Thellësisht mirënjohës e falënderues përherë ndaj anëtarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Dje së bashku me Albulenën dhe Beharin, shpalosëm platformat tona për strukturat e reja, GVV dhe RVV, si dhe atë për rizgjedhjen time kryetar të Lëvizjes sonë të gjerë me drejtim progresist e organizatë të fuqishme:
Të dashur aktivistë,
Të dashur Behar dhe Albulenë,
E nderuara familje Dehari, Xheladini, Balaj,
Të nderuar deputetë të Kuvendit dhe ministra e zëvendësministra të qeverisë,
Zëvendëskryeministre Rexhepi,
Bashkëkryetar i Partisë Guxo, Faton Peci,
I nderuari Agon Dobruna nga Alternativa për Kosovë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Siç dihet, kjo është hera e parë që unë vij për të kërkuar besimin tuaj për t’u rizgjedhur në krye të organizatës sonë duke qenë njëkohësisht Kryeministër i shtetit tonë.
Në tetor të vitit 2019 dolëm të parët për herë të parë. Në shkurt të vitit 2021 u bëmë shumicë për herë të parë. E këtë të premte bëhen një vit e gjysmë që jemi në drejtimin e Republikës sonë. Periudha nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit e deri më sot ka qenë e mbushur me sfida por edhe me suksese. Ne të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke qenë aktivistë në lëvizje të vazhdueshme që nga themelimi i organizatës sonë, i njihnim mirëfilli hallet e shoqërisë e të popullit tonë. Por, siç e dini, përgjatë kësaj periudhe u desh të përballemi edhe me sfida që pakkush mund t’i parashikonte. Në këtë mes veçohen pandemia COVID-19 dhe agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën që shkaktoi krizë energjetike e ekonomike pa harruar edhe ndryshimet evidente klimatike. Të dyja kanë prodhuar pasoja të rënda si për shëndetin publik ashtu edhe për ekonominë e vendit tonë. Fati ka dashur që të dyja këto të koincidojnë me bërjen tonë organizata më e madhe politike në vend dhe me marrjen e drejtimit të shtetit nga ana jonë. Sigurisht, këto nuk janë sfida vetëm të vendit tonë—ato janë globale. Sidoqoftë, ne jemi përgjegjës vetëm për vendin tonë. Duke qenë shtet i ri e shoqëri jo edhe gjithaq e zhvilluar, ne goditemi nga pasojat e këtyre krizave globale shumë më tepër se ç’mund të preken shoqëritë e shtetet më të zhvilluara të kontinentit tonë. Duke qenë një organizatë e ngjizur në aksion të drejtpërdrejtë, unë besoj se ne jemi më të duhurit për të qenë në udhëheqje të vendit në këto kohë kritike. Detyra jonë është që t’ia dëshmojmë popullit që duke na besuar neve, ai ka bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme.
Ashtu siç dje ishte kushti i fitores sonë të paparë zgjedhore, organizata jonë politike është sot kushti i suksesit tonë në qeverisje. Pa organizatën, qeverisja jonë e humbet kontaktin me popullin, kontakt që është jetik për të pasur një qeverisje të popullit, nga populli, e për popullin. Prandaj është kaq e rëndësishme që të mos e lëmë pas dore organizatën e Lëvizjes. Duke u kujdesur për mbarëvajtjen e punëve të saj, ne sigurohemi që besimi plebishitar që na u dha më 14 shkurt të vitit të kaluar të mbetet vetëm delegim i vullnetit popullor e kurrsesi tëhuajësim i tij. Organizata është hallka që garanton besnikërinë tonë si përfaqësues të popullit.
Sot kërkoj votëbesimin tuaj edhe për katër vite të tjera në krye të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në prag të zgjedhjeve të së dielës së 25 shtatorit. Platforma ime programore për periudhën 2022-2026 është e mbështetur në këto pika themelore: (1) Rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja; (2) Rritja e anëtarësisë së vajzave dhe grave; (3) Krijimi i kohezionit midis brezave, grupeve shoqërore, e botëkuptimore; (4) Forcimi i shkollës politike dhe dimensionit ekzekutiv të saj; (5) Promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat; (6) Përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për Zgjedhjet lokale 2025; (7) Përgatitja e Platformës politike për mandatin e dytë të Qeverisjes; (8)Rritja e rrjetit të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë; (9) Angazhimi i studentëve dhe profesionistëve në organizatën politike të Lëvizjes; (10) Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ai jashtë shtetit e brenda kombit tonë. Le t’i marrim me radhë.
1. Rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja
Ne jemi një shoqëri e popullsi të re. Të dhënat demografike dëshmojnë se mosha mesatare në vendin tonë është 31 vjeç. Organizata jonë duhet ta pasqyrojë këtë fakt. Çdo vit rreth 25 mijë të rinj të vendit tonë mbushin 18 vjet, që është mosha kur ata bëhen qytetarë aktivë me të drejtë vote. Si organizatë, ne duhet të jemi aktivisht në komunikim me moshat e reja. Socializimi më i rëndësishëm politik fillon gjatë shkollës së mesme. Pa i folur rinisë së vendit tonë dhe brengave të tyre, ne nuk mund të mbetemi as forcë udhëheqëse e as forcë e të majtës progresiste. Lëvizja jonë ka qenë tradicionalisht një vatër e edukimit politik të rinisë. Siç dihet, nëpër qendrat tona gjithandej Kosovës, ne kemi ofruar zyrat tona si infrastrukturë edukimi. Aty janë mbledhur të rinjtë e të rejat për të lexuar e diskutuar libra, shikuar e komentuar filma, e kështu me radhë. Këto aktivitete nuk duhet të ndalojnë tani që jemi në pushtet. Si organizatë politike përkundrazi tani posedojmë mjete më të mëdha financiare se kurrnjëherë më parë që të vazhdojmë me këtë mënyrë tonën. Ato duhet t’i përdorim për të pajisur qendrat tona gjithandej vendit tonë me biblioteka të pasura ku të rinjtë mund të huazojnë libra e t’i lexojnë ato. Qendrat tona duhet të organizojnë grupe leximi që takohen rregullisht për të diskutuar një libër të caktuar që është përzgjedhur si leximi i muajit. Qendrat tona duhet t’i pajisim me projektorë cilësorë për të shfaqur filma dokumentarë e artistik që promovojnë mendimin kritik dhe ndërgjegjen qytetare. Shkolla politike që organizojmë rregullisht në kuadër të organizatës sonë nuk duhet, sepse nuk mundet, të zëvendësojë këto aktivitete më të decentralizuara e më gjithëpërfshirëse. Aktivisti politik nuk e zhvillon as punën pa pasion e as kohën e lirë pa shije.
2. Rritja e anëtarësisë së vajzave dhe të grave
Ne jemi një shoqëri me tradita patriarkale. Kjo është një trashëgimi autoritare e kulturës sonë që duhet çmontuar. Siç theksonte Ukshin Hoti, patriarkalizmi është formë e pajustifikueshme autoriteti si mbi gruan ashtu dhe mbi të riun. Kjo është shumë me rëndësi të mbahet parasysh. Patriarkalizmi shtyp gratë, por ai gjithashtu helmon rininë si të vajzave ashtu edhe të djemve. Neve si socialdemokratë na takon që të prijmë në betejën për emancipimin e shoqërisë nga çdo lloj i shtypjes. Në këtë drejtim, duhet të vazhdojmë përpjekjet për të krijuar një organizatë mirëseardhëse për vajzat dhe gratë. Si edhe në sfera të tjera, edhe këtu duhet të prijmë përmes shembullit. Strukturat e Lëvizjes në të gjitha nivelet duhet të jenë vende ku vajzat dhe gratë ndjehen të sigurta për të dhënë kontributin e tyre. Shumë potencial i shoqërisë sonë mbetet i bllokuar për shkak të shtypjes patriarkale. Ne duhet të bëjmë çmos që këtë potencial ta çlirojmë. Jetojmë në kohëra të vështira, kur kemi simpati pa empati dhe empati pa solidaritet. Kjo betejë nuk fitohet vetëm. Gratë kanë nevojë në radhë të parë për njëra-tjetrën për të zgjeruar horizontet mendore të ngushtuara nga ideologjia patriarkale që kanë përthithur kaq gjatë. Në këtë drejtim, mbase do ishte një ide e duhur që gratë të organizonin grupe për ngritje të vetëdijes brenda organizatës sonë. Ato mund të nisnin në organizatën tonë e prej këtu të zgjeroheshin më tej në gjithë shoqërinë. Këso lloj grupesh u patën vërtetuar mjaft të suksesshme përgjatë valës së dytë feministe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1960-1980). Ndonëse gratë janë ato që duhet të prijnë në këto punë, atyre u duhet solidariteti i djemve dhe i burrave të cilët e kuptojnë se nuk ka burrë të lirë pa pasur grua të lirë. Organizata jonë ka nevojë për gratë si eksperte, mendimtare dhe aktiviste që kanë shumë për të na mësuar e për të kontribuar.
Në drejtim të krijimit të një ambienti mirëseardhës dhe të sigurtë për gratë, organizata jonë duhet të kujdeset për përfaqësim të barabartë të grave në të gjitha nivelet drejtuese. Gjithashtu, duhet të sigurohemi që gratë më të shtypura në shoqërinë tonë, ato të shtresës së mesme të ulët dhe të ulët, të jenë më të përfaqësuara seç kanë qenë deri më tani. Gruaja e varfër është dyfish e shtypur: si grua dhe si klasë ekonomike.
3. Krijimi i kohezionit midis brezave, grupeve shoqërore, e botëkuptimore
Ndonëse bëjmë pjesë në grupet e shteteve e shoqërive relativisht të vogla, jemi mjaftueshëm të mëdhenj për të qenë një shoqëri ku ekziston një shumëllojshmëri besimesh fetare, trashëgimish etnike e kombëtare, grupesh shoqërore, e botëkuptimesh fetare apo laike mbi botën dhe natyrën njerëzore. Si socialdemokratë duhet të vëmë theksin te solidariteti qytetar, jo thjesht te toleranca ndër-njerëzore. Dallimet janë aty dhe ato mund të pasurojnë debatin tonë shoqëror dhe politik, por ato kurrsesi nuk duhet parë si barriera natyrore që u dashka shndërruar në mure të patejkalueshme shoqërore midis nesh. Sigurisht, shteti duhet të jetë i paanshëm, pra as të favorizojë as të pengojë grupet shoqërore të organizuara në bazë të botëkuptimeve të ndryshme fetare apo laike. Kjo është tejet e rëndësishme për ruajtjen e paqes shoqërore. Por jashtë kornizës formale shtetërore, si mendimtarë dhe aktivistë socialdemokratë ne duhet të promovojmë bashkëpunimin qytetar mes njerëzish të feve, etnive, klasave, e botëkuptimeve të ndryshme. Tjetri nuk duhet parë si kufiri i lirisë time por si kushti i mundësisë së lirisë time. Natyrisht, ne jemi një parti socialdemokrate. Si të tillë nuk mund të jemi ideologjikisht gjithëpërfshirës. Por ajo që mund dhe duhet të bëjmë është të rrisim llojllojshmërinë socioekonomike e botëkuptimore të qytetarëve me pikëpamje politike të majta që aderojnë në organizatën tonë. Duke bërë kështu, ne ofrojmë organizatën tonë si shembull të kohezionit shoqëror që na duhet gjithandej shoqërisë tonë. Social-demokratët nuk janë njerëz të njëjtë dhe aq më pak janë të njëjta prejardhjet e tyre.
Në këtë mes, një sfidë e shoqërive moderne është edhe marrëdhënia mes brezave të ndryshëm. Në shoqërinë tradicionale, para revolucionit industrial, kohezioni mes brezave ishte gjë e natyrshme. Brezi më i vjetër ia kalonte brezit të ri dijen jetike për punimin e tokës dhe bashkë me të edhe doket e zakonet e tjera përcjellëse. Marrëdhënia pra karakterizohej nga respekti i të rinjve për njohurit e më të moshuarit. Kjo lloj marrëdhënie përmbyset me lindjen e shoqërive të industrializuara urbane, ku shkalla e ndryshimeve teknologjike bëhet aq e shpejtë sa nuk pret as ndërrimin e një gjenerate (përafërsisht 30 vite duhen për t’u ndërruar gjeneratat). Në këto kushte, bota e më të moshuarve dikujt i ngjanë se s’mund të ofrojë më dije të vyeshme praktike, thuajse dijet e tyre dalin jashtë përdorimi shumë shpejt dhe kjo mandej e intensifikon konfliktin mes brezave. Veç këtij fakti, duke qenë ne një shoqëri me shumicë dërrmuese të përbërë nga rinia, duhet të jemi posaçërisht të kujdesshëm jo vetëm në mbrojtjen dhe promovimin e interesave të më të moshuarve, por për hir të kohezionit mes brezave duhet edhe të gjejmë mënyra për të angazhuar përvojën e këtyre të fundit në dobi të shoqërisë ashtu që të rinjtë tanë të shohin se sa shumë ka për t’u mësuar prej më të moshuarve, përkundër paragjykimeve të epokës teknologjike në të cilën po jetojmë.
4. Forcimi i shkollës politike dhe dimensionit ekzekutiv brenda saj
Shkolla politike është vendi ku formojmë aktivistin tonë për të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Kurrikula që kemi në zbatim tani përbëhet nga tri nivele të ndryshme siç e dini të gjithë: niveli politiko-organizativ, niveli ekzekutiv dhe niveli teorik. Niveli politiko-organizativ shënjestron aktivistët e rinj që sapo i janë bashkuar Lëvizjes, dhe ndodhë në Qendrën përkatëse. Ai synon t’i pajisë ata me njohuri elementare mbi historikun e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qëndrimet e saj politike mbi temat më të rëndësishme për shoqërinë tonë. Niveli ekzekutiv ofrohet për bartësit e pozitave udhëheqëse në nivel të qendrave, përfshirë këtu asamblistët dhe drejtorët komunal dhe ka për synim t’i pajisë ata me njohuri për programin tonë dhe për administratën publike, sidomos në nivel komunal. Së fundi, niveli teorik, niveli më i avancuar, ka për synim përgatitjen teorike të aktivistëve tanë në fushat e shkencave sociale dhe të atyre humane, ashtu që ata dhe ato të jenë jo vetëm zbatues të programit tonë por edhe kontribuues në rimendimin e riformulimin e tij për të ardhmen.
Të gjitha nivelet kanë rëndësinë e tyre në formimin dhe emancipimin e aktivistit tonë. Synimi ynë në katër vitet e ardhshme duhet të jetë pasurimi i vazhdueshëm i kurrikulës të gjitha niveleve me material të ri dhe ligjërues të rinj. (Bibliotekat që duhet të ndërtojmë nëpër qendrat e Lëvizjes do të ishin në funksion edhe të mbështetjes së misionit të shkollës sonë politike.) Ndonëse synimi ynë duhet të jetë forcimi i gjithmbarshëm i shkollës, mendoj që vëmendja jonë duhet të përqendrohet sidomos te forcimi i nivelit ekzekutiv. Në këtë nivel formohet udhëheqësia e qendrave tona, të cilat janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarin dhe hallet e tij të përditshme.
Rregullisht duhet të organizohen debate gjysëmformale në Lëvizje ku ndonjëri bën një prezantim për një temë dhe mandej të tjerët diskutojnë hapur për të. Kafet, çaji dhe uji janë falas. Komitetet Profesionale dhe Shkolla Politike përfshihen në këtë. Shkolla politike edhe edukon përveçse arsimon. Idealet e përbashkëta tashmë nënkuptojnë moralin e idealistëve. Siç e thotë një autor, Alfred Adler-i, “I gjithë qëllimi i edukatës është të mbjellë në qenien shpirtërore të njerëzve kurajon dhe ndjenjën kolektive.”
Tash, ne e dimë se jo pak aktivistë tonë janë si nxënësit a studentët që dëgjojnë në klasë por nuk mësojnë aq shumë në shtëpi dhe përgjithësisht shkruajnë pak. Shkrimi e mundëson thellimin, strukturimin dhe sistematizimin e të menduarit. Nuk ka organizim politik pa mendim, ide, botëkuptim dhe ligjërim të organizuar, pra pa tekst.
Përveç social-demokracisë, fryma e përgjithshme e shkollës sonë politike duhet të jetë edhe kombëtariste. VETËVENDOSJE! duhet ta afirmojë Rilindjen Kombëtare, të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Ta riaktualizojë si frymë të përgjithshme dhe si shumësi tekstesh të rilindasve tanë, le të themi nga Sami Frashëri te Fan Noli.
Nga shkolla politike duhet dekonstruktuar tezat që qarkullojnë si thashetheme mediale në lidhje me qëllimin dhe karakterin e Lëvizjes sonë. Për shembull, teza të tipit “Lëvizja VETËVENDOSJE! është islamiste”, “Lëvizja VETËVENDOSJE! është populiste”, apo “Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër shtetit të Kosovës sepse është për bashkim kombëtar”. Këto dhe të tjera thashetheme duhet dekonstruktuar me kujdes e pastaj duhet përcjellë te qytetarët nëpër tubime me ta.
5. Promovimi i organizimit sindikal te punëtoria e sektorit privat
Në vendin e punës njeriu duhet ta ngrisë veten dhe shoqërinë. Të krijojë marrëdhënie solidare dhe të dinjitetshme me punëtorët e tjerë dhe jo konkurrencë deri në luftë për mbijetesë. Të jetë njeri punëtor, por edhe të jetë njeri duke qenë punëtor. Të mos i merren frytet e punës dhe as raportet njerëzore me të tjerët. Nuk mund të jenë rezultatet, frytet dhe meritat të pronarit e menaxherit, kurse kostoja e jetës si banimi, shkollimi, arsimimi e shëndetësia, përgjegjësi e vetë punëtorit. Në punë punëtori edhe merr pjesë në betejën për të drejtat e punëtorëve, e për drejtësi, barazi e për liri, e këtë për gjithë shoqërinë. Vendi i punës nuk duhet të varet nga vullneti a dëshira e menaxherit, profiti i pronarit apo fluktuimet në treg. Punëtori duhet të paguhet sa më shumë për punën që bën, e jo fare pak vetëm aq sa të vie edhe nesër në punë. Punëtori nuk është as mall e as hamall.
Në këtë frymë si Qeveri e kemi përpiluar një koncept-dokument për fondin sovran që ndër të tjera inspirohet nga modeli gjerman i bashkë-qeverisjes për firmat që do të jenë asete publike. Sipas këtij modeli, punëtoria merr pjesë në qeverisje të firmës krahas menaxhmentit. Ky model do të ndihmojë në demokratizimin e ekonomisë tonë, duke ofruar një model vetëqeverisës menaxhimi si një kundërpeshë e rëndësishme ndaj modelit hierarkik të korporatës private apo asaj shtetërore.
Si Lëvizje duhet të bëjmë më shumë në promovimin e sindikalizmit në radhët e punëtorëve të sektorit privat, aty ku shtypja është më brutale. Aktivistë tanë të talentuar duhet të angazhohen në përhapjen e ungjillit sindikalist te punëtoria e sektorit privat. Pa demokraci nëpër vendet e punës është tejet e vështirë të mirëmbahet demokracia në nivel të institucioneve formale të shtetit. Mbështetja e emancipimit të punëtorisë së sektorit privat është një mision që si socialdemokratë na takon ta mbështesim. Arritjet më të mëdha në favor të punëtorisë janë shënuar atëherë kur në qeverisje ka qenë një administratë miqësore socialdemokrate kurse në rrugë duke bërë kërkesa klasa punëtore—për shembull, kujtojmë kohën këtu të New Deal-it gjatë administratë së FDR-it gjatë administratës në ShBA.
6. Përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për zgjedhjet lokale 2025
Ndonëse performanca e organizatës sonë në zgjedhje komunale ka shkuar duke u përmirësuar me kalimin e kohës, ajo ende lë shumë për të dëshiruar. Shkaqet për këtë janë të shumta e të ndryshme. Sidoqoftë, përqendrimi ynë duhet të jetë në përforcimin e atyre faktorëve që janë nën kontrollin tonë. Në këtë mes, përgatitja e burimeve njerëzore dhe përpilimi i programeve që u flasin konkretisht problematikave të secilës komunë ku garojmë janë dy gjërat më të rëndësishme që janë në dorën tonë për t’u përmirësuar. Zgjedhjet komunale të 2025 janë më afër sesa që mund të mendojmë. Andaj përgatitjet e mirëfillta për to duhet të fillojnë që tani. Hulumtimi i problemeve komunale dhe rekrutimi i burimeve njerëzore të përshtatshme janë procese që marrin shumë kohë. Në të kaluarën shumë shpesh e kemi lënë kryerjen e këtyre detyrave për momentet e fundit, por siç thotë populli natën e Bajramit nuk mahet kurbani. Tash të gjitha partitë që kërkojnë ta ruajnë gjendjen ose ta kthejnë atë para shkurtit të vitit të kaluar natyrisht që do të bashkohen kundër nesh, le t’i quajmë ato parti të gjendjes, e ne jemi lëvizja e situatës.
Shumë shpejt duhet që për secilën komunë të themelojmë task forca të veçanta që do të kenë për mision hulumtimin e problemeve komunale dhe përpilimin e zgjidhjeve për to. Nëpër komuna, VETËVENDOSJE! duhet të bëjë edhe punë vullnetare, publike e sociale, për qytetarët pa dallim. Asisoj, me vepra konkrete lidhemi me popullsinë më shumë, i mobilizojmë ata për diçka shumë të prekshme (psh. pastrimi i lagjes) dhe e fitojmë mbështetjen e tyre që e përdorim sërish për ata. Kryetarët e komunave që udhëheqim dhe asamblistët tanë komunalë gjithandej komunave të Kosovës duhet të jenë bërthama e këtyre veprimtarive. Edhe aty ku jemi opozitë komunale asamblistët tanë duhet të jenë sa më aktivë në debatet që zhvillohen në asamble por edhe në komunikim të përditshëm me qytetarin e komunës. Konferencat e rregullta për media ku asamblistët tanë komunalë i informojnë qytetarët për qëndrimet dhe politikat e Lëvizjes për komunën e tyre janë të domosdoshme. Fytyrat dhe zëri i atyre që na përfaqësojnë në kuvendet komunale duhet të jenë shumë mirë të njohura për qytetarin, e jo që ai të njoftohet me to gjatë fushatës zgjedhore.
Nuk ka organizatë pa planifikim ditor, javor, mujor, stinor, vjetor, trevjeçar dhe pa planifikim konkret në të gjitha nivelet. Planifikimi kërkon imagjinatë të përcaktimit të objektivave, të përzgjedhjes së hapave dhe të përfytyrimit të arritjeve. Planifikimi është faktor mobilizues kryesorë i organizatës sonë.
7. Përgatitja e Platformës politike për mandatin e dytë të Qeverisë
Nga Manifesti te Programi Politik, nga Programi Politik te Alternativa Qeverisëse dhe së fundmi nga Alternativa Qeverisëse te Programi Qeveritar, ky është rrugëtimi konceptual i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i cili njëmend ka ndryshuar për shkak se është zgjeruar dhe është thelluar. Demokracia në institucione e në shoqëri, sovraniteti në shtet dhe territor, prodhimi e punësimi në ekonomi, drejtësia e ligji për barazi, kontributi e përkujdesja për mirëqenie, u patën radhitur në 20 kapitujt e Alternativës sonë Qeverisëse para gati një dekade, e që tash janë të përfshira në programin tonë qeveritar. Nga idetë te kritika, nga kritika te qëndrimet dhe nga qëndrimet te zgjidhjet programore.
Në alternativën me të cilën i fituam zgjedhjet kishim elaboruar gjerë e gjatë, shtetin republikan dhe sundimin e të drejtës, politikat fiskale dhe mbrojtjen sociale, sistemin pensional dhe sigurimet shëndetësore, punësimin dhe investimet, arsimin dhe shkencën, industrinë dhe bujqësinë, sektorin privat dhe ndërmarrjet e biznesit, mbrojtjen e vendit dhe sigurinë për qytetarët, politikën e jashtme dhe reciprocitetin, integrimin evropian dhe mërgatën, pushtetin lokal dhe planifikimin hapësinor, kulturën dhe trashëgiminë kulturore, edukimin dhe sportin. E këto i bëmë sepse se ne e shohim shtetin si Republikë dhe ne e duam shtetin si Republikë. Republika na mundëson që të jemi qytetarë me të drejta, punëtorë me mirëqenie, njerëz të arsimuar dhe banorë të shëndetshëm. Republika e Kosovës e shpallur më 2 korrik 1990 ishte Republika e Parë e Kosovës si republikë-për-rezistencë. Pavarësia e Kosovës e shpallur më 17 shkurt 2008 ishte Republika e Dytë e Kosovës që shpesh doli të jetë Republikë për shitje. Ne kemi nevojë për Republikën e Tretë të Kosovës që ta shpëtojmë Republikën si të tillë dhe ta avancojmë atë. Pra, për Republikën e Tretë si Republikë për drejtësi e bashkim, për demokraci e zhvillim, për barazi e mirëqenie. Kjo nënkupton reforma aq të thella sa që reforma transformuese, pra transformim të institucioneve të sistemit. Një punë që tashmë e kemi filluar por që duhet ta vazhdojmë fuqishëm edhe në mandatin e dytë qeverisës.
Platforma politike për mandatin e dytë qeverisës do të jetë më precize sepse e informuar nga mësimet dhe përvojat që kemi nxjerrë e do të vazhdojmë të nxjerrim përgjatë këtij mandati qeverisës.
Jemi zotuar që Shteti i së Drejtës, në konceptimin tonë, bën aktualizimin e vetëvendosjes, prej kushtetimit modern të shtetit tonë, ku burim sovraniteti duhet të jetë populli dhe vetëm ai, si në gjithë shtetet demokratike. Shteti i së drejtës duhet të jetë republikan dhe Republika duhet të jetë vlera më e lartë politike. Ajo simbolizon të përbashkëtën, terrenin e vetëm ku garantohet liria e përgjegjësia e individuales.
Shteti i Zhvillimit Ekonomik nuk ngelet spektator i tregut të lirë por angazhohet si faktor e aktor duke orientuar dhe nxitur ndërmarrje e sipërmarrje ekonomike që i sjellin vlerë të shtuar financiare dhe materiale vendit tonë. Prodhimi bujqësor, industrial e zejtar duhen ndihmuar e përkrahur nga qeveria që të rriten eksportet, të zëvendësojnë e zvogëlojnë importet, të rrisin punësimin e qytetarëve e gjithashtu edhe akumulimin e kapitalit.
Shteti i Mirëqenies Shoqërore është universal, pra, të gjithë ata që kanë të ardhura duhet të paguajnë taksa dhe të përfitojnë të gjithë ata që kanë nevojë; dhe, është edhe solidar, pra kontributi i gjithsecilit do të jetë në progresion me të ardhurat që përfiton d.m.th. ata që fitojnë më shumë, kontribuojnë më shumë për të mirën e përgjithshme.
Përderisa kujdesi shëndetësor dhe arsimimi varen kaq shumë nga të ardhurat dhe klasa shoqërore nuk mund të bëhet fjalë as për drejtësi e as për mundësi të barabarta. Shpatullat e fuqishme duhet të bartin më shumë peshë sesa shpatullat e dobëta. Mirëpo, paraprakisht, e gjithë ekonomia dhe shoqëria duhet të futet brenda ligjit e të formalizohet.
Zgjidhjen, Lëvizja jonë si ngahera e sheh në lëvizje të përbashkët politike e shoqërore të të gjithë qytetarëve drejt bashkimit organik të aspektit të së drejtës, të zhvillimit dhe atij social të shtetit. E kemi thënë qartë e saktë, e duhet ta përsërisim përherë, se Shteti i së Drejtës, Shteti Zhvillimor dhe Shteti Social janë të lidhura në jetë e në shoqëri, prandaj ne i paraqesim ato të bashkëlidhura në vizione dhe për institucione. P.sh. respektimi i ligjit për kohëzgjatjen e orarit të punës e rrit punësimin dhe rrjedhimisht mirëqenien. Kur njerëzit nuk punojnë më nga 10 a 12 orë në vend se të punojnë 8 orë, duhen punësuar më shumë punëtorë të rinj. Kësisoj, Shteti i së Drejtës dhe ai Social shfaqen bashkë. Ose, luftimi i evazionit fiskal rrit bazën tatimore e investimet serioze dhe kur kësaj i shtohet tatimi progresiv mundësohet shumëfishimi i mjeteve buxhetore që i dedikohen gjyqësisë dhe prokurorisë. Kësisoj, Shteti i së Drejtës dhe Shteti Zhvillimor shfaqen po ashtu bashkë. Ose, zvogëlimi i tatimit në të ardhura për punëtorët që inkuadrohen në sindikata dhe e paguajnë anëtarësinë aty, jo vetëm që e rrit organizimin e tyre dhe e zvogëlon shfrytëzimin, por edhe i nxit punëdhënësit për vizion më afatgjatë që stabilizon rritjen e ndërmarrjes dhe përfitimin e biznesit. Kështu, Shteti Zhvillimor dhe ai Social shfaqen bashkë.
Të nderuar të pranishëm,
Nuk ka demokraci pa Republikë dhe nuk ka demokraci pa socialdemokraci. Sepse në Republikë populli është burim i sovranitetit (për dallim prej monarkisë ku është mbreti) dhe popullsia është, në shumicën e saj dërrmuese, ose e varfër ose e klasës së mesme. Socialdemokracia angazhohet që të bëhet zhvendosja e balancit të fuqisë nga kapitali te puna.
Ky shtet i shumicës është i vetmi që mund të garantojë të drejtat e pakicave në kuptimin modern dhe evropian të fjalës. Çdo shtet i pakicës, qofshin ata politikanë shqiptarë që u bënë multimilionerë, qofshin ata burokratë ndërkombëtarë me fuqi ekzekutive e imunitet prej ligjit, qofshin ata përfaqësues të pakicave kombëtare me të drejtë vetoje bllokuese, pra çdo shtet i pakicës është pengesë për demokracinë dhe funksionimin si në drejtësi, po ashtu edhe në ekonomi e shoqëri. Ne këtë e kemi jetuar e përjetuar gjatë historikut të Lëvizjes tonë andaj e kemi mësimin e duhur, përvojën adekuate, që mos të na ngjajnë në të ardhmen zhvillime e dukuri të tilla.
Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet ta formulojë një platformë të re për mandatin e dytë qeverisës, ndonëse si frymë dhe orientim ideopolitik ajo duhet të jetë trashëgimtare e alternativës qeverisëse që na solli fitoren. Për të arritur te kjo platformë, na duhet një punë e madhe ekipore që kërkon bashkëpunimin e të gjithë neve, që nga aktivisti i pikës e deri tek anëtarë të Lëvizjes që janë bartës funksionesh qeveritare. Aktivisti i pikës na informon se cili në fakt ka qenë ndikimi praktik i politikave tona qeveritare në jetën e përditshme të qytetarit, ndërkohë që bartësi i funksioneve qeveritare na informon në detaje për mundësitë dhe kufizimet e kapacitetit tonë shtetëror që duhen pasur parasysh për të ardhur me një platformë sa më efektive dhe të zbatueshme.
8. Rritja e rrjetit të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë
Organizimi do të jetë me i përshtatshëm e edhe më produktiv me rregulloren e re të Lëvizjes VETEVENDOSJE! për Mërgatën. Qendrat tona do të kenë tashmë mundësinë për t’u organizuar në bazë të specifikave dhe të rrethanave të shtetit ku jetojnë bashkatdhetarët dhe secila Qendër do të përcaktojë qëllimet dhe synimet e saja. Kjo është një ndryshim i madh në mënyrën e organizimit tonë. Kështu do të bëhemi më praktikë me këtë mënyrën e re në organizim e më efikase në angazhim.
Rritja e shtrirja e Lëvizjes në mërgatë do të shërbejë si rrjetëzim i aktivistëve e strukturave për t’i identifikuar e organizuar kudo profesionistët që jetojnë në mërgatë, organizatat studentore, kulturore, për të rritur ndikimin politik në organet politike në shtetet ku jetojnë dhe në ato vendore, për të vendosur kontakte me institucione të rëndësishme në shtetet përkatëse e për të krijuar lidhje të shumta e të reja me ato shqiptare.
Si një organ i ri këshillues, Rrjeti i Qendrave në Mërgatë do të funksionalizohet duke krijuar kështu edhe një hapësire të re komunikimi midis qendrash për të shkëmbyer idetë e njohuritë, shkathtësitë e përvojat e tyre. Në organizatë perspektivat e këshillat e këtij organi do të trajtohen e do të çmohen përherë.
Rrjetëzimi i aktivistëve e anëtarëve nga njëra anë dhe nga ana tjetër përmes tyre i bashkatdhetarëve, profesionalistëve, shoqatave, institucioneve politike e jo vetëm, do të mirëmbajnë një komunikim të domosdoshëm e shumë të rëndësishëm midis nesh.
9. Angazhimi i studentëve dhe profesionistëve në organizatën politike të Lëvizjes
Pa studentët, protestat dhe organizimet, fushatat dhe entuziasmi i përgjithshëm i Lëvizjes nuk do të kishin qenë as për së afërmi të njëjtat. Ndërsa pa Lëvizjen, angazhimi dhe aktivizmi studentor do të kishte qenë i fragmentuar, e energjia e tyre po ashtu. Kemi nevojë ta mendojmë Lëvizjen si një vend ku ushtrohet një mënyrë tjetër e të studiuarit që i sprovon efektet e dijes në shoqëri. Universiteti është si një arkivë e stabilizuar dijeje universale, ndërsa Lëvizja vendi ku munden të mësojnë sesa i domosdoshëm është ky arkiv universal për vendin tonë. Lëvizja duhet të krijojë vendin ku studentët t’i rrinë besnikë dijes që marrin edhe jashtë universiteteve. Zyrat e Lëvizjes duhet të jenë vende studimi të problematikave shoqërore, lokale dhe qendrore; vende që ndërtojnë arkivën e tyre të diskutimeve dhe të analizave. Kemi nevojë për analiza, kritika dhe propozime të studiuara. Studimi i problematikave dhe ideve shpërfaq seriozitetin tonë në trajtimin e tyre. Pa studim, mbetemi abstraktë dhe të vagullt. Kush më mirë sesa studentët mundet ta përcjellë këtë punë studimore. Të studiuarit bashkë me të tjerët e ndërlidh dijen me politikën, universitetin me shoqërinë; ndërlidh prejardhjet, klasat, gjinitë, besimet dhe identitetet. Nëse në universitet të studiuarit ngelet individual dhe hierarkik, në Lëvizje duhet të jetë kolektiv dhe barazitar.
Pa profesionistët kritika e Lëvizjes do të vazhdonte të ishte e saktë, por abstrakte. Me profesionistët, mendimi i Lëvizjes është konkretizuar dhe imtësuar edhe më shumë. Pa Lëvizjen, analiza e profesionistëve do të kishte mbetur e izoluar, pa efekte konkrete shoqërore. Ka shumë profesionistë të mirë të shqetësuar për gjendjen e profesioneve, qyteteve dhe vendit të tyre që kanë kuptuar se nuk mund t’i zgjidhin ato pa e zgjidhur probleme më strukturore të shoqërisë sonë. Profesioni është vokacion, dije e aplikuar dhe etikë profesionale që kontribuon vetëm në një fushë të shoqërisë. Lëvizja duhet të jetë vendi ku ata mund ta ushtrojnë dijen profesionale dhe transformimin e mbarë shoqërisë. Kosovës dhe ne si aktivistë të Lëvizjes na duhet një organizatë ndërstudimore, ndërdisiplinore, dhe ndërprofesionale për t’i rrokur në kompleksitetin e tyre problemet shoqërore. Pa një qasje të tillë të hapur, do të mbetemi duke administruar dhe jo duke transformuar; do të përfundojmë në angazhime të befta, të pjesshme dhe arbitrare, pra në kinse angazhim. Shpesh, urgjenca e kalimit në zgjidhje dhe veprim, shpërfaq më shumë një dëshirë për ta hequr qafe problemin sesa brengosjen për trajtimin e tij. Duhet të kemi guxim të bashkëjetojmë me problemin deri sa ta zgjidhim atë.
Neve na duhet jo vetëm ta organizojmë lëvizjen sipas studimeve dhe profesioneve, por të shkojmë edhe më tutje, duke e organizuar sipas ndërthurjes së tyre. Vetë politika është vendi ku studimet, profesionet dhe problematikat shoqërore ndërthuren me njëra-tjetrën, bëhen pjesë e një të përbashkëte, trajtohen si pjesë e shoqërisë pa të cilën asnjëra prej tyre nuk do të kuptohej në plotninë e saj. Shkolla Politike, Forumet e Lëvizjes, Sekretariatet, Qendrat anembanë dhe Komitetet profesionale duhet të vazhdojnë traditën e organizimit të diskutimeve, ligjëratave, seminareve dhe punishteve në të cilat programi i Lëvizjes dhe problematikat shoqërore studiohen shtruar dhe plotësisht e seriozisht. Të gjitha degët studimore dhe profesionale do të konsiderohen si njëlloj të vlefshme. Vetëm barazia në dije dhe punë e zhvillon mbarë shoqërinë. Me studentë dhe profesionistë, me organizata, qendra dhe institute, Lëvizja mund të organizojë projekte të thella studimore dhe fushata të gjera tematike. Lëvizja duhet të angazhojë sidomos vajzat studente, sidomos të familjeve të varfra dhe periferike; të afrojë profesionistët e skajuar dhe inovativ; bashkë me studentët dhe profesionistët e mërgatës dhe trojeve që janë të banuara me shqiptarë. Studentët dhe profesionistët e freskojnë, zhvillojnë dhe thellojnë diskutimin e brendshëm, mendimin dhe praktikën e Lëvizjes. Në instancë të fundit, duke i afruar në Lëvizje, dëshmojmë se e kemi kuptuar potencialin emancipues dhe transformues të studimit, të profesionit dhe të politikës.
10. Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ai jashtë shtetit e brenda kombit
Shqiptarët në rajon jetojnë në trojet e tyre, dhe nuk janë pjesë e ndonjë diaspore të vjetër apo të re. Si pasojë, ata nuk mund të jenë subjekt i një organizimi të ngjashëm me atë të Qendrave të Lëvizjes në mërgatë, mirëpo nuk mund të organizohen as njësoj si organizimi i Lëvizjes sonë në Kosovë.
Lëvizja ka simpatizantë e mbështetës në trojet shqiptare në Ballkan që mund të vijnë nga parti e shoqata të ndryshme, dhe jemi të interesuar t’ju ndihmojmë atyre në organizimin tonë atje, në nivel përfaqësues, për të organizuar kontributin vullnetar të mbështetësve tanë, për t’i dhënë zë qëndrimeve të tyre e tonave, dhe për të mbështetur çështje e procese sipas programit tonë politik. Organizimi i mbështetësve tanë në vendet ku ata jetojnë nuk duhet konsideruar si ndërhyrje, por si një organizim vendor, autonom, i disa qytetarëve të atij shteti, të cilët mbështesin në aspektin ideor VETËVENDOSJE!-n dhe zbatojnë ligjet në fuqi.
Sa i përket marrëdhënieve me partitë, shoqatat e organizimet e ndryshme shoqërore të trojeve të banuara me shqiptarë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka për synim kultivimin e marrëdhënieve të mira, të hapura e transparente me të gjitha ato, si dhe nxitjes së bashkëpunimit për proceset e për çështjet ku pajtohemi e kemi qëndrime të përbashkëta.
Natyrisht, ne preferojmë marrëdhëniet me partitë e shoqatat, apo individët brenda tyre të cilët nuk i njohim si të korruptuar, si të përfshirë në privatizime zhvatëse e shkatërrim të pasurive kombëtare. Por formalisht, ne do të respektojmë mandatin dhe pozitën e gjithkujt, që rrjedh prej votës së publikut apo të anëtarësisë.
Bashkëpunimi ynë me partitë, shoqatat dhe organizimet e tjera shqiptare do të jetë multidimensional, në tre rrafshe të gjera:
• I pari është rrafshi kombëtar: për forcimin e faktorit shqiptar në Ballkan, në aspektet e sigurisë, prodhimit, demografisë, shëndetit publik, arsimit e kulturës, drejt një afrimi me shqiptarët teksa afrohemi me Evropën.
• Dy, është rrafshi i socialdemokracisë: në forcimin e të drejtave njerëzore do të bashkëpunojmë, mirëqenies publike, mbrojtjes sociale, rritjes ekonomike, kapacitetit për ballafaqim me kriza, etj.
• Dhe në rrafshin e drejtësisë: për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë ndërkombëtar e kombëtar, luftimin e sistemit ekonomik oligarkik, luftimin e krimit të organizuar dhe të mafias, e forcimin e shtetit të drejtë.
Për të arritur këto bashkëpunime, Lëvizja do të angazhojë strukturat e saj organizative të zgjedhura e të emëruara, forumet e saj rinore e gjinore, si edhe grupin parlamentar. Ndërsa fryma politike e bashkëpunimit me shqiptarët në troje do të çohet përpara edhe nga qeveria qendrore e qeverisjet lokale, kudo ku drejton Lëvizja jonë.
Sfidat me të cilat përballemi në Republikën e Kosovës e dimë që nuk janë as të izoluara e as të veçanta. Ndryshimet klimatike, pabarazia e manifestuar në forma të ndryshme, kriza energjetike, inflacioni i lartë e të tjera sfida përballohen vetëm në bashkëpunim e solidaritet me subjektet e tjera ndërkombëtare, me të cilat ndajmë vlerat e njëjta socialdemokrate.
Prandaj, thellimi i marrëdhënieve aktuale me partitë simotra e partnerët ndërkombëtare, krijimi i marrëdhënieve të reja dhe përfshirja në rrjetet ekzistuese ndërkombëtare, janë të një rëndësie tejet të madhe për VETËVENDOSJE!-n.
Në vitet e fundit kemi pasur përparim të dukshëm në këtë rrafsh. Pas anëtarësimit në Internacionalen Socialiste, në vitin 2020 Lëvizja VETËVENDOSJE! u bë anëtare edhe në Aleancën Progresiste, organizatë që përbëhet nga mbi 100 parti politike socialdemokrate nga e gjitha bota dhe mbi 20 organizata partnere. Tani, duhet të synojmë anëtarësimin në Partinë e Socialistëve Evropian, me ç’rast Lëvizja jonë hapë pothuajse të gjitha dyert ndërkombëtare sa i përket lëvizjeve e partive socialdemokrate në Evropë dhe në botë.
Synimi i kësaj përpjekje është ndërkombëtarizimi i kauzës sonë kombëtare dhe bashkëpunimi me subjektet socialdemokrate të rajonit dhe Evropës, për t’i rezistuar tendencave autokratike të cilat kanë zënë vend në një numër shtetesh në kontinentin tonë. Këto ndërveprime ndihmojnë edhe në ngritjen e kuadrove të Lëvizjes sonë, duke i ekspozuar ata ndaj përvojave dhe praktikave të partive simotra dhe të partnerëve ndërkombëtar.
Krijimi dhe mirëmbajtja e këtyre marrëdhënieve kërkon një organizim e strukturim të duhur brenda organizatës sonë. Për këtë arsye Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka bërë ndryshimet statutore për ta zbërthyer Sekretariatin për Marrëdhënie me Jashtë në dy sekretariate të veçanta e të ndara: I pari është dhe i dyti është Sekretariati për Zhvillim të Bashkëpunimeve. Sekretariati i parë, pra ai për Marrëdhënie Ndërkombëtare do të kujdeset për të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare të Lëvizjes tonë, ndërkaq ky i dyti për Zhvillim të Bashkëpunimeve do të kujdeset për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve me palët e treta brenda Republikës së Kosovës.
Me përfundimin dhe miratimin e Rregulloreve përkatëse për të dyja këto sekretariate dhe angazhimin e kuadrove të nevojshme në to, do të dinamizohet edhe më tutje prania e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në arenën ndërkombëtare.
Të dashur aktivistë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Kush flet pa e dëgjuar rininë, gabon. Kush flet pa i dëgjuar gratë, gabon. Kush flet pa i dëgjuar pleqtë, gabon. Kush flet pa i dëgjuar edhe qytetarët edhe fshatarët, po ashtu gabon. E kush flet duke i dëgjuar rininë, gratë e pleqtë, fshatin e qytetin, është zëri i shumicës, është zëri i të gjithëve që duhet ta dëgjojnë të gjithë. Është ky zëri i drejtë që nuk gabon, zëri i Lëvizjes, zëri i vetes suaj, zëri i vendimit tuaj, zëri i vetëvendosjes.
Më lejoni të falënderoj të gjithë dhe secilin prej anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për mbështetjen e pa kursyer gjatë gjithë këtyre viteve, dhe aktualisht që jemi këtu bashkë.
Më lejoni ta falënderoj kryesinë e Lëvizjes, nënkryetarët, Besnikun e Fatmiren, sekretaren Vloren, sekretaren për marrëdhënie me jashtë Mevlyden, kryetarin e Këshillit të Përgjithshëm Hydajetin, kryetarin e Kuvendit të Republikës Glaukun, dhe mbi të gjitha le ta falënderojmë së bashku atë aktivistin tonë të palodhshëm që nuk ia dimë as emrin e as mbiemrin. Pra, atë aktivistin që nuk ia dimë as emrin e as mbiemrin e të cilit ia dëgjojmë zërin dhe ia shohim fytyrën kur na duhet më së shumti dhe i cili mandej mungon kur vije puna të pozitat e te funksionet.
Është ai aktivist që është kushti i mundësisë tonë si Lëvizje, dhe e të qenit tonë bashkë do të thotë të jemi bashkë me atë aktivist, dhe ashtu bashkë të ecim përpara se sfidat janë të mëdha por asnjëra prej tyre e tillë që se tejkalojmë bashkë, kur jemi bashkë.
Le të angazhohemi pra bashkë me gratë për drejtësi, me rininë për zhvillim e me popullin për barazi. E kështu pra, VETËVENDOSJE! do të thotë Lëvizje e gjerë, struktura të reja, drejtim progresist dhe organizatë e fuqishme.
Ju faleminderit shumë!
Urime të gjithëve zgjedhjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, këtë të diel të 25 shtatorit. Na priftë e mbara.