Gjashtëmbëdhjetë ditë pas vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burg, asnjë person nuk ka dhënë përgjegjësi. Në lidhje me këtë dhe me shkeljet e e të drejtave elementare në rastin Dehari, sot gjatë një konference për shtyp folën deputetët Driton Çaushi dhe Aida Dëeguti.
Në fjalën e tij, deputeti Çaushi numëroi katër prej parimeve fundamentale të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat janë shkelur, e të cilat janë:
Neni 2, përkatësisht e drejta në jetë, dhe detyrimi i shtetit për të mbrojtur njeriun nga marrja e jetës sidomos kur ai është nën jurisdiksionin e tij direkt;
Neni 6, përkatësisht e drejta për një gjykim të pavarur dhe të drejtë, në të cilin shteti garanton të drejtën e viktimës për një hetim të shpejtë dhe të pacenuar nga interferimi politik;
Neni 8, përkatësisht e drejta në respektim të privatësisë dhe jetës private, në kuptim të detyrimit të shtetit për të mos i dhënë publikut informacione paragjykuese që ndryshojnë rrjedhën e procedurës penale kundër dikujt, përpara se ai të jetë gjykuar në mënyrë të plotë dhe të pavarur; dhe
Neni 3, përkatësisht e drejta e çdokujt për t’u mos keqtrajtur, trajtuar çndershëm, apo ushtruar trajtim degradues në qendrat e paraburgimit dhe të dënimit.
“Duhet qartësuar që Republika e Kosovës, në kuptim të Nenit 53 të Kushtetutës, është e detyruar që t’i respektojq vendimet gjyqësore të Gjykatës së Strasburgut erga omnes. Mosrespektimi i cilitdo standard të Konventës i interpretuar me vendim të Gjykatës së Strasburgut përbën shkelje jo vetëm të Konventës por edhe të vet Kushtetutës së Kosovës”, deklaroi ndër të tjera Çaushi.
Kurse, deputetja Aida Dërguti theksoi që sa i takon të drejtës në jetë në kuptim të qendrave të paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit ka disa raste kur Gjykata e Strasburgut i ka bërë përgjëgjës institucionet shtetërore.
“Në rastin Anguelova kundër Bullgarisë, Gjykata e Strasburgut vendosi standardin që vdekja në burg e Anguelova, ndër të tjera, vendoste përgjegjësinë ndërkombëtare mbi Bullgarinë për shkakun që ajo dështoi të hetonte në mënyrë objektive dhe gjithëpërfshirëse përgjegjësit e saj”, deklaroi Dërguti
Ajo shtoi se në këtë rast Gjykata kishte konstatuar që Bullgaria dështoi të respektonte parimin e sigurisë së deklaratave të dëshmitarëve, si elementë krucial në identifikimin e fajtorëve, dështoi të heqte dyshimet mbi kundërthëniet e shprehura në mes të shumë raporteve zyrtare, dhe vendimi i prokurorisë për të mbyllur hetimet ishte cilësuar krejtësisht i bazuar në bindjen e krijuar në opinionin publik e cila ishte paragjykuese.
“Një drejtim i tillë i ngjarjes përbën shkelje të Nenit 4, Nenit 5 dhe Nenit 6 të Konventës, dhe vesh Bullgarinë me përgjegjësinë për një shkelje të tillë”, tha Dërguti.
Gjithashtu, Dërguti deklaroi se Gjykata e Strasburgut ka përcaktuar detyrimin e shtetit sa i procesit të pavarur të hetimi në rastet e vdekjeve në qendra paraburgimi, duke përmendur rastin Jordan kundër Britanisë së Madhe. Këtu Gjykata e Strasburgut përcaktoi se hetimi i shtetit për vdekjen duhet të jetë plotësisht i pavarur.
Ajo tha se Gjykata e Strasburgut vendosi standardin që pavarësia e tillë duhet të sigurohet në kuptimin që:
- hetuesit e rastit të vdekjes në qendrën e paraburgimit duhet të mos kenë qenë më parë të përfshirë në asnjë rrethanë, qoftë edhe të lejuar, në rastin e viktimës;
- hetimi duhet të jetëi shpejtë, procesi hetues duhet të nxjerri të dhëna që mundësojnë atribuimin e përgjegjësisë së atyre që janë përgjegjës për vdekjen e tillë, e jo t’i shkatërrojnë të dhënat e tilla duke e mbyllur praktikisht rastin;
- hetimi të dërgojë në përcaktimin e shkakut dhe përgjegjësisë për vdekjen dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës i) t’i mundësojë familjarëve pjesëmarrje në plotë në tërë procesin hetimor për t’i arritur interesat legjitime të viktimës.
Dërguti foli edhe për rastin Kelli dhe të tjerët kundër Britanisë së Madhe, me ç’rast Gjykata e Strasburgut gjithashtu kishte vendosur detyrimin që asnjë nga deklaratat e dëshmitarëve dhe detajeve të procesit të hetimit të vdekjes të mos lejohen të nxjerren në publik, përpara se ato t’i jenë nënshtruar në mënyrë të paanshme vlerësimit gjyqësor në praninë e të afërmëve të viktimës.
“Në të dyja rastet, Gjykata e Strasburgut vendosi që kishte shkelje të Nenit 2 (të drejtës në jetë) dhe Nenit 6 (të drejtës për një gjykim të drejtë dhe fer) për shkakun që shteti nuk kishte garantuar rrjedhjen e hetimit në një mënyrë që do të linte dozë të mjaftueshme të besueshmërisë për t’i nxjerrur fajtorët përpara drejtësisë”, përfundoi Dërguti.
Keqadministrimi i rastit të Deharit ka treguar që shteti Kosovës nuk e ka as synim e as praktikë drejtësinë e nuk po pyet për këto shkelje. Ky pushtet është i vendosur që të tentojë t i heshtë zërat që kërkojnë drejtësi. Por, këta zëra që e kanë tejkaluar Lëvizjen VETËVENDOSJE! është e vështirë të ndalen dhe drejtësia për këtë rast do të vijë.