27 09 2016

POLICIA MERR VENDIME NË VEND TË GJYKATËS

Sonte, në një emision special të kryepolicit për anti-terror, u konfirmua edhe njëherë se si Policia e Kosovës është vënë tërësisht nën shërbimin e klanit pronto dhe aktivitetin e saj kryesor dhe më të zellshëm e ka luftën speciale ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Drejtori i njësitit anti-terror të Policisë së Kosovës, Fatos Makolli, vazhdoi luftën politike të nisur nga Policia e Kosovës me disa konferenca menjëherë pas arrestimit të 6 aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s. Asnjë fakt i ri nuk u paraqit por thjeshtë përsëritën shpifjet dhe montimet e paraqitura nga policia në ato konferenca.

Asnjë nga aktivistët e arrestuar nuk është marrë në pyetje nga prokuroria, as edhe një muaj pas arrestimit të tyre, dhe kjo po ndodh saktësisht ngase nuk ka asnjë fakt që do të dëshmonte njëmend lidhjen në mes sulmeve me bomba dhe aktivistëve tanë. Kjo u konfirmua edhe nga intervista e këtij drejtori të anti-terrorit, i cili as edhe një gjë të re nuk e tha në këtë intervistë.

Është shqetësuese se si vetëm një ditë para se gjykata të marrë vendim për vazhdimin ose jo të masës së paraburgimit ndaj aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s, ky drejtor i Policisë del dhe zhvillon një propagandë politike tipike për klanin pronto.

Për më tepër, skandali më i madh, që nuk ka ndodhur asnjëherë deri sonte në Republikën e Kosovës është se si policia merr vendim në vend të Gjykatës për vazhdim paraburgimi ndaj dikujt. Sonte drejtori i njësitit anti-terror tha se aktivistëve të arrestuar u është vazhduar masa e paraburgimit, anipse nuk ka asnjë vendim gjykate për këtë dhe asnjë nga aktivistët e arrestuar apo avokatët e tyre nuk ka një vendim të tillë. Vetëm në shtetet totalitare, Policia kryen rolin edhe të prokurorisë e edhe të gjykatës. Vetëm në vendet totalitare policore, policia i tregon Gjykatës se si duhet të sillet me njerëzit e arrestuar. Asnjëherë deri sot, nuk ka ndodhur që Policia publikisht në një medium të kumtojë “vendim” gjykate, pa u njoftuar palët e përfshira që janë të akuzuarit dhe avokatët e tyre.

Sonte, nga kjo intervistë u dëshmua që në Kosovë nuk ka gjykata, nuk ka prokurori, nuk ka polici të njëmendtë hetuese por krejt çka ka është polici terrorizuese që e kryen funksionin e të trija këtyre.

Kontribo

25 09 2016

DEMANTIM NDAJ SHPIFJEVE TË GAZETËS EXPRESS RRETH OBJEKTIT TË MILLOSHEVIQIT NË OBORR TË UP-SË

Hapësira brenda kampusit universitar, për të cilën pretendohet se i përket Kishës Ortodokse Serbe për ndërtimin e objektit kishtar, i është uzurpuar Universitetit të Prishtinës nën masa të dhunshme, me vendim të Kuvendit të Republikës së Serbisë në vitin 1990.

Më saktësisht, më 26 nëntor të vitit 1990, në bazë të “nenit 16 të Ligjit mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të jashtëzakonshme”, Kuvendi i Republikës së Serbisë ka marrë të ashtuquajturin “Vendim për plotësimin e vendimit për miratimin e planit të hollësishëm urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë”, me cka ka paraparë ndërtimin e Objektit të Tempullit të Kishës Ortodokse Serbe dhe Institutit për historinë kishtare serbe dhe kulturën profane me përmbajtjet përcjellëse”, në hapësirën universitare.

Ky vendim ka hyrë në fuqi 8 ditë pas publikimit në gazetën zyrtare të Republikës së Serbisë dhe është publikuar poashtu në numrin 4 të Gazetës Zyrtare të Kosovës, të datës 30 prill 1992.

Ky fakt e dëshmon edhe njëherë se i tërë procesi rreth ndërtimit të objektit kishtar në hapësirën universitare, është vepër e regjimit fashist të Millosheviqit dhe përfaqëson,hegjemoninë e Serbisë në Kosovë të vendosur kundër vatrës së rezistencës dhe luftës për çlirim kombëtar të shqiptarëve që simbolizohej me Universitetin.

Pretendimet e klerikëve serbë dhe telallit të tyre, Gazetës Express, se leja për këtë objekt është dhënë nga organe legjitime të Komunës së Prishtinës, apo më saktësisht nga babai i aktivistit tonë Erzen Vraniqi, përvec që kanë për qëllim sulmin kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! me anë të shpifjeve tendencioze ndaj aktivistëve të saj dhe familjarëve të tyre, kanë qëllim edhe që këtë objekt, simbol të okupimit të regjimit të Millosheviqit, ta legjitimojnë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga organet kompetente komunale dhe qendrore që vendimet e organeve të Serbisë nën masa të dhunshme, mos t’i marrin parasysh dhe ky objekt të konsiderohet objekt i ndërtuar pa leje në hapësirën e uzurpuar të Qendrës Universitare në Prishtinë.

Ndaj Gazetës Express do të deponojmë padi për shpifje kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe zyrtarëve të saj, si dhe për keqinformim të opinionit publik.

Kontribo

24 09 2016

LDK-ja e Isës, në panikë nga rënia e mbështetjes së qytetarëve

Pas skandaleve të shumta që prej krijimit të koalicionit LDK-PDK-Srpska; pas qeverisjes skandaloze bashkë me klanin “Pronto”; pas dështimit që të na e sjell “Zajednicën” dhe Demarkacionin; pas mungesës së guximit për të thënë qoftë edhe një fjalë të vetme kundër klanit “Pronto”… LDK-ja nën drejtimin e Isa Mustafës, në vend që të merret seriozisht me veten dhe të kuptojë humbjet e mëdha në elektorat, po shpif e akuzon.

LDK-ja e Isa Mustafës, tashmë e ka shndërruar në traditë shpifjen dhe akuzën, ndaj kujtdo që ia thotë të vërtetën. Qoftë ndaj medieve, qoftë ndaj kompanive të ndryshme që masin opinionin pubik dhe qoftë ndaj qytetarëve.

Në vend që të kërkojë sqarim nga kompania që kishte realizuar këtë sondazh, dhe të kërkojë të dijë parametrat, metodën e punës, etj. që ta analizojë nëse ky sondazh është serioz dhe shkencor, LDK e Isa Mustafës ka vendosur ta denoncojë atë pa pasur asnjë informacion, dhe të tentojë në mënyrë absurde ta lidhë këtë sondazh me Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

LDK-ja e drejtuar nga Isa Mustafa është në panikë të madhe pikërisht ngase po e di që ky dhe sondazhet e tjera të kohëve të fundit janë të vërteta. Ne tashmë jemi të bindur që rezultatet e këtij sondazhi – që flasin për rritje të madhe të VETËVENDOSJE!-s – përputhen me atë çka mendojnë qytetarët, dhe çka po shprehin ata për çdo ditë në vizitat tona në teren.

Kontribo

24 09 2016

REFERENDUMI I MILORAD DODIKUT ËSHTË VAZHDIM I KRIMIT TË SERBISË

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bashkohet zërave që e kundërshtojnë fuqishëm referendumin jolegjitim që planifikohet të mbahet në datën 25 shtator nga Milorad Dodiku, Presidenti i “Republika Srpska” në Bosnjë dhe Hercegovinë. “Republika Srpska”, sipas vetë gjykimeve që kanë ndodhur në Tribunalin e Hagës, është një entitet politik i ndërtuar mbi gjenocidin ndaj boshnjakëve. Nuk mund të pretendohet asnjë mbrojte e vlerave të demokracisë përmes mbajtjes së referendumit në një vend ku janë shfarosur njerëzit prej atyre që sot po e organizojnë këtë referendum. Ky referendum që ka si gurthemel krimin ndaj njerëzimit është zgjatim i këtij krimi në Bosnjë e Hercegovinë.

Referendumi po organizohet me synimin për legjitimimin e datës 9 janar si “Dita e Republikës” së “Republika Srpska”, e cila pati shpallur pavarësinë prej Bosnjës me 9 janar të vitit 1992. Kjo pavarësi, e kjo “republikë”, u shpallën në mes të zbatimit të politikave serbomadhe të Milosheviçit që çuan drejt qindra mijëra të vrarëve, gjenocidin në Srebenicë, dhjetëra mijëra përdhunimeve dhe në shpërnguljen e dhunshme të mbi dy milion njerëzve.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje Hercegovinës tashmë e ka marrë një vendim që e shpall këtë referendum të jashtëligjshëm dhe diskriminues ndaj popujve joserbë të Bosnje Hercegovinës, por Milorad Dodiku nuk është zmbrapsur. Ai ka marrë mbështetje të plotë për këtë akt të vazhdimit të krimit përmes retorikës boshe për “demokraci” nga Putini, që ka vendosur të hapë edhe qendra votimi për këtë referendum për serbët që jetojnë në Rusi. Njëkohësisht, Dodiku ka marrë përkrahjen edhe nga Vuçiçi dhe Beogradi zyrtar, që jo vetëm nuk e ka kundërshtuar këtë referendum por edhe e mbështet hapur legjitimitetin e datës 9 janar, si shënjues politik kundër projektit të Bosnje Hercegovinës si shtet sovran, funksional dhe i zhvilluar.

Referendumi i Dodikut, i ngritur mbi krimin ndaj njerëzimit, është dëshmia më e fundit e mungesës së procesit të “denazifikimit” të Serbisë, duke mos e ballafaquar atë me të kaluarën e saj kriminale. Mosndëshkimi i kriminelëve të luftës në Serbi, i ka sjell ata ne krye të Qeverisë dhe brenda Parlamentit të Serbisë duke nxitur pareshtur provokime të rrezikshme në disa vende të Ballkanit. Përmes këtij referendumi, Serbia po vërteton sërish se nuk ka hequr dorë nga projekti serbomadh dhe pretendimet aneksuese hegjemonike në rajon, e mbështetur edhe nga Rusia.

Ky referendum shkon në drejtim të kundërt të zhvillimit shtetëror të Bosnje Hercegovinës. Sakaq, degradimi i sovranitetit të Bosnje Hercegovinës, dhe rikthimi i politikave ekspansioniste të Serbisë, përbëjnë një kërcënim direkt për sigurinë në të gjitha vendet e Ballkanit. Kjo ngjarje është kambanë alarmi për mbarë Evropën. Prandaj, mbajtja e këtij referendumi duhet kundërshtuar me çdo kusht.

Kontribo

23 09 2016

Vendimi për importin e plehrave i takon popullit

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi mbrëmë vonë, me më pak se gjysmën e deputetëve (vetëm 63 vota PRO), projektligjin për disa ndryshime për menaxhimin e integruar të mbetjeve, duke legalizuar importin e plehrave në Republikën e Shqipërisë. Votimi ndodhi në kohën kur jashtë Kuvendit protestohej kundër këtij projektligji.

Kujtojmë se në fillim të vitit 2012, mbi 60,000 qytetarë të Republikës së Shqipërisë patën nënshkruan peticionin që kundërshtonte ligjin e atëhershëm për importin e plehrave, me synimin për të mbajtur një referendum mbi këtë ligj përmes nismës qytetare. Referendumi nuk u zhvillua sepse qeveria e re e formuar pas zgjedhjeve të vitit 2013 vendosi t’i ndalonte të gjitha rastet e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë, nisur nga kundërshtimi dhe shqetësimi i madh i qytetarëve ndaj këtij ligji. Mbrëmë, përmes miratimit të projektligjit për importin e plehrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e ka shpërfillur vullnetin e qytetarëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bashkohet shqetësimit të rishprehur nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë lidhur me miratimin e projektligjit për importin e plehrave. Natyra, territori, nëntoka, ajri, ujërat, janë të kufizuara, të fundme e të pakthyeshme. Trajtimi i tyre është përgjegjësi kombëtare, pasi ato janë shtëpia e përbashkët e kombit. Aventurizmi i interesit privat në këto terrene politike pashmangshmërisht publike duhet ndalur. Nga ana tjetër, dështimi në krijimin e një ekonomie prodhuese e lë vendin nevojtar, dhe nevojtarët shpesh janë gati të pranojnë propozime të këqija biznesore. Qeveria e Shqipërisë nuk duhet të veprojë si nevojtare përballë joshjes së investitorëve në këto industri të rrezikshme, por duhet ta kanalizojë kapitalin privat drejt rrugës së ngadaltë por më të leverdisshme për publikun, që janë sektorët e prodhimit vendor, bujqësia dhe industritë që respektojnë ambientin.

Një çështje kaq e rëndësishme nuk prek vetëm bizneset dhe punëtorët e angazhuar në importin dhe përpunimin e mbetjeve, por ka potencialin të ndikojë drejtpërdrejt negativisht mbi ambientin, ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve. Rrjedhimisht, vendimi për një çështje kaq madhore i takon dhe duhet të merret nga populli.

Kontribo

22 09 2016

Qeveria e stenteve uzurpon dhe kompetencat e odave të mjekëve

Gjendja e shëndetësisë në Kosovë është e mjerueshme. Përkundër premtimeve nga qeveria për modernizim të këtij sektori, gjendja vijon përkeqësimin.

Deputetja dr. Besa Baftiu dhe Drejtuesi i Komitetit për Shëndetësi, prof. Jusuf Ulaj, adresuan sot në konferencë për media dy nga problemet në këtë sektor, siç janë uzurpimi i kompetencave të Odave të mjekëve dhe zhvatja e buxhetit të shtetit e të pacientëve për referimet QKUK – spitale private.

Prof. Ulaj tha se një nga arsyet e regresit në këtë fushë është mosfunksionalizmi i Odave të profesionistëve shëndetësorë, që duhej të funksionalizoheshin katër muaj pas miratimit të Ligjit, saktësisht 4 muaj pas majit të 2013-së. Ai deklaroi se Ministri aktual i Shëndetësisë vijon të thotë shumë të pavërteta, duke tentuar të hedh fajin mbi vetë Odat.

“Nuk kuptohet ende ku po bazohet Ministria e Shëndetësisë dhe vet ministri që vijon të shkelë të gjitha normat ligjore dhe procedurale sa i takon bartjes së kompetencave dhe lejimit të funksionimit bashkë me financat autonome të këtyre institucioneve kaq të rëndësishme për punonjësit mjekësor. Është viti 2016 dhe në vendin tonë paditet Ministria e Shëndetësisë sepse nuk pranon t’u lëshojë kompetencat që i kanë me ligj profesionistët shëndetësor”, është shprehur Ulaj.

Ai më tej ka shtuar se Ministria vazhdon t’i trajtojë profesionistët shëndetësor si vartës të saj si dhe i ka rikujtuar ministrisë përgjegjësinë për kontroll ndaj institucioneve shëndetësore, për dërgimin në ndjekje penale të keqbërësve dhe për hartimin e politikave që lehtësojnë punë. E, që ministria asnjë nga këto nuk po i realizon, teksa i mban të uzurpuara kompetencat e odave të profesionistëve shëndetësorë, duke mbajtur nën kontroll kësisoj avancimin dhe karrierën e tyre.

Ende pa mbaruar procesi gjyqësor për rastin e tmerrshëm “Stenta” Ministria vijon bashkë me QKUK-në referimet tek privatët meqë aparaturat kryesore ekzaminuese nuk janë funksion.

Doktoreshë Baftiu tha në mjekësinë publike mungojnë barnat e materiali shpenzues, aparaturat nuk funksionojnë, e për këtë, pacientët shtrëngohen të shkojnë në spitale private duke paguar sigurisht shumë shtrenjtë.

“Ka më shumë se 2 muaj që aparati i koronarografisë është jashtë funksionit. Çdo ditë referohen nga 3-4 raste, dhe vetëm prej 1-15 shtator janë referuar 35 pacientë, ku një rast kushton 4000-5000 euro. I bie që rreth 250.000 euro në muaj, Ministria e Shëndetësisë paguan për spitalet private, ndërsa një koronarograf i ri kushton 300.000 euro”, theksoi deputetja Baftiu, duke shtuar se në klinikën e kardiologjisë ekziston material i skaduar që kap vlerën prej 200.000 euro.

Baftiu konstatoi po ashtu se CT në emergjencë është gjysmëfunksionale, aparati për thyerjen e gurëve në veshkë dhe fiberebronkoskopi në pulmologji janë jashtë funksionit, si dhe tha që ka mungesë të morfinës në kardiologji e që testet e hepatitit nuk kryhen në QKUK.

Doktoreshë Besa Baftiu ka deklaruar se ka dallim të madh në mes të programit për shëndetësi moderne të premtuar nga qeveria, dhe gjendjes që mbizotëron aktualisht në këtë sektor. Ajo ka thënë se problemet po shtohen çdo ditë, veçanërisht në institucionet shëndetësore që menaxhohen nga Ministria e Shëndetësisë, sekondare e terciare.

Si përfundim, u tha që këtu kushte persekutojnë mjekun dhe u kërkua implementimi i ligjit për Odat, për funksionimin normal të tyre.

Komiteti për Shëndetësi
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 09 2016

Reagim i deputetit Albin Kurti për deklaratën e Hashim Thaçit:

“I ashtuquajturi president i Kosovës, përveç tjerash, paska thënë që deklarata ime është njëkohësisht edhe qesharake edhe e rrezikshme. Si mund të jetë qesharake diçka që është e rrezikshme? Po, pra, qenka e mundur atëherë kur injoranti ordiner të instalohet si ‘president’. E pranoj që znj. Jahjaga na paska qenë më e logjikshme se ky teveqel!

Dështimi i ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi më 1 shtator 2016, atë marrëveshje të 26 gushtit 2015 e vulosi si marrëveshje personale të Thaçit. Tash, le ta varë atë dokument tradhtie e krimi në mur të tij, ky që do të duhej ta mbante atë si aktakuzë në qeli burgu.”

Kontribo

20 09 2016

RTK – 19:30 – Ndërroje kanalin

Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes një aksioni simbolik para objektit të televizionit publik RTK, ka shprehur pakënaqësinë me politikat editoriale të transmetuesit publik.

Aktivistja Teutë Rrusta në prononcimin e saj ka deklaruar se RTK po ushtron presion ndaj opozitës, me sjelljen e saj si përmbarues i punëve të Qeverisë. Ajo tha se pas presionit medial të RTK-së janë arrestuar zyrtarët për media nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Frashër Krasniqi e Adea Batusha, gjë që ndodhi pas debatit të Frashër Krasniqit me kryeredaktorin e RTK-së, Ridvan Berisha.

“RTK-ja me vite të tëra ka ofruar vetëm dy gjëra për qytetarët: terr dhe terror. Në terr informativ i ka lënë qytetarët, kurse terror ka ofruar për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ky medium publik sillet si një polici private. Sillet tamam si përmbarues i punëve të Qeverisë”, u shpreh aktivistja Rrusta.

Më tej, ajo shtoi se RTK po shërben si dikaster qeveritar, veçanërisht gjatë edicioneve të lajmeve, çdo ditë në orën 19:30, ku hyjnizohet puna e Kadri Veslit, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Teksa minimizohen lajmet që lidhen me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, qoftë në rradhitjen e temave apo në minutat në dispozicion dhe mënyrën se si pasqyrohen ato.

Teutë Rrusta theksoi se transmetuesi publik po ashtu nuk problematizon çështjet me rendësi për qytetarët, kurse hallet e tyre i trajton si probleme pa fajtorë. RTK nuk ka aspak qasje kritike, dhe përkundër që jemi shteti më i korruptuar në rajon, ajo nuk paraqet skandalet e shumta qeveritare në edicionet e lajmeve, duke i dhënë hapësirë vetë sulmit të qeverisë ndaj opozitës, shënimit të datave e aktiviteteve ku prehen shirita apo realizohen vizita nga zyrtarë të qeverisë.

“Për këto arsye dhe shumë të tjera, ju bëjmë thirrje qytetarëve të mos i shikojnë lajmet e RTK-së. Në pikën në të cilën ka mbërritur ky medium publik, ndërrimi i kanalit në orën 19:30 është akt çlirimi nga propaganda qeveritare”, përfundoi Rrusta.

Në fund, u ekspozua një televizion i fikur me një mbishkrim që shënonte orën e edicionit të lajmeve dhe thirrjen “NDËRROJE KANALIN”.

Kontribo

17 09 2016

Policia arreston studentët e UP vetëm pse vendosën një pano prej letre te kisha e Millosheviqit!

Asnjë intervenim nuk ndërmorri kjo polici disa ditë më herët, kur zyrtarë të manastirit të Graçanicës, jashtëligjshëm u futën në këtë objekt dhe filluan punimet për rinovimin e tij. Madje i mbrojti ata.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër intervenimin e dhunshëm të Policisë së Kosovës ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët thjeshtë vendosën një pano prej letre para kësaj kishe. Ky objekt, i ndërtuar gjatë regjimit të Millosheviqit, simbolizon planet e tij për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe uzurpon hapësirën e Universitetit të Prishtinës.

Është shqetësuese dhe e papranueshme që Policia të vazhdojë shërbimin me aq përkushtim ndaj klanit Pronto e për interesat e Serbisë. E në anën tjetër të jetë aq shtypëse e brutale ndaj kujtdo që ngrit zërin e angazhohet për interesin e shtetit dhe kombit tonë.

Bëjmë thirrje për lirim të mënjehershëm të studentëve të arrestuar dhe ftojmë Policinë që të mos vazhdojë me këto veprime që po kontribuojnë që Kosova të shndërrohet në shtet autoritar në shërbim të Serbisë.

Kontribo

15 09 2016

SHTETI GJYSMË AUTORITAR SOT KREMTON PËR DEMOKRACINË

Demokracia është hapësira dhe përmbajtja që u garanton të drejta, barazi dhe mirëqenie qytetarëve. Të tria këto, po mungojnë në Kosovë. Nuk mund të jetë demokratik shteti që arreston deputetët. Nuk mund të jetë demokratitk shteti që persekuton qytetarët dhe që e lufton opozitën.

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ky pushtet që ironikisht, ligjërimin e ka të mbushur me fraza mbi demokracinë, përparimin, prosperitetin, mendimin ndryshe, ka arrestuar për 12 muaj më shumë se 400 aktivistë vetëm pse mendojnë ndryshe nga Qeveria. Aktivistët e arrestuar, në shumicën e rasteve janë rrahur brutalisht për kundërshtimin e projekteve që donin të kalonin pa pikë transparence.

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House ku flitet për Kosovën, shteti jonë zë vendin më të keq në Ballkan. Ai cilësohet si gjysmë autoritar. Strukturat qeveritare, thuhet aty, të ndërtuara për të mbajtur paqen, janë duke penguar përparimin. Nuk mund të ketë përparim me shtet të kapur. Nuk mund të ketë zhvillim me klanin mafioz “Pronto”.

Demokracia do të triumfojë vetëm me zërin e qytetarëve të vendosur, sikur në protestat kundër “Zajednicë” dhe kundër marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Kontribo

14 09 2016

Gjykata e Apelit, sot e kishte mundësinë që ta korrigjonte gabimin e bërë me arrestimin e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe t’i lironte ata.

Gjykata e Apelit, sot e kishte mundësinë që ta korrigjonte gabimin e bërë me arrestimin e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe t’i lironte ata. Por, edhe për deputetin Glauk Konjufca, edhe për gjashtë të arrestuarit e tjerë, Gjykata e Apelit i ka lënë në fuqi masat e padrejta të shqiptuara ndaj tyre.

Përderisa, gjashtë të arrestuarit po mbahen pa asnjë provë e asnjë argument, krejtësisht të pafajshëm, Gjykata sot, përmes gjuhës së shkeljes të së drejtës, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për t’ua hequr atyre masat e ndalimit.

Gjykatat e këtij sistemi, në të njëjtën ditë që ofendohen nga sjellja arrogante e hipokrite të shefit të shefave, anëtarit të “Prontos”, Adem Grabovcit, tregohen të fuqishme me aktivistët e VETËVENDOSJE!-s. Dinjitetin e nëpërkëmbur nga tallja e Grabovcit, gjykatësit nuk mund ta rikuperojnë me ndjekjen e aktivistëve sepse ata i kanë arrestuar padretjësisht.

Duke lënë në liri kriminelët dhe duke bërë inskenime të dobëta mundohen t’i mbushin raportet e punës. Por, montimet e rasteve politike janë shenja të dobësisë së pushtetit dhe jo të së drejtës, e as të fuqisë. Ashtu sikurse përpjekja jonë është e pandalshme, tashmë, askush nuk mund ta ndalë këtë pushtet në tatëpjetën që ka marrë.

Kontribo

08 09 2016

“Pronto” shqiptoi padrejtësisht edhe 30 ditë arrest shtëpiak për Glauk Konjufcën

Sistemi i drejtësisë i kapur nga klani Pronto ia ka vazhduar deputetit Glauk Konjufca edhe 30 ditë arrestin shtëpiak. Ky pushtet që ishte duke e mbajtur padrejtësisht deputetin Konjufca ka vendosur ta bllokojë atë për t’ia ndalur hovin e kundërshtimit të “Prontos”. Arrestimi dhe mbajtja e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s në kohën e dëshmive dhe lulëzimit të krimit të organizuar të pushtetit, është frikë e pushtetit. Por, tashmë kjo nuk mund të krijojë kurrfare hutie.

Policia dhe prokuroria, çdo ditë e më shumë po e dëshmojnë që t’i bindesh klanit “Pronto” është shkelje e rëndë dhe nuk mund të vazhdojë gjatë.

Mjegulla që duan ta krijojnë nuk po zë vend. Gjithçka është shumë e qartë. Ky demarkacion është i pambrojtshëm pasi gabimet e mëdha në këtë marrëveshje janë argumentuar nga shumë anë. Agresioni policor është shenjë që pushteti po bjen. Këto janë përpëlitjet e tij të fundit për ta ruajtur pushtetin kështu siç është. Brutaliteti i këtij pushteti do të përfundojë shumë shpejt sepse askush nuk do të jetojë me një shtet që krejt çka ofron janë taktikat policore.

Kontribo

02 09 2016

Isa Mustafa ka nostalgji për vitet e 80-ta, mendësia e tij po merr fund

E tunduar nga nostalgjia për regjimin komunist jugosllav, partia e udhëhqur nga shërbyesi i atij regjimi që e do kultivimin e tij edhe në Kosovën e sotme, e paska quajtur VETËVENDOSJE!-n kriminale e neokomuniste. LDK e Isa Mustafës, e cila më shumë po kontrollohet nga ai që Mustafa e quante kriminel, Kadri Veseli, duhet ta ketë të qartë se frika e tyre nga VETËVENDOSJE! vjen si pasojë e luftimit të pakompromis të krimit nga ana jonë.

Partia e kryetarit me 70 dosje, me veprimtarinë kriminale dhe tradhtinë ndaj elektoratit duke u shndërruar në vegël të ShIK’ut është në panikun e rënies drastike në përkrahje nga populli, gjë që më pas i çon në lëshim të kumtesave histerike, të çoroditura e të mërzitshme.

Sikur viteve të 80-ta, edhe sot po montohen raste ndaj atyre që e duan Kosovën të lirë dhe pa krim e korrupsion. Kjo ngase kemi një kryeministër që ka nostalgji aq të madhe për atë kohë kur ishte në pushtet, sa që do që të na kthejë në atë kohë.

Në vend se të merret me inskenimet e shpifjet e Policisë, LDK duhet të merret me kriminelët e shumtë brenda saj, që degraduan Prishtinën e që po ndjekin traditë të njëjtë në qeverisjen qendrore. Por, siç duket kjo parti ka gjetur rehatinë në djepin e krimit, pranë Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Isa Mustafa është injorant, servil, kriminel e antikombëtar, dhe e ardhmja e tij patjetër që do të përfundojë prapa grilave, bashkë me miqtë nga klani Pronto. Dhe vetëm atëherë hapen dyert për drejtësi, rend e ligj, dhe funksionim të Republikës. Fundi i tij dhe i mendësisë së tij është më afër se kurrë.

Kontribo

02 09 2016

Policia paramilitare e klanit pronto, vazhdon me logjikën inskenuese

Policia e Kosovës të mërkurën në mbrëmje ka rrethuar disa hapësira që janë në shfrytëzim nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe ka bastisur ato, pa praninë apo njoftimin e asnjë zyrtari të Lëvizjes – gjë që është obligim ligjor në rastet kur bëhen bastisje.

Lokalet që janë në shfrytëzim nga ne, janë okupuar pra nga forcat paramilitare dhe ne nuk marrim përgjegjësi për asgjë që këto forca kanë bërë në mënyrë të jashtëligjshme aty.

Sikur në rastin e arrestimit e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s për terrorizëm, që në fund doli të jetë inskenim dhe montim nga po ky grup paramilitar i kapur nga klani pronto, edhe gjësendet e gjetura në objektet tona janë në linjën e njëjtë të logjikës inskenuese.

Kontribo

01 09 2016

Policia e grupe anonime janë angazhuar jashtëligjshem kundër VETËVENDOSJES!

Gjatë gjithë natës policia dhe grupacione të panjohura janë angazhuar në një fushatë pa precedent bastisjesh dhe shpifjesh, kundër VETËVENDOSJES!
Arsyeja e vetme për këto gjeste diktatoriale, është dëshira e Thaçit, Veselit e Mustafës për t’ia dhuruar 8200 hektarë Malit të Zi, kundër ligjit, kundër vullnetit qytetar e kundër dëshirës së deputetëve.

Gjatë natës janë bastisur e vazhdojnë të mbahen në kontroll e presion ambientet komerciale dhe magazinat e kompanisë që kanë marrë përsipër zërimin dhe ekranin LED për protestën. Këto ambiente janë bllokuar prej orës 1 pas mesnate dhe policia po i mban të bllokuara ende.

Po ashtu policia ka bllokuar edhe magazinat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku ndodheshin materialet dhe parrullat për protestën e sotme.

Gjatë natës, kur policia ka qenë e angazhuar maksimalisht për sabotimin e protestës, grupe të panjohura kanë shpërndarë fletushka me përmbajtje urrejtëse dhe ofenduese kundër Vetëvendosjes. Ato vende të botës ku nxitet dhuna e urrejtja ndaj opozitës, të gjitha kanë përfunduar keq, në konflikt apo në regjim fashist.

Këto aksione prej regjimit shtypës policor kanë si autor direkt Thaçin, Veselin e Mustafën. Ata janë gati ta çojnë vendin në shkatërrim, janë gati të përdhosin demokracinë, të bëhen si Sadami, Asadi apo Gadafi, vetëm e vetëm që të realizojnë projektet e tyre rrënuese për vendin, siç është Demarkacioni e Zajednica. Këto projekte janë çmimi i qëndrimit të tyre në pushtet.

I bëjmë thirrje qytetarëve të mos lejojnë pushtetin e frikës të bëhet pushtet i terrorit. Masivisht autobusët po nisen nga çdo vend i Kosovës për të ardhur në protestën e sotme. Bashkangjitu dhe ti, për demokracinë, për atdheun tënd.

Kontribo

31 08 2016

Sa më afër protesta, aq më agresiv po bëhet pushteti

Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon sulmin fizik ndaj dy aktivistëve të Qendrës së Malishevës, Bekim Gashi dhe Liman Hoti, sulm ky i bërë nga të afërm të deputetit të LDK-së, Salih Morina.

Aktivistët tanë u sulmuan teksa po shpërndanin fletushka dhe po vendosnin posterë që bëjnë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 1 shtatorit. Për pasojë, të dy aktivistët janë në Qendrën Emergjente të Malishevës.

Ky klan kriminelësh që po qeveris me vendin, tash ka filluar ta shfaqë brutalitetin e tij edhe fizikisht, nga paniku për fundin që po iu vjen. Sulmet e tilla nuk do të frikësojnë aktivistët tanë, dhe rezistenca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndaj bandave kriminale në pushtet veçse do të fuqizohet.

Ne mbajmë përgjegjës deputetin Morina për këtë sulm, dhe ftojmë organet e rendit dhe drejtësisë që të merën me hetimin e këtij rasti të kriminelëve të pushtetit, në koordinim me një deputet që është vegël dhe shërbyes i klanit Pronto. Si dhe, i bëjmë me dije deputetit Morina se do të mbajë përgjegjësi historike për qëndrimin e tij ndaj demarkacionit me Malin e Zi.

Kontribo

30 08 2016

PDK është grup kriminal që e ka kapur shtetin, fundi i tyre po vjen

Partia e krimit të organizuar dhe keqpërdorimeve të të gjitha llojeve, PDK, paska reaguar në lidhje me arrestimin e sotëm të 6 aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke marrë rolin e prokurorisë e gjykatave, rol në të cilin tash e sa kohë e ka angazhuar RTK-në dhe gjitha institucionet e kapura propagandistike.

Partia e udhëhequr nga klani Pronto, me shumicën e zyrtarëve të korruptuar e nën hetime, pa fije turpi paska kërkuar unifikim të spektrit politik dhe partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Derisa përgjimet e publikuara tregojnë shumë mirë se si e trajtojnë opozitën e si tallen me ndërkombëtarët këta kriminelë që kanë degraduar çdo element të shtetit.

E si e shohin këta banditë funksionimin e demokracisë tregon më së miri njëri nga episodet e përgjimeve, Adem Grabovci merr urdhëra nga Kadri Veseli, dhe i thotë se “ti i merr vendimet unë i zbatoj”. Kjo është “demokracia” e banditëve të klanit Pronto, të cilën e kanë mbjellur në çdo institucion që e kanë kapur.

Banditët e klanit Pronto paskan mbështetur punën e organeve të rendit, sigurisë e drejtësisë në sajimin që i kanë bërë rastit ku u arrestuan aktivistët tanë, organe këto, që në krye të tyre janë zgjedhur njerëz me telefonatat e tyre, njerëz këta që të vetmen punë e kanë shërbimin ndaj klanit Pronto.

Grupi kriminal i udhëhequr nga njeriu i nëntokës, Kadri Veseli, nuk mund të flasë për ligjin, kur dihet se që nga viti 2007, ky grupim kriminal është mbi ligjin. Ndërsa, në vend të broçkullave për destabilizim të vendit, këta tregtarë të shtetit tonë duhet të heqin dorë nga falja e tokave të Kosovës dhe copëtimi i saj.

Petku fals institucional i tyre nuk ua fsheh veprimet e tyre kriminale e antikombëtare, të cilat cenojnë shtetësinë e Kosovës, e kanë zhytur vendin në mjerim dhe janë kërcënim për të ardhmen e këtij vendi. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të frikësohet asnjëherë nga sulmet e këtij pushteti, dhe do të luftojë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës nga këta kriminelë.

Kontribo

30 08 2016

Pushteti po i trajton aktivistët me njësite anti – terror pa asnjë fakt

Policia tashmë krejtësisht e diskredituar e Kosovës, aktivistët e arrestuar po i cilëson si terroristë. Ky institucion nuk i ka quajtur kështu, asnjëherë as strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. Madje, nuk ka guxim t’i quajë kështu, as vrasësit e Enver Zymberit. Kjo polici e cila në konferencën për shtyp nuk ofroi asnjë argument për veprat të cilat i ka akuzuar dhe arrestuar aktivistët, angazhoi kundër tyre njësitet dhe drejtorinë anti-terror. Është hera e dytë që këto njësite anti-terror angazhohen kundër opozitës. Hera e parë ka qenë kur u bastisën zyrat e Lëvizjes, gjë për të cilën institucionet e policisë janë dënuar edhe nga organizatat ndërkombëtare si Amnesty International etj.

Derisa krimi e korrupsioni po lulëzojnë në Kosovë, territori falet e Serbia mund të kthehet, institucionet e kapura të pushtetit po e trajtojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! si problem të Kosovës dhe nuk po ndalen së luftuari atë. Ne i bëjmë thirrje policisë që të mos flasë me gjuhën e pushtetit dhe sqarojmë se monopolin për fjalën ‘terrorizëm’ nuk e ka ky pushtet dhe nuk mund ta përdorë sipas tekeve të tij të padrejta, pa asnjë argument e pa asnjë fakt të vetëm.

Kur kishte ndodhur sulmi në drejtim të Kuvendit të Kosovës dhe kur ende nuk kishte të dyshuar, Policia këtë nuk e kishte quajtur akt terrorist, por vetëm ‘sulm me mjet shpërthyes’. Tash, që ka vendosur ta bëjë fajtore Lëvizjen VETËVENDOSJE! e përdori edhe këtë fjalë si armë përbaltëse.
Thirrja e konferencës së jashtëzakonshme për të përsëritur fjalët dhe ligjërimin e pushtetit, pa prezantuar prova, është njollosje e kundërshtarëve politikë të pushtetit dhe keqpërdorimi më flagrant i kapjes së shtetit.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve tanë të cilët janë krejt të pafajshëm lidhur me këtë ngjarje.

Kontribo

29 08 2016

Menaxhmenti i RTK paraqet rrezik për funksionimin e demokracisë dhe fjalës së lirë në Kosovë

Sot, menaxhmenti i RTK-së paska marrë sërish rolin e prokurorisë duke tentuar për të disatën herë ta lidh VETËVENDOSJE!-n me sulmet e fundit me bomba.

Lëvizja VETËVENDOSJE! sa herë ka pasur të thotë diçka ndaj RTK-së e ka thënë publikisht. Ne asnjëherë nuk kemi bërë aksione natën dhe pa praninë e medieve. Tendenca e menaxhmentit të RTK-së që në vazhdimësi të jap gjykime të tilla, është e papranueshme dhe e shpërfaq sheshit rolin e këtij mediumi që të propagandojë në mbrojtje të klanit Pronto dhe Qeverisë së Kosovës.

Menaxhmenti kriminal i RTK-së, me në krye keqpërdoruesin kryesor në këtë medium, Mentor Shala, janë të rrezikshëm për demokracinë, fjalën e lirë dhe informimin e drejtë të publikut në Kosovë. Ky menaxhment, duhet të jap llogari ligjore për keqpërdorimet milionëshe që kanë ndodhur në këtë medium, si dhe për shndërrimin e RTK-së në altoparlant të Qeverisë dhe klanit Pronto.

Ne ftojmë asociacionet e gazetarëve dhe këshillet mediale që të reagojnë ndaj linçimit që ky menaxhment po i bën Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ndaj akuzave të rënda në drejtim të subjektit tonë.

29 gusht 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

29 08 2016

Reagim ndaj deklaratës së mbrëmshme të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ende nuk është deklaruar në lidhje me përgjimet e klanit Pronto, me shpejtësi drite paska reaguar ndaj deputetit Driton Çaushi, i cili ia përmendi Isa Mustafës 70 dosjet që tash e sa kohë i ka në Prokurori. Dosje këto, që LDK’në e futën në koalicion me ata që i akuzonte për vrasjen e aktivistëve të saj.

Në një komunikatë ku gërshëtohen injoranca, hipokrizia dhe praktika e servilizmit, LDK paska deklaruar se deputeti Çaushi dhe VETËVENDOSJE! janë duke u përpjekur të shkaktojnë gjakderdhje, duke harruar se nuk ka gjë më institucionale sesa të burgoset ai i cili ka 70 dosje për krim e keqpërdorim. Ndërsa, nga paniku i jashtëzakonshëm për rënien në elektorat në gjithë vendin, LDK e cila në komunikatën e saj përmend edhe neokomunizëm, harron se kryetari i saj ka qenë shërbyes i zellshëm i sistemit komunist jugosllav dhe anikombëtar i shquar.

LDK, e cila mori në mbrojtje Adem Grabovcin për punësimet e jashtëligjshme, qenka shërbyer me listën e PDK’së për “punësimet” e Shpend Ahmetit, të cilën e përgënjeshtruan vetë eksponentë të kësaj të fundit. Teksa në anën tjetër, në Komunë të Prishtinës dhe borde të ndërmarrjeve vazhdojnë punën familjarë të zyrtarëve të LDK’së e militantë të saj, të punësuar gjatë keqeverisjes 14 vjeçare të LDK’së dhe klanit të Hamitëve.

Kjo parti me një kryetar pakurrizor, e cila tradhëtoi elektorartin e saj, duke i hyrë nën sqetull PDK’së dhe ShIK’ut, vazhdon të përtypë shpifje e broçkulla të ndryshme, dhe merr mund të flasë për prespektivën evropiane dhe miqësinë e Kosovës me ndërkombëtarët, teksa nuk bëzajti kur Hashim Thaçi tallej me po këta.

E kapur në njërën anë nga Hashim Thaçi, e në anën tjetër nga Kadri Veseli, të prirë nga degraduesi i Prishtinës, Isa Mustafa, LDK po ecë sigurt drejt humnerës. Dhe, kjo padyshim është ndihma më e mirë për prespektivën e Kosovës.

Kontribo

26 08 2016

Kur partia e krimit të akuzon për vandalizëm!

Partia që udhëheqet nga kokat e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, së cilës përditë po i dalin përgjime që dëshmojnë kriminalitetin e saj, sot paska reaguar ndaj aktivistëve paqësorë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në komunikatën e saj PDK, udhëheqësit e së cilës po e falin tokën e Kosovës, paska shprehur shqetësim për pronat private të tyre. Sikur ky subjekt të shqetësohej kështu për territorin e Republikës sonë, Kosova sot do të ishte në gjendje shumë më të mirë.

Në fund PDK paska ftuar organet e sigurisë, të cilat janë nën kontrollin e po të njejtëve kriminelë që e udhëheqin këtë subjekt, që të shtojnë shtypjen ndaj aktivistëve tanë dhe qytetarëve të Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i sheh këto reagime si panikë e pushtetit në prag të rënies së tij dhe mendojmë që PDK ka të drejtë të ketë panikë. Ajo po i lut qytetarët që të kenë besim në institucione pikërisht ngase e di që askush sot nuk i beson shtetit të kapur nga krimi. Shumë shpejt qytetarët do të shprehin mosbesimin e tyre në këtë qeveri përmes protestave e demonstratave masive dhe do të përfundojë periudha e qeverisjes nga krimi i organizuar.

Kontribo