24 11 2015

Barazia para sprejit lotsjellës

Gazi lotsjellës i cili plaste në një sallë me rreth 150 njerëz ikte për më pak se gjysëm ore, ndërsa instalimi i ‘Zajednicës’ do t’iu mbetet dy milionë njerëzve për dekada të tëra. Më mirë ta bllokojmë përkohësisht Kuvendin me gaz lotsjellës sesa të na bllokohet përjetësisht Republika me ‘Zajednicën’ e Serbisë.

Duke iu falenderuar opozitës së bashkuar, gazi e spreji lotsjellës nuk hedhen më vetëm kundër të varfërve dhe rinisë kosovare nëpër rrugët e kryeqytetit, por edhe kundër qeveritarëve të pasur dhe deputetëve të tyre në Kuvendin e Kosovës. Kur goditej me gaz e sprej qytetari në protestë, kjo gjë fare nuk problematizohej dhe asnjëherë nuk quhej dhunë. Tash që atë e përjetuan njerëzit e regjimit në Kuvend, përnjëherë gazi e spreji lotsjellës na u bënë dhunë e rrezikshme, armë kimike, helm toksik e çka jo tjetër.

Gazi lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës që s’po arrin të fillojë, nuk është armë por municion. Armë është protesta e opozitës së bashkuar e cila e ka për municion gazin dhe sprejin lotsjellës të cilin Policia e Kosovës na e dhuron nëpër protestat tona. Tentimet maratonike për seanca Kuvendi po bëhen duke shpresuar që deputetëve të opozitës së bashkuar do t’iu soset municioni. Kot e kanë. Policia nuk na lë neve pa municion.

Në Kuvendin e Kosovës ne kemi përdorur forcë proporcionale kundër qeveritarëve dhe deputetëve të rebeluar kundër Republikës së Kosovës. Asnjë gaz lotsjellës më shumë sesa që ishte e nevojshme nuk e kemi ndezur në ato tentim seanca. Vetëm aq sa e pamundësonte fillimin e mbledhjeve plenare të cilat do ta normalizonin ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe faljen e tokave tona Malit të Zi (thua se asgjë nuk ngjau me marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit).

Është policia e Kosovës ajo që përdor forcë të tepruar mbi protestuesit, jo ne mbi qeveritarët. Vetëm në njërin rast ne nuk përdorëm forcë proporcionale. E kam fjalën për situatën kur disa dhjetëra policë kishin zënë shkallët që lidhin katin e dytë me të tretin në Kuvendin e Kosovës duke penguar kështu lirinë e lëvizjes së deputetëve. Forca ynë nuk ishte proporcionale sepse policët kishin vënë gaz maskat dhe ne nuk patëm mjaftueshëm sprej lotsjellës për ta. Për pasojë, ne nuk arritëm t’i largojmë ata policë dhe shkallët mbetën të bllokuara.

Mund të thuhet që Kosova sot nuk ka më Kuvend, sepse s’po funksionon ai për shkak të opozitës së bashkuar që proteston aty. Mirëpo, në një tjetër rrafsh, pikërisht tash ka Kuvend shteti i Kosovës, sepse aty po mbrohet Republika jonë nga ‘Zajednica’ e Serbisë dhe falja e 9.000 hektarëve Malit të Zi. Në këtë kuptim më thelbësor, shteti i Kosovës nuk ka qeveri porse ka opozitë. Sepse duke mos pasur qeveri të saj, Kosovës ia merr Mali i Zi tokën kurse Serbia ia shton ‘Zajednicën’.

Kriza në popullsi duhet të shoqërohet me krizën në qeveri dhe në sistem në mënyrë që populli të dalë nga kriza. Nuk ka ndryshime progresive në Kosovë me fjalë. Në shtetin autoritar, në shtetin e kapur, nuk mjaftojnë dialogu e fjalët. Gjendja është tejet e keqe dhe ka shkuar shumë larg: po normalizohet ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë. Bosnjëzimi po troket në derë të hapur. Fjalët s’kryejnë punë. Dialogu ynë është monolog. E monologu i tyre është plan dhune.

Policia e regjimit me gaz e sprej lotsjellës rregullisht po i shpërndan qytetarët nga sheshi kryesor i republikës. Opozita e bashkuar me gaz e sprej lotsjellës rregullisht po i shpërndanë nga Kuvendi qeveritarët e ‘Zajednicës’. Çka ka të paqartë këtu? Gazi e spreji lotsjellës, shkaktojnë lotë, porse ato edhe e hapin shikimin sepse qartësojnë syrin dhe pamjen.

Spreji lotsjellës është i domosdoshëm për ta sjellur frymën e republikës në vendin tonë. Kur të godet spreji lotsjellës të vështirësohet frymëmarrja, të djegin sytë e të skuqet lëkura. Të gjithë ne protestuesit e dimë moti këtë gjë. Mirëpo tash këtë po e mësojnë edhe njerëzit e regjimit. Pa sprejin lotsjellës, nuk u hapen sytë qeveritarëve dhe deputetëve të tyre, nuk u skuqet fytyra, dhe, nuk merr dot frymë republika jonë. Spreji e gazi lotsjellës të detyrojnë t’i mbyllësh sytë, të mendosh pak para se t’i hapësh sytë sërish, të lotosh jo pak që të mund t’i hapësh sytë, dhe, pasi të arrish që më në fund t’i hapësh sytë, gjërat duken shumë më qartë mandej.

Janë disa gjëra në jetë që nuk mund t’i shohësh për shkak të lotëve, por janë edhe ca gjëra të tjera që mund t’i shikosh vetëm përmes lotëve. Në këtë kategori bën pjesë edhe Kosova jonë e dashur, ky vend i pasur e me popull të varfër, me pushtet të kënaqur e me qytetarë të vuajtur, me intelektualë të shitur e me rini pa perspektivë. Kosova mund të shihet vetëm nëpërmjet lotëve.

Gazi e spreji ynë lotsjellës po e paralajmërojnë barazinë në shtet. Para gazit e sprejit lotsjellës duhet të jemi të gjithë të barabartë: si qytetari, si polici, si qeveritari, si deputeti. E jo dikush të jetë mbi sprejin lotsjellës e dikush nën sprejin lotsjellës, apo jo? Barazia para sprejit lotsjellës është parakusht për barazinë në republikë. Sepse shteti i kapur s’mund të jetë republikë.

24 nëntor 2015

Albin Kurti

Kontribo

23 11 2015

Sot, në emër të Opozitës së Bashkuar drejtuesit e grupeve parlamentare, deputetët Glauk Konjufca, Pal Lekaj e Valdete Bajrami i dorëzuan Presidentes së Republikës së Kosovës Peticionin kundër Marrëveshjeve të nënshkruara me 25 dhe 26 gusht nga Isa Mustafa dhe Hashim Thacci. Ky peticion iu dorëzua Presidente së Republikë në cilësinë e kryetares së shtetit që sipas kushtetutës garanton unitetin, funksionimin kushtetues dhe drejton politikën e jashtme të Kosovës.

Ky peticion u fillua nga subjektet opozitare me 18 shtator 2015 dhe u përmbyll më 31 tetor 2015. Ky peticion u nënshkrua nga 205.254 qytetarë të Republikës sonë.

Valdete Bajrami shpjegoi arsyen kryesore pse peticioni iu dorëzua Presidentes duke thënë se sipas kompentecave që ia jep Kushtetuta, Presidentja garanton unitetin e populli. Bajrami tha se Presidentja do të duhet t’i shqyrtojë kërkesat e qytetarëve të Kosovës, meqë ato janë legjitime.

Ndërkaq Glauk Konjufca theksoi se në deklaratat dhe qëndrimet e saj politike, Presidentja duhet ta përfaqësoj unitetin e popullit i cili është i mishëruar në këtë peticion të qytetarëve të Kosovës të cilët masivisht janë shprehur kundër themelimit të Zajednicës dhe kundër dhënies së mijërave hektarëve tokë Malit të Zi”.

Pal Lekaj shtoi midis të tjerash se Opozita e Bashkuar është e vendosur që t’i kundërshtojë këto dy marrëveshje me të gjitha mjetet demokratike, marrëveshje këto që dëmtojnë dhe copëtojnë Kosovën.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA

Kontribo

20 11 2015

Dënimi i policëve që arrestuan rojat e Vulinit, i papranueshëm!

Më 18 nëntor 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që t’i dënojë me 9 vite burgim, pjestarët e Policisë së Kosovës të cilët kishin arrestuar rojat ilegale të Aleksandër Vulin.

Ashpërsia e shtetit të Kosovës ndaj të gjithë atyre që e kundërshtojnë depërtimin ilegal të Serbisë në Kosovë, si dhe toleranca e Qeverisë ndaj strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, që cënojnë për çdo ditë sovranitetin dhe sigurinë e vendit, janë të padurueshme. Nuk është më e qartë se për kë po punon Qeveria e Kosovës. Për sovranitetin shtetëror dhe barazinë qytetare, apo për realizimin e planeve të Serbisë për kontroll të brendshëm në Kosovë.

Sistemi i drejtësisë sot është vënë në funksion të Qeverisë, e cila, po sulmon, arreston e burgosë, ata që janë kundër Serbisë, kurse po i toleron, mbron dhe mbështetë, ata që po e mbajnë Serbinë në Kosovë.

Vendimi për dënimin e policëve që arrestuan rojat ilegale të Vulinit, është i papranueshëm dhe duhet të tërhiqet.

Kontribo

18 11 2015

Nuk ka qetësi, pa tërheqjen e marrëveshjeve!

Përballë insistimit të Qeverisë, që t’i zbatojë marrëveshjet e dëmshme me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi, kundërshtimi aktiv i opozitës së bashkuar do të rritet dhe do të intensifikohet për çdo ditë e më shumë.

Nuk do të tolerojmë që Kosova të shndërrohet në shtet policor, e shteti policor në instrument të mbrojtjes së “Zajednicës” dhe demarkacionit. Nuk do të ketë qetësi derisa pushteti vazhdon arrogancën, duke arrestuar opozitën.

Nuk mund të ketë normalizim ngase Kosova po rrezikohet nga defunksionalizimi dhe ndarja etnike. Opozita e bashkuar do të vazhdojë aktivitetet dhe protestat deri në tërheqjen e marrëveshjeve të dëmshme dhe lirimin e deputetëve të opozitës.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

Kontribo

18 11 2015

Përndjekja e opozitës duhet të ndalet menjëherë

Policia ka arrestuar deputeten Donika Kadaj – Bujupi ndërsa ka rrethuar banesën e deputetëve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiut. Banesa e Albin Kurtit dhe ajo e Albulena Haxhiut janë bastisur nga Policia e Kosovës dhe aktualisht brenda po qëndrojnë disa policë.

Policia po i përgjigjet urdhërave policore të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit të cilët janë të gatshëm ta shndërrojnë Kosovën në shtet policor, vetëm që të mos heqin dorë nga pushteti i tyre dhe nga marrëveshjet që kanë bërë me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.

Deputetja Kadaj – Bujupi duhet liruar menjëherë dhe përndjekja ndaj opozitës duhet të përfundojë.

Ne nuk do të ndalemi pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë, pavarësisht sa larg është i gatshëm të shkojë pushteti, në mbrojtje të “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Kontribo

16 11 2015

MANIFESTIM KUNDËR MARRËVESHJEVE TË DËMSHME DHE KUNDËR QEVERISË

Ka më shumë se dy muaj që subjektet opozitare, me vendosmëri të lartë, i kanë kundërshtuar në mënyrë aktive planet e Qeverisë së Kosovës për të instaluar në vendin tonë një republikë serbe dhe për t’ia falur Malit të Zi mbi 8000 hektarë të territorit tonë. Gjatë kësaj kohe ne morëm edhe mendimin e qytetarëve rreth këtyre marrëveshjeve. Gjithandej nëpër Kosovë organizuam tubime e takime me qytetarë, në të cilat, kundërshtimi i këtyre të fundit ndaj planeve të qeverisë ishte absolut. Ne organizuam njërin nga peticionet më të mëdha në Kosovë dhe mblodhëm 205, 254 nënshkrime.

Përballë protestave opozitare dhe mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, Qeveria e Kosovës u përgjigj me cinizëm, shpërfillje, përndjekje, arrestime, burgosje dhe dhunë policore. Ajo, po insiston t’i qëndrojë besnike Serbisë edhe pasi Serbia bëri çmos që përmes fushatës së saj raciste të na pengojë në UNESCO. Ajo po insiston në zbatimin e demarkacionit, edhe pse nuk ka ekspert të fushës që nuk ka treguar qartë se si Kosova humbë mbi 8000 hektarë nga kjo marrëveshje.

Qeveria Mustafa-Thaçi, që premtoi 200 mijë vende pune, krejt çka na solli janë projektet që rrënojnë shtetin tonë dhe e ndajnë etnikisht atë, skandalet korruptive, uljen e zhvillimit ekonomik, ikjen e mbi 100 mijë qytetarëve, etj.

Populli i Kosovës nuk mund të heshtë para një qeverie të tillë.

Prandaj, subjektet opozitare, më 28 nëntor 2015, në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” organizojnë manifestim kundër marrëveshjeve me Serbinë, demarkacionit me Malin e Zi dhe kundër Qeverisë së Kosovës.

Në këtë manifestim do të shprehet masivisht, vullneti i qytetarëve të Kosovës për një shtet sovran e funksional. Për një shoqëri të barabartë dhe jo të ndarë në baza etnike.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Nisma për Kosovën

Kontribo

10 11 2015

NUK NDALEMI DERI NË TËRHEQJEN E MARRËVESHJEVE

Fitorja e opozitës së bashkuar, në kauzën e saj për mbrojtjen e shtetit, është e pashmangshme. Drejtësia e kësaj kauze, në njërën anë, dhe vendosmëria jonë në anën tjetër, pashmangshëm do ta gjunjëzojnë koalicionin e dy marrëveshjeve me të cilat është rrezikuar Republika e Kosovës.

Kur u nënshkruan marrëveshjet e fundit me Serbinë, më 25 gusht, kryeministri, zv.kryeministri dhe të gjithë vartësit e tyre, deklaronin me vendosmëri të lartë se marrëveshjet do të zbatohen, se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe se nuk do të ketë kthim mbrapa. Ata nuk e morën seriozisht, seriozitetin e opozitës së bashkuar.

Sot, pas dy muajsh të rezistencës aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç ka filluar. Presidentja i dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është i shpallur ‘nul’ dhe në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush.

Ne kemi njëmijë arsye që të mos i besojmë Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka kredibilitet dhe është e kapur, por vetë fakti që presidentja u detyrua t’i dërgojë marrëveshjet atje, është tërheqje e pushtetit karshi presionit qytetar dhe të opozitës.

Ne e kemi të qartë që kjo tërheqje ka për synim pamundësimin e fitores së plotë të opozitës, në kauzën e saj për tërheqjen e plotë të këtyre marrëveshjeve. Është pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që paligjshëm ia vazhdoi PDK-së qëndrimin në pushtet dhe normalisht që nuk presim kurrfarë vendimi në mbrojtje të shtetit dhe Kushtetutës, nga një gjykatë e kapur. Pra, nuk do të ndalemi që të presim vendimet e saj. Përkundrazi, subjektet opozitare do të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë edhe më intensive.

Nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Nisma për Kosovën

Kontribo

09 11 2015

Më 8 nëntor, në qytetin Kristianstad në Suedi u mbajt takim me aktvistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që jetojnë në regjionin Skåne.

Në këtë takim u diskutua për gjendjen politike në Kosovë dhe përpjekjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! së bashku me partitë tjera opozitare për t’i ndalur këto marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Aktivistët u pajtuan që marrëveshja për “Zajednicën”, marrëveshjet tjera të 25 gushtit si dhe marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi, janë marrëveshje që e dëmtojnë rëndë Republikën e Kosovës dhe që patjetër duhet të kundërshtohen deri në tërheqjen e Qeverisë nga këto marrëveshje. Në këtë takim, aktivistët e shprehën përkrahjen e tyre ndaj protestave dhe aksioneve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe opozitës, qoftë në parlament apo jashtë tij.

Përgjatë këtij takimi u diskutua edhe për punët që duhet të bëhen për themelimin e Pikave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër regjione të ndryshme të Suedisë, për të vazhduar pastaj edhe me themelimin e Qendrës së Lëvizjes në Suedi. U zgjodh Grupi Punues i Pikës në Skåne, i cili do t’i vazhdojë punimet deri në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes.

Takimet e tilla kanë për qëllim shtrirjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Suedi, dhe shumë shpejt do të vazhdohet me takime të tilla edhe në regjione të tjera të Suedisë ku jetojnë shqiptarë, si në Stockholm, Västra Götaland, e të tjera.

Kontribo

06 11 2015

“A është segregacioni etnik vlerë e BE-së?!” “Marrëveshjet e padrejta nuk do të kalojnë!”

Synimet pro-perendimore dhe integruese të popullit të Kosovës, po dëmtohen nga disa marrëveshje që janë në shpërputhje të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian.

Segregacioni dhe ndarja etnike janë projekte tashmë të tejkaluara dhe të luftuara ashpër nga shtetet perendimore. Reciprociteti dhe barazia në mes të shteteve janë disa nga vlerat fundamentale të BE-së nga të cilat Kosova nuk guxon të heq dorë.

Opozita e bashkuar e Kosovës beson që vetëm duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të Republikës, jemi duke i mbrojtur edhe vlerat perendimore. Marrëveshjet për Asociacionin dhe për demarkacionin me Malin e Zi janë të padrejta. E para ndan etnikisht dhe e defunksionalizon vendin kurse e dyta ia fal territoret e Kosovës, Malit të Zi. Ne nuk mund të heqim dorë nga subjektiviteti shtetëror dhe nga funksionaliteti i shtetit tonë. Evropa nuk do të pranojë në gjirin e saj një shtet jofunksional dhe të pazhvilluar dhe i cili për shkak të marrëveshjeve që e ndajnë etnikisht do të jetë burim i përhershëm i konflikteve.

Prandaj, subjektet opozitare, duke e mbrojtur Republikën e Kosovës nga këto marrëveshje të padrejta, po e mbrojnë dhe lehtësojnë edhe rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Shteti, liria, barazia, drejtësia dhe zhvillimi, janë çështje për të cilat nuk mund të bëjmë kompromise.

Kontribo

31 10 2015

Kadri Veseli sot dha urdhër që deputetëve të opozitës të mos u lejohet mbajtja e një konference për medie në sallat e Kuvendit.

Kadri Veseli sot dha urdhër që të mos lejohet futja në Kuvend e dokumenteve që përmbanin mbi 200,000 nënshkrimet e qytetarëve kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Megjithatë, drejtuesit e subjekteve opozitare, nuk u ndalën para urdhrave të Veselit dhe u futën brenda pa lejen e sigurimit dhe po ashtu i futën brenda edhe nënshkrimet e qytetarëve. Konferenca u mbajt pa lejen e Veselit dhe aty u prezantuan ato nënshkrime para medieve.

Kadri Veseli nuk e do opozitën brenda Kuvendit. Kadri Veseli nuk i do as nënshkrimet e qytetarëve që shprehën pakënaqësinë e tyre me marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi. Opozita dhe peticioni i qytetarëve i pengojnë Kadri Veselit sepse ia kujtojnë atij se sa në shpërputhje janë vendimet e këtij pushteti me vullnetin e qytetarëve.

Por, Kadri Veseli është i pafuqishëm përballë këtij vullneti.

Kontribo

26 10 2015

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tryezën e Evropës Qendrore për pushtetin lokal

Lëvizja VETËVENDOSJE! është ftuar të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët për Evropën Qendrore që u organizua në Vjenë nga data 22-24 tetor 2015 nga Eurodeputetja, Monika Vana. Në këtë tryezë morrën pjesë mbi tridhjetë këshilltarë komunalë të partive të gjelbra nga njëmbëdhjetë shtete të ndryshme të Evropës. Ndërkohë që Kosova dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! u përfaqësuan në këtë tryezë nga Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Hatixhe Latifi-Pupovci dhe Kreshnik Ahmeti.

Tri temat kryesore të kësaj tryeze ishin zgjidhjet që duhen ofruar për krizën e refugjatëve në Evropë, rreziku nga tendencat autoritare në shtete të ndryshme të Evropës, si dhe shkëmbimi i praktikave të mira qeverisëse në nivelin lokal.

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë tryezë paraqitën gjendjen e përgjithshme ekonomiko-politike në Kosovë dhe prirjen e Qeverisë së Kosovës drejt autoritarizmit. Më tej ata prezantuan edhe organizimin dhe programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! qoftë sa i përket alternativës qeverisëse për nivelin qendror, qoftë sa i përket punës dhe arritjeve të deritanishme të qeverisjes në Komunën e Prishtinës. Përveç takimeve të shumta me pjesëmarrësit, dy përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! patën mundësinë të takoheshin edhe me Eurodeputeten Monika Vana dhe me stafin e saj për te diskutuar mbi situatën në Kosovë.

Pjesëmarrësit dhe organizatorët në këtë tryezë u zotuan që të rrisin nivelin e komunikimit dhe bashkëpunimit në të ardhmen.

26 tetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

24 10 2015

OPOZITA FITOI, DETYROI KOALICIONIN E “ZAJEDNICËS” QË TË FSHIHET SKUTAVE

VISAR YMERI:
“Mbrëmë për nëntë orë rresht ka zgjatur protesta e opozitës së bashkuar, brenda sallës së Kuvendit dhe jashtë saj. Kjo protestë rezultoi me fitore të subjekteve opozitare për shkak se edhe mbrëmë, me gjithë tentativat e turpshme të pushtetit ata nuk arritën dot që ta normalizojnë “Zajednicën”, përmes tentim-normalizimit të seancave të Kuvendit. Shfrytëzoj rastin që t’i falenderojë të gjithë deputetët e opozitës, të gjithë aktivistët dhe qytetarët që protestuan mbrëmë dhe juve mediave për durueshmërinë dhe qëndrueshmërinë tuaj dje.

Për shkak të protestës së Opozitës së bashkuar deputetët e pozitës u detyruan të fshihen skutave për t’u shtirur kinse po marrin vendime. Takimi i mbajtur në restoran duke i përjashtuar një të tretën e deputetëve të Republikës, është shpërfaqje e inatit dhe dëshpërimit të këtij pushteti.

Një qeveri që e tëra vendoset në funksion të zbatimit të kërkesave dhe interesave të Serbisë brenda Republikës së Kosovës, nuk do të jetë njëkohësisht as transparente e as demokratike: ata janë zaptues që merren vesh skutave, rrënues të Republikës që veprojnë natën. Dhe kështu nuk mund ta kenë të gjatë.

Protesta jonë do të vazhdojë. Kuvendi i Republikës nuk do të bëhet mekanizëm për kontrabandim të ‘Zajednicës’, e as mekanizëm për shpërlarjen e të palarave të qeverisë.”

ALBIN KURTI:
“Duke qenë të bashkuar, të vendosur dhe aktiv nuk kemi lejuar normalizimin e “Zajednicës” në Kuvendin e Republikës. Në Kosovë nuk mund të ndërtohet edhe Republika edhe “Zajednica”. Prandaj “Zajednica” do të bjerë ose bashkë me të do të bije edhe qeveria. Nuk ka zgjidhje tjetër.

Ata kanë pritur që ne do të lodhemi, ata kanë pritur që ne do të mërzitemi, por asnjë nga këto nuk ka ndodhur. As në rrugët e Prishtinës dhe as në sallën e Kuvendit. Rezultat i qëndrueshmërisë sonë të pakompromis është edhe fitorja e mbërmshme.”

Kontribo

23 10 2015

Deputetët e opozitës sapo kanë hedhur gaz lotsjellës pranë zyres së Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ky i fundit e blindoi kuvendin me forca policore. Njësoj sikur që Isa Mustafa po e blindon shoqërinë duke arrestuar, përndjekur e kidnapuar deputetë e qytetarë. Opozita nuk do të lëshojë pe kur është në pyetje sovraniteti shtetëror, interesi qytetar, liria dhe barazia.

Protesta jonë brenda Kuvendit vazhdon, deri në tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Kontribo

22 10 2015

Vazhdojnë të mbahen në burg aktivistët e arrestuar ditë më parë

Qeveria e Kosovës duke instrumentalizuar institucionet e drejtësisë, po tenton që instalimin e Serbisë në Kosovë ta bëj duke persekutuar qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sot, Gjykata e Apelit e la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’i mbajtur në paraburgim 30 ditë Yll Hoxha, Premton Iberdemaj, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj.

Vendimet e tilla nuk kanë të bëjnë fare me drejtësinë, janë thellësisht politike dhe të vetmin qëllim e kanë shtypjen e vullnetit qytetar për t’i kundërshtuar marrëveshjet që janë në dëm të Republikës.

Përndjekja, arrestimi e paraburgimi i aktivistëve nuk do të ndal në rrugën tonë të drejtë. Tërheqja nga marrëveshjet e 25 gushtit dhe nga marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi është zgjidhja e vetme dhe e panegociueshme. Në të kundërtën, Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbaj përgjegjësi për tensionimin e situatës.

Kontribo

21 10 2015

Reagim ndaj deklaratave të Sava Janjiqit

Gjuha e përdorur së fundmi nga një udhëheqës fetar në Kosovë, z. Sava Janjiq, është e papranueshme. Në komunikimin me zv. Ministrin P. Selimi, z. Janjiq shprehet për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për aktivistët e saj në një mënyrë ofenduese dhe përbuzëse duke na quajtur neo-nazistë.

Gjuha e Sava Janjiq i bën jehonë në fakt gjuhës së vetë zv. Ministrit Selimi, i cili disa ditë më parë i ka quajtur aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! fashistë. Etiketime të tilla për ekstremizma të llojeve të ndryshme janë përdorur kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! vetëm nga njerëzit pranë pushtetit në Kosovë për të vetmen arsye, sepse Lëvizja është i vetmi subjekt politik që nuk pranon “paqe pa drejtësi” dhe nuk pranon “stabilitet pa barazi”.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është një organizatë politike socialdemokrate që refuzon e lufton çdo veprim e qëndrim shoven, racist a fashizmi. Këtë e kemi të sanksionuar dhe në Statutin e organizatës tonë.

Sava Janjiq dhe Petrit Selimi i akuzojnë shqiptarët për atë që kurrë s’kanë qenë. Janjiq-Selimi jo vetëm që përdorin të njëjtat terma për një Lëvizje të frymës çlirimtare e sovraniste siç është VETËVENDOSJE!, por po kurdisin të njëjtën të ardhme për Kosovën, pasi interesat e tyre janë të ngjashme. E ardhmja për të cilën ata punojnë është e ardhmja e një Kosove, çelësat e stabilitetit të së cilës do të varen në Beograd. Është e ardhmja ku mungesa e zhvillimit ekonomik do të shihet si fatalitet i pakapërcyeshëm. Është e ardhmja ku shqiptarëve do t’u mbetet si mundësi vetëm mërgimi, dhe kjo e ardhme ngjan me të shkuarën.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër një të ardhme të tillë, e cila bart në vetvete realizimin shpirtëror të Millosheviqit.

Ne do të punojmë me vetësakrifikim maksimal për një Kosovë sovrane e republikane ku të gjitha minoritetet do të mbrohen e do të garantohen me të gjitha të drejtat, sipas konventave ndërkombëtare.

Ne do të punojmë për një Kosovë ku serbët do të mund të jetojnë si të barabartë, e ku të gjitha fetë e institucionet fetare do të ruhen si në çdo vend të Evropës.

Por vetëm një Serbi që dënon fashizmin politikisht e shoqërisht, që e njeh Kosovën e që merr përsipër pasojat e krimeve të kryera, do të krijonte kushtet e paqtimit fqinjësor në të ardhmen.

Visar Ymeri, Kryetar
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 21 tetor 2015

Kontribo

20 10 2015

Policia sekrete e Isa Mustafës përgjon zyrat e VETËVENDOSJE!-s

Sot rreth orës 15:00, në zyrën qendrore të Lëvizjes në Prishtinë, u kap një person tek tentonte fshehtazi që të vendoste pajisje përgjuese pranë zyrave të Kryesisë së VETËVENDOSJE!-s dhe kryetarit Visar Ymeri. Personi i cili nuk kishte asnjë dokument identifikues me vete, deklaroi që është polic. Ai fillimisht nuk pranoi të tregonte identitetin kurse më pas tha që quhet Qerim Krasniqi. Pajisjet që kishte me vete u gjetën nga aktivistët. Ky person iu dorëzua Policisë bashkë me pajisjet që kishte me vete.

Represionit policor të Isa Mustafës po i shtohen edhe metodat përgjuese ndaj kundërshtarëve politikë. Kosova po shndërrohet në një shtet totalitar ku opozita torturohet nëpër stacione, kidnapohet në rrugë, dhe hetohet nëpër zyra. Këto praktika, të cilat janë përdorur ndaj rezistencës kombëtare edhe në të kaluarën nga pushtetit të cilit i ka shërbyer Isa Mustafa, janë të papranueshme në Kosovë. Ky skandal duhet të hetohet urgjentisht nga sistemi i drejtësisë dhe të zbardhet sa më parë.

Më poshtë gjeni fotot e personit dhe pajisjeve të cilat ishte duke i përdorur kur u kap në korridoret e zyrave tona.

Kontribo

20 10 2015

Policia e Kosovës ka filluar t’i kërkojë për t’i arrestuar disa aktivistë të Lëvizjes.

Policia e Kosovës ka filluar t’i kërkojë për t’i arrestuar disa aktivistë të Lëvizjes. Para disa minutash, policia ka kontaktuar përmes telefonit aktivistët Egzon Balaj dhe Ardian Huli, duke kërkuar që të paraqiten në polici ose përndryshe do të arrestohen kudo që takohen nga policia.

Dje aktivistët u torturuan në stacionet policore, ndërsa sot policia po kërkon që aktivistët të shkojnë në polici. Përndjekja e opozitarëve është sjellje tipike e pushteteve me tendenca autoritare. Këto pushtete bëhen të dhunshme dhe policore veçanërisht kur ndeshen me opozitarizëm të fortë e të vendosur.

Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, që kanë filluar ta ndjejnë fundin e tyre, po përpiqen që të vazhdojnë qeverisjen përmes taktikave policore. Mirëpo taktikat policore do ta rrisin pakënaqësinë dhe do ta mobilizojnë edhe më shumë opozitën në kauzën e saj për të parandaluar “Zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Kontribo

19 10 2015

Torturohen aktivistët në stacionin policor

Rreth orës 16:00, Policia ka liruar dy aktivistët që kishte kidnapuar paradite. Aktivistët e sapo liruar, janë rrahur brutalisht në Stacionin Qendra, të Policisë së Kosovës. I përfshirë në torturimin e aktivistëve ka qenë edhe komandanti i Stacionit “Qendra” të Policisë së Kosovës, Driton Imeri.

Me t’i futur në stacionin policor, aktivistëve u është thënë nga Driton Imeri që “tash e tutje ju nuk do të keni punë në gjykata. Këtu ma nuk ka ligje. Thjesht do t’ju rrahim nëpër stacione deri sa të ndaleni”. Rreth 10 policë kanë rrahur aktivistët që ishin me duar të lidhura dhe i kanë kërcënuar që “nëse vazhdoni kështu do t’ju rrahim vazhdimisht”. Po ashtu, policët u kanë thënë aktivistëve t’i qojnë fjalë Dardan Molliqajt dhe disa aktivistëve të tjerë që “sapo t’i arrestojmë do t’i torturojmë më shumë se juve”. Po ashtu, policët kanë sharë e ofenduar aktivistët në baza familjare.

Më poshtë i gjeni edhe disa foto nga lëndimet që aktivisti Shkëlqim Morina ka marrë nga rrahjet.

Qeveria ka filluar të përshkallëzojë dhunën, në çdo institucion që kontrollon. Format e tilla të torturave janë tipike për sistemet autoritare që duan t’i frikësojnë ata që kritikojnë pushtetin. Të tilla metoda, Isa Mustafa, me siguri i njeh mirë. Mirëpo duhet ta ketë të qartë kjo qeveri që ne nuk do të ndalemi deri në ndaljen e “Zajednicës”, dhe siç po duket, edhe të qeverisë Mustafa e cila po e mbron Serbinë në Kosovë edhe përmes torturave policore.

Kontribo

17 10 2015

ZÜRICH: KUNDËR ZAJEDNICËS! NË MBROJTJE TË SOVRANITETIT!

‘Zajednica’ është projekt famëkeq dhe jashtëzakonisht i dëmshëm, që si kërkesë erdhi nga pushtetarët e Serbisë, dhe u pranua nga pushtetarët tanë servilë e antikombëtarë në Kosovë. Krijimi i saj e bosnjëzon vendin, duke ia copëtuar territorin, permes kompetencave ekzekutive që do t’i jepen asaj në 30% të territorit.

‘Zajednica’ cënon shtetin e Kosovës. E ardhmja me ‘Zajednicë’ brenda shtetit bëhet e pasigurtë!

Prandaj, edhe Diaspora i bashkangjitet popullit të Kosovës në kauzën e tyre për mbrojtje të Republikës. Fuqishëm në kundërshtim të ‘Zajednicës’ dhe për mbrojtje të sovranitetit të Kosovës.

ZAJEDNICA NUK KALON!

Kontribo

17 10 2015

Të lirohen sa më parë aktivistët

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! zhvilluan një aksion simbolik për të kundërshtuar përndjekjen dhe mbajtjen në burg në mënyrë të padrejtë të aktivistëve të opozitës.

Isa Mustafa po e vërteton se është Kryeministër i ‘Zajednicës’. Ai ka vënë në përdorim çdo mjet që të mbrojë këtë marrëveshje të dëmshme. Përmes policisë dhe drejtësisë së kapur ai i është lëshuar në gjah aktivistëve të opozitës.

“Këtë zell të policisë dhe gjyqësisë sigurisht që nuk e shohim ndaj strukturave paralele, korrupsionit tenderomanisë, tjetërsimit të pronave, mafias së ndërtimit, klanit Hamiti dhe SHIK-ut dhe shumë strukturave të tjera kriminale që janë të lidhura ngusht me pushtetin”, tha aktivisti Nol Nushi. Ai më tej u shpreh se “deri tash nga qeverisja Mustafa, kanë përfituar vetëm familja e tij, Serbia dhe Mali i Zi. Djemve po u jep tenderë, Serbisë po ia jep ‘Zajednicën’ e Malit të Zi po i fal territor.”

Opozita e bashkuar bën thirrje që aktivistët të lirohen sa më parë, dhe të tërhiqen marrëveshjet e dëmshme, përndryshe këtë pushtet e pret rezistencë e fuqishme qytetare.

17 tetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

15 10 2015

DEKLARATË E OPOZITËS SË BASHKUAR

Ne jemi të vendosur në protestën tonë kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi. Qeveria e Republikës me marrëveshjet në fjalë ka krijuar situate të jashtëzakonshme. Kuvendi nuk mund të vazhdojë sikur zakonisht. Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi.

1. Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos thërras më seancë plenare. Çfarëdo insistimi në këtë drejtim është provokim dhe përshkallëzim i situates në Republikën e Kosovës.

2. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të merr vendim për tërheqje nga Marrëveshjet me Serbinë dhe atë për demarkacion me Malin e Zi. Vetëm tërheqja nga këto marrëveshje do ta kthejë normalitetin institucional dhe shoqëror në Kosovë.

Prishtinë,
15 tetor 2015

Kontribo