09 01 2023

2022: Qeveria për rritje të mirëqenies

Mbështetje e vazhdueshme për qytetarët gjatë vitit që porsa lamë pas.

Ndamë shtesa për 30 mijë lehona dhe për 260 mijë fëmijë.

Brenda një viti, me dy Pako mbështetëm drejtpërdrejt rreth 800 mijë qytetarë të Republikës, pothuajse secilën familje.

1) Pako për Ringjallje Ekonomike
100 milionë euro

Dyfishuam asistencën sociale për rreth 26 mijë familje në muajin prill.

Ndamë nga 100 euro për rreth:
– 300 mijë pensionmarrës;
– 240 mijë punëtorë të sektorit privat;
– 74 mijë punëtorë të sektorit publik;
– 50 mijë studentë.

Shpërndamë afër 37 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë.

2) Pako për përballje me Inflacion 150 milionë euro

Dyfishuam asistencën sociale për mbi 24 mijë familje në muajin shtator.

Ndamë nga 100 euro shtesë për rreth:
– 290 mijë pensionmarrës;
– 12 mijë punëtorë të ndërmarrjeve publike;
– 51 mijë studentë.

Për 76 mijë punëtorët e sektorit publik ndamë nga 50 euro shtesë (shtator – dhjetor). Subvencionuam 50% të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat për 3 muaj.

Me skemën e punësimit “Qeveria për Familjet”, u punësuan 770 punëtorë.

Me masën 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse punësojnë gra.

Në vitin për personat me aftësi të kufizuara: u punësuan 239 persona (119 burra dhe 120 gra).

Subvencionuam:
– Tarifat e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët e bizneset që nga shkurti 2022;
– Faturat e energjisë elektrike për kursimtarët (mbi 200 mijë përfitues);
– Blerjen e pajisjeve efiçente për ngrohje për mbi 8 mijë familje.

Kontribo

16 12 2022

Liria dhe pushtimi nuk barazohen kurrë!

Liria dhe pushtimi nuk barazohen kurrë!

Salih Mustafa ka qenë luftëtar i lirisë. Ai bashkë me shokë e shoqe në UÇK u angazhuan për të mbrojtur kombin shqiptar të cilin Serbia dëshironte ta zhdukte prej Kosovës, gjatë viteve të pushtimit.

Dënimi i Salih Mustafës nga Gjykata Speciale me 26 vite burg është i papranueshëm për ne. Shpresojmë që në shkallën e Apelit ish-luftëtari Salih Mustafa të pastrohet nga akuzat, të cilat nuk po duket se kanë dëshmi e prova për përgjegjësitë e tij direkte.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është i vetmi subjekt politik që nuk e ka votuar themelimin e Gjykatës Speciale. Ne besojmë se Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje speciale e eksperimente, por për institucione normale si të çdo vendi tjetër. Edhe drejtësia jonë duhet të rrjedhë nga funksionalizimi i gjykatave normale e jo duke themeluar gjyqe speciale.

Mbi 12 mijë shqiptarë janë vrarë nga serbët e armatosur si ushtri, polici e paramilitarë. Mbi 20 mijë janë viktima të dhunës seksuale të përdorur si mjet lufte nga serbët. Ende të pagjetur janë 1653 persona, ndërsa në gjithë vitet e pasluftës janë zbuluar varreza masive me trupa shqiptarësh në Serbi. Mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale, fabrika të shqiptarëve janë djegur e shkatërruar nga serbët deri para çlirimit në 12 qershor 1999.

Vetë termi “spastrim etnik” u krijua në Serbi, si një lloj formule për të mos thënë gjenocid. E megjithatë vetëm 26 serbë janë dënuar për krime lufte. Millosheviqit nuk iu shqiptua dënim nga drejtësia ndërkombëtare. Në gjyqin e Stanishiqit, shefit të shërbimit sekret serb që themeloi paramilitarët dhe u përfshi direkt në gjenocid, pati ndikim politik që të mos dënohej rëndë.

Sot Serbia është e angazhuar në destabilizimin e Kosovës, duke sponsorizuar kriminelë që ngrenë barrikada e që lënë të vdesin nga mungesa e mjekimit vetë qytetarët serbë të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë çdo ditë me luftë duke përmendur kthimin e trupave ushtarake në Kosovë ndërkohë që provon ta destabilizojë edhe Bosnjen e Malin e Zi.

Prandaj na dhemb dhe e shohim si të papranueshëm dënimin që po i bëhet shqiptarëve si Salih Mustafa, të cilët atëherë po edhe tash janë gjithmonë në pozita mbrojtëse përballë agresionit. 

Barazimi i agresorit me mbrojtësin, relativizimi i të drejtës për çlirim e për rezistencë, janë gjëra që nuk do t’i pranojmë kurrë. Atdheun do ta mbrojmë gjithmonë, me çdo kush e me çdo mjet. Lëvizja VETËVENDOSJE! solidarizohet me çlirimtarët, familjet e tyre, dhe gjithë popullin tonë liridashës.

Kontribo

05 12 2022

Kongresi i 6-të i Partive të Gjelbra të Evropës

Këto ditë në Kopenhagë po mbahet Kongresi i 6-të i Partive të Gjelbra të Evropës. Çdo pesë vjet, Kongresi mbledh mbi 1000 përfaqësues të Gjelbër, kryeministra, ministra, deputetë, kryetarë komunash, asamblistë e deri te aktivistët bazë në partitë e gjelbra anëtare. Në këtë Kongres, Lëvizja VETËVENDOSJE! po përfaqësohet nga anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Fitore Pacolli.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka tronditur Evropën dhe botën. Ka nxitur shtetet të bashkëpunojnë drejt pavarësisë energjetike nga Rusia. Përdorimi i energjisë dhe ushqimit si vegla lufte ka ndikuar negativisht në Evropë dhe jashtë saj dhe mund të rrezikoj edhe unitetin evropian.

Prandaj tema qendrore e diskutimit në Kongres është roli i të gjelbërve në Evropë dhe sfidat që e presin muajve në vijim, duke filluar nga siguria energjetike dhe ushqimore, inflacioni e në të njëjtën kohë të vazhdojë të luftojë për drejtësinë klimatike pasi katastrofat klimatike rriten në frekuencë dhe intensitet.

Ky kongres do të jetë një moment vendimtar politik dhe strategjik për të bashkuar të gjelbërit evropian, aktivistë dhe vendimmarrës që të përballemi me krizat e shkaktuara nga lufta e Putinit në Ukrainë, si dhe njëkohësisht të rrisim përpjekjet për luftën kundër ndryshimeve klimatike, tranzicionin e drejtë dhe demokracinë.

Kontribo

05 12 2022

GJAKOVË, TAKIM ME QYTETARË: PREZANTIMI I BUXHETIT TË KOSOVËS PËR VITIN 2023

Më shumë se vitin e kaluar është planifikuar të jetë edhe buxheti për Komunën e Gjakovës i cili pritet të arrijë vlerën prej 31,558,422 euro.

Ndër të tjerash, për vitin e ardhshëm Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ndarë 11 milionë euro për zgjerimin e rrugës Dollc-Gjakovë. Mbi 2.5 milionë euro janë planifikuar në fushën e arsimit nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe 1 milion tjera në fushën sportit, kulturës dhe trashëgimisë, nga ministria përkatëse.

Kontribo

05 12 2022

PEJË, TAKIM ME QYTETARË: PREZANTIMI I BUXHETIT TË KOSOVËS PËR VITIN 2023

Përveç 6.6 milionë eurove që janë planifikuar për projekte infrastrukturore në komunën e Pejës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka planifikuar 1.55 milion euro për projekte në këtë komunë, që do t’i shërbejnë sportit dhe rinisë. Gjithashtu janë planifikuar edhe mjetet për finalizimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, sport ky që ka qenë kryefjala e sportit vendor tash e 15 vjet dhe në të cilin janë shënuar suksese historike.

Kontribo

05 12 2022

FERIZAJ, TAKIM ME QYTETARË: PREZANTIMI I BUXHETIT TË KOSOVËS PËR VITIN 2023

Bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kryeministri bashkëbisedoi lidhur me projektet e planifikuara për vitin 2023, nismat e reja dhe ato që po vazhdojnë, e që për qëllim kanë rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimin e Republikës sonë.

Kontribo

05 12 2022

PRISHTINË, TAKIM ME QYTETARË: PREZANTIMI I BUXHETIT TË KOSOVËS PËR VITIN 2023

Buxheti që i dedikohet qeverisjes lokale dhe komunave planifikohet të rritet për rreth 100 milionë €, nga 560 që ishte në vitin 2022 në 660 milionë € për vitin 2023. Për Komunën e Prishtinës, buxheti i planifikuar për vitin 2023 është mbi 109

Kontribo

05 12 2022

MITROVICË, TAKIM ME QYTETARË: PREZANTIMI I BUXHETIT TË KOSOVËS PËR VITIN 2023

Kryeministri Kurti tha se Buxheti i planifikuar për Komunën e Mitrovicës, për vitin 2023 është mbi 25 milionë euro, dhe së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati diskutuan më në detaje se si dhe ku është paraparë ndarja e buxhetit për këtë komunë.

Kontribo

05 12 2022

PRIZREN, TAKIM ME QYTETARË: PREZANTIMI I BUXHETIT TË KOSOVËS PËR VITIN 2023

Në Prizren, Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit 2023, pra 3 miliardë e 212 milionë euro, është më i larti në historinë e Republikës sonë. Kjo pasi përkundër sfidave e krizave globale, vitin e kaluar e kishim vitin më të suksesshëm në historinë e shtetit tonë, për sa i përket të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike. Edhe në vitin 2023, siç theksoi ai, mirëqenia, shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Kontribo

28 11 2022

110 pikturat e Rexhep Selimit për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Këtë 28 Nëntor, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizitoi Muzen Kombëtar për të parë ekspozitën personale të Rexhep Selimit “Në garë me botën gri”.

Frymëzuar nga trashëgimia e pasur shekullore shqiptare, pikturat e Rexhep Selimit ndër të tjera tregojnë atdhedashurinë dhe historinë e të kaluarës së shtetit tonë.

Ekspozita “Në garë me botën gri” do të jetë e hapur deri më 4 dhjetor 2022.

Kontribo

28 11 2022

Nëntori i Flamurit dhe Forcës

Nëntori është muaji që na kujton mundin, sakrificën, përpjekjen, luftën që kemi bërë si shqiptarë të jetuar të lirë e të barabartë mes kombeve të tjera. Nëntori i festës pra, na kujton që vetëm të bashkuar mund të zhvillohemi e të fuqizohemi për të qenë të lirë, të mosvarun, e të barbarët me të tjerë.

Për nder të 28 Nëntorit, festës kombëtare shqiptare, krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentarin Glauk Konjufca ishin për në Vlorë dhe tek busti i Adem Jasharit në Tiranë.

Në anën tjetër, Zv.ministri Bislimi e Zv.ministrja Rexhepi, Ministri Sveçla, Ministri Peci, Ministri Çeku, Kryetari i Qendrës Mitrovicë, deputeti Armend Muja bashkë me aktivistë vizituan Kullën e Isa Boletini në Boletin dhe deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! bashkë me aktivistë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare në Kosovë bënë homazhe te busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, te shtatorja e Ismail Qemalit, dhe te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë. Ndërsa një delegacion tjetër bëri homazhe në Lidhjen e Prizrenit.

Lavdi gjithë martirëve, dëshmorëve, heronjve tanë falë të cilëve sot gëzojmë atë që jemi dhe atë që kemi si shqiptarë.

Gëzuar Festat e Nëntorit.

Kontribo

24 11 2022

Deklarimi i Kryeministrit Kurti pas dakordimit në Bruksel sipas kërkesave të Kosovës

Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim, përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërkombëtare të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakordimi i cili shtetit tonë, që është normal e demokratik, ja bashkëngjit një raport normal e evropian me Serbinë, me fqinjin tonë verior. Një gjë e tillë nuk ishte e përfshirë në diskutimet e ditës së hënë, tash ajo figuron saktësisht dhe me një status të qartë në paragrafin e parë.

Të hënën në mbrëmje është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili i ka pasur 95 fjalë dhe fjalët Francë-Gjermani nuk kanë qenë askund, dhe nuk i referohen propozimit franko-gjerman pos çështja e targave. Ndërkaq kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë, është më shumë se dyfishi i tekstit. Janë krejtësisht të ndryshme.

Ata që thonë që ajo nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën nuk e dinë për çfarë po flasin. Është dyfish tekst më i madh ky i mbrëmshmi, dhe nuk është marrëveshje, është dakordim. Është deklaratë e Borrellit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë dhe kjo është shumë mirë.

Ne dëshirojmë që të krijojmë një masë elementare mirëbesimi për t’i dhënë shansë dialogut me shpejtësi dhe ai duhet të fillojë brenda disa ditëve ashtu thuhet në paragrafin e parafundit, dhe është shumë mirë që është përshpejtuar gjithçka. Ka pasur kërkesa nga Lajçaku që të shtyhet për 12 muaj e nga Escobari për 10 muaj, por unë besoj se kjo mund të bëhet dhe do të bëhet shumë më shpejt dhe qëndrimi ynë doli i drejtë.

Kur unë kam qenë gjatë bisedimeve të hënën, insistimi më i madh ka qenë që në dakordimin që bëhet deklaratë e Borrelit të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ata e shohin asociacionin si thelb të normalizimit, ne e shohim njohjen reciproke si thelb të normalizimit. Dhe është dallim i madh në mes të hënës dhe të mërkurës.

Ne nuk pajtohemi me të kaluarën por trashëgimia e qeverive të kaluara është shndërruar në pozicion zyrtarë të vetë Bashkimit Evropian. Pra, trashëgimia e marrëveshjeve është pozicion i BE-së. Prandaj edhe në deklaratën e Borrelit i keni ato.

Serbia e ka pranuar për herë të parë që emërtimet e qyteteve të Kosovës janë pjesë e jurisdiksionit territorial të Republikës tonë. Një hap i tillë është fundamental në drejtim të strukturave ilegale e paralele, dhe përfundimit të financimit të tyre në të ardhmen e afërt.

Kontribo

23 11 2022

Lëvizja VETËVENDOSJE! po merr pjesë në Kongresin e Internacionales Socialiste të Grave, në të cilën organizata jonë është anëtare

Aktivistet e Lëvizjes, anëtaret e Kryesisë së Gruas për VETËVENDOSJE! Tinka Kurti dhe Nazlie Bala po marrin pjesë në këtë kongres që është i XXII dhe këtë herë po mbahet në Madrid të Spanjës. Një feminizëm i gjithmbarshëm dhe plane konkrete të veprimit drejt barazisë ishin ato që u kërkuan nga politikane e aktiviste socialdemokrate prej anë e mbarë botës.

Gjatë punimeve të këtij kongresi janë ndarë përvojat e ngjashme të grave pavarësisht kontinenteve të ndryshme. Aktivistet tona të Lëvizjes kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë me pjesëmarrëset nga Ukraina. Është shumë e dhimbshme të shohim duke u përsëritur skenat e krimeve të cilat i kemi përjetuar vetë, si popull dhe si gra.

Në këtë Kongres janë miratuar edhe disa ndryshime në statut të cilat i kontribuojnë barazisë gjinore në këtë organizatë dhe angazhimit për të jashtë saj. Ndryshimet përfshijnë themelimin e Komitetit për Barazi Gjinore. Ky komitet do të përbëhet prej grave dhe po aq burrave. Kështu do të ndryshohet numri edhe në të gjitha strukturat për të garantuar barazinë gjinore përmes përfaqësimit të barabartë. Ky ishte një synim i vendosur prej kongreseve të kaluara ku Internacionalja Socialiste e kishte marrë vendimin historik për vendosjen e 50% të kuotës për strukturat e veta.

Në mes shumë diskutimesh dy rezoluta janë miratuar gjatë kongresit në Madrid. ‘Eliminimi i dhunës kundër grave – një strategji globale’ është rezoluta që vë theksin në shumë lloje të dhunës ndaj grave. Thirrja është që kjo të trajtohet si çështje politike në çdo parti, në çdo shtet dhe në tërë globin.

Rezoluta tjetër flet për gjendjen e grave dhe vajzave në Iran. Parulla ‘Gra, jetë, liri’ që po thirret në Iran është edhe titulli i rezolutës së miratuar nga gratë socialdemokrate por edhe theksi e synimi për angazhim.

Gjatë këtyre punimeve është zgjedhur gjithashtu kryetarja e re e Internacionales Socialiste të Grave, Janet Camilo nga Republika Domenikane. Znj. Kurti dhe znj. Bala kanë uruar kryetaren e re dhe nënkryetaret e sapo zgjedhura.

Barazia është qëllimi, feminizmi është rruga.

Kontribo

06 11 2022

Diskutimi: ’Përjetimet me Astritin si aktivist i Lëvizjes, student, shok e familjar i përkushtuar’’

“Sot, drejtësia në Republikën e Kosovës nuk matet vetëm me rastet e luftimit të krimit e të korrupsionit, nuk matet vetëm me krimet e kryera gjatë luftës, por matet edhe me rastin e mbytjes në burg të Astrit Deharit. Vendi ynë, shoqëria jonë, populli ynë, e ardhmja jonë, ka nevojë për prokurorë e për gjykatës që kanë dije, që kanë zell, që janë të gatshëm, që janë të interesuar për drejtësi. E qartazi sistemi ynë çalon. Mirëpo, ashtu siç Astrit Dehari nuk është ndalur asnjëherë deri në frymën e tij të fundit, ashtu nuk do të ndalemi as ne që Kosovën tonë të dashur, kombin tonë shqiptar, ta bëjmë ashtu siç e ka dashur Astriti jo për vete por për gjithë popullin e për brezat që do të vijnë. E ne këtë duhet ta vazhdojmë, duhet ta bëjmë. Pra, jo thjeshtë për veten tonë, as thjeshtë për Astritin, por për Arsën, për fëmijët tjerë të Kosovës, për fëmijët që ende nuk kanë lindur e që do të na trashëgojnë neve”, tha Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij të mbajtur në këtë diskutim kushtuar Astrit Deharit.

Në këtë diskutim krahas kryeministrit foli nëna e Astritit, veprimtarja e çështjes kombëtare, znj. Xhemile Dehari, e cila ndau disa përjetime nga mosha e hershme e Astritit, edukimi i tij, aktiviteti politik, dhe periudha e burgosjes. Kolegët për punën e tij në shëndetësi, ndihmën dhe gatishmërinë e Astritit për t’iu ndihmuar atyre në nevojë. Dhe shokët e shoqet e Astritit të shumtë në numër që ndanë përvoja me të nga aktivitetet sportive e rekreative deri te ato edukative e politike.

 

 

Kontribo

05 11 2022

Diskutim: ‘’Aktiviteti i Astrit Deharit në qendrën e Pejës, përvojat e bashkëpunëtorëve dhe aktivistëve me të’’

Astriti ishte i palodhshëm dhe i pandalshëm. Krahas angazhimeve të tij në Prishtinë, në Fakultet të Mjekësisë e në SKV, në Drejtori të Shëndetësisë, në Komitete dhe Nënkomitete të Shëndetësisë brenda LV, ai angazhohej edhe në forcimin dhe konsolidimin e Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër Kosovë. Një Qendër që ai e frekuentoi më së shumti ishte ajo e Pejës, ku bashkë me të tjerë arriti ta strukturojë dhe shtrijë në secilën pjesë të këtij qyteti Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Për të folur rreth angazhimit të tij në Pejë, sot në zyret tona atje, krahas shumë aktivistëve që ndanë përvojat e këtij bashkëpunimi me Astritin, ishin edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deputetja, Arjeta Fejza, përfaqësuesi i LV në KQZ, Sami Kurteshi, dhe Kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Pejë, Taulant Kelmendi, të cilët po ashtu ndanë përvojat e punës me Astrtin.

Kontribo

05 11 2022

6 vjet pa shokun tonë më të dashur, aktivistin, studentin, patriotin shembullor Astrit Dehari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministra dhe shumë deputetë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe familjarë, sot kanë bërë homazhe duke vendosur lule të freskëta te varri i Astrit Deharit i cili u vra 6 vjet më parë në burgun e Prizrenit ku po mbahej në paraburgim pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, dhe pa u marrë në pyetje për 68 ditë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka në zemër Astritin ashtu siç Astriti e kishte gjithmonë Lëvizjen VETËVENDOSJE! në zemër. Shembulli i punës dhe veprimtarisë së Astritit është ilustrim për secilin aktivist prej meje si kryetar e deri te ata që janë nëpër pika tona anembanë Kosovës e në diasporë, tha Kryeministri Kurti në prononcimin e tij para mediave.

“Astrit Dehari është aktivisti i Lëvizjes i cili nuk shuhet kurrë dhe i cili na bën që ne t’ia përkujtojmë vetes rrugën që kemi ndjekur për të ardhur këtu por edhe drejtimin që duhet të vazhdojmë ta mbajmë për të shkuar atje ku duhet për të mirën e shtetit, popullit, shoqërisë e të kombit tonë.”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kërkoi që prokuroria ta bëjë punën e saj pa vonesa në lidhje me rastin e Astritit. Neglizhenca ndaj këtij rasti është e papranueshme, nëse prokurori nuk e kryen punën e vet atëherë ai duhet të ndërrohet.

“Rasti Dehari është rasti më i rëndë në Kosovën e pasluftës pasi një aktivist politik me akuza të mveshura është mbajtur në paraburgim prej ku edhe nuk doli i gjallë. Si ministri e Drejtësisë të gjitha kompetencat që ndërlidhen me këtë rast i kemi përfunduar. Siç jeni në dijeni kemi suspenduar tre zyrtarë, kryeinspektorin e inspektoratit në ministrinë e Drejtësisë dhe dy zyrtarë që kanë pasë përgjegjësi gjatë kohës sa ka ndodhë ky rast. Raportin të cilin e ka përgatitur inspektorati ne e kemi dërguar në zyrën e Kryeprokurorit të shtetit dhe pastaj jemi njoftuar që i njëjti ka mbërritur te Prokurori Special që është duke hetuar këtë rast. Prokuroria duhet ta bëjë punën e saj pa vonesa sepse duhet të ketë Drejtësi për Astritin. Unë si ministre e Drejtësisë e kërkoj por edhe e gjithë shoqëria e kërkon këtë drejtësi”, tha ministrja Haxhiu.

Kontribo

30 10 2022

Viti i gjashtë i Turneut të futbollit “Astrit Dehari”

Turneu i futbollit “Astrit Dehari” që organizohet çdo vit nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në kujtim të jetës dhe veprës së aktivistit tonë, Astrit Dehari, u mbajt sot për të 6-tin vit me radhë.

24 ekipe aktivistësh prej Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! morën pjesë në këtë turne të futbollit të vogël duke nderuar kështu shokun, aktivistin, studentin e mjekësisë, njeriun me ndjeshmëri e punë të pandalshme për drejtësi e barazi, Astrit Deharin.

Turneun e fitoi ekipi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas.

Vendin e dytë e zuri ekipi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Malishevë.

Dhe, vendin e tretë, ekipi nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kaçanik.

Vlerat për të cilat u angazhua Astriti organizata jonë do t’i ndjekë përherë ndërkohë që ne aktivistë e Lëvizjes gjithmonë do të kujtojmë dhe angazhohemi në dritën e veprës dhe sakrificës së dëshmorëve që ranë për liri, barazi e drejtësi, ndër ta edhe Astrit Dehari.

Kontribo

25 10 2022

Kryeministri Albin Kurti, në Samitin e Ballkanit Perëndimor

“Me qeverinë tonë, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik. Jemi numër një në rajon sa i përket sundimit të ligjit. Autoritetet ligjzbatuese kanë ndërmarrë 800 operacione ndaj krimit dhe korrupsionit duke arrestuar rreth 2000 njerëz, përfshirë 300 zyrtarë publik dhe shtetërorë. Kanë shkatërruar 68 banda kriminale dhe kanë konfiskuar mbi 1.8 tonë drogë. Vetëm javën e kaluar janë sekuestruar 75 vila të ndërtuara paligjshëm në një Park Nacional. Lista e pronarëve aty ishte tronditëse por jo befasuese – gjyqtarë të nivelit të lartë, biznesmenë të pasur, politikanë dhe të afërmit e tyre. Epoka e korrupsionit në Kosovë dhe e mosndëshkueshmërisë në nivelin e lartë po përfundon. Nga ana tjetër, vitin e kaluar e përfunduam me 10.7% rritje për bruto-produktin vendor. Investimet e huaja direkte janë rritur. Kemi krijuar mbi 25.000 vende të reja të punës dhe buxheti është më i madhi në histori të vendit tonë”

Kontribo

24 10 2022

Miratohet Strategjia e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027   

“Miratimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës u jep drejtim institucioneve tona në përpjekjet për unifikimin e politikave dhe të qëndrimeve të cilat ndërlidhen me interesat shtetërore të sigurisë e për të ndërtuar një të ardhme të sigurt e në paqe. Ashtu siç ka ditur të çlirohet dhe të pavarësohet Kosovës, ajo do të dijë dhe do të rrijë vertikalisht si Republikë e pavarur dhe demokratike”, tha Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij, para miratimit të strategjisë në Kuvend.

Kryeministri Kurti po ashtu kujtoi synimin strategjik të vendit dhe politikat e qeverisë që ai drejton karshi gjendjes së sigurisë në vendin tonë.

Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në BE si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit.

Gjatë qeverisjes sonë i kemi dhënë vëmendje të veçantë institucioneve të sigurisë me politika të qarta dhe veprime konkrete karshi tyre.

E kemi rritur për 52% buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Buxhetit të FSK-së po i shtohen edhe mjete në Fondin e Sigurisë.

Kemi përshpejtuar blerjet ushtarake dhe blerjet e tjera që lidhen me fuqizimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes dhe sigurisë.

Kemi krijuar linja të reja të furnizimit me sisteme të armatimit.

Kemi themeluar një grup punues me qëllim intensifikimin e punës për anëtarësim në NATO.

Kemi krijuar mekanizma të rinj për më shumë koordinim të punëve në mes të institucioneve të sigurisë.

Kontribo

23 10 2022

Mbledhja XLIX e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Mbledhja XLIX e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e saj të veçantë e shumë të rëndësishme të Këshillit të Përgjithshëm ku u zgjodh kryesia e katërt që do të drejtojë organizatën për katër vitet e ardhshme.

Në pjesën e parë të mbledhjes, delegatëve iu drejtua kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, i cili falënderoi, shprehu mirënjohjen dhe ndau vlerësimin e lartë për anëtarët e kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilët u angazhuan dhe punuan me idealin më të lartë shoqërorë e kombëtarë. Një falënderim të veçantë, kryetari Kurti e ndau për Sekretaren Organizative Vlora Haxhimehmedin, për të cilën tha se përmes punës së palodhshme, kursimit të kujdesshëm, dhe të ndershmërisë, ka vendosur një transparencë absolute në gjithë funksionimin e Lëvizjes tonë kaq të madhe, Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Tutje, kryetari Kurti kujtoi të arriturat që kemi shënuar si organizatë politike me kryesinë që sot përfundoi mandatin.

Dyfishimi i anëtarësisë prej 29.633 anëtarë sa i kishim në vitin 2018 në 59.882 anëtarë që i kemi të regjistruar e të verifikuar. 178 pika të reja, pra nga 307 sa i kishim në 485 pika në të gjithë Kosovën. Protestën më të madhe në Kosovën e pasluftës «Një popull s´i nënshtrohet një njeriu». Fushatën e suksesshme kundër PAN-hajnisë me 2019. Vendin e parë në zgjedhje nacionale në tetor të vitit 2019. Formimin e qeverisë së parë të udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në vitin 2020. Fitimin me rezultat historik mbi 50% në zgjedhjet e shkurtit 2021. Dhe qeverisjen që sot e kemi në drejtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që është në aleancë me Guxo e Alternativën.

Kurti nënvizoi edhe ndryshimet e iniciuara brenda organizatës, me organizatat e reja si Rinia për VETËVENDOSJE! dhe Gratë për VETËVENDOSJE!, që do t’ju japin hapësirë të re grave dhe rinisë brenda Lëvizjes tonë. Ai gjithashtu, foli për politikat progresiste të qeverisjes që ai drejton. Rritjen ekonomike, shpërndarjen e saj te ato shtresa që kanë më së shumti nevojë, shtimin e punësimit, dhe punën që po bëhet me Vettingun dhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Për të dalë te çështja e mbledhjes për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të kryesisë, dhe të disa prej pozicioneve të rëndësishme në organizatë, Kurti foli për historikun e kryesisë së Lëvizjes.

“Kjo është një mbledhje e veçantë dhe shumë e rëndësishme, sepse sot në këtë mbledhje do të zgjidhet kryesia e katërt që do të drejtojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Qysh prej vitit 2011, atëherë kur e patëm mbajtur mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm, saktësisht me 25 qershor 2011, kanë kaluar mbi 11 vite prej atëherë, dhe çdo katër vite ne kemi zgjedhur organet e reja, sipas ligjit e sipas frymës demokratike. Në Kosovë qeveritë qendrore janë ndërruar më shpesh, por në kryesitë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne kemi patur stabilitet gjithmonë. Edhe në raste kur kemi patur përndjekje të padrejtë si opozitë që kemi qenë, edhe në rastet kur kemi patur sabotime, kemi arritur gjithmonë të shërojmë problemet, të ndreqim dëmtimet, dhe të ecim përpara sipas mandatit e me përgjegjësi të plotë. Jam i bindur se edhe kryesia e re, që do ta zgjedhim këtu së bashku sot, do të ecë përpara me punë, përgjegjësi e sukses, për një mandat të plotë katër vjeçar”, tha Kurti.

Krejt në fund, duke folur për situatën politike n vend e sidomos atë globale, Kurti theksoi rëndësinë e mendimit afatgjatë mbi organizatën.

“Sot në botë jemi dëshmitarë që është rikthyer politika fashiste, herë e drejtpërdrejtë, herë e maskuar. Politikë e sponsoruar nga Moska, nga Kremlini, nga Putini. Pikërisht sot, është rikthyer në plan të parë rëndësia e të qenit antifashistë. Kundër diskriminimeve me bazë gjinore, racore, etnike, fetare, kundër çdo lloj diskriminimi. Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia e vetme parlamentare e cila përqafon një politikë progresiste, socialdemokrate, aktiviste kundër diskriminimeve, aktive për shtet zhvillimor. Po e kryej këtë fjalim me këto fjali: është sot me rëndësi strategjike të mendojmë në mënyrë afatgjate për organizatën tonë. Jo sot për nesër, as për javën, muajin apo vitin e ardhshëm, por për një qëndrueshmëri edhe dhjetë, apo njëzet vjeçare. Ndryshimet e vërteta, kërkojnë qëndrueshmëri. Qëndrueshmërinë do të na e japë vetëm organizata.

Të zgjedhurit e sotëm nga delegatët e Këshillit të Përgjithshëm për pozitat e rëndësishme në Lëvizjen VETËVENDOSJE! janë:

Nënkryetar i parë – Glauk Konjufca

Nënkryetare e dytë – Mrika Limani Myrtaj

Sekretar Organizativ – Alim Rama

Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm – Arbërie Nagavci

Zv. Kryesues i Këshillit të Përgjithshëm – Boiken Abazi

Koordinatore e Komiteteve – Dejona Mihaili

Drejtues i Sekretariatit për Marrëdhënie Ndërkombëtare – Hajrulla Ceku

Drejtues i Sekretariatit për Media dhe Komunikim – Arlind Manxhuka

Anëtarët e Kryesisë që u votuan sot:

Mrika Limani Myrtaj

Alban Hyseni

Arben Vitia

Arbër Zaimi

Besnik Bislimi

Elvis Hoxha

Fatmire Mulhaxha Kollcaku

Fitore Pacolli

Hekuran Murati

Mytaher Haskuka

Saranda Bogujevci

Tinka Kurti

Vlora Haxhimehmedi

Xhelal Sveçla

Anëtarët tjerë të Kryesisë me automatizëm për shkak të posteve që bartin:

Albin Kurti, Kryetar i LV

Glauk Konjufca, Nënkryetari i parë i LV

Alim Rama, Sekretari Organizativ

Arbërie Nagavci, Drejtuese e Këshillit të Përgjithshëm

Dejona Mihali, Koordinatore e Komiteteve

Albulena Haxhiu, GVV

Behar Jashari, RVV

Arlind Manxhuka, Drejtues i SMK-së

Hajrulla Ceku, Drejtues i SMN-së

Kontribo

22 10 2022

Mbledhja e I e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës Rinia për VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot edhe Këshillin e parë të organizatës sw re Rinia për VETËVENDOSJE!.

Lëvizja jonë gjithnjë është frekuentuar nga të rinjtë sepse te ne përmes diskutimit dhe aktivitetit të sinqertë është ndërtuar besimi i ndërmjetëm që ka tejkaluar rëndësinë e moshës.

Duke uruar e dëshiruar fillim të mbarë të punës, kryetari Kurti tha se me formimin e kësaj organizate që në vetvete përmban struktura e organizim më të detajuar, vetvetiu krijohet e shtresohet edhe më shumë ajo që e ka karakterizuar gjithnjë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, aktivistin e saj. Përgjegjësia e vetëdija për atë që e rrethon e mbi atë që kontribuon. Mbi supet tuaja e mbani përvojën e angazhimit, entuziazmin e vullnetit, vendosmërinë e qëndrimit e zellin e punës.

“Pjesëmarrja e të rinjve në politikë nuk është thjeshtë e karakterit elektoral ku votohet, e madje nuk është më as thjeshtë e pjesëmarrjes në ndonjë punë vullnetare, fushatë vetëdijesimi, apo aktiviteti politik e publik. Këto janë të pazëvendësueshme, por ajo që është e re ka të bëjë me diçka që ka ndikim shumë të madh në formësimin e të rinjve, jo vetëm për atë se çka mendojmë dhe themi, por edhe për atë se si dhe pse mendojmë. E kam fjalën hapësirat virtuale, rrjetet sociale ku tashmë ekziston një zonë tjetër e komunikimit dhe angazhimit politik ku të rinjtë krijojnë përmbajtje dhe e shpërndajnë atë në formë të organizuar. Të rinjtë e Lëvizjes tonë duhet të synojnë të jenë sa më aktiv në këtë zonë duke shpërndarë materialet tona por edhe duke provuar krijimin, përkatësisht zgjatimin e atyre materialeve përmes tekstit apo formave të tjera audiovizuale si mënyrë shumë e përshtatshme për diskutim me qytetarët dhe për mendim kritik e emancipim të përgjithshëm”, tha ndër të tjera kryetari Kurti.

“Puna e rrugëtimi i Lëvizjes me bindje të plotë mund të quhet epitomë e rezistencës, e qëndresës, e këmbënguljes drejt arritjes së realizimit të qëllimeve jo lehtë të realizueshme. Shpresa, këmbëngulja, e rezistenca, por mbi të gjitha besimi; veti këto që duhet, e që në fakt edhe janë përcaktuese të aktivistit tipik të Lëvizjes, uroj që të ju përcjellin deri në fund të mandatit, e edhe më tutje”.

Kryetari i organizatës Rinia për VETËVENDOSJE!, Behar Jashari fillimisht ju uroi secilit e secilës punë të mbarë në detyrat që kanë marrë e në përgjegjësitë që bartin tash e tutje.

“Rinia për VETËVENDOSJE! është organizatë e sapoformuar. Por kjo tregon më pak se ç’jemi. E edhe më pak për atë se çfarë e sa do arrijmë. Rreth vetes kemi përvojën e mjaftueshme, në vete energjinë e nevojshme dhe mbi të gjitha vullnetin e palëkundur që të punojmë e të zhvillohemi bashkarisht. Ndër ne vlon dëshira për përmirësim të vazhdueshëm. Këtë dëshirë, e që në thelb është domosdoshmëri, prandaj rrjedhimisht edhe e ndjejmë si nevojë, me patjetër do na duhet ta përkthejmë në punë të pakursyer. Punë kjo që duhet të karakterizohet me e të jetë përplot përkushtim e seriozitet. Aktivitetet tona, përveç organizimit të mirëfilltë, do të kenë edhe përmbajtje që përkon me kërkesat dhe interesat e pjesës së shoqërisë të cilën e përfaqësojmë e për të cilën punojmë ne. Sepse, mos të harrojmë, ne jemi këtu për rininë që veçse është e angazhuar në Lëvizje, por duke pasur gjithnjë në mendje edhe të rinjtë e të rejat që iu duhet e do duhej të ishin në Lëvizje”, tha kryetari i RVV, Behar Jashari.

“Le ta nisim me këmbë të mbarë këtë rrugëtim e angazhim, për të intensifikuar punën tonë drejt qëllimeve e objektivave të përbashkët. Vrullin ëndërrimtar le ta përdorim për të vënë në lëvizje veten dhe shoqërinë. Na priftë e mbara!”

Në mbledhjen e sotme konstituive Këshilli i organizatës Rinia për VETËVENDOSJE! zgjodhi strukturat për nivelin qëndror:

Kryesues i Këshillit të RVV – Libron Kelmendi

Zëvendëskryesues – Erion Beqiraj

Sekretare organizative – Lidiona Marovca

Anëtarë të kryesisë:

Dea Lala

Rea Krasniqi

Drita Dibrani

Arianit Beqiri

Blerton Vehapi

Vlera Kërleshi

Verona Mehmetaj

Arbnor Ademi

Kontribo