29 01 2019

Kundër privatizimit të Telekomit

Sot Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe Drejtuesi i Komitetit për Komunikime Elektronike dhe Postare, Fatban Bunjaku, u takuan me Kryetarin e Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, dhe anëtarët e Kryesisë, Shpëtim Zharku dhe Naim Haliti. Në takim u bisedua rreth vendimit të qeverisë për nisjen e procesit të privatizimit, moszbatimin prej 6 muajsh të rezolutës së Kuvendit dhe situatës së punëtorëve.

Qeveria nuk ka pasur as interesimin dhe as vullnetin për ta zgjidhur krizën e sajuar brenda Telekomit. Kontrata abuzive me Z-mobile, keqmenaxhimi dhe shfrytëzimi brutal i kapaciteteve të ndërmarrjes për interesa krejtësisht private duhen zgjidhur nga institucionet e Kosovës. Për këtë nuk duhet të ketë kompromis. Përfshirja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerësimin e gjendjes së ndërmarrjes me kusht nisjen e procesit të privatizimit për Telekomin është i papranueshëm.

Problemeve të menaxhimit qeveria po i qaset a thua se ato janë fakt i dhënë, i pandryshueshëm. Mbipunësimet partiake në Telekom nuk i shkaktuan punonëtorët profesionistë por segmente të partive të pushtetit. Bordet drejtuese cilësisht të dobëta, pa integritet u emëruan e votuan nga të njëjtët. Vijimin e kontratës abuzive me Z-mobile po e paraqesin si fatalitet ndërkohë që kanë përgjegjësitë dhe instrumentet për ta ndalur.

Sindikalistët na njoftuan se nga viti 2008, Telekomi i ka paguar qeverisë 530 milionëv euro dividentë. Investime strategjike nuk bëhen, lidhen kontrata abuzive, paguhen shpenzime marramendëse, punësohen persona me lista, kurse, në funksionin e auditit të brendshëm vendosen familjarë të pushtetarëve. Prokurorisë i janë kallxuar dhjetra kontrata abuzive, por nuk ka përgjigje nga ana e tyre. Drejtori i parafundit i Telekomit e gjeti këtë ndërmarrje me rëndësi ekonomike e strategjike me 48 milionë euro në thesar, dhe e la me 200-300 mijë euro dhe me borxhe të panumërta që paraqiten me procedura përmbarimi. Sindikalistët shtuan që edhe sot në Telekom ka gra e burra të shkëlqyer e të zotë në profesionet e tyre një pjesë e të cilëve prej rrethanave po zgjedhin largimin nga vendi.

Republikës sonë nuk i mungojnë burimet njerëzore me nivel të lartë profesionalë brenda Kosovës e në mërgatë. Në mungesë e vonesë është vendimarrja racionale qeveritare, ndershmërisht e guximshme, për ta çkapur Telekomin.

Me 31 janar 2019 në Gjykatën Themelore të Prishtinës mbahet seanca ku do të tentojnë ta ekzekutojnë gjobën që ia zhvat Telekomit 30 milionë euro. Teksa më 18 dhjetor Gjykata themelore në Prishtinë i shpalli të pafajshëm përgjegjësit e rinj dhe të vjetër lidhur me aferën “Dardanfon – Z-mobile”.

Organizimit të krimit të organizuar që ka kapur institucionet na duhet gjithsesi t’i përgjigjemi me organizimin qytetarë e të punëtorëve që e kanë mbajtur barrën në Telekom.

Jemi të vendosur që Telekomin ta mbështesim të rimëkëmbet me modele bashkëkohore, jo privatizuese. Potenciali për zhvillim është tepër i madh për t’ia hequr nga pronësia publikut, qytetarëve të Kosovës.

Kontribo

29 01 2019

Nga Takimi me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Sot, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti dhe nënkryetari, Besnik Bislimi, patën një takim në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ku u pritën nga ambasadori, z. Philip S. Kosnett bashkë me zyrtaren politike dhe diplomaten znj. Emma Lomax. Takimi kaloi në një frymë shumë konstruktive dhe u diskutua për çështje që aktualisht dominojnë interesat nacionale të vendit. Ambasadori foli për rëndësinë që ka Kosova në politikën e jashtme të SHBA-së dhe për nevojën që pala kosovare paralelisht të kultivojë raporte shumë të mira edhe me Bashkimin Evropian, anëtarësimi në të cilën përbën aspiratën kryesore të Kosovës. Poashtu u shkëmbyen edhe qëndrimet e dy palëve për dialogun dhe tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për dëmet që po i shkaktohen vendit nga nepotizmi dhe korrupsioni në sektorin publik dhe për domosdoshmërinë e reformimit të administratës publike në Kosovë.

Kryetari Kurti e njoftoi më gjerësisht ambasadorin Kosnett për qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me dialogun; fazat që duhen përcjellë me synim ndërtimin e një platforme dhe ekipi negociator që do të garantonte një përfaqësim serioz në dialog; për arsyet se pse qeveria nuk duhet të heqë dorë nga tarifa doganore; por edhe për vizionin e VETËVENDOSJE!-s rreth vendosjes së sundimit të ligjit e luftimit të korrupsionit, prioritizimin e gjenerimit të punësimit si synim kyç makroekonomik si dhe reformimin e sistemit arsimor dhe atij shëndetësor si burim me rëndësi për mbështetjen e rritjes ekonomike të Kosovës. Në veçanti u potencua roli i diasporës sonë e cila me kapitalin human dhe financiar të akumular në Evropë dhe Amerikë mund të shndërrohet në një katalizator të fuqishëm të zhvillimit ekonomik në vend.

Të dy palët u dakorduan mbi nevojën e kultivimit të marrëdhënieve të rregullta si mekanizëm i rëndësishëm për avancimin e interesave të përbashkëta.

Kontribo

29 01 2019

Universiteti – Projektligji për Arsimin e lartë nuk përmbush qëllimin

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për transformim të arsimit të lartë në Kosovë ashtu që arsimi të jetë në funksion të prodhimit të dijes dhe zhvillimit të vendit.

Ndaj sot në Kuvend, Komiteti për Arsim dhe Kërkim shkencor dhe GP parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ftuan në debat profesorë, studiues e studentë lidhur me Projektligjin për arsimin e lartë që po shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës.

Drejtuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca, Kryetari i komisionit për arsim, Ismajl Kurteshi dhe deputetja Arbërie Nagavci morën vërejtjet e kritikat e të ftuarve mbi projektligjin e hartuar nga qeveria, duke u ndaluar në secilin kapitull e fushë që mbulon projektligji.

Ismajl Kurteshi kujtoi bllokimin e këtij projektligji në tentativën e parë më 2015 ku Lista Serbe bllokoi kalimin në qeveri për shkak të universitetit paralel në veri të Mitrovicës. Problem i cili nuk është adresuar siç duhet as në projekligjin e ri. Deputeti Kurteshi nënvizoi çështjet e financimit të universiteteve dhe përsëriti bindjen e Lëvizjes, që është dhe programi ynë, se arsimi i lartë publik duhet të jetë i garantuar pa pagesë tarifore për studentët.

Profesorët e studiuesit e pranishëm analizuan në hollësi çka projektligji mëton të rregollojë e çka në realitet ndodh brenda pushtetit jo shpesh arbitrar të universiteteve publike. Kështu u vu re se kriteret për akreditimin e universiteteve janë të ndryshme për kolegjet private nga ato për fakultetet publike. Projektligji lë hapësira për abuzime sa i përket ndryshimit të statusit të universiteteve. Sistemi i arsimit të lartë nuk shihet si një sistem i unifikuar në nivel shteti e aq më pak në nivel kombëtar.

Autonomia e universiteteve dhe avancimet akademike vijojnë të jenë tehu ku priten përpjekjet e pushtetit për kontroll jo administrativ e financiar, por për diktat të punësimeve e pozitave. Specifikimet e kësaj autonomie mungojnë dhe liria akademike cungohet në shumë momente. Siç konstatoi dhe prof. Shala se “ligji synon kontroll politik dhe jo mbikqyrje publike”.

Për cilësinë e mësimdhënies, përgatitjet e trupës akademike dhe kërkimin shkencor, projektligji nuk ka një strategji të mirëmenduar për standardet, skanimin dhe garantimin e rezultateve të dëshiruara për këto aspekte.

Në përmbyllje të tryezës, deputetja Arbërie Nagavci listoi temat e trajtuara si mëposhtë:
1. Shihet si i domosdoshëm një redaktim dhe një riformulim i ligjit nga pikëpamja gjuhësore dhe kuptimore. Nga detajimi i gjerë i tij vërehet një mungesë fleksibiliteti;
2. Projektligji nuk e shmang kontrollin partiak;
3. Projektligji bie në kundërshti me rregullime të tjera ligjore në fuqi;
4. Projektligji cënon parimin e mosdiskriminimit;
5. Nuk ka kritere të qarta për vlerësimin dhe avancimin e statusit të akademikut;
6. Nuk ka kritere të qarta për cilësinë e arsimit të lartë;
7. Diskutimi nxorri disa ide të reja si: vetting-u i stafit akademik dhe ndërkombëtarizimi i arsimit tonë të lartë në sinkron me arsimin jashtë vendit.

Projektligji pritet të shqyrtohet në seancën e datës 30 janar në leximin e parë. Pas kësaj seance Deputetët tanë do të vijojnë të krijojnë kushte për debatin mbi secilin kapitull të ligjit dhe në seancë do të paraqesin të gjitha vërejtjet e paraqitura në debatin me profesorët dhe studentët.

Projektligji mund të gjendet në:

http://ligjet.kuvendikosoves.org/…/Draf…\

Kontribo

27 01 2019

Mbledhja e XXXVI e Këshillit të Përgjithshëm

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot ka mbajtur mbledhjen e XXXVI. Kryetari Albin Kurti, pos diskutimit mbi situatën politike ka folur edhe për punën e organizatës sonë gjatë një viti prej kur është zgjedhur kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

“Varfëria jonë po shndërrohet në greva. Sepse as mësuesit, as mjekët e askush nuk mund të durojë që qeveria të ia rrisë rrogat vetes që nuk punon, por nuk ia rrit atyre që vërtet punojnë. Sigurisht, ne nuk duam që mësuesit e mjekët të ndërpresin punën, sepse nxënësit kanë nevojë për mësim dhe të sëmurët për shërim. Por ne e kuptojmë thellësisht gjendjen e vështirë të atyre që punojnë në administratë publike e sidomos të mjekëve e të mësuesve. Kur qeverinë ta udhëheqë Lëvizja VETËVENDOSJE! ne do të kujdesemi që pabarazia mes tyre dhe qeveritarëve të zvogëlohet shumë, dhe që statusi social i mësuesve e i mjekëve të jetë shumë më i mirë se sa sot. Nuk ka kuptim që injoranti e hajni që ka hipur atje lart të paguhet me dhjetëra mijëra euro në vit, të marrë mëditje, të shëtitet me makina zyrtare e shoferë, ndërsa mësuesi e mjeku e punëtori i administratës të paguhet më pak sesa që pushtetari i shpenzon për telefon mobil a për dreka e darka”, tha Albin Kurti.

Ndërkohë sa i përket punëve organizative, kryetari Kurti duke falenderuar për punët e secilit organ të Lëvizjes, theksoi se: “Në fund të vitit 2017, në 30 Qendrat tona gjithandej Kosovës i kishim plot 17 Qendra pa kryetar, me ç’rast 6 prej tyre ishin me koordinator e 11 të tjera pa kryetar e pa koordinator, dhe vetëm 16 Qendra ishin me sekretar organizativ në fund të vitit 2017. Në vetëm 3 Qendra ka pasur kryesi të plotë dhe funksionale. 17 Qendra kanë mbajtur takime të kryesisë, por me mungesa të anëtarëve të kryesisë, nga 1 deri në 6 anëtarë. 7 Qendra kanë funksionuar me grupe punuese, ndërsa 3 Qendra nuk kanë pasur as kryesi e as grup punues. Këshilli i Qendrës ka funksionuar në 7 Qendra, ndërsa 5 Qendra nuk kanë pasur Këshill fare. Nga 25 Qendra, si organizatë i kemi pasur 320 Pika. Në 5 Qendra nuk kemi pasur asnjë pikë të themeluar. Sot, pas proceseve zgjedhore të mbajtura nëpër Këshillat e Qendrave, aktualisht, nga 30 Qendra, 25 Qendra kanë kryesi të zgjedhur dhe funksionale, kurse 5 Qendra janë me grup punues. Gjatë vitit 2018 kemi mbi 60 Pika të ristrukturuara dhe plot 146 Pika të reja të themeluara. Përfshirë diasporën, Lëvizja e mbylli vitin 2018 me 496 Pika”.

Po ashtu, në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm u raportua edhe nga komisionet e brendshme për punën vjetore, si: Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor, Komisioni Statutor dhe Komisioni Disiplinor. Angazhimi dhe roli i komisioneve të brendshme është garant i rregullave e mjedisit të përshtatshëm të brendshëm.

Para Këshillit të Përgjithshëm, u prezantua edhe puna e Grupit Parlamentar të Lëvizjes. Deputetët e Lëvizjes vazhdojnë që me përkushtim përmes pyetjeve parlamentare, interpelancave e deklarimeve dhe nismave ligjore të mbartin zërin dhe interesat e qytetarëve në Kuvend.

Gjithashtu, para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm u raportua edhe për qeverisjen lokale në Prizren e në komunat tjera ku Lëvizja VETËVENDOSJE! është në bashkëqeverisje. Efektet e qeverisjes lokale të Lëvizjes si shërbim ndaj qyetarëve, mirëqeverisja, llogaridhënia e transparenca dhe përmbushja e zotimeve janë vlerat që do ta karakterizojnë angazhimin tonë edhe në nivel lokal.

Kontribo

24 01 2019

Homazhe në 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemal Vlorës

Me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së Ismail Qemal Vlorës, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti homazhe në nder të tij para shtatores së vendosur në Prishtinë. Ismail Qemal Vlora është guri i themelit i cili e plotëson dhe e përmbush mozaikun e idealeve të Rilindjes Kombëtare. Emri i tij identifikohet me shpalljen e shtetësisë shqiptare në botë. Shqipëria akoma nuk ia ka dalë të bëhet si Shqipëria e shpallur e pavarur nga Ismail Qemali.

Kryetari Albin Kurti pas homazheve foli për rëndësinë e kësaj figure dhe të ngjarjeve të kohës: “Dje është shënuar 120 vjetori i Besëlidhjes Shqiptare, i Lidhjes së Pejës, i Haxhi Zekës, si dhe përvjetori i vrasjes së tribunit dhe heroit tjetër kombëtar, Isa Boletini. Ndërsa sot, këtu para shtatores së Ismail Qemal Vlorës, erdhëm që të bëjmë homazhe me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së tij. Ismail Qemal Vlora është figura me të cilën identifikohet pavarësia e Shqipërisë së cilës i kanë paraprirë shumë kryengritje, shumë organizime, shumë luftra të përgjakshme, shumë vuajtje dhe humbje, gjithandje vilajeteve shqiptare të asaj kohe, të cilat synonin çlirim kombëtar, mëvetësi politike dhe ruajtjen e tërësisë territoriale”.

Kontribo

23 01 2019

Kryeministri përkulet para krimit të organizuar që ka mbërthyer Telekomin

Dje Qeveria e Kosovës, Kryeministri Haradinaj, në një akt të paprecedent autorizoi fillimin e procesit të privatizmit të Telekomit të Kosovës.

Aktualisht është në fuqi rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku qeverisë dhe kryeministrit i kërkohet të veprojë për të kundërtën. Pra për zhbërjen e kontratës kriminale me Z-Mobile dhe përfshirjen e profesionistëve në rimëkëmbjen nga kriza e qëllimshme ku e kanë futur Telekomin.

Në vend se të zbatonte pikë për pikë këtë rezolutë siç e kërkon ligji dhe Kushtetuta, Kryeministri Haradinaj u përkul para krimit të organizuar që ka mbërthyer Telekomin, ndërmarrjen publike me aksionerë 100% qeverinë e Kosovës, sektorin strategjik dhe fitimprurës.

Një përpjekje për privatizmin e Telekomit dështoi para 4 viteve pas denoncimit të pazareve me kompaninë Axos Gmh. Tani pas mbylljes edhe të procesit të arbitrazhit me këtë kompani Kryeministri Haradinaj, verbtazi po ecën hapave të Qeverisë Thaçi II.

Telekomi nuk duhet të privatizohet. Këtë nuk do ta lejojnë as qytetarët e Republikës së Kosovës as vetë punëtorët e Telekomit.

Kontribo

23 01 2019

TRIBUNË: 120 vjet nga Lidhja e Pejës – shqiptarët sot

Me rastin e 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës dhe Kuvendit Besa-Besë, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi në qytetin e Pejës tribunë për rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike ku në praninë e qytetarëve folën Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, profesorët e historisë Gazmend Rizaj, Zymer Neziri dhe Kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Pejë prof. Bashkim Lajçi. Po ashtu, përgjatë ditës Lëvizja bëri nderime në kullën e Haxhi Zekës në Leshan, në Mullirin e Haxhi Zekës në Pejë dhe në shtatoren e tij në qendër të qytetit.

Lidhja e Pejës është mbajtur 20 vite pas Lidhjes së Prizrenit me pjesëmarrjen e 500 patriotëve, intelektualëve dhe përfaqësuesve të të katër vilajeteve shqiptare nën drejtimin e Haxhi Zekës. Kuvendi Besa-Besë është një përsëritje e Lidhjes së Prizrenit, një përtëritje e vendosmërisë, organizimit dhe e vizionit të atdhetarëve shqiptarë për çlirimin, pavarësinë dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të trojeve tona. Kuvendi doli me një rezolutë 11 pikëshe për parandalimin e copëzimit të trojeve shqiptare, për organizimin e mendimit dhe të veprimit mbarëkombëtar për mëvetësinë politike, ndalimin e gjakmarrjeve dhe të përçarjeve brendashqiptare dhe për unifikimin e katër vilajeteve në një të vetëm me udhëheqje politike, fetare dhe me gjuhë shqiptare.

Lidhja u mblodh në kushtet kur Fuqitë e Mëdha nuk ishin të interesuara në prishjen e stabilitetit të rajonit dhe në shpërbërjen e Perandorisë Osmane për shkak të investimeve të shumta financiare dhe politike në këtë Perandori dhe për shkak të përllogaritjeve të tjera gjeopolitike. Organizimi i Lidhjes së Pejës shërbeu pikërisht për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe avancimin e hapave drejt pavarësisë së shqiptarëve nga Perandoria Osmane.

Organizime të tilla mbarëkombëtare nxjerrin në pah edhe ekzistencën e personazheve historik si Haxhi Zeka. Haxhi Zeka, ish-anëtar kryesie në Lidhjen e Prizrenit, pati rolin qëndror në bashkimin e përfaqësuesve nga të gjitha vilajetet shqiptare. Emri i tij është i pandashëm nga Lidhja e Pejës; asnjëri nuk do të njihej pa tjetrin. Tre vite pas Kuvendit Besa-Besë, Haxhi Zeka u vra befasisht, duke lënë një zbrazëti historike të atillë sa historianët mendojnë se historia e kombit tonë do të kishte rrjedhur ndryshe në rast se komploti i organizuar mbi të nga disa prej aktorëve ndërkombëtar të përfshirë në ngjarjet e kohës do të kishte dështuar. Sot, Kulla, Mulliri dhe Shtatorja e tij në Pejë janë kujtesa për këtë personazh dhe për këtë ngjarje qëndrore në historinë tonë.

Në fund të tribunës, Albin Kurti e vendosi Lidhjen e Pejës në kontekstin e kohës duke kujtuar punën kolektive të asaj kohe shoqëritë patriotike të mërgatës me kërkesat e tyre ndaj Portë së Lartë për të drejtat e shqiptarë. Po ashtu, përmendi botimin e veprës së rëndësishme “Historia e Skënderbeut” nga Naim Frashëri një vit para Lidhjes së Pejës dhe botimin e veprës së Sami Frashërit “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” në të njëjtin vit me organizimin e Lidhjes. Forcimi i pavarësisë dhe garantimi i tërësisë territoriale të Kosovës janë jehona e kësaj ngjarjeje historike në aktualitetin tonë politik. “Një metër/katror territor vlen më shumë sesa karriga e kryeministrit”, tha Kryetari Albin Kurti.

Ngjarjet si Lidhja e Prizrenit bëhen të padukshme pa përsëritjen e tyre përmes ngjarjesh si Lidhja e Pejës. Është gjithmonë përsëritja e të dytit ajo që e nxjerr në pah themelimin fillestar të të parit. Po ashtu, prej Lidhjes së Pejës kujtojmë se kalimi nga gjeopolitika e interesave të fuqive të mëdha në drejtësinë e pavarësisë dhe bashkimit të popujve të kolonizuar bëhet përmes deklarimeve, organizimeve dhe veprimeve kolektive çliruese. Lidhja e Pejës na kujton se historia nuk bëhet fshehtazi, me deklarata të paqarta dhe me veprim të çorganizuar.

Kontribo

23 01 2019

Homazhe te shtatorja e Haxhi Zekës

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti i shoqëruar nga deputetë e zyrtarë e aktivistë të Lëvizjes bënë homazhe tek shtatorja e Haxhi Zekës në Pejë për të nderuar jetën dhe veprën e prijësit të Lidhjes së Pejës dhe luftëtarit të madh të çështjes shqiptare.

Kontribo

23 01 2019

Vizitë te Kulla dhe Mulliri i Haxhi Zekës

Në shënim të 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës dhjetëra anëtarë dhe aktivistë së bashku me zyrtarë nga qendrat e Lëvizjes anë e mbanë Republikës së Kosovës dhe deputetë të prirë nga Kryetari Albin Kurti vizituan Kullën e Haxhi Zekës dhe Mullirin e tij.

Më 23 janar të vitit 1899, Kuvendi Kombëtar Shqiptar mblodhi në Pejë delegatë të trevave shqiptare, përmes organizimit nga patriotë të shquar si Haxhi Zeka dhe Bajram Curri, dhe me mbështetjen e shoqërive atdhetare shqiptare që zhvillonin aktivitetin e tyre jashtë vendit. Punimet e Kuvendit zgjatën deri më 29 janar me tubime që në disa raste përfshinin deri në 500 pjesëmarrës. Kuvendi shpalli formimin e “Lidhjes së Pejës” nën shembullin e “Lidhjes së Prizrenit”, e cila ishte shtypur më herët me dhunë nga pushtuesit. “Lidhja e Pejës” kishte për synim organizmin edhe bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha viset për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit. Ajo themeloi menjëherë një ushtri dhe filloi punën edhe për pajtimin e gjaqeve dhe hapjen e shkollave shqiptare, duke marrë përkrahje të gjerë nga figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare si Sami Frashëri, Faik Konica, etj.

Kontribo

22 01 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE! shënon 120 vjetorin e “Lidhjes së Pejës”

Më 23 janar të vitit 1899, Kuvendi Kombëtar Shqiptar mblodhi në Pejë delegatë të trevave shqiptare, përmes organizimit nga patriotë të shquar si Haxhi Zeka dhe Bajram Curri, dhe me mbështetjen e shoqërive atdhetare shqiptare që zhvillonin aktivitetin e tyre jashtë vendit. Punimet e Kuvendit zgjatën deri më 29 janar me tubime që në disa raste përfshinin deri në 500 pjesëmarrës. Kuvendi shpalli formimin e “Lidhjes së Pejës” nën shembullin e “Lidhjes së Prizrenit”, e cila ishte shtypur më herët me dhunë nga pushtuesit. “Lidhja e Pejës” kishte për synim organizmin edhe bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha viset për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit. Ajo themeloi menjëherë një ushtri dhe filloi punën edhe për pajtimin e gjaqeve dhe hapjen e shkollave shqiptare, duke marrë përkrahje të gjerë nga figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare si Sami Frashëri, Faik Konica, etj. Prandaj, ajo u luftua si nga fqinjët ashtu edhe nga Perandoria Osmane, të cilët edhe pse në fund arritën ta shtypnin këtë organizim çlirimtar, nuk arritën dot t’ia shuanin jehonën dhe ta tretnin frymëzimin që i dha shqiptarëve anembanë në përpjekjen për liri. Sot, kur politikanë të ndryshëm kanë hedhur në pazar territorin e vendit, Lidhja na kujton se në situata historike shumë herë më të vështira, shqiptarët kanë ditur të organizohen në mbrojte të atdheut.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ju fton të merrni pjesë në aktivitet që do zhvillohen në Pejë, të mërkurën, më 23 janar 2019, në shënim të 120 vjetori të “Lidhjes së Pejës”:

Kontribo

16 01 2019

Nga rritja e pagave qeveritare te përshkallëzimi i grevave

Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes nënkryetares Fatmire Mulhaxha Kollçaku mbajti konferencë për media mbi grevën e punëtorëve të shëndetësisë. Prej më shumë se tre javësh, kirurgët në Qendrën Klinike Universitare po mbajnë një grevë me mbi 200 mjekë, të cilëve tani i është bashkangjitur edhe Ortopedia, Institutet Paraklinike dhe Spitali i Ferizajt.

Menjëherë pas formimit të saj, qeveria u sigurua që vendimin e parë të rëndësishëm të merrte atë për rritjen e pagave për veten e saj në një masë prej 100%. Ndërkohë, për ligjin për pagat për këtë vit nuk ka denjuar të parashikojë buxhet përkatës.

Fatmire Mulhaxha Kollçaku u shpreh se, “Kjo qeveri e ka sjellë buxhetin e vitit 2019 pa e projektuar brenda tij zbatimin e ligjit për paga dhe ligji nëse miratohet është e pamundur të zbatohet brenda këtij vitit sepse nuk ka buxhet për të”.

Greva e personelit mjekësor po zhvillohet në një kohë kur po mbahen edhe grevat e minatorëve dhe ajo e punonjësve të arsimit. Punonjësit e sektorit publik janë thellësisht të pakënaqur me mënyrën se si po trajtohet shteti dhe punonjësit e tij nga qeveria aktuale.

“E kanë nxitur këtë ortek të pakënaqësisë. Krejt kjo që po ndodh është pasojë e një vendimi të njëanshëm për rritjen e pagave për veten”, shtoi deputetja Kollçaku.

Ashtu siç është i planifikuar, pa buxhetin përkatës, ligji për pagat është një mashtrim. Qeveria do të duhet t’i shpjegojë mjekëve dhe qytetarëve se prej ku do t’i marrë mjetet financiare për plotësimin e kërkesave të tyre, në një kohë kur nuk është vendosur një buxhet për to. Pa buxhetin përkatës, ky ligj do të mbetet një copë letre.

Kontribo

15 01 2019

15 janar 1999 – Homazhe në Reçak

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti homazhe për 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, në të cilën u vranë 45 civilë e 11 ushtarë të UÇK-së. Qindra aktivistë të LV, anëtarë kryesie e depuetë, të kryesuar nga kryetari Albin Kurti në mëngjesin e sotëm bënë homazhe te kompleksi memorial në Reçak. Vrasjet në agimin e ftohtë të 15 janarit, përçmimi i trupave të të vrarëve dhe mohimi i masakrës nga forcat militare dhe shteti serb i tejkaluan kufijtë e plagëve të kombit tonë dhe u bënë për botën tmerri i takimit me një shteti që dëshiron një botë pa njerëzim. Dëshmia e këtij krimi mbi shqiptarët e nxorri në pah shtetin serb si kriminel kundër njerëzimit. Dëshmia e krimit të 15 janarit 1999 ishte vendimtare për ndërhyrjen e NATO-s.

Katastrofa të tilla historike vënë në dyshim edhe mundësinë dhe forcën për t’i shprehur përmes gjuhës dhimbjen e momenteve të tilla. Fjala duket e pamundur të dalë pas mësymjes së këtij lloj përbindëshi. Masakra të tilla e bëjnë të domosdoshme luftën për çlirim. Këto ngjarje në historinë tonë na tregojnë se pavarësia e Kosovës dhe bashkimi kombëtar janë shenjat e një njerëzimi që mbijeton në dritën e drejtësisë dhe nën darën e historisë.

Kontribo

14 01 2019

Greva që nuk e dëshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me grevën e mësimdhënësve që erdhi si rezultat i degradimit të arsimit dhe keqqeverisjes së Qeverisë Haradinaj.

Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! që është edhe Kryetar i Komisionit për Arsim në Kuvend, Ismajl Kureshi foli për mungesën e prioritizimit të arsimt nga kjo Qeveri që pashmangshëm ka çuar në këtë grevë. Për këtë ai shpjegoi se do të thërret mbledhje të Komisionit.

“Sikur Qeveria t’i kishte vënë në jetë vetëm dy pikat e para të rezolutës për arsimin të aprovuar para dy viteve në Kuvendin e Kosovës si: Rritja e Buxhetit dhe menaxhimi i drejt i tij dhe rritja e llogaridhënies, monitorimit dhe vlerësimit të performancës, sot arsimi nuk do të ishte këtu ku është”, tha Ismajl Kurteshi.

Sikur Qeveria tmos t’i rriste rrogat e veta dhe të mos i injoronte shqetësimet e SBASHK-ut, sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre. Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës.

Deputetja Arbërie Nagavci foli për projektligjin për pagat që është dhe arsyeja kryesore e grevave në arsim.

“Qeveria nga njëra anë merr vendime arbitrare dhe të papërgjegjshme duke i rritur pagën vetes jashtligjshëm, duke falur dhjetëra miliona euro nga buxheti i vendit pa asnjë kriter, duke stërmbushur kabinetin qeveritar me qindra këshilltarë, zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra, duke mbushur bordet e institucionet publike me militantë partiak, dhe nga ana tjetër nuk merret me zgjidhjen profesionale të problemeve dhe adresimin. Kjo Qeveri është fajtori kryesor për grevat që po ndodhin sot dhe për pamundësinë e fëmijëve që të jenë në kopshte e nxënësit nëpër shkolla”, tha Nagavci.

Disa nga problemet kryesore në sektorin publik në Kosovë janë kaosi me pagat e të punësuarve, pabarazia në paga për pozita ekuivalente, jotransparenca gjatë klasifikimit të pozitave, por edhe diskriminimi për kategori të caktuara. Është e papranueshme për ne që projektligji parasheh rritje të pagës për, deputetët, presidentin e qeveritarët përderisa kategori të caktuara të punëtorëve të arsimit rënditen me pagë më ulët madje edhe se shoferët dhe ata që punojnë si mbrojtje e afërt e qeveritarëve.

Presioni i prindërve dhe i gjithë shoqërisë duhet të jetë mbi Qeverinë për krijimin e kushteve, për mësimdhënie cilësore. Situata që e kemi sot në arsim, përfshi dhe rezultatet e fëmijëve tanë në testin PISA janë pasqyrë e degradimit që këto qeveri i kanë bërë arsimit, e ndërhyrjeve të mëdha partiake në të gjitha nivelet e shkollimit që nga çerdhet e deri në fakultete, që nga pas lufta e deri sot. Situata në arsim mund të përmirësohet, por jo me këtë përbërje të qeverisë e cila është e fokusuar të pagat e veta dhe ku Ministria e Arsimit është bërë çerdhe për punësimin e militantëve partiakë.

Kontribo

12 01 2019

Të zbatohet menjëherë Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për Telekomin

Në gjashtë mujorin e miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës të Rezolutës për Telekomin Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media për të rikujtuar moszbatimin nga qeveria të pikave të kësaj rezolute që dalin si obligim për Qeverinë Haradinaj.

Duke sqaruar secilën pikë të kësaj Rezolute, drejtuesi i Komitetit për Komunikimet elektronike dhe postare në LV, Fatban Bunjaku tha se “Qeveria Haradinaj dëshmoi për më shumë se një vit se ka plan për të kapur bordet e ndërmarrjes kryesore publike apo agjencive që menaxhojnë me asetet e vendit. U emëruan dhjetra anëtarë bordesh pa kompetencë profesionale, me kriterin partiak sipas partive të koalicionit. U dëshmua paaftësia e tyre por edhe vrulli i tyre për keqpërdorime. Bordet e AKP-së, KEK-ut, Trepçës, etj, bartin të njëjtat probleme në thelb me atë të Bordit dhe drejtuesve të Telekomit.

“Qeveria e ka populluar e i ka qarkulluar në Bord e në pozita menaxheriale, individë nga kontigjenti i militantëve, sipas ndarjes aktuale të pushtetit. E vuri në krye të Telekomit Gent Begollin, që në fillim na thoshte se kishte plane të mëdha, pastaj papritmas dha dorëheqje, për t’u zëvendësuar me z. Trim Musliun, e pastaj me z. Bedri Istrefin. Më pas, kryeministri na tha se për Telekomin nuk ka shpresë”, shtoi Fatban Bunjaku.

E vetmja pikë e Rezolutës që ka filluar të zbatohet është pika e pestë e Rezolutës ku obligohet Auditori Përgjithshëm që të fillojë auditimin e Telekomit. Mirëpo vet ky auditim është bllokuar pasiqë në krye të ketij funksioni është vendosur Shehide Qerimi-Lushtaku, gruaja e deputetit të PDK-së, Mergim Lushtaku.

Në anën tjetër Profesori Salem Lepaja foli për heshtjen që Qeveria po i bën kësaj Rezolute dhe vazhdimin e marrëveshjes së dëmshmë me Z-Mobile që po shkatërron Telekomin.

“Sot janë mbushur 6 muaj nga nxerrja e kësaj rezolute lidhur me situatën në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës dhe Rezoluta heshtet nga Qeveria derisa marrëveshja abuzive e Telekomit të Kosovës me kompaninë Z-Mobile vazhdon, pra vazhdon plaçkitja e Telekomit të Kosovës nga MVNO të cilën e kijoi vetë”, tha Salem Lepaja.

Qeveria e Kosovës nuk e ka patur të vështirë ta ndërprejë këtë kontratë shumë të dëmshme. Qeveria zotëron 100% të aksionëve të Telekomit të Kosovës dhe krejt çka duhet të kishte bërë Kryeministri për ta ndalur plaçkitjen, është të urdhëronte z. Valdrin Lluka, ministrin për zhvillim ekonomik, ta suspendojë këtë kontratë menjëherë.

Sot, pra bëhet gjysmë viti nga nxerrja e kësaj Rezolute në Parlamentin e Kosovës. Mirëpo rezoluta heshtet kurse kriza e orkestruar në Telekomin e Kosoves vazhdon të thellohet. Pse Kryeministri, me 35 këshilltarë nuk e kryen obligimin e tij? Pse nuk i raporton Kuvendit për masat e marra në Telekomin dhe Postën e Kosovës. Duke mos zbatuar rezolutën e Kuvendit, duke e injoruar Kuvendin, Qeveria e Kosoves nuk po i respekton themelet e Republikës sonë parlamentare.

Profesori Salem Lepaja po ashtu foli edhe sa i perket operatorit serb mts D.O.O., të cilët janë pajisur me licensë “të kufizuar” e që në realitet është e pakufizuar sepse nuk ka datë të caktuar për validetin e saj. Gjithashtu dihet se Operatori serb licensën për shërbime mobile e ka marrë në mënyrë joligjore pasiqë nuk është respektuar ligji për komunikime elektronike i Republikës së Kosovës.

Një problem tjetër është edhe implementimi kodit +383 që është obligim i operatorve të shërbimeve mobile dhe fikse në Kosovë, mirëpo është obligim edhe i ARKEP-it, si institucioni më përgjegjës për këtë çështje shumë të rëndësishme. Posedimi dhe jetësimi i kodit shtetëror është jetësim i sovranitetit në sektorin e komunikimeve elektronike në Rpubliken e Kosovës. Ne kërkojmë nga ARKEP angazhim më të përgjegjshëm në implementimit te kodit shtetëror +383.

Shkatërrimin e Telekomit do të mund ta kishin ndalur edhe dy zyrtarë tjerë duke e ndërprerë kontratën abuzive të Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafone.net L.L.C, përkatësisht Z-mobile, por nuk po e bëjnë, e këta zyrtarë janë: Prokurori i shtetit Aleksandër Lumezi dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Reshat Millaku, të cilët nuk e hetuan kurrë këtë kontratë kriminale. Pra Pokuroria e shtetit nuk po e zbaton rezolutën e Kuvendit, në një shtet ligjor e demokratik.

Duke kërkuar zbatimin e menjëhershëm të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për Telekomin ne kërkojmë hetim në tërësi të kontratës me Dardofon.net L.L.C. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të lejoj shkatërrimin dhe tjetërsimin e pasurisë kombëtare publike siç është Telekomi i Kosovës.

Kontribo

11 01 2019

Asnjë kërcënim nuk e ka ndaluar e as zmbrapsur Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me grafitet kërcënuese të shfaqura këto ditë në Prishtinë që kujtojnë vrasjen e aktivistit Astrit Dehari në burgun e Prizrenit.

Anëtari i Kryesisë dhe deputeti Liburn Aliu foli për grafitet e gjetura në natën e 9 janarit.

Më 5 nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit, vritet aktivisti jonë Astrit Dehari. Deklarimet e para ishin se ai ka konsumuar barna dhe ka vdekur. Pastaj u tha që ka kryer vetëvrasje se ka qenë I mërzitur. Thanë se ka mbytur veten me shishen e mjaltit të cilën e kishte gjetur në dhomë. Mjekët ligjorë deklaruan që vdekja ishte e dhunshme dhe se mundësia që kjo të ishte vetëvrasje ishte pothuajse e pamundur.

Disa ditë pas kësaj ngjarje që tronditi të gjithë, jo vetëm neve në Lëvizje po gjtihë shqiptarët kudo që gjenden, në një emision të jashtëzakonshëm, Baton Haxhiu në Klan Kosova prezanton një video, e cila thotë ai, dëshmon që meqë askush nuk ka hyrë në dhomën ku ka qenë Astriti, i bie që ai e ka mbytur veten.

Por, dikush u përkujdes të na e kujtojë edhe njëherë, që Astritin na e kanë vrarë në burg. Grafiti në objektin e teatrit, paraqet shishen me të cilën është vrarë Astriti në burg. Ne shishe shkruan: I’M NOT A GUN. Pra, unë nuk jam armë/revole.

Ne as nuk mund ta imagjinojmë se si ndihet familja e Astritit kur ta shohë këtë grafit, këtë formë bizare të rikujtimit të vdekjes.

Ky grafit në këtë kohë dëshmon 2 gjëra: dëshmon pranimin e vrasjes së Astritit dhe njëkohësisht ky mund të jetë kërcënim për vrasjet e tjera që i kanë në mendje. Por kur vjen ky kërcënim? Pse bash tash?
Ky pushtet ka provuar ta dobësojë LV-në në shumë forma dhe pasi u ka dështuar secili janë duke imagjinuar të reja.

Ky grafit dëshmon që ajo ka qenë pikërisht arma e vrasjes, sepse për çfarë arsye tjetër do të cekej që kjo nuk është armë. Ky grafit thotë se përdorimi i asaj shisheje do të vazhdojë sepse nuk është armë!

Ky grafit paralajmëron vrasje të reja, ndaj atyre që po ua prishim planet të cilët e kanë mbajtur të ngufatur këtë vend politikisht dhe ekonomikisht.
Kujtojmë se vrasjen e Astritit në burg e kishte paralajmëruar

Kryeparlamentari Kadri Veseli nga foltorja e Kuvendit. “Rujuni se po vrani vetën” pati thënë Kadri Veseli.

Po ashtu, duhet kujtuar se disa muaj më vonë prej vrasjes së Astritit edhe vdekja e Naser Makollit, dëshmitarit kryesor u konsiderua si e natyrshme.
Tash kur ky grafit është bërë në qendër të qytetit, saktësisht mbrapa Teatrit Kombëtar, Policia e Kosovës e ka në dorë ta gjejë lidhjen dhe të arrijë te vrasësit e Astrit Deharit. Shkrimi i atyre grafiteve duhet të hetohet menjëherë, me urgjencë.
Poashtu Policia e Prokuroria duhet të veprojnë menjëherë pas këtyre kërcënimeve.

Populli i Kosovës ua njeh atyre të gjitha krimet, por asnjë kërcënim nuk e ka ndaluar e as zmbrapsur Lëvizjen VETËVENDOSJE! e as nuk ndodhë as tash.

Kontribo

10 01 2019

Republikës së Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit

Është për t’u mbështetur vendimi i drejtë i marrë sot nga Presidenti Ilir Meta, për refuzimin e dekretimit të z. Gent Cakajt si Ministër për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë.

Dëshirojmë ta sqarojmë opinionin e gjerë publik se Cakaj ka qenë i anëtarësuar formalisht në Lëvizjen VETËVENDOSJE! para vitit 2011. Ne nuk e dimë datën e saktë të largimit të tij nga Lëvizja sepse ai nuk i ka dhënë asnjë shpjegim organizatës.

Në emisionin e datës 3 janar 2018, në Klan Kosova, drejtori Baton Haxhiu tregon se si e ka njohur Gent Cakajn që prej moshës 15 vjeçare, dhe se si e ka ndjekur më tej zhvillimin e tij. Kujtojmë se Haxhiu ka qenë bashkëpunëtor i UDB-së para dhe gjatë lufte, vartës i krerëve të saj, Jovica Stanishiq dhe Zoran Stijoviq, dhe i përfshirë direkt në planin për largimin e disa deputetetëve që u shkëputën nga Lëvizja VETËVENDOSJE! vitin e kaluar, pasi morën padrejtësisht mandatet e fituara në emër të Lëvizjes. Në planet e Baton Haxhiut, duket se Gent Cakaj ka shërbyer si pararojë e të ikurve. Në Prishtinë dihet ajo që thotë Baton Haxhiu se e ka angazhuar për vite të tëra Cakajn me pagë shumë të lartë që të bëjë analizën e sondazheve të cilat i porosit Haxhiu. Prandaj, Baton Haxhiu sot e kërcënoi Presidentin Meta me një reagim, sepse është i shqetësuar për fatin e investimit të tij shumëvjeçar.

Në të njëjtin emision televiziv, Gent Cakaj shfaq mbështetjen e tij për humbjen e 8.200 hektarëve që i ka ndodhur Kosovës përmes Marrëveshjes së padrejtë për “Demarkacionin” me Malin e Zi. Ai godet Komisionin e ri dhe profesional që u themelua pas kritikave të forta që mori marrëveshja. Cakaj deklaron: “Personalisht, nuk kam qenë askpak i bindur me punën e komisionit të ri, por unë nuk du tash të dal në rol të gjeografit brenda natës dhe të konstatoj ku është kufiri. Me aq sa kam kuptu logjikën e komisionit paraprak, gjithçka ka qenë konsistente me formulën dhe obligimet ndërkombetare.” Ai nuk del në rolin e gjeografit, por del në rolin e përmbaruesit që nuk merr parasysh asnjë prej argumenteve ligjore, diplomatike, shkencore, historike dhe aktuale që paraqiti Komisioni i ri, pas shkarkimit të Komisionit të z. Murat Mehës.

Më tej Cakaj deklaron: “Çeshtja është që normalizimi duhet të zgjidh dy çështje – rregullimin praktik të raporteve Kosovë-Serbi. Edhe nëse nuk presupozohet njohja, mosnjohja e Serbisë mos të manifestohet drejtperdrejt në terren”. Me këtë pozicionim, Cakaj del kundër qëndrimit zyrtar të Republikës së Shqipërisë edhe të Republikës së Kosovës, të cilat kërkojnë një marrëveshje që përfundon me njohje reciproke. Cakaj ka mbajtur një linjë në dëm të interesave kombëtare, dhe nuk nguron në intervistë as të shtyjë për idenë e zbatimit të një forme të “Zajednicës” në Kosovë.

Në datën 11 janar 2018, në intervistën e dytë të Cakajt në Klan Kosova me Baton Haxhiun, sqarohen disa qëndrime edhe më të rrezikshme. Aty ai mbron me të gjitha kapacitetet që ka idenë e Thaçit për copëtimin e Kosovës. Ai shkon aq larg sa merret edhe me ndarjen e aseteve të Trepçës, por përdor edhe shprehje si “Veriu i Mitrovicës, nëse mbet në Kosovë …”. Ai lë të nënkuptohet se nuk është kundër copëtimit të veriut dhe instalimit të një forme të “Zajednicës” në pjesët e tjerat të vendit.

Ne i vlerësojmë disa ide dhe politika progresive të Qeverisë Rama, si kalimi nga taksa e sheshtë te ajo progresive, vendosjen e shpërblimit për fëmijët e sapolindur, etj. Gjithashtu, e vlerësojmë edhe deklaratën e tij për pavarësinë e Kosovës në takimin e parë në Beograd me Vuçiqin në datën 10 nëntor 2014, por emërimi i Gent Cakajt ka qenë krejt i pavend.

Prishtinë, 10 janar 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

10 01 2019

Takim me Ambasadorin e Francës

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LV), Albin Kurti, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, pritën sot në selinë e LV-së Ambasadorin e Francës, Didier Chabert, dhe zv/Ambasadoren, Carole Blestel-Feffer.

Ambasadori tregoi interesimin për të folur për tema të shumta që kanë lidhje me situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, duke shprehur edhe një herë mbështetjen e Francës për shtetin e Kosovës.

Kryetari Kurti, theksoi nevojat e mëdha ekonomike dhe sociale që kanë shtresa të ndryshme të popullit në Kosovë, nga punësimi e deri të investimet, dhe se si ka dështuar modeli ekonomik në linjën e të cilit po ecën qeveria aktuale. Ai më tej theksoi edhe një herë domosdoshmërinë për t’u mos u ngutur e për të mos bërë gabime në dialogun me Serbinë. Duhet t’ia nisim nga vlerësimi në Kuvend i marrëveshjeve të arritura deri më sot, dhe ky vlerësim po ndalet me qëllim nga Kryetari i Kuvendit. Më tej, Kryetari Kurti shpjegoi për mungesën e legjitimitetit demokratik të ekipit negociator dhe të qeverisë, si dhe për nevojën për të mbajtur zgjedhje të parakohshme nga të cilat do të dilnin institucione legjitime dhe demokratike.

Takime të tilla do vazhdojnë të mbahen edhe në të ardhmen.

Prishtinë, 10 janar 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

09 01 2019

Gjashtë muaj nga Raporti qeveritar mbi dialogun – ende nuk po diskutohet në Kuvend

Gjashtë muaj u bënë sot prej kur Raporti i Qeverisë së Kosovës mbi Arritjet dhe Sfidat në Zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit arriti në kutitë e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ishte data 9 korrik 2018 ajo ditë kur raporti qeveritar me 41 faqe mbi 33 marrëveshjet e dialogut me Serbinë përgjatë viteve 2011-2017 iu dorëzua përfaqësuesve të popullit. Mirëpo, plot gjysëm viti më vonë, edhe sot e kësaj dite, ky Raport ngelet i bllokuar. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nuk e fut në agjendë parlamentare dhe nuk e sjell në seancë plenare për shqyrtim siç bëhet zakonisht me Raportet e Qeverisë. Kjo është e qëllimshme. Dhe, qëllimi nuk është i mirë. Përkundrazi.

Kontribo

08 01 2019

Takim me Ambasadorin e Zvicrës

Sot, në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Albin Kurti zhvilloi një takim me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z. Jean-Hubert Lebet. Gjatë takimit, z. Kurti i prezantoi ambasadorit qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbi situatën e përgjithshme në Kosovë, dhe, veçanërisht mbi zhvillimet e fundit politike që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë.

Në takim u bisedua edhe për gjendjen e rëndë ekonomike në vendin tonë dhe korrupsionin e lartë. Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin Lebet me programin e Lëvizjes dhe propozimet tona për të dalur nga kjo krizë duke stimuluar zhvillimin ekonomik për krijimin e vendeve të punës si dhe për shtetin e së drejtës i cili e mban ligjin mbi politikën. Po ashtu u diskutua edhe për rëndësinë e marrëdhënieve sa më të mira mes Kosovës dhe Zvicrës si dhe mundësitë për ta thelluar e zgjeruar bashkëpunimin në interes të ndërsjelltë të dy vendeve.

Në fund të këtij takimi të dyja palët u dakorduan për vazhdimin e komunikimit dhe të takimeve të rregullta.

Kontribo

07 01 2019

Negociatat pa përfaqësim dhe pa kushte thellojnë kompromiset

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me mospërfaqësimin e Kosovës Lindore në negociata me Serbinë. Në konferencë foli deputeti dhe anëtari i Kryesisë Liburn Aliu, i cili komentoi takimin e paralajmëruar të mbahet nesër në Bruksel mes të ashtuquajturit ‘delegacion shtetëror’ dhe ndërmjetësuesve të bisedimeve.

Duke u mbështetur në rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës, ku nuk figuron fare fjala reciprocitet, ‘delegacioni shtetëror’ po e thellon këtë proces dialogu disa vjeçar në të cilin Kosova vazhdimisht ka bërë kompromise me kërkesat e Serbisë ndaj saj.

Për të vënë në pah përmasën mospërfaqësuese të delegacionit deputeti Aliu u shpreh, “Si bëhet që në të ashtuquajturin ‘delegacion shtetëror’ të Kosovës kemi aq shumë përfaqësues partish që s’e kalojnë pragun zgjedhor, mirëpo aty nuk janë përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit? Pse në delegacion të mos jenë kryetari i Preshevës, kryetari i Bujanocit, kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, dhe asamblisti shqiptar në Medvegjë?”

Edhe në vetë letrën dërguar Presidentit Thaçi, delegacionit të Kosovës dhe Shefes së politikës së jashtme të BE-së nga disa prej përfaqësuesve politik të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit mungon kërkesa për t’u bërë pjesmarrës në dialog dhe kërkesa e mëhershme për reciprocitet. Madje, edhe mbi idenë e bashkimit të Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës Presidenti dhe përfaqësuesit e Luginës nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje për këtë ide të dakortësuar mes tyre.

“Thaçi në konferencat për media në Prishtinë e përmend Kosovën Lindore, por jo me diplomatët perëndimorë. Me ata flet për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë, sikurse që bëri në takimin me ambasadorin amerikan në Berlin në fund të dhjetorit 2018. Në Atlantic Council në Washington D.C., në kryeqytetin e ShBA-ve, për plot 55 minuta ligjëratë dhe pyetje-përgjigje, asnjëherë nuk e përmendi, se lëre më ta trajtojë, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Thaçi me Vuçiqin flet për veriun e Kosovës e për Rusinë. Por asnjëherë nuk ia kërkoi atij Kosovën Lindore që mbahet e shtypur, e diskriminuar dhe e shfrytëzuar pikërisht nga shteti i Serbisë në krye të së cilit është Vuçiq”, tha deputeti Liburn Aliu.

Po ashtu, edhe në draft marrëveshjen finale të kryeministrit Haradinaj nuk përmendet çështja e shqiptareve të Luginës dhe reciprociteti me Serbinë. Kjo draft marrëveshje iu dorëzua znj. Mogherini duke i bërë të qartë gatishmërinë për kompromis të mëtejshëm ndaj Serbisë dhe mosinteresim për shqiptarët e Luginës. Presidenti dhe i ashtuquajturi ‘delegacion shtetëror’ përfaqësojnë më shumë vullnetin për pushtet sesa vullnetin e përgjithshëm të shqiptarëve.

Kontribo

06 01 2019

Lëvizja në rrugë të mirë për t’u bërë subjekti i parë

Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Besnik Bislimi ka prezantuar në një konferencë për media rezultatet e anketës së realizuar në periudhën 11 – 18 dhjetor 2018 nga UBO Consulting. Sipas kësaj ankete, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin tani, LV do të merrte 22.6% të votave kurse LDK 27.1%.

Po të përkthehej në ulëse në parlament, i bie që LV dhe LDK do të merrnin bashkë 56 ulëse, në raport me 44 për subjektet e tjera politike. Kjo është me rëndësi që të shihet se sa është numri i atyre qytetarëve që përmes të deleguarve të tyre në parlament nuk e mbështesin mënyrën se si po udhëhiqet dialogu tani dhe nuk e mbështesin as ekipin negociator. Personat që e përbëjnë këtë ekip kanë më pak se nga 5 përqind. Nënkryetari Bislimi duke thënë se ata nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën në dialog, u shpreh për ta se janë të unifikuar rreth korrupsionit apo ‘Grupi i sfidës për kalimin e pragut zgjedhor’.

Ndërkaq, sipas anketës kandidati më i përshtatshëm për Kryeministër është Albin Kurti. Në këtë përgjigje është duke prirë në vazhdimësi që prej muajit mars.

Rezultatet e anketës janë edhe përgjigjia më e mirë për kryetarin e PDK-së Kadri Veselin i cili ka deklaruar se dy partitë më të mëdha po i frikohen zgjedhjeve. PDK-së mund t’i lëverdisin zgjedhjet që ta ndalë rënien e saj meqë shënon rezultatin më të dobët që nga viti 2008. Votat që po humbin nga PDK, janë duke shkuar tek AAK-ja dhe NISMA dhe problemet e koalicionit po e shtyjnë Kadri Veselin të bëjnë deklarata të pamatura.

Kadri Veselit mund t’i njihet një kredit: kur thotë se LV-së nuk i levërdisin zgjedhjet. Në fakt, LV është duke u rritur vazhdimisht dhe është në rrugë shumë të mirë për t’u bërë subjekti i parë politik. Por, LV nuk bën kalkulime për interesa vetanake dhe jemi shumë të interesuar që sa më parë të ndërpritet kjo keqqeverisje dhe të shkojmë në zgjedhje.

Kontribo