ka KQZ për t’i emëruar ata. Një deputet po humbet mandatin në mungesë të KQZ-së. Është paralizuar funksionimi i brendshëm i sekretariatit të KQZ-së, sepse Presidenti nuk i ka emëruar anëtarët, të cilët duhet të marrin vendime për punën e këtij institucioni. 

Nga bllokimi i KQZ-së, 13 subjekte politike janë privuar nga fondi shtetëror që ia garanton ligji. Pamundësimi i fondit për subjektet politike, është veçanërisht pengesë për opozitën, sepse opozita për aktivitetet e saja politike të vetmin burim të mbulimit të shpenzimeve e ka fondin shtetëror. Partitë në pushtet nuk e kanë këtë problem sepse po pasurohen përmes abuzimit. Andaj, Presidenti Thaçi përmes bllokimit të KQZ-së po synon të pengojë në fakt angazhimin politik të dy subjekteve opozitare.

Si institucion i rëndësishëm për demokracinë në vend, KQZ-ja nuk mund të përdoret për pazare politike, interesa personale apo grupore. Një pakicë qeveritare dhe politike po përpiqet artificialisht që të bëhet shumicë në KQZ, duke shkelur vullnetin e votuesve dhe Kushtetutën e Republikës.

Përbërja e KQZ-së është rrjedhojë e zgjedhjeve dhe e rezultatit zgjedhor. Ndërsa funksionet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të shihen në raport me organizimin e zgjedhjeve me integritet. Prandaj, cënimi i integritetit të KQZ-së i cënon edhe zgjedhjet, kurse përbërja jokushtetuese prodhon veprime antikushtetuese.

Kjo çfarë ka bërë Presidenti me bllokimin e KQZ-së është cënim i demokracisë dhe shkelje e rëndë e ligjit dhe e Kushtetutës së Republikës, për të cilën duhet dhe do të përgjigjet ligjërisht.

Kontribo

18 03 2019

Kryeprokurori është tepër i zënë për ta luftuar korrupsionin

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferecë për media në lidhje me zyrtarët e lartë publik të cilët jo vetëm që nuk luftojnë krimin dhe korrupsionin, por mbajnë shumë poste të larta shtetërore njëkohësisht. Në konferencë u përmend rasti i Kryeprokurorit Lumnezi si një rast tipik me mbajtjen e pesë pozicioneve zyrtare njëkohësisht.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli në lidhje me raportet e publikuar nga Transparency International, të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nga shumë kritika nga vetë ambasadorët që veprojnë në Kosovë të cilët kanë denoncuar fenomenin e mbajtjes së shumë posteve zyrtare nga personat e lartë publik.

“Kosova ka probleme serioze me sistemin e drejtësisë dhe ende nuk kemi parë veprim serioz të institucioneve të drejtësisë në raport me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ndikimet e mëdha të pushteteve të pasluftës mbi sistemin e drejtësisë, sidomos ndikimet e PDK’së, e kanë bërë këtë sistem joefikas dhe mosveprues. Pra, pikërisht këto ndikime ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë”, tha Albulena Haxhiu.

Ajo po ashtu theksoi se me qenë kryeprokuror i shtetit në Kosovë, koha dhe vetë dita është e pamjaftueshme. Ne kemi kryeprokurorin e shtetit i cili, përveç se ka kontroll mbi sistemin prokurorial, ka edhe kontroll mbi prokurorët e rinj sepse është pjesë e akademisë, dhe vendos se kush do të jenë ata sepse është kryetari i Komisionit për provimin e Jurisprudencës.

Në Kosovë, papunësia çdo vit e më shumë po shënon rritje ku afër 40 % e popullësisë janë të papunë dhe mbi 18 % janë në varfëri ekstreme. Ndërsa në anën tjetër kemi një grup njerëzish që mbajnë më shumë se dy, madje deri në gjashtë e shtatë, vende pune. Ata i gjejmë në ekzekutiv, legjislativ, agjensione dhe sidomos në sistemin e drejtësisë. Kjo bëhet, së pari, për shkak të kontrollit që duan të kenë mbi gjithçka dhe, e dyta, për shkak të përfitimeve.

Aktivisti i Lëvizjes Avni Zogiani shtoi duke folur për zyrtarët publik të cilët vendosin interesin publik në rend të dytë duke u marrë në të njëjtën kohë edhe me veprimatari private përpos detyrave publike.

“Në raste kur zyrtari policor, apo edhe prokurori, kur gjendet para procedimit të hetimit të një veprimi konkret të një zyrtari tjetër, shumë shpesh priret nga interesi privat sesa nga interesi i zyrës publike që përfaqëson. Në këtë mënyrë, punët e shumëfishta të zyrtarëve të ndryshëm janë kthyer në mbrojtje të krimit dhe korrupsionit”, tha Avni Zogiani.

Dy nga problemet kryesore të Kosovës janë mungesa e zhvillimit ekonomik dhe korrupsioni e krimi i organizuar; probleme shumë të ndërlidhur mes vete. Ne, qytetarët e këtij vendi, duhet të angazhohemi së bashku në mënyrë që ta nxjerrim vendin nga kjo mendësi qeverisëse dhe nga ky shpërfytyrim i interesit publik.

Kontribo

17 03 2019

Dëmet nga bllokimi i KQZ-së nga Presidenti

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot një konferencë për media ku u fol për pasojat e bllokimit të KQZ-së nga Presidenti.

Nënkryetarja e Lëvizjes, znj. Fatmire Kollçaku Mulhaxha tha se nuk kalon ditë që ky president nuk jep ndonjë provë të re që jo vetëm se nuk është konsensual, por as nuk përfaqëson vullnetin e popullit. Ky president, sipas saj, po e bënë të pamundurën për ta bllokuar opozitën. “Me mos dekretimin e anëtarëve të KQZ-së, bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, që për rrjedhojë bllokon fondet që iu takojnë të gjitha subjekteve politike, vërehet se qëllimi është të pengohet veprimi i opozitës që deri në një masë është edhe i varur nga ato fonde që rrjedhin nga një organ kushtetues” tha nënkryetarja Kollçaku duke shtuar se ky shqetësim do të duhej t’i prekte edhe partitë në pushtet, por që sipas saj duket se ato kanë burime të tjera mbijetese.

Adnan Rrustemi si përfaqësues i Lëvizjes në KQZ tha se bllokimi i këtij institucioni për tash e një vit e ka lënë shumë mbrapa këtë institucion në një seri të punëve e në një varg përgatitjesh. “Nga vlerësimi i aspekteve teknike të zgjedhjeve të kaluara dhe marrjen e masave për t’i përmirësuar, deri tek çështjet shqetësuese të përhershme si: pastrimi i listës së votuesve, hetimin e fletëvotimeve të shumta të pavlefshme, fushata informuese për votuesit, thjeshtimin dhe lehtësimin e mënyrës së votimit për diasporën, për votuesit me nevoja të veçanta, e punë të tjera të përditshme si zëvendësimi i asamblistëve, i deputetëve e detyrime tjera. Të gjitha këto, e shumë të tjera janë bllokuar bashkë me bllokimin që i ka bërë Hashim Thaçi këtij institucioni të rëndësishëm kushtetues.” tha Rrustemi duke theksuar se shkëputja njëvjeçare nga punët e përditshme dhe të planifikuara do të ndikojë në cilësinë e aktiviteteve të KQZ-së.

 

Kontribo

16 03 2019

Nga Panairi i Bizneseve të Grave në Prizren

Sot me datë 16 mars, u hap Panairi i Bizneseve të Grave në Prizren, organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës z. Mytaher Haskuka. Të shumtë ishin vizitorët që në ecjen e tyre provonin e blinin produkte vendore të prodhuara nga gratë dhe bizneset e tyre. Për vizitë në këtë ditë të ngrohtë marsi, në panair ishte edhe kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti së bashku me kryetarin e Prizrenit z. Mytaher Haskuka, nënkryetarin e Kuvendit Komunal të Prizrenit z. Artan Abrashi, deputetët Drita Millaku e Arbër Rexhaj si dhe aktivistë nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren.

Kryetari Haskuka tha se ky panair mbledh organizata dhe biznese të grave nga mbarë Kosova dhe jo vetëm Prizreni. Problemi kryesor i prodhimtarisë vendore sipas tij është plasimi i produkteve, qasja e tyre në marketet e mëdha. Për këtë ai u shpreh se Prizreni si komunë, edhe përmes organizimeve të tilla si ky panair po mundohet të jap ndihmën e vetë për këta prodhues. “Jemi në muajin mars, dhe ky muaj shënon shtimin e përpjekjeve për fuqizimin e gruas e për më shumë barazi gjinore.” tha ai në fjalën e tij duke shtuar se “komuna e Prizrenit po punon në drejtim të krijimit të një hapësire ku të gjitha organizatat joqeveritare që prodhojnë, e sidomos bizneset e grave ta kenë një vend të përhershëm prej ku do t’i plasojnë më pas produktet e tyre, dhe t’i shesin kësisoj ato drejtpërdrejtë.” Haskuka poashtu ftoi gjithë qytetarët e Prizrenit dhe Kosovës ta vizitojnë panairin dhe të blejnë produkte vendore e ta ndihmojnë prodhimtarinë e këtyre bizneseve të grave në vend.

Edhe kryetari i Lëvizjes pas bashkëbisedimit me gratë prodhuese, ku edhe dëgjoj hallet dhe vështirësitë e tyre për plasimin e prodhimeve në treg, inkurajoji qytetarët ta vizitojnë këtë panair e të blejnë prodhime vendore. “Ky panair i bizneseve të grave është edhe mirëmbajtje dhe kultivim i zanateve tradicionale, por njëkohësisht edhe shembull i grave të suksesshme të cilat punojnë dhe bëjnë prodhime e krijime edhe cilësore edhe të bukura.” tha kryetari Kurti duke theksuar se blerja dhe konsumimi i produkteve vendore natyrshëm e ndihmon ekonominë, dhe se panaire të ngjashme përveç se e zgjerojnë tregun, e bëjnë atë edhe më intensiv e më të qasshëm për qytetarët e Prizrenit dhe vizitorët e shumtë të këtij qyteti në fundjavë.

Kontribo

15 03 2019

Takim me studentë dhe profesionistë nga Kosova Lindore

Kryetari Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, pritën sot në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! një grup të rinjsh nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të përbërë nga studentë, profesionistë të rinj dhe disa nxënës.

Në takim, të rinjtë ngritën shqetësimin për probleme nga më të ndryshmet, prej mosnjohjes së diplomave, te mungesa e biokimistëve në ambulanca, nga “pasivizimi” i qëllimshëm i adresave të banimit të shqiptarëve, te rënia e numrit të nxënësve dhe mungesa e literaturës shqipe në shkolla. Ata theksuan gjithashtu mungesën e investimeve kapitale në Luginë, si dhe mosadresimin e këtyre çështjeve nga të dy Republikat shqiptare, që për më tepër ua pamundësojnë edhe sot, në shumicën e rasteve, nxjerrjen e nënshtetësisë dhe të lejeve të qëndrimit.  Nga ana tjetër, ata shprehën mirënjohjen për çështjet që Lëvizja VETËVENDOSJE! ka ngritur brenda dhe jashtë institucioneve të Kosovës për të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Albin Kurti u foli pjesëmarrësve në takim për një raport të detajuar që Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përgatitur lidhur me situatën e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Duke lexuar pjesë të raportit, ai më tej kërkoi prej tyre të shtojnë kërkesa specifike lidhur me zgjidhjet që propozojnë. Ky raport, si dhe shumë prej propozimeve që Lëvizja VETËVENDOSJE! po merr nga takime si ky dhe me përfaqësues të Kosovës Lindore, do të shërbejnë si udhërrëfyes për masat që do të marrë Lëvizja nesër nga pozicioni i drejtimit të qeverisë së Kosovës.

Takim u mbyll me zotimin për të punuar edhe më shumë edhe më nga afër, në mënyrë që të realizohen të gjitha të drejtat e mohuara e legjitime të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Kontribo

15 03 2019

Qendra Prishtinë: Karvanit të punësimeve familjare e partiake të PDK-së, i bashkohet edhe Kryetari i Komunës

Sot, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë përmes një konference për media të mbajtur para objektit të Ndërmarrjes Publike ‘Termokos’, denoncoi dukurinë e punësimeve familjare e partiake në këtë ndërmarrje. Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Sekretarit të Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Valdrin Ahmeti:

Ndërrmarrjet Publike në Kosovë gjatë gjithë kohës nga të gjithë ata që qeverisin si në nivelin qëndror edhe në atë lokal janë parë vetëm si mundësi për zhvatje, përfitime e mundësi për të rahatuar familjarë e militantë partiakë. Në shumë ndërmarrje publike është investuar që ato ndërrmarrje të shkatërrohen, që ose t’i krijohet hapësira për kompanitë private konkurente ose që pastaj të privatizohen ato ndërmarrje apo edhe të privatizohen shërbime që kryejnë ato ndërmarrje.

Një nga proceset e shkatërrimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë gjithmonë ka qenë punësimet e bëra pa kritere e pa nevojë për proceset e punës së asaj ndërrmarrje.

Sot jemi këtu që të denoncojmë punësimet që janë bërë në ndërmarrjen TERMOKOS, punësime këto që kryesisht janë bërë nga ish Kryeshefi Ekzekutiv, Naser Canolli e që lidhen kryesisht me familjarë të tij e me njerëz të PDK-së dhe ShIK-ut.

Më lejoni t’i lexojë disa nga të punësuarit gjatë kohës sa Naser Canolli ka qenë i instaluar si KE në këtë ndërmarrje:

1. Arben Canolli – Djali i vëllaut të K.E.-së, Naser Canollit,
2. Maliq Hyseni – Djali i motrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Naser Canolli,
3. Përparim Fazliu – Djali i motrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Naser Canolli,
4. Ares Ergini – Djali i gruas së Lirak Çelaj,
5. Kastriot Fazliu – Djali i axhës së Përparim Fazliut,
6. Vigan Citaku – djali i Ylber Çitakut, ish-drejtor i instaluar nga PDK në Stacionin e Autobusëve,
7. Artina Selmani – kunatë e aksionarit të PDK-së, Muhamet Selmani,
8. Arbër Makolli – djali i vëllaut të Xhemajl Makollit, drejtor administrativë në Termokos,
9. Marigona Canolli – e afërm e Kryeshefit Ekzekutiv, Naser Canolli
10. Isak Berisha – dhëndërr i Raif Vitija, drejtor i furnizimeve, ish-drejtor financiar dhe ushtrues detyre i KE-së
11. Enis Cakolli – familjar i Bujar Cakolli, sekretar i PDK-së në Prishtinë.

Gjatë kohës kur janë bërë këto punësime ka qenë kryetari i Komunës, në atë kohë pjesë e Lëvizjes sonë, me pompozitet i denonconte këto punësime e keqpërdorimet, dhe thoshte se sapo ta siguronte shumicën e asamblesë komunale do ta ndryshonte këtë gjendje në ndërmarrjet publike. Por tash, edhe pse qeverisja aktuale e Komunës e ka shumicën në asamblenë komunale, punësimet nuk kanë ndaluar, por përkundrazi edhe kryetari i është bashkuar karvanit të punësimeve në këtë ndërmarrje, duke ndjekur shembullin e PDK-së.

Të gjithë jemi dëshmitarë që para disa ditës u raportua që pikërisht në këtë ndërmarrje si drejtor financiar i ndërmarrjes u punësua drejtori Komunal i shërbimeve publike Ismajl Koka.

Si arriti t’i bindë Shpendi PDK-në, që të arrijë ta vëjë në pozitën e drejtorit financiar, drejtorin e tij komunal? Sidomos tash kur dihet që me donacionet e shumta për zgjerim të rrjetit, sidomos ato të Komisionit Evropian, kjo pozitë është një nga pozitat më të rëndësishme për shpenzimin e fondeve nga kjo ndërmarrje publike.

Këto punësime janë vetëm disa nga dhjetëra punësime që këta kanë bërë në këtë ndërmarrje publike, dhe të cilat do t’i publikojmë në vazhdimësi sapo të sigurojmë informacion të plotë për të gjitha. Poashtu ditëve e javëve në vijim do të prezantojmë edhe informacione të tjera që lidhen me keqpërdorimet në këtë ndërmarrje. Këta duhet ndalur, dhe është veç një mundësi për këtë, angazhimi në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Kontribo

15 03 2019

LVV dhe LDK dërgojnë në Kushtetuese Ligjin për Dialogun

Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mbajtën konferencë të përbashkët për mediat në ambientet e Kuvendit për procedimin nga ana e tyre në Gjykatën Kushtetuese të Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovë në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Në konferencë folën deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu dhe deputeti i LDK-së Driton Selmanaj.

Dy subjektet opozitare e kundërshtojnë këtë Ligj për shkak të shkeljeve në të paktën tetë nene të Kushtetutës së vendit. LVV dhe LDK po ashtu kërkojnë vendosjen e masës së përkohshme për ta ndaluar instalimin e këtij precedenti të rrezikshëm dhe kërkojnë një seancë dëgjimore për të argumentuar çështjet e ngritura prej tyre.

Ligji kundërshtohet për tendencën e tij për ndryshimin e hierarkisë kushtetuese, për ndërhyrjen në kompetencat e pushtetit ekzekutiv e legjislativ dhe për mbivendosjen e tij si një ligj me natyrë speciale mbi ligjet e tjera. Bëhet fjalë për shkeljen e Kushtetutës përkatësisht në nenin 2 në lidhje me sovranitetin e Kosovës, në nenin 4 mbi formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushteteve, në nenin 7 mbi rendin kushtetues, në nenin 18 mbi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, në nenin 20 për bartjen e sovranitetit dhe kalimin e kompetencave shtetërore, në nenin 65 mbi kompetencat e Kuvendit, në nenin 93 mbi kompetencat e Qeverisë dhe në nenin 94 mbi kompetencat e Kryeministrit.

Ky projektligj e shpërfytyron institucionalisht Republikën e Kosovës duke autorizuar një trupë antikushtetuese dhe duke cënuar rëndë parimin e ndarjes së pushteteve në Kosovë.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj u shpreh se, “si grupe parlamentare, si deputetë të dy partive politike e kontestojmë në tërësi kushtetuetshmërinë e këtij Ligji, besojmë që përgjigja do të jetë edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që ky projektligj të rrëzohet dhe si i tillë mandati kushtetues i institucioneve të mos cënohet”.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu tregoi se projektligji është i gatshëm të shkelë kushtetutën vetëm për t’i shërbyer projektit për ndarjen e Kosovës të propaganduar nga Presidenti Thaçi. “Gjithë kjo aventurë e fundit është pra në shërbim të plotë të Hashim Thaçit. Në këtë kaos të qëllimshëm, që po krijojnë aktorët që ishte dashur të ruajnë aktorët që ishte dashur të ruajnë koherencën e politikës së jashtme dhe sovranitetin e integritetin territorial, përfshihet edhe i ashtuquajtur Ligj për Dialogun”, tha deputetja Haxhiu.

Deputetët e dy subjekteve opozitare deklaruan se veprimet e tyre nuk do të kufizohen këtu. Në rastin e ezaurimit të të gjitha mjeteve juridike për kundërshtimin e këtij projektligji dhe të këtij projekti angazhimi do të vazhdojë në shfrytëzimin e të drejtës për të protestuar kundra një procesi kaq të rrezikshëm.

Kontribo

14 03 2019

Tryeza: Edukimi i hershëm i fëmijëve midis shtetit dhe nënës

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për trajtimin e përditshëm të problematikave shoqërore të lidhura me çështjen e gruas.

Përmes Grupit Parlamentar dhe Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tryezën me temë “Përgjegjësitë për edukimin e hershëm të fëmijëve – Roli shtetëror përballë rolit prindëror” . Në tryezën e diskutimit morën pjesë studiuese dhe pjesëtare të shoqërisë civile. Tryezën e moderoi Aulonë Bytyqi nga Sekretariati i Gruas Aktiviste dhe parashtrimet e para i mbajtën anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, drejtoresha e çerdheve me bazë në komunitet në Komunën e Prishtinës, Anduena Arrni dhe zyrtarja Ligjore nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Adelina Berisha.

Edukimi i hershëm i fëmijëve në Kosovë vuan nga numri i vogël i institucioneve publike dhe private parashkollore. Mungon prania e tyre në zonat rurale thuajse plotësisht, ku ndodhet më shumë se 50% e popullsisë së vendit. Vetë kopshtet dhe çerdhet vuajnë nga infrastruktura e dobët dhe e pamjaftueshme, mungesa e investimeve infrastrukturore dhe mungesa e stafit.  Sipas buxhetit aktual dhe parashikimeve të tij nuk duket se do të ketë një vëmendje të veçantë për të,  apo një strategji të posaçme për trajtimin e problemeve të edukimit të hershëm. Po ashtu, prindërit me fëmijë me nevoja të veçanta e vuajnë akoma edhe më shumë mungesën e parashikimit të një përkujdesjeje për këto kategori.

Shteti e trajton edukimin e fëmijëve parashkollorë si të jetë një çështje private familjare. Në kushtet kur më shumë se gjysma e popullsisë nuk ka qasje në edukimin e hershëm publik, atëherë pesha për edukimin e fëmijëve bie mbi nënat. Kjo peshë u rëndon edhe më tepër grave nga pamjaftueshmëria e kohës për të kërkuar apo punuar ndërkohë. Puna e madhe shtëpiake e grave është një punë pa pagesë dhe një çështje politike e shtypur në diskursin tonë publik. Edukimi i fëmijëve duhet shikuar edhe si çështje e emancipimit të gruas, edhe si e drejtë kushtetuese e çdo fëmije dhe familjeje, edhe si avancim i politikave arsimore shtetërore.

Në përfundim të tryezës u nxorrën edhe konkluzionet e diskutimit si në vijim:

  • Edukimi i hershëm është përgjegjësi e institucioneve të vendit, si për ofrimin e të drejtave të garantuara për secilin fëmijë pa dallim, ashtu edhe për ofrimin e mundësive për gratë dhe nënat e reja për zhvillimin e tyre;
  • Shfrytëzimi i zgjidhjeve alternative si kopshtet në komunitet dhe ndihmat nga organizatat ndërkombëtare duhet organizuar nga institucionet adekuate, sidomos me vëmendje të veçantë për grupet e margjinalizuara në shoqëri;
  • Të ngrihet zëri në vetëdijësimin e vendimmarrësve se çerdhet nuk janë lluks, por domosdoshmëri dhe një e drejtë që i duhet garantuar çdo fëmije dhe familje;
  • Rritja e buxhetit për edukimin në moshë të hershme.

Edukimi i hershëm i fëmijëve duhet të ndahet midis shtetit dhe prindërve, mungesa e madhe e njërit prej tyre e bën këtë edukim gjysmak. Prindërit dhe shteti nuk mund t’i zëvendësojnë rolet e njëri-tjetrit në edukimin e fëmijëve. Nënat nuk munden të mbajnë barrën e mungesës së një shteti dhe barrën e mungesës së babait.

Kontribo

11 03 2019

Gratë në rezistencën kombëtare

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tryezë diskutimi me temë “Gratë në rezistencën kombëtare”. Të ftuara të veçanta për të ligjëruar ishin studiuesja e historisë Mrika Limani, veprimtarja dhe aktivistja e çështjes kombëtare dhe gjinore Shukrie Gashi dhe ish-ushtarja e UÇK-së dhe njëkohësisht asambleistja e Lëvizjes në Gjakovë Mimoza Shala.

Historia e angazhimit të grave për çlirim kombëtar dhe barazi gjinore është një histori e lënë në hije, sporadikisht e trajtuar dhe gjithnjë e lidhur me historinë e burrave përkrah të cilëve kanë rastisur të jenë. Historiografia zyrtare dhe klasike e përpjekjeve për çlirim të shqiptarëve karakterizohet nga një mendësi patriarkale, e cila edhe ato pak gra që përmend i sheh sipas imazhit të burrit. Përgjithësisht, gratë që njihen më së shumti nga kjo historiografi janë ato gra të cilat kanë qenë motrat apo gratë e komandantëve apo të të tjera figurave tradicionale mashkullore.

Në tryezë u vu në pah fakti se jeta dhe kontributi i përditshëm i grave në shoqëri dhe në përpjekjet për emancipim e çlirim është i anashkaluar nga historiografia jonë. Gruaja del në skenën publike si figura e gruas partizane përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Deri në atë kohë roli i asaj ishte komplet i padukshëm nga izolimi në sferën private. Prej protestave të vitit 1968 deri në ato të vitit 1981 dhe 1989 angazhimi i grave për çeshtjen kombëtare dhe barazi gjinore bëhet më masiv.

Emra pak të njohur dhe të tjerë plotësisht të panjohur, të veprimtareve dhe dëshmoreve të çështjes kombëtare dhe barazisë gjinore, u përmendën në tryezë për të treguar se aq shumë kontribut është dhënë dhe aq pak njihet.

Gjatë luftës së fundit, gratë u përballën me dhunime të shumta, por pas mbarimit të luftës u lanë nën hije bashkë me dhimbjen e tyre. Një pjesë e anashkalimit u lehtësua nga mungesa e komunikimit mes grave, dallimet ideologjike, dhe njohuritë e pakta për barazinë dhe të drejtat gjinore. Edhe shumica e grave të cilat u bënë përfaqësuese të popullit dhe të institucioneve shtetërore nuk treguan një angazhim sistematik për ndryshimin e formave të pushtetit dhe avancimin e barazisë gjinore.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vetëdijshme se historia, sidomos ajo e grave nuk është për t’u lënë pas, por për t’u zbuluar dhe për t’u mirënjohur. Lufta për barazi gjinore dhe kombëtare nuk ka përfunduar, vetë mbulimi i historisë së saj tregon se më së shumti ajo po tentohet të heshtet.

Kontribo

08 03 2019

8 marsi: Barazi në institucione, në punë dhe në pronë

Për ditën ndërkombëtare të gruas, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një aksion simbolik, me ç’rast në muret e institucioneve aktivistet e lëvizjes shkruajtën parullën, “Barazi në institucione, në punë dhe në pronë”. Parulla synon të theksojë pabarazinë e madhe shoqërore në vendin tonë ku gruaja është shumëfish më e shtypur.

Në Republikën e Kosovës ekziston Ligji për Barazi Gjinore, por të drejtat që burojnë nga ky ligj kanë mbetur për më shumë se një dekadë vetëm në letër. Në Kosovë gruaja është e larg instuticioneve, larg punës dhe larg pronës. Shoqëria jonë është larg barazisë dhe aspirata për të ka mbetur e huaj për shtetin tonë. Shteti ynë po etablohet si i pabarabartë.

Asambleistja e Lëvizjes në Gjilan, Arbëresha Kryeziu u shpreh në komunikatën për aksionin se, “prania e gruas në institucionet e Kosovës është krejt simbolike. Jo rrallë kjo prani është mbulesë e shëmtuar për shtypjen që i bëhet grave dhe vajzave. Madje gjoja-përfaqësimi bëhet edhe për të çuar përpara projekte të dëmshme si për shoqërinë ashtu edhe për vetë gruan. Ç’kuptim ka të flasësh për praninë ose jo të grave në delegacione, komisione e borde kur ato ndërtohen me misionin për negociata pa kushte, për privatizimin e aseteve publike, ose për krijimin e privilegjeve të reja për padronët e vjetër”.

Aktualisht, rreth 82% e grave janë të përjashtuara nga ekonomia e vendit. As në ambientin e shoqërisë civile dhe në institucionet publike gratë e vajzat nuk janë ende sa dhe si duhet pjesëmarrëse. Ekziston po ashtu edhe Ligji për Trashëgiminë, por në shoqërinë tonë vetëm rreth 4% e grave kanë pronë të trashëguar. Kjo nuk është vetëm simptomë e kulturës mbizotëruese. Mbi të gjitha është plaçkitje që tolerohet me vetëdije nga Noteri deri te sistemi i lartë i drejtësisë.

Ligji si i tillë, pavarësia formale dhe niveli i përfaqësimit nuk po mjaftojnë. Na duhet pjesëmarrje e vrullshme dhe e madhe për barazi dhe drejtësi. Këto qeverisje të djathta neoliberale janë në shërbim të thellimit të pabarazisë. Njeriu në përgjithësi dhe gruaja në veçanti janë reduktuar në mjet në shërbim të kapitalit të grupeve parapolitike. Ata akumulojnë pasurinë, ndërsa qytetarët akumulojnë mllefin e mjerimin. Kjo është dhunë që e lë shoqërinë të varfër me gruan pa punë, pa pronë, në shtëpi dhe të dhunuar fizikisht.

Pa riorientim rrënjësor të sistemit socio-ekonomik ndryshimet formale drejt realizimit të të drejtave të gruas mbeten mbulesë e dëmshme dhe mirëmbajtje e pabarazisë gjinore. Pa gruan e barabartë nuk mund të ketë Republikë.

Kontribo

07 03 2019

Ngushëllime për aksidentin në Gjilan

Tmerri që përjetuan qytetarët e Gjilanit nga aksidenti i sotëm ku humbi jetën një person dhe u lënduan shumë të tjerë, na ka tronditur rëndë të gjithëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përcjellur me shqetësim këtë ngjarje të dhimbshme dhe bashkëndjen me familjen e Qerim Çoçajt, i cili humbi jetën në këtë aksident dhe me të gjithë të lënduarit e tjerë. Në këto çaste të vështira le t’i qëndrojmë afër familjes së viktimës, kurse të lënduarve të ju ofrohet trajtimi dhe kujdesi shëndetësor për të tejkaluar lëndimet.

Duke i shprehur ngushëllime familjes dhe uruar shërim sa më të shpejtë të lënduarve, Lëvizja VETËVENDOSJE! thekson rëndësinë që duhet t’i japim sigurisë në komunikacion, të rrisim vëmendjen dhe përgjegjësinë në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten!

Kontribo

07 03 2019

LV mbështet marshin protestues për 8 MARS

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet marshin protestues të organizuar nga aktiviste e aktivistë të kolektivit ‘MARShojmë s’ Festojmë’ dhe fton anëtarësinë e saj t’i bashkohet këtij marshi të premten nga ora 12:00 në sheshi ‘Zahir Pajaziti.’

Angazhimi i aktivistëve dhe organizatave që merren me të drejtat e grave, për më shumë barazi shoqërore muajve të kaluar, ka dëshmuar se bashkarisht jo vetëm se mund t’i qëndrojmë dhimbjes, por edhe ta bëjmë atë të pajustifikueshme, e të pashpjegueshme nga cilado anë e pushtetit. Ka dëshmuar se po u organizuam bashkë, do të lëkundet hierarkia e çdo pushteti që mban përgjegjësi për dhunimin e jëtës në këtë vend.

Të marshojmë edhe më shumë, edhe më zëshëm këtë 8 mars. Vetëm një angazhim i përbashkët mund ta përpunojë përvojën e barazisë dhe drejtësisë drejt një drite të re. Vetëm me një ritëm të tillë të MARShit hapim radhët për gjithë ato të reja e të rinj, të moshuara e të moshuar që kërkojnë barazi më të plotë, e jete më të drejtë në këtë vend.

Kontribo

07 03 2019

132 vjet nga hapja e shkollës shqipe

Sot më 7 mars, 132 vjet pas hapjes së shkollës së parë shqipe përkujtojmë me nderim dhe respekt të thellë të gjithë mësueset e mësuesit që me sakrificat, vullnetin dijen e veprimtarinë e tyre e ngritën dhe avancuan shkollës shqipe.

Figura e mësueses, e mësuesit është padyshim figura e veprimtarëve në linjë me atë të çlirimtarëve. Shumë prej tyre qenë të tillë. Mësueset dhe Mësuesit janë në fakt shenja e pashlyeshme e rezistencës sonë intelektuale e politike ndaj pushtuesit. Mësimi në gjuhën shqipe deri në shekullin e kaluar nënkuptonte rezistencë.

Sot, shqiptarët në Preshevë Medvegjë e Bujanoc, Mal të zi, madje edhe në Maqedoni, janë ende në zgrip të kësaj përpjekje.

Shqiptarët në mërgatë edhe pse të vetorganizuar nuk mbështeten sa duhet nga institucionet në Kosovë e Shqipëri me tekste e mundësi të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e tyre.

Në Kosovë ende shkolla, arsimimi në përgjithësi është larg të qenit në nivelin e aspiratave për dije të nxënësve tanë. Na mungojnë bibliotekat e pasura shkencore për mësuesit e nxënësit, laboratorët e tekstet cilësore. Mësimi vijon të jetë me dy e tre ndërrime.

Arsimi, shkolla shqipe përveç se të shpallet duhet të jetë prioritet kombëtar. Por në çdo përpjekje të tillë po haset në rezistencë të pushtetit që e ka lënë anash.

Shkolla shqipe është vektori emancipues. Është vendi singular nga ku kapërcejmë në universalitetin e dijes. Cenimi i vazhdueshëm i saj na lë pas brenda vetes dhe na ngushton mundësitë e krijimit dhe prodhimit.

Në kujtim të Mësueseve dhe Mësuesve dëshmorë të kombit, urime 7 marsin!

Kontribo

06 03 2019

Homazhe në Prekaz

Një delegacion i LV-së, i prirë nga nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, shefi i GP-së Glauk Konjfuca dhe deputetë e aktivistë të tjerë të Lëvizjes kryen homazhe sot në Prekaz tek varrezat e familjes Jashari në nderim të veprës dhe sakrificës së kësaj familje dhe luftës së UÇK-së për liri të Kosovës.

Pas homazheve nënkryetari Besnik Bislimi deklaroi:

“Homazhet e sotme janë shenja përmes të cilës i tregojmë e ritregojmë vetes dhe botës sesa shumë mbështetemi te dëshmorët e familjes Jashari dhe te të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit tonë. Në këtë vend, 21 vite më parë Adem e Hamzë Jashari, kryeluftëtarët e lirisë ranë heroikisht bashkë me 56 anëtarë tjerë të familjes dhe treguan se e duan Kosovën dhe popullin e saj më shumë se veten. Ata na treguan gjithë neve dhe botës se si një familje e vetme mund ta ndryshojë rrjedhën e historisë dhe fatin e një populli. Ata dëshmuan se kur do diçka që nuk ke patur kurrë, mbase edhe duhet bërë diçka që se kishe bërë asnjëherë më parë. Me homazhet tona të përvitme, ne duam të dërgojmë tri mesazhe tek familja Jashari: Që duke sakrifikuar më të çmueshmen e tyre dhe më të dashurit e tyre, ata në fakt nuk i humbën familjarët e tyre, por i bartën ata tek secili prej nesh, nga marsi 1998 e deri në përjetësi. Që ne e kuptojmë drejt mesazhin e kësaj sakrifice dhe që mund t’i shikojmë ende në sy familjen Jashari duke konfirmuar që nuk kemi devijuar nga përpjekja për mbrojtjen dhe avancimin e amaneteve të tyre. Dhe që të gjithë së bashku nuk do lejojmë askë që të rrezikojë themelet e lirisë dhe sovranitetit tonë. Lavdi e përjetshme veprës dhe besimeve të tyre!”.

Po ashtu fëmijët e aktivistëve dhe deputetëve të Lëvizjes vendosën lule tek varret e familjes Jashari.

Kontribo

04 03 2019

Konferencë për diskriminimin në punësim të grave

Punë e pagë të dinjitetshme për secilën grua

Në kuadër të muajit të gruas, sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje e diskriminimit në punësim të vajzave dhe grave.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli për mendësitë e gabuara keqqeverisëse që Kosovës i janë akumuluar prej të cilave më kryesorja është papunësia që arrin deri në 40% ku vajzat dhe gratë janë të shtypura dyfish, edhe duke qenë si qytetare por sidomos pse janë vajza e gra. Ndërkaq, vetëm 12 përqind e tyre kanë një vend pune.

“Diskriminimi e shtypja, dhuna fizike e psiqike, shfrytëzimi i vajzave dhe grave ka ndërlidhje të ngushtë me varësinë dhe shtypjen ekonomike. Në aspektin e legjislacionit janë bërë disa ndryshime, por të cilat thjesht kanë mbetur të pazbatuara”, tha Albulena Haxhiu.

Ajo po ashtu foli edhe për projektligji i punës të proceduar nga Qeveria duke theksuar se nuk ka mekanizma mbrojtës kundër diskriminimit të grave në punësim madje nuk ka asnjë autoritet ku mund të raportohen rastet. Arsyet pse nuk punësohen gratë, është sepse punëdhënësi e konsideron problem pushimin e lehonisë. Pushimi i lehonisë natyrisht që duhet të mbetet për periudhën 1 vjeçare por është koha që ta ndajmë atë në formë të obligueshme, 6 muaj nëna, 6 muaj babai.

Në anën tjetër anëtarja e Kryesisë Tinka Kurti foli për diskriminin që i bëhet gruas në rastet e punësimit.

“Kur papunësia e grave është mbi 80 për qind, është e qartë se aty nuk bëhet fjalë për fat individual e as për përcaktim natyror. Kjo është kryekëput rezultat i politikave të gabuara e të dëmshme të shtetit. Dhe më e keqja është se këto shifra nuk janë të reja dhe nuk kanë shënuar ndonjë lëvizje që prej pasluftës. Pra, nuk bëhet fjalë për mospjesëmarrje, por për përjashtim”, tha Tinka Kurti. Ndërkohë, gratë kalojnë nëpër më shumë intervista pune sesa burrat gjatë procesit për të siguruar një vend pune. Graë kanë raportuar se kanë kaluar nëpër 5 intervista gjatë pesë viteve të fundit në dallim me burrat që kanë kaluar nëpër tri sosh. Kjo tregon për vështirësi të dyfishuara për gratë.

Sipas studimeve që kryhen në universitet publike në Kosovë janë 41 mijë e 787 gra studente dhe 32 mijë 819 burra, referuar një shifre të publikuar nga instituti GAP. Pra, rreth 9 mijë studente më shumë sesa burra dhe prapë vetëm 12 përqind e grave punojnë. Rreth 80 përqind janë joaktive në punë. Diskriminimi ndodh që prej konkurseve ku nuk fshihet fare seksualizimi i punës. Për gratë kërkohen kritere shtesë në CV-të e tyre. Kërkohet dërgimi i obligueshëm i fotografisë dhe bëhen më shumë pyetje rreth jetës e planeve të tyre private, sidomos rreth planifikimit të shtatëzanisë. Kjo është e njëjtë sikur të dënohesh pse lind fëmijë.

Universiteti publik duhet të marr rol me studime e analiza poashtu edhe Avokati i Popullit duhet të organizojë seksione e informata se si e ku mund të paraqiten ankesa të kësaj natyre. Pra pa angazhimin e të gjithëve, nuk mund të kemi përparime dhe vajzat dhe gratë do të vazhdojnë të shtypen e diskriminohen në punësim. Këtë mund ta ofrojë vetëm një shtet zhvillimor me punë e pagë të dinjitetshe për gjithsecilën e gjithsecilin.

Kontribo