Kandidatja për kryetare të GVV, Albulena Haxhiu, shpalosë platformën e saj për mandatin 4 vjeçar
I nderuar Kryetar,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë, Ministra, Deputetë
Të nderuar bashkëaktivistë,
E nderuar famijle Balaj, Xheladini, Dehari dhe Koskoviku,
Mirë se po takohemi dhe mirë se e gjejmë njëri tjetrin.
Rrugëtimi i grave në LV për barazi sociale ka një historik të gjatë dhe i jep kuptim më të thellë përpjekjes sonë për t’i parë kauzat e barazisë të bëhen realitet në shoqërinë tonë.
Vet themelimi i GVV (Gratë për VETËVENDOSJE!) është paramenduar si vazhdimësi e kësaj përpjekjeje të gjatë për të krijuar hapësirat e nevojshme që gratë dhe vajzat të jenë të përfaqësuara në të gjitha strukturat e Lëvizjes, e kauzat e tyre të bashkërendohen me veprime të qarta edhe në mandatet qeverisëse.
Mirëpo, ne sot nuk jemi të kënaqura vetëm me përfaqësimin si të tillë, por duhet të mbartim edhe krenari kur e kujtojmë nga kah ka ardhur ky përfaqësim – e ai është tejkalimi historik i kuotës edhe si përqindje, por edhe si mjet.
Ky rezultat është puna e mundi i grave dhe vajzave të LV ndër vite.
Është rezultat i atyre aktivisteve që kanë shkruar me sprej, kanë folur me megafon, kanë organizuar lagjen, konviktin, studentët, kanë shkruar komunikatën, kanë mbajtur qëndrim politik, i kanë drejtuar institucionet, janë arrestuar e burgosur disa herë, kanë denoncuar shovenizmin, kanë denoncuar aferat, i kanë kërkuar politikat barazimtare, i kanë kërkuar çerdhet, sigurinë e drejtësinë.
Aktivistet i kanë sjellë LV mendimin dhe aksionin.
Gruaja në LV e ka prodhuar ngjarjen politike dhe si e tillë ka qenë dhe është faktor i patejkalueshëm në vendimmarrje.
Andaj na duhet feminizmi i VETËVENDOSJE! – s, një feminizëm social demokrat e progresiv, që nuk e sheh pushtetin si mjet për të shtypur, por si platformë për të çuar më tutje politikat e barazisë, me ndjeshmëri ndaj hierarkisë së klasave ekonomike në bashkëdyzim me ato gjinore.
Pra, nuk është vetëm një feminizëm për përfaqësim sipërfaqësor, por feminizëm për luftë të barazisë e drejtësisë – për instrumentalizim të pushtetit si vegël çlirimtare për të gjithë ato shtresa të shtypura e drobitura nga pushtetet e kaluara.
Përpjeka e grave për të drejta të barabarta përmban zjarrin dhe vrullin e LV.
Është thirrja jonë me shumë zëra, të fuqishëm dhe që mund të dridhen por që nuk ndalen.
Të nderuar të pranishëm,
Ne kemi trashëguar një histori përpjekjesh të grave të Kosovës: gratë në ilegale, gratë e Pajtimit të Gjaqeve, aktivistet e viteve të 90-a, gratë në UÇK-së, Gratë e Krushës, Thirrjet e Nënave, mbrojtëset e grave të dhunuara dhe aktivistet që e denoncojnë shtypjen e shfrytëzimin çdo ditë.
Nuk ka pajtim me dhunën. Për asnjërën nga ne.
Për këto dhe nga këto është menduar GVV-ja, si strukturë gjithëpërfshirëse e cila do të veprojë t’i shtyjë përpara kauzat feministe që nga niveli i Pikës deri te ekzekutivi.
Prandaj, edhe kandidaturën time për të parën e GVV-së nuk e shoh të ndarë nga historia e aktivistes së Qendrës e të Pikës.
Puna e tyre në terren për mobilizim, organizim e artikulim e nxorën Lëvizjen të parën.
Në zgjedhjet e fundit mbi 50 përqind e votave për Lëvizjen erdhën nga gratë. Ky vrull i grave drejt LV, është padyshim përpjekje e aktivisteve dhe anëtareve tona.
Fitorja jonë së pari ju takon vajzave dhe grave.
Aktivistja politike e përbën pjesën qendrore të VETËVENDOSJES!, sepse ajo vazhdimisht i ka kujtuar edhe shoqërisë edhe organizatës sonë nevojën për liri e barazi EDHE gjinore.
GVV-ja si organizatë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka ardhur si ndërhyrje e gjendjes aspak të kënaqshme.
Si LV nuk mund të flasim për ide të reja shoqërore pa e denoncuar patriarkatin si mendësi dhe sistemin si forcë shfrytëzuese të grave.
Këtë e kemi bërë sistematikisht. Këtë po përpiqemi ta bëjmë çdo ditë në qeveri. Këtë do ta bëjmë të organizuara në front të përbashkët si gra aktiviste.
Platforma ime si kryetare e GVV e parasheh punën konkrete të bazuar në tri shtylla kryesore:
E para është Emancipimi gjinor, ku përpos që e ndjekim vijën e deritashme të luftës kundër shfrytëzimit gjinor dhe klasor, ne i ndërtojmë organizmat përbrenda Lëvizjes të cilat kanë për synim ngritjen e vetëdijes feministe dhe mbështetjen e veprimit feminist jo të kufizuar vetëm në shpërfaqje teorike.
Kjo do të arrihet konkretisht përmes krijimit të hapësirës për edukim feminist (në formë të shkollave verore feministe të cilat i organizojmë në bashkërendim me Sekretariatin e Gruas Aktiviste dhe Sekretariatit për Emancipim Politik); të insistohet në përpjesëtim të barabartë të pjesëmarrjes së grave në të gjitha organet e LV-së; të implementohet motërzimi si princip i bashkëpunimit; të implementohet parimi i gjinorizimit në të gjitha programet, statutet, projektligjet dhe dokumentet e tjera me relevancë, duke u bashkërenduar me qeverinë.
Shtylla e dytë është puna për rritjen e PJESËMARRJE-s së AKTIVISTEVE në organizatë duke i zhvilluar parimet e ekuitetit gjinor (paanësisë dhe barazisë) me konsideratë të veçantë rrethanat vështirësuese për pjesëmarrje të grave në sferën publike si pasojë e kontekstit patriarkal.
Kështu, me drejtueset e GVV-së nëpër Qendra, të cilat synojmë të jenë të punësuara me orar të plotë në Qendra, ne do të hartojmë politika të qarta që e rrisin numrin e grave në LV, dhe të ofrojmë këtë mundësi edhe për ato gra që brenda kontekstit të tyre socio-ekonomik kanë qenë të shtypura e nuk kanë pasë qasje të lehtë për t’u kyçur në sferën publike.
Pjesëmarrja e aktivisteve gra do të mundësojë që të kemi ndikim edhe në hartimin e programit qeverisës me politika mbështetëse për vajzat dhe gratë.
Sipas statistikave të brendshme, anëtarësia jonë përbëhet përafërsisht 25% janë vajza dhe gra dhe 75% djem e burra.
Sipas kësaj mbështetja e madhe e vajzave dhe grave për VETËVENDOSJE!-n, nuk reflektohet në anëtarësinë tonë.
Kjo gjendje mund të ndryshojë nëse ne punojmë për të krijuar një ambient të sigurt të veprimit politik për gratë.
Koncepti i krijimit të ambientit të sigurt për veprim politik më hap shteg për të prezantuar shtyllën e tretë, gjegjësisht adresimi sjelljes dhe gjuhës seksiste. Nëse si shtyllë të parë e kemi vendosur emancipimin gjinor, nuk do të thotë se do të presim si spektatore derisa para syve tanë të ushtrohet gjuha e sjellja seksiste e mizogjene, sepse konsiderojmë që për këtë duhet të ketë sanskionim social meritor.
Ne do të punojmë që asnjë rast i seksizmit mos të mbetet i pavërejtshëm e i pandëshkuar.
Teoria nuk na duhet pa praktiken, e as politika feministe nuk artikulohet pa i adresuar përjetimet mizogjene e seksiste të grave, pra politika është personale, e personalja është politike.
Përmes GVV-së, synojmë të themelojmë hapësira ku gratë dhe vajzat do të mund të denoncojnë padrejtësitë e kësaj natyre në mënyrë të lirshme, të cilat pastaj do t’i dërgohen komisionit disiplinor. Nuk e pranojmë më gjuhën fyese, linçuese, përjashtuese e moralizimin e patriarkatit, dhe e luftojmë çdo gjuhë e sjellje që shkon kundër parimeve të barazisë sociale e gjinore.
Të nderuar të pranishëm,
Këto dhe shumë punë të tjera jam e bindur që do të arrihen me punën e vajzave dhe grave të LV por edhe shumë vajzave dhe grave që do të na bashkohen.
Ajo çfarë duhet është që të jemi bashkë, për njëra tjetrën dhe për vajzat e gratë e këtij vendi.
Me besën e votës suaj, zotohem që do të luftoj për këto parime pa kursim.
Kandidati për kryetar të RVV, Behar Jashari, shpalosë platformën e tij për mandatin 4 vjeçar
Të dashur anëtarë e aktivistë, shoqe e shokë, Të nderuar të pranishëm, I nderuar kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti,
Organizimet politike të rinisë janë emri nën të cilin janë nënshkruar lëvizjet më të thella politike. Qofshin ato studentore a jo këto organizime janë shquar për guximin dhe vrullin transformues. Të tilla ka pasur fatin t’i ketë dhe Kosova. E gjithë lëvizja e shekullit 20 pati në bërthamë të rinjtë e të reja, studentët e Kosovës.
Në fakt dhe themelimi e krijimi i lëvizjes tonë është po ashtu e lidhur me këtë fill. Rininë. Rëndësinë e organizimit politik të rinisë për shoqërinë dhe shtetin, më së miri këtë dekadë e dimë ne në Lëvizje. Për dallim nga partitë e ish-pushtetit, Lëvizja VETËVENDOSJE! që nga themelimi e padyshim edhe sot në qeverisje, e ka dëshmuar se për të rinia është zona ku përqendrohet rëndesa e ngjarjeve. Lëvizja VETËVENDOSJE! asnjëherë nuk e ka parë rininë si pjesë të ndarë të saj; në aksione e në protesta, në diskutime e lexime, në vendimmarrje e përfaqësim, rinia ka qenë gjithnjë pjesë integrale tejet e rëndësishme e Lëvizjes. Por sot po fillojmë një organizim të ri krah për krah me lëvizjen ashtu që t’i japim shpejtësinë dhe intensitetin e kërkuar organizimit politik të të rinjve dhe rejave. Përveç mbështetjes së jashtëzakonshme elektorale që ka Lëvizja nga grupmoshat e reja, edhe një pjesë e madhe e anëtarësisë së saj i përket moshave 16-29 vjeç. Gati 20.000 të rinj e të reja janë të anëtarësuar në Lëvizje, pra rreth 30% e të gjithë anëtarësisë. Prandaj, Rinia për VETËVENDOSJE! është strukturë e domosdoshme.
E për udhëheqjen e kësaj strukture, po prezantoj pikat e platformës sime:
Rritja dhe shtrirja e RVV-së
Emancipimi politik dhe përgaditja profesionale e aktivistëve
Aktivitetet dhe puna vullnetare
Socializimi, arti, muzika e sporti
Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare të orientimit socialdemokrat
Rritja dhe shtrirja e RVV-së
Lëvizja shtrihet në mbi 1.100 vendbanime gjithandej Kosovës, e RVV ka delegatë nga thuajse 500 të tilla. Brenda angazhimit 4 vjeçar ne do të punojnë që të jemi të shtrirë në 1000 vendbanime. Ne jemi lëvizje e si të tillë përpjekjet tona do t’i fillojmë nga largësitë. Aty ku vajzat e djemtë kanë më së shumti nevojë për t’u organizuar politikisht. Aty ku lëvizja duhet të jetë prezent në lagjet e fshatrat sado larg qofshin nga dritat e qyteteve.
Krahas shtrirjes gjeografike, tejet i rëndësishëm është diversiteti brenda strukturës. Rreth 5.100, apo më pak se 30% e anëtarësisë në moshat 16-29 vjeç janë vajza. Inkuadrimi i plotë i tyre në vendimmarrje e aktivitet është i domosdoshëm. Gjurmët patriarkale në mjediset tona janë ende të forta. E Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë dhe mbetet shembull i çeljes së shtigjeve të reja progresistë. Duhet bërë maksimumi që në vazhdimësi vajzave të reja t’ua garantojmë një ambient të përshtatshëm për aktivizëm. Këtë planifikojmë ta bëjmë e për ta mbërritur do të jemi të pakompromistë.
Kur jemi te diversiteti, të rinjtë e vendit tonë nuk janë vetëm shqiptarë për nga kombësia. 20% e popullatës në Kosovë i përkasin moshës 15-24 vjeç; jo të gjithë janë shqiptarë, ama të gjithë janë të rinj e të reja. Pabarazia e padrejtësitë e prekin dikë më shumë e ne duhet të jemi bashkë, në Lëvizje, për t’i luftuar ato. Për përfshirje më të madhe të të rinjve nga minoritetet, do të sigurohemi që të bashkërendojmë punët me Sekretariatin e Përgjithshëm, institucionet shtetërore përkatëse dhe organizatat joqeveritare.
Nxënësit e shkollave të mesme, posaçërisht maturantët, janë kyç në organizimin rinor. Për këtë arsye, do të synojmë sa më shumë inkuadrim të maturantëve në aktivitete politike e kulturore, përmes shtrirjes në të gjithë vendin. Këto grupe, në koordinim me Qendrat, do të synojnë zgjerimin e RVV-së në dhe për grupmoshën 16-19 vjeç.
Emancipimi politik dhe përgatitja profesionale e aktivistëve
Ne, të rinjtë, nuk bën të mos angazhohemi aktivisht në shoqëri. Gjimnazistë, studentë të cilësdo fushë, të rinj të punësuar e të papunë, të të gjitha shtresave, na duhet të angazhohemi bashkërisht. E ardhmja medoemos, por edhe e tashmja na takon neve. Për të duhet të angazhohemi e të përgatitemi mirëfilli.
Shkolla politike e Lëvizjes ofron shumë më tepër se vetëm njohuri mbi teoritë politike. Aty afirmohet mendimi kritik e afiniteti për lexim e studim. Neve na duhet që ta shfrytëzojmë mundësinë që e kemi, të mësojmë nga njerëz kompetentë për temat e nevojshme, në mënyrën e duhur. Kështu që, do të synojmë të inkuadrojmë sa më shumë të rinj e të reja në Shkollën politike, veçanërisht në Nivelin politiko-organizativ. Derisa Lëvizja siguron biblioteka e libra në të gjitha Qendrat, ne duhet të ftojmë shoqet e shokët tanë të na bashkohen në klube të leximit, filozofisë, filmit e debatit. Edhe shoqërohemi, edhe mësojmë e zhvillohemi.
Përveç kësaj, neve na duhet aftësim edhe në paraqitje e në çështje teknike. Besoj se është ide e mirë që të trajnohemi në të ashtuquajturat ‘soft skills’, në përdorim të plotë e të saktë të teknologjisë kompjuterike bashkëkohore, t’u ofrojmë të rinjve trajnime për shkathtësitë themelore që i kërkon punësimi.
Të rinjtë e të rejat e fushave specifike duhet t’i ndërlidhim me komitetet e nënkomitetet e Lëvizjes. Për të mundësuar më pas praktikën e përvojën kudo në institucione, sipërmarrje e veprimtari krijuese a ekonomike. Në këtë mënyrë, ne kemi mundësinë të praktikojmë profesionin tonë, si dhe t’i shërbejmë organizatës, për ta ndryshuar e përparuar vendin.
Aktivitetet dhe puna vullnetare
Manifestin e Lëvizjes, programin politik, Alternativën Qeverisëse, prioritetet tona dhe programin qeveritar do ta prezantojmë përmes aktiviteteve mirë të menduara dhe organizuara. Aktivizmi është forma më e drejtpërdrejtë e kontributit që duhet të organizohemi ta japim. Aty në fakt janë mësimet e përvojat më të çmuara. Në fillim duket sikur u ndihmon popullit gjatë aktiviteteve e më pas mëson se si ata të kanë transformuar në një aktivist të mirëfilltë politik. Nuk ka aktivizëm pa pikëtakimet me popullin e vendit tënd.
Përveç aktiviteteve në ditët e shënuara, Rinia për VETËVENDOSJE! do të jetë shembulli i kontributit në komunitet. Ne do të kontribuojmë në ngritjen e vetëdijes kolektive për çështje të rëndësishme për të cilat Lëvizja gjithnjë ka qenë e zëshme. Nga fushatat vetëdijësuese për konsumimin e prodhimeve vendore e deri te pastrimi i lagjeve tona dhe mbrojtja e mjedisit tek parandalimi i dhunës tek vajzat RVV do të kërkojë më shumë punë vullnetare nga rinia. Lëvizja ka qenë gjithmonë model për aktivizmin vullnetar, e ne duhet ta thellojmë e pasurojmë atë.
Socializimi, arti, muzika e sporti
Ne kemi pasione e ëndrra të mëdha. Arti, muzika e sporti janë shumë të rëndësishme për jetën tonë. Pushtetet e kaluara na kanë mbytur me vulgaritetin dhe mediokritetin. I patën shuar mundësitë e kinemasë, teatrit e skenës artistike. Derisa Qeveria jonë tash po punon intensivisht që ta çrrënjosë dëmin që është bërë në këtë drejtim.
E kemi mundësinë e jashtëzakonshme t’i kthehemi sporteve, arteve dhe trashëgimisë kulturore. RVV do të jetë shembulli ekselent i organizimit rreth artit e sportit.
Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare të orientimit socialdemokrat
Në koordinim me Sekretariatin për Marrëdhënie me Jashtë do të synojmë që të bëhemi pjesë e organizatave ndërkombëtare të orientimit socialdemokrat siç janë YES – Young European Socialists, ku bëjnë pjesë forume rinor të majta nga të gjitha shtetet e Evropës. Ne do ta zgjerojmë e provojmë komunikimin e bashkëpunimin me organizatat simotra në Evropë dhe më gjerë. Kjo është dhe detyra jonë si organizim politik i rinisë. Në këtë mënyrë, do të kemi mundësinë që përveç mësimeve që i marrim, edhe të shkëmbejmë përvojat dhe të marrim pjesë në një kauzë edhe më të gjerë: atë të barazisë, solidaritetit dhe lirisë së gjithmbarshme.
Angazhim i madh do të strukturohet nga RVV për shtrirjen e organizimit tonë dhe bashkëpunimit me të rinjtë në mërgatë. Prej organizatave studentore deri tek anëtarësimet direkte në RVV nga kudo që janë bashkëmoshatarët tanë.
Të nderuar të pranishëm,
Rinia për VETËVENDOSJE! ende në fillet e saj është organizimi më i madh i rinisë në vend dhe më gjerë. Përgjegjësia është po aq e madhe sa potenciali. RVV vjen para së gjithash si nevojë e organizimit të brendshëm, po edhe si domosdoshmëri politike. Me formimin e kësaj strukture, rinisë po i kushtohet vëmendje e veçantë.
Ne, të rinjtë, kemi brenga e shqetësime dhe jo rrallë ndihemi të pasigurt për të ardhmen tonë. Ne kemi shoqe e shokë që meritojnë jetë më të mirë. Për të duhet të angazhohemi bashkërisht, të gjithë. Duhet të besojmë në fuqinë që e kemi për të bërë ndryshime drejt një shoqërie më të barabartë e më të drejtë. Vrullin ëndërrimtar le ta përdorim për të vënë në lëvizje veten dhe shoqërinë.
Lëvizje e Gjerë, Struktura të Reja, Drejtim Progresist, Organizatë e Fuqishme
Platforma për Kryetar të LVV nga Albin Kurti, Platforma e Gruas për LVV nga Albulena Haxhiu dhe e Rinisë për LVV, nga Behar Jashari u prezantuan sot para anëtarëve dhe aktivistëve tanë.
Në sallën e mbushur me qindra aktivistë dhe anëtarë tanë, për herë të parë duke qenë njëherazi Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti prezantoi platformën e tij programore për mandatin e ri 4 vjeçar në krye të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, organizatës politike më të madhe në vend.
Po ashtu në këtë tubim u bë shpalosja e platformave programore për organizatën Gratë për VETËVENDOSJE! nga kandidatja Albulena Haxhiu, dhe Rinia për VETËVENDOSJE! nga kandidati Behar Jashari.
Në tubim folën kandidati për kryetar të Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia dhe kryetari i Kuvendit njëherazi anëtari i Kryesisë së LVV-së, Glauk Konjufca.
Në tetor të vitit 2019 dolëm të parët për herë të parë. Në shkurt të vitit 2021 u bëmë shumicë për herë të parë. E këtë të premte bëhen një vit e gjysmë që jemi në drejtimin e Republikës sonë. Periudha nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit e deri më sot ka qenë e mbushur me sfida por edhe me suksese. Pandemia dhe agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën që shkaktoi krizë energjetike dhe ekonomike ka goditur edhe Kosovën, por besoj se jemi më të duhurit për të udhëhequr në këtë kohë krize dhe këtë duhet t’ia dëshmojmë popullit që na ka besuar, tha Kurti në hapje të fjalës së tij, para prezantimit të platformës programore.
Planifikimi në organizatë me rritjen e anëtarësisë së grave, të rinjve dhe mërgatës nga njëra anë, dhe përgatitjen për zgjedhjet lokale dhe mandatin e dytë qeverisës nga ana tjetër, janë faktorë kyç në rritjen dhe zhvillimin e organizatës tonë, tha Kurti.
Platforma 10 pikëshe që u prezantua në detaje nga kryetari Kurti, ka këtë renditje:
(1) Rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja;
(2) Rritja e anëtarësisë së vajzave dhe grave;
(3) Krijimi i kohezionit midis brezave, grupeve shoqërore, e botëkuptimore;
(4) Forcimi i shkollës politike dhe dimensionit ekzekutiv të saj;
(5) Promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat;
(6) Përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për Zgjedhjet lokale 2025;
(7) Përgatitja e Platformës politike për mandatin e dytë të Qeverisjes;
(8) Rritja e rrjetit të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë;
(9) Angazhimi i studentëve dhe profesionistëve në organizatën politike të Lëvizjes;
10) Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ai jashtë shtetit e brenda kombit tonë.
Si mendimtarë dhe aktivistë socialdemokratë ne duhet të promovojmë bashkëpunimin qytetar mes njerëzish të feve, etnive, klasave, e botëkuptimeve të ndryshme. Ideologjikisht nuk mund të jemi gjithëpërfshirës por ajo që mund të bëjmë është ta rrisim llojllojshmërinë socioekonomike e botëkuptimore të qytetarëve me pikëpamje politike të majta që aderojnë tek ne. Duke bërë kështu ne ofrojmë organizatën tonë si shembull të kohezionit shoqëror që na duhet gjithandej shoqërisë tonë, theksoi Kurti në prezantimin e platformës programore (2022-2026) që do të votohet këtë të diele me 26 shtator.
Me propozim të Kryeministrit, Albin Kurti, sot në mbledhjen e qeverisë u miratua formimi i Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi. Ky Komision që do të drejtohet nga vetë ai, sot pasdite mbanë mbledhjen e parë.
Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi ka këto përgjegjësi: e para të bëjë analizën dhe ndarjen bashkëpunimit publiko privat. Reformimin e SHSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, themelimin e spitalit rajonal të Prishtinës”.
Miratohet projektligji për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës
“Në të gjitha deklarimet e mia në lidhje me krimet e luftës kam potencuar që krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara duhen adresuar sepse ato janë parakusht për paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë, e zhvillim të mëtutjeshëm të shoqërisë. Një shoqëri që nuk harron sepse e institucionalizon kujtesën, dhe që mbi supet e përgjegjësisë institucionale gjen drejtësinë si parakusht për pajtimin dhe jetesën e dinjitetshme e të përbashkët. Instituti për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të themelohet në kuadër të zyrës së Kryeministrit. Dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës do të jetë në fokus të veprimit të zyrës së Kryeministrit. Vetëm me respektimin e duhur të së kaluarës mund të kemi një të ardhme të ndritur”, tha Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij, para miratimit në qeveri të projektligjit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Shkeljet e gjetura nga inspektorati në rastin e Astrit Deharit
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu në gusht të këtij viti ka kërkuar hetim nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me rastin e aktivistit Astrit Dehari.
Pas dorëzimit të këtij raporti ajo në konferencë për media ka listuar gjetjet e Inspektoratit me ç’rast vërehen shkelje të shumta në gjithë procesin.
“Mbi bazën e këtij raporti konstatohen veprime kontradiktore, të paqarta dhe lë dyshime të mëdha për manipulime të provave dhe deklaratave të akterëve të përfshirë në rast, prandaj thërrasim prokurorinë që të ndërmarrin masa adekuate dhe cilësore për zbardhjen e së vërtetës në rastin Dehari”, tha ministrja Haxhiu.
Ajo në fund tha se ky raport me gjitha shkresat përcjellëse do të dërgohet tek Kryeprokurori i Shtetit, në organet përgjegjëse që kanë autorizime për shqiptimin e masave ndaj akterëve të përfshirë në rast dhe se ajo është e gatshme të ofrojë mbështetjen për institucionet që ky rast të zbardhet
Për herë të parë patrullohet vija kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë përgjatë liqenit të Ujmanit
“Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit. Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për suksesin e radhës”, tha ministri Brendshëm Xhelal Sveçla.
Kryeministri, njëherazi Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, mori pjesë në Kuvendin e parë zgjedhor të partisë Guxo
Sot, Kryeministri, njëherazi Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, mori pjesë në Kuvendin e parë zgjedhor të partisë Guxo. Duke i uruar për procesin e suksesshëm zgjedhor dhe për standardin e lartë demokratik brenda kësaj partie, Kryeministri Kurti kujtoi që ashtu siç kemi fituar bashkë me 14 shkurt edhe po punojmë bashkë për ta zhvilluar vendin përmes punësimit e për t’ia kthyer dinjitetin qytetarëve përmes drejtësisë.
Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit, Albin Kurti, mbajtur në Kuvendin e parë zgjedhor të partisë Guxo.
E nderuar zëvendëskryeministre, znj. Donika Gërvalla Schwarz,
I nderuar ministër z. Faton Peci,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar delegatë e anëtarë të partisë Guxo,
Mirë se po ju gjej në këtë Kuvend të parë qendror zgjedhor të partisë suaj.
U uroj për zgjedhjet e suksesshme nëpër degë, ku zgjodhët udhëheqësit e delegatët e rretheve. Në këtë ditë, krahas organizimit të procesit zgjedhor, duhet festuar edhe standardin e lartë të arritur brenda partisë, që i kontribuon demokracisë sonë të re.
Asaj demokracie që duhet t’i shërbejë qytetarit, dhe të mirës sonë të përgjithshme. Krahas vëmendjes për struktura e organizim, po aq vëmendje po i ipet edhe qytetarisë aktive e qeverisjes. Me angazhimin në vlera të përbashkëta e parime universale, dhe me ndershmëri e respektim të njëri-tjetrit.
Jam i lumtur që sot shoh shumë gra dhe vajza, të rinj e të reja, që do ta shpijnë përpara barazinë dhe zhvillimin në shtetin tonë. E, që do të ecin bashkë drejt idealit për barazi gjinore, pa të cilën nuk kemi as barazi shoqërore.
“Gjërat e pamundura nuk ndodhin kurrë vetëm”, e thotë nobelisti portugez Saramago. Të qenurit bashkë na e solli edhe fitoren e 14 shkurtit. Të prirur për ta zhvilluar vendin përmes punësimit, dhe kthimin e dinjitetit të qytetarëve përmes drejtësisë.
Prioritet kryesor në drejtësi mbetet vettingu i sistemit të drejtësisë dhe këtë do ta bëjmë bashkë me Kuvendin. Në 1/3 e mandatit së bashku kemi kaluar mbi 150 ligje në qeveri e më pas në Kuvend. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 ligje.
Kemi vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbi 700 operacione policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, mbi 2000 persona të arrestuar, prej të cilëve afër 300 janë zyrtarë publik; 65 grupe kriminale të shkatërruara e 1,5 ton narkotikë të konfiskuar. Andaj, duhet të vazhdojmë këtë punë kaq të mirë bashkë.
Vitin e kaluar e kemi mbyllur me 10,53% rritje ekonomike kurse në tremujorin e parë të këtij viti kemi rritje ekonomike prej 4,9% pasi që të hiqet inflacioni.
Kemi ngritur mirëqenien sociale me një sërë masash të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. E këtë të shtunë prezantuam edhe pakon prej 150 milionëve për përballje me inflacionin, nga e cila do të përfitojnë 300 mijë familje dhe rreth 600 mijë qytetarë.
Kjo është pakoja e dytë për qytetarë në 6 muajt e fundit, paralelisht me: rritjen prej 30% të asistencës sociale për 25 mijë familje, rritjen prej 11% të pensioneve bazike, 33% të pensioneve të personave me aftësi të kufizuara, shtesat për mbi 170 mijë fëmijë, shtesat për lehona për mbi 20 mijë nëna të reja, e subvencionimin e faturave të energjisë elektrike. Kemi miratuar në lexim të parë ligjin për rritjen e pagës minimale nga 130 përkatësisht 170 euro, në 264 euro, për herë të parë në 11 vite.
Për vetëm një vit e gjysmë më këto pako, kemi ndarë gjithsej rreth 750 milionë euro, 4% të bruto produktit vendor vjet, e 5% të bruto produktit vendor sivjet. Pra, kjo është qeverisja e përbashkët e qytetarëve të Republikës, e për nga subjektet politike, e subjektit që unë përfaqësojë dhe e partisë Guxo.
Bashkërisht po zbatojmë reforma në bujqësi, me qëllim ngritjen e prodhimit, cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, si dhe ringjalljen e fshatit. Arsimin përveçse e kemi bërë falas, e kemi ngritur buxhetin për të për mbi 12% me qëllim të rritjes së cilësisë.
Kemi zgjeruar lidhjet e Republikës sonë me botën dhe kemi kthyer Kosovën në integrimet euro-atlantike dhe ndërkombëtare.
Me lejoni ta falënderoj përzemërsisht zëvendëskryeministren dhe ministren e punëve të jashtme, znj. Gërvalla Schwarz, për përpjekjet e përbashkëta të deritanishme dhe për të arriturat e pamohueshme. Gjithashtu e falënderoj edhe ministrin e bujqësisë, z. Faton Peci, zëvendësministrat, deputetët e Kuvendit, asambleistët e Kuvendeve komunale e anëtarët e partisë Guxo, për secilën punë të mirë që po e bëjmë bashkë për qytetarin, e po punojmë pa kursim, pa rezervë e pa pushim.
U përgëzoj të gjithëve për angazhimin me dije e me integritet, me punë dhe përkushtim, për partinë që përfaqëson po këto vlera.
U dëshiroj punë të suksesshme të Kuvendit zgjedhor. Me guxim jeni ngritur, me guxim po vazhdoni, me guxim do të fitoni.
Dorëzohet në Kuvend dosja e dokumenteve për Vetting
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu kanë dorëzuar dosjen e dokumenteve për vetting në Kuvendin e Kosovës.
Në takim me Kryeparlamentarin Konjufca, Kryeminstri Kurti theksoi se reforma në drejtësi, me theks vettingu në sistemin e drejtësisë, janë prioritet i Qeverisë dhe shtetit.
Versioni i dorëzuar i draftit të amendamenteve kushtetuese, është në përputhje të plotë me rekomandimet e dalura nga Opinioni i Komisionit të Venecias, ndërsa në pako është përfshirë edhe një plan i ideuar për ndryshimet ligjore që duhet të realizohen bashkë, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese ose paralelisht me to.
Vettingu është procesi për të cilin jemi zotuar para qytetarëve dhe mekanizmi i vetëm që do të mundësojë rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.
Fjala e kryeministrit Kurti në konferencën për media për Pakon për Përballje me Inflacion
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Të nderuar gazetarë,
Si Qeveri e Republikës, që nga fillimi i mandatit e në vazhdimësi, kemi mbështetur qytetarët përmes masave të ndryshme të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Vitin 2021 e mbyllëm me shpërndarjen e mbi 300 milionë eurove, kurse vitin 2022 e filluam me një sërë masash mbështetëse në vlerë prej 200 milionë euro. Të gjitha këto për të mbështetur familjet më në nevojë, punëtorët e sektorit publik e privat, pensionistët, bizneset e amvisëritë.
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë ndamë 40 milionë euro, nga 100 milionë të zotuara, për të subvencionuar faturat e energjisë elektrike për qytetarët, ashtu që çmimi i energjisë elektrike për ta të jetë i përballueshëm.
Punësimin e përkrahëm vazhdimisht e pa dallim. Filluam zbatimin e skemës “Qeveria për Familjet”, për punësimin e atyre që nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar. Po ashtu nisëm masën për nxënie të shkathtësive dhe punësim të qëndrueshëm të personave me aftësi të kufizuara.
Rreth 250 mijë punëtorë të sektorit privat i mbështetëm me shtesën prej 100 euro, e për 100 mijë prej tyre dorëzuam në Kuvendin e Republikës projektligjin që mundëson rritjen e pagës minimale, për mbi 50%, përkatësisht për mbi 100% për ata të moshës nën 35 vjeç. Shumën e njëhershme prej 100 euro në muajin prill e ndamë edhe për 75 mijë zyrtarët e sektorit publik.
Bizneset i përkrahëm jo vetëm përmes fuqisë punëtore, por edhe përmes subvencionimit të kredive për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese e përpunuese të tyre, ku përmes Masës 2.1, mundësuam investime në vlerë prej 100 milionë euro.
Në linjë me programin tonë qeveritar, shpërndarjen e shtesave për lehona dhe shtesave për fëmijë po e realizojmë për çdo muaj, për rreth 20 mijë lehona e për reth 170 mijë fëmijë.
Asistencën sociale e rritëm për 30% dhe e dyfishuam atë për 3 muaj, për nëntor, dhjetor dhe për prill. Mundësuam edhe shpërndarjen e rreth 40 mijë pakove ushqimore për familjet më në nevojë.
Rritjen e pensionit për 11% për disa kategori, e për 33% për disa skema të tjera, e bëmë të përhershme, dhe përkrahjen e përforcuam me nga 100 euro shtesë në muajt nëntor dhe prill.
Si Qeveri mbetemi të përkushtuar për t’ju dalë në krah qytetarëve, sa herë që kjo është e nevojshme, si dhe për të marrë veprime shtesë për rritjen e mirëqenies së tyre. Andaj në linjë me këtë synim tonin, sot po prezantojmë një Pako të re, që ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare.
Nisur nga gjendja e rënduar me energjinë, sot më shumë se kurrë, është e domosdoshme të kursejmë. Andaj do të subvencionojmë të gjithë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak, ne do të subvencionojmë dyfish faturën.
Do të procedojmë në Qeveri, e pastaj në Kuvendin e Republikës për miratim, Projektligjin për Punë Publike, i cili parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës. Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale.
Për pensionistët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro, kurse familjet në asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.
Punësimin e punëtorët i kemi prioritet, i kemi përkrahur e do të vazhdojmë kësisoj. Për zyrtarët publikë do të ndajmë shtesën prej 50 euro duke filluar nga muaji shtator, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro.
Jemi të vetëdijshëm që inflacioni ka ndikuar që jeta të vështirësohet për të gjithë, pa dallim, mirëpo kjo gjendje është edhe më e rënduar në sektorin privat. Të gjithë e dini shumë mirë, se nga të gjithë të punësuarit në Kosovë, 80% janë të punësuar në sektorin privat, ndërkaq 1/5 janë të punësuar përafërsisht në sektorin publik. Prandaj do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve, duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës për punëtor, maksimumi 100 euro, për 3 muajt e parë.
E përkrahjen tonë do ta zgjerojmë edhe për studentët e Republikës, për të cilët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro në muajin nëntor, kur viti i ri akademik është duke u zhvilluar.
Pra, të dashur qytetarë, të nderuar gazetarë, në muajt në vijim do të ndajmë rreth 150 milionë euro për Pakon për Përballjen me Inflacion, ku përmes masës për subvencionimin e atyre që kursejnë energjinë do të përfitojnë të gjitha familjet, rreth 300 mijë sosh, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë.
Në pranverë e kishim Pakon e Ringjalljes ekonomike, tash në vjeshtë e kemi Pakon për Përballjen me Inflacion
Tani në lidhje me kriteret e këtyre masave dhe mënyrën e përfitimit prej tyre ia kaloj fjalën Ministrit tonë të Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Muratit.
Pyetjet dhe përgjigjet:
Pyetja I: Kryeministër, me 5 shtator MPJ i ka dhënë leje kryeministres së Serbisë Ana Brnabiq, me ardh në Kosovë. Para 1 shtatorit vetë Brnabiq ka deklaruar që ka me pas tension në veri të vendit për shkak të targave. Qysh e shihni vizitën e saj me 5 shtator kur e kemi pa që në të kalumën MPJ e ka anuluar kërkesat për vizitë në Kosovë, pikërisht për shkak të nxitjeve të ndryshme të tensionit. Edhe sa i përket targave, ku jemi me marrëveshjen meqë me 1 tetor kalon edhe afati për letrat ngjitëse. Tjetra është pas kërkesës së kryeministres Brnabiq për të ardh në Kosovës, krerët e luginës ju kanë kërkuar juve dhe si kryeministër me shku atje. A keni me shku në Preshevë?
Kryeministri: së pari, jemi pas 1 shtatorit dhe është parë se gjithçka po shkon sic kemi thënë ne më herët. Ose do të ketë dokumente hyrëse dalëse edhe në anën e kufirit të Kosovës dhe atë të Serbisë ose në asnjërën prej tyre. Doli asnjërën prej këtyre. Reciprociteti në vend për neve është në rregull dhe edhe Brnabiq le të hyjë në Kosovë me letërnjoftimin e autoriteteve të lëshuara në Beograd dhe le ta shohin se gjithçka po funksionon si në një shtet demokratik i cili është edhe më demokratik se Serbia gjithsesi e madje edhe më i pavarur se Serbia. Sa i përket targave ne do të bëjmë më të mirën e mundshme sa i përket aspektit diplomatik e politik mirëpo unë edhe njëherë i ftoj të gjithë qytetarët e komunitetit serb në Kosovë që kanë aso targash km, pr e të tjera që t’i konvertojnë sa më parë sepse i kanë këto dy muaj për t’i përfituar deri në 5 mijë euro duke mos paguar tvsh akcizë dhe takse doganore. Afati është 31 tetori siç e kemi deklaruar tashmë dhe besoj që sa më parë që e bëjnë këtë, aq më mirë është jo vetëm për shtetin tonë dhe ligjshmërinë, por edhe ata vetë. Pra ata përfitojnë me këtë, nuk humbin, dhe le të mos harrojmë që bëhet fjalë për disa mijëra vetura sepse një pjesë e madhe e serbve të Kosovës tashmë i kanë targat RKS, ashtu siç i kanë edhe letërnjoftimet e Kosovës. Pra janë diku mbi 135 mijë letërnjoftime të Republikës së Kosovës që i kanë qytetarët e nacionalitetit serbë. Vetëm disa mijëra nuk kanë letërnjoftim dhe disa mijëra vetura nuk i kanë targat RKS, pra po flasim për një pakicë e cila nuk ka pse mban peng të tjerët. Ndërkaq agjenda jonë qeveritare qysh më herët e ka paraparë një vizitë në Luginë të Preshevës në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe zyrtarët e qeverisë do të shkojnë të hënën. Përshtypja ime është që kur e kanë kuptuar që do të shkojnë ministra të qeverisë sime në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, kanë kërkuar edhe ata që të vijnë vet. Pra ne bëjmë planin tonë, agjendën tonë qeveritare. Unë do të shkoj një ditë por nuk është shkuara jonë të hënën reagim përkundrazi kur ata e kanë kuptuar që ne do të shkojmë Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e kanë bërë kërkesën që edhe Bërnabiq të vijë ne veri të Mitrovicës në Zvecan e Leposaviq.
Pyetja II: kryeministër kur do të uleni në dialog me sindikatat për kapërcimin e situatës së krijuar si shkak i grevës?
Kryeministri: ne jemi me mësimdhënësit por mësimdhënësit duhet të jenë me nxënësit. Nuk bën të ndahen mësimdhënësit nga nxënësit. Shkolla është shteti. Ta bojkotosh shkollën do të thotë ta bojkotosh shtetin. Ne kemi bërë shumë luftë e përpjekje për shkollë që tash ta bojkotojmë atë më greva ekstremiste. Andaj unë besoj që duhet të fillojë një orë më parë mësimi nëpër shkolla dhe ju bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve që të hënën të jenë në shkollë dhe aty t’u japin mësim të vegjëlve tanë. Pra jemi për mësimdhënësit, por jemi për nxënësit. E mësimdhënësi është për nxënësit. Edhe shteti edhe arsimtari duhet të jenë në funksion të fëmijëve. Unë kam takuar disa herë kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës z Atdhe Hykollin me bashkëpunëtorë ndërkaq ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së, nëse duam shtet, duhet të ketë rregullsi dhe rregulli e thotë këtë gjë, kur nuk dua ta kapërcej kryetarin e BSPK-së e të takoj sindikalistë të veçantë të degëve sepse ashtu nuk ka rregullsi, ashtu ka ndodhur në të kaluarën kur liderët e degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me ministra, politikanë, me kryeministra, me presidentë dhe në këtë mënyrë e kanë prishur rregullsinë. Unë jam social demokrat, unë jam për sindikata, unë jam për sindikata të fuqishme edhe në sektorin privat jo vetëm publik sepse sindikatat i mbrojnë punëtorët kolektivisht, shtesë edhe prej ligjit që përgjithësisht të mbrohen individualisht, organizimi sindikal është tejet i rëndësishëm për të drejtat e punëtorëve mirëpo kërkesat absurde, irracionale që në fakt më shumë janë dëshira arbitrare se sa mundësi reale, nuk mund të ecim përpara.
Në përputhje me buxhetin e shtetit, me strukturën ekonomike, me krizën nëpër të cilën ne kalojmë ne do t’i marrim masat tona. Dhe tash ju e patë që pakos së ringjalljes ekonomike që i afrohet 600 milionë euro në vitin e kaluar dhe në këtë vit ne po ia shtojmë edhe 150 milionë euro në këtë vjeshtë. Pakoja e ringjalljes e pranverës po pasohet me pakon e përballjes me inflacionin në këtë vjeshtë. Ne duhet t’i ndihmojmë secilit qytetar, nuk mund t’i ndihmojmë vetëm një grupi prandaj edhe takimet që i zhvillojmë i zhvillojmë qysh i kanë njerëzit funksionet edhe pozitat e tyre. Kjo është arsyeja pse unë edhe pardje e kam takuar kryetarin e BSPK-së Atdhe Hykollin sepse ai është kryetari e unë jam kryeministri. Kështu e do edhe rendi edhe logjika. Andaj unë do të vazhdoj komunikimin me BSPK-në. Nuk mungon komunikimi, nuk mungon dialogu social, mungon racionalieti i kërkesave dhe unë kam hall për këto kërkesa që bëhen në mënyrë delirante sepse këto e zhvlerësojnë vetë sindikatën e unë nuk besoj që mund të kemi shtet demokratik pa sindikata të fuqishme por imazhi i sindikatave, fuqia e tyre negociatore, serioziteti i tyre, të gjitha këto bijnë nëpërmjet dëshirave delirante në vend se të kërkesave racionale.
Pyetja III: Më herët folët për vizitën e Ana Brnabic në Kosovë. Më thoni sa i përket kësaj marrëveshjeje verbale të 1 shtatorit sepse ka shumē paqartësi, kjo sa i përket vlefshmërisë së letërnjoftimeve të lëshuara për shembull nga departamenti policor të Mitrovicës, Prishtinës, me siguri keni përcjellur edhe rrjetet sociale, por edhe mediat. A është një letërnjoftim i lëshuar nga Departamenti policor i Mitrovicës valid, pra a mund të hynë në Kosovë qytetarët nëpër të gjitha kalimet kufitare me letërnjoftim të lëshuar nga Mitrovica, Ferizaj, Prishtina etj.
Kryeministri: Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë dhe shumë vendime që i merr Serbia janë kryekëput ilegale për neve. Vendimet, dokumentet që i lëshon Serbia ne e dimë që janë në bazë të një kushtetute e cila është agresive ndaj Kosovës. Për ne, për hir të Lëvizjes së lirë e duke zbatuar reciprocitetin, mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia i përgjigjemi me mosnjohje të Serbisë nga ana e Republikës së Kosovës dhe përderisa kalojnë dokumentet tona të identifikimit në anën tjetër të kufinit kemi lejuar edhe ato dokumente të vijnë në anën tjetër pra në territorin e Republikës së Kosovës. Ne po vendosim reciprocitet për hir të qytetarëve po për neve Serbia nuk është shtet që njihet dhe në përgjithësi ne kemi problem me vendimet e atij shteti. Veçse kemi vendosur reciprocitetin dhe do të vazhdojmë me reciprocitet të mëtutjeshëm, gradual drejt reciprocitetit të plotë që është edhe fryma e dialogut në Bruksel por edhe është karakter i marrëveshjes që duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.
Pyetja IV: A do t’iu vlejnë letërnjoftimet të gjithë qytetarëve që duan të hyjnë Kosovë?
Kryeministri: unë jam përgjigjur. Ata kanë hyrë më herët. Ata po hyjnë edhe tash. Autoriteti i cili i lëshon ato dokumente është Serbia. Ne Serbinë nuk e pranojmë si shtet të pavarur e si Republikë qysh nuk na pranojnë as ata neve. Pra aktualisht kemi mosnjohje reciproke. Me duam njohje reciproke.
Pyetja V: z.Kryeministër ju thatë që nuk do ta kapërceni BSPK-në, dhe të takoheni me kryetarin e SBASHK-ut. Me gjithë këtë qëndrim a keni ndonjë zgjidhje tjetër për të ofruar në mënyrë që të ndalet greva e mësimdhënësve dhe të fillojë mësimi edhe a konsideroni që ndarja e shtesave prej 50 eurosh në muaj mundet me ndal grevën aktualisht. Edhe më falni nëse nuk e kam dëgjuar por, sa do të zgjasë kjo masa për shtesat prej 50 eurosh për zyrtarët publikë? Faleminderit.
Kryeministri: Nëse kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli thotë unë nuk jam më kryetar, po është kryetar dikush tjetër unë e takoj kryetarin, po si kryeministër i vendit unë takoj kryetarin e BSPK-së, kjo është e para. Ai është zgjedhur në një kongres të BSPK-së në të cilin më patën ftuar në fillim edhe mua bashkë me shumë krerë sindikal nga Evropa e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, unë e kam për detyrë dhe bindje që ta takoj kryetarin e BSPK-së. Sa i përket grevës, greva është instrument legjitim sindikal por në të njëjtën kohë është hapi i fundit, jo i parë. Kanë ndërmarrë në fillim një akt ekstrem nga pikëpamja sindikale. Dhe 50 euro të cilët ne do t’i japim si shtesë të gjithë të punëtorëve në sektorin publik, duke filluar nga muaji shtator do të vlejnë për muajt në vijim të këtij viti fiskal. Pastaj, viti 2023 është vit tjetër fiskal. Por, kjo nuk ka të bëjë me ligjin mbi pagat, projektligjin të cilin do ta sjellim edhe në Kuvend, pasi që diskutimeve paraprake, do t’i kemi edhe konsultimet publike dhe më pastaj në Qeveri e në Kuvend të Republikës. Por, kjo është për t’u përballur me inflacionin, nuk ka të bëjë me ligjin e pagave. Pra, ne 50 euro nuk i japim derisa të vjen ligji i pagave, s’ka të bëjë kjo me ligjin e pagave, po për t’u përballur me inflacionin. Sepse kërkesa absurde për 100 euro, e që praktikisht është 20 % rritje e pagave në mënyrë të tërthortë në arsim, kërkesa 100 euro është rritje 20 %, deri tek projektligji mbi pagat në fakt është bërë që të krijohet përshtypja se kur të vjen projektligji do të kemi edhe më shumë se kaq. Mirëpo në një Kosovë në të cilën testet e PISA-s po na i nxjerrin ¾ e fëmijëve si analfabetë funksionalë ta shantazhosh qeverinë, ta kërcënosh qeverinë me rrënim të shtetit, se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Është papërgjegjësi absolute. Pra, ne nuk shantazhohemi. Por ka disa muaj që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, është duke studiuar e analizuar deri te kjo që e prezantuam sot, Pakoja për Përballjen e Inflacionit si vazhdimësi e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, e cila vazhdon sepse edhe lehonat edhe fëmijët vazhdojnë t’i marrin shtesat, e të tjera, e të tjera.
Pra, ne po përballemi me inflacionin me këto masat e kësaj pakos së re. Dhe, ky është qëllimi ynë i drejtë përkundrejt një greve nga e cila s’fiton askush, aty janë të gjithë humbës. Pra, të krijosh ditë pa punë për mësimdhënësit, dhe ditë pa mësim për fëmijët, është përgjegjësi tejet e madhe. Nuk është vetëm përgjegjësi politike e shoqërore është historike, sepse pikërisht duke nxjerrë analfabet funksional, e duke menduar veç për paga, po na përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale, kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik mandej.
Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore atëherë prodhon ose njerëz për asistencë sociale ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor. Po ju po e shihni se çka po ndodhë, veç kërkesë për pare, për ta bankrotu shtetin, për ta shkatërru shtetin. Është papërgjegjësi totale. Prandaj, unë i thërrasë racionalitetit të njerëzve, të jenë të përgjegjshëm për fëmijët dhe t’japin mësim dhe gjithashtu ju bëjë thirrje komunave të Kosovës që të pushojnë me sjelljen destruktive e me bojkotin karshi Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Jo gjithçka është vendim qeveritar, realiteti që kemi nuk është thjeshtë vendim qeveritar është edhe zbatim ligjor. Ministri i Financave ka obligime ligjore, ky duhet të kujdeset që kush s’punon s’paguhet. Rrënohet sistemi nëse ne paguajmë njerëz që s’punojnë. E tash bojkoti që të mos dorëzohen listat tek Ministria e Financave nuk është thjeshtë politikë anti qeveritare, po është anti shtetërore, kjo është me i shpallë luftë shtetit. Bojkoti që një pjesë jo e vogël e komunave ja bëjnë Ministrisë së Financave do të thotë t’i shpallësh luftë shtetit. E përkundër kësaj ne jemi racionalë. Pra, në njërën anë keni situatën në të cilën instrumentalizohen sindikalistët me kurs antiqeveritar e në anën tjetër kemi sjellje antishtetërore të disa komunave. Nuk është e padrejtë thjeshtë ndaj qeverisë po ndaj popullit, se ne në shërbim të tyre jemi. Andaj është e domosdoshme që të fillojë bashkëpunimi dhe të tejkalohen këto greva meqenëse nuk ndërtohet shteti me shantazhe dhe e keni një qeveri që nuk shantazhohet.
Pyetja VI:Kryeministër a pritet të ketë takim me Vuçiqin dhe nëse do të bisedoni së shpejti me serbët lokalë. Ndërkohë më intereson nëse do të ishte reciprocitet i nivelit të njëjtë vizita juaj në Luginë e jo e vartësve tu?
Kryeministri: Unë ua shpjegova më herët që ne e kemi nisur të parën vizitën. Pra, ne në agjendë qeveritare kemi vënë dy anëtarë të kabinetit tonë që të shkojnë në Luginë të Preshevës të hënën e 5 Shtatorit, dhe është siguruar edhe agjenda shtetërore, edhe takimet edhe aktivitetet atje. Kësaj Serbia i është përgjigjur me vizitën e Bërnabiqit. Tash nuk mund ta ndryshoj unë agjendën shtetërore se kjo do të ishte varësi ndaj Serbisë. Nuk mund ta bëjmë shtetin të varur ndaj Serbisë ku ata e përcaktojnë agjendën tonë. Ata janë duke ju përgjigjur agjendës tonë, pse ata nuk e kanë qu zëvendëskryeministrin a ministrin po e kanë qu kryeministren kjo është çështje e tyre. Po ndryshimi i agjendës tonë shtetërore nuk do të ishte reciprocitet do të ishte varësi nga agjenda e Serbisë. Prandaj edhe nuk e bëjmë këtë gjë. Ndërkaq, sa i përket takimeve në Bruksel nuk e dimë se kur do të ftohen ato, por ajo çka dihet sigurt është që Republika e Kosovës, qeveria jonë ka gatishmëri dhe interes për marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër dhe për këtë unë kam prezantuar kornizën e përgjithshme, pala tjetër ka thënë që nuk është e interesuar për këtë dhe tash i takon ndërmjetësve që ta sqarojnë këtë gjë. Kur të vije ftesa me agjendë padyshim që do ta ndaj me ju. Me serbët lokalë unë takohem rregullisht shumica dërmuese e atyre takimeve nuk i bëj publike, sepse nuk është e leverdishme, e kam shpjeguar edhe këtu shumë herë. Ju e dini që kur isha herën e parë kryeministër bëra një këshilltar politik nga Ranillugu, Aleksandër Stankoviq, dha dorëheqje pas dy orëve sepse i bënë trysni kërcënuese strukturat ilegale, kjo është arsyeja ose edhe dikush nga Beogradi, kjo është arsyeja pse nuk është e leverdishme që ky dialog doemos të zhvillohet me tupan apo para kamerave.
Pyetje VII:Pyetja e parë është a mund të na tregoni emrat e kabinetit tuaj të cilët do të vizitojnë apo do të shkojnë në Serbi, këtë të hënë. E dyta është thatë që nuk e tejkaloni BSPK-në, për të takuar z.Jashari. Sot Osmani e takon z.Jashari a po gabon znj.Osmani. Gjithashtu kemi pasur edhe një deklaratë dje të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Elvis Hoxha, ku tha se greva e mësimdhënësve po udhëheqet nga një anëtar i një partie serbe dhe përdori edhe termin kosovarist. A do të merrni masa dhe si i cilësoni këto deklarata të z. Hoxha?
Kryeministri: Nuk është e përshtatshme unë të flas nga këtu, kush çka thotë e komenton, s’mund t’ua bëj analizën analistëve, s’mund t’ua bëj komentet komentuesve më vjen keq dhe as nuk jam këtu në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje!, por të kryeministrit të Republikës së Kosovës. Njerëzit caktojnë agjendat e tyre dhe ata e vlerësojnë se çka është më së miri, besoni nuk e di tash për shkak të numrit të madh të takimeve që kam sot, as cila është saktë agjenda ime deri në mbrëmje vonë, lëre më e të tjerëve. Por ajo çka mund të them është që ne shumë më herët kemi pas dy anëtarë të kabinetit tonë që shkojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në një vizitë edhe besoj që është bërë publike ajo, është konfirmuar me media kjo gjë, është konfirmuar sot, nëse nuk gaboj do të jenë Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ndonëse nuk jam qind për qind i sigurt sepse kjo është një çështje që e kemi iniciuar shumë më herët e më pastaj nuk e di se çfarë takimesh kanë aranzhuar, por e di që do të jenë dy anëtarë të kabinetit tonë, me gjasë Zëvendëskryeministri dhe ministrja e Arsimit. Unë ju përgjigja, po shikoni unë ju tregova agjendën time deri në fund të ditës nuk e di saktësisht, se kam takime nga 10 – 15 minuta, shumë takime a po kuptoni. As nuk mund të flas për agjendën time siç ju thash e jo të të tjerëve. Faleminderit shumë.
Fëmijët nuk duhet ta vuajnë lojën politike të një sindikate, mësimi duhet të vazhdojë!
Sot në Gjilan, Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, së bashku me Kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj, Kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe Kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, bënë thirrje që nesër prindërit t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe mësimdhënësit ta fillojnë procesin mësimor.
Pas punës së bërë për Ligjin e Pagave në afat rekord nga qeveria, duhen dërguar komentet nga sindikatat e jo të vazhdohet me greva. Greva në arsim në këtë kohë është lojë e rëndë politike që luhet mbi fëmijët dhe të ardhmen e tyre.
Qeveria ka nxjerrë Pakon Mbështetëse për përballimin e inflacionit, gjithsecili institucion është angazhuar që kjo hyrje në vjeshtë para një dimri të rëndë që na pret të përballohet sa më lehtë. Andaj, edhe institucionet shkollore duhet ta bëjnë pjesën e tyre dhe ta kthejnë normalitetin nëpër shkolla, thanë kryetarët e komunave.
Hapet fushata e zgjedhjeve të brendshme për Kryetar/e të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe organizatat e ndërvarura GVV dhe RVV
Lëvizja VETËVENDOSJE! po futet në fazën e fundit në kuadër të zgjedhjeve të brendshme. Afati për kandidim për nivelin e dytë dhe tretë organizativ është mbyllur me 23 gusht, ndërkohë sipas kalendarit zgjedhor fushata për nivelin e tretë organizativ është hapur dje, më 1 shtator 2022.
Në nivelin e tretë organizativ zgjedhjet përfshijnë zgjedhjet për:
– Kryetar/e të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
– Kryetare të GVV.
– Kryetar/e të RVV.
Fushata e brendshme zgjedhore për nivelin e tretë përfundon me 23 shtator 2022.
Në anën tjetër, ditët në vijim Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) do të njoftojë edhe me afatet për fushatën e brendshme zgjedhore për nivelin e dytë organizativ që përfshin qendrat e LV-së.
Lëvizja VETËVENDOSJE! i uron sukses të gjithë kandidatëve!
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XLVIII të Këshillit të Përgjithshëm të saj. Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit njëherit Kryetarit të LV-së, Albin Kurti:
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Të dashur aktivistë e anëtarë, Zonja dhe zotërinj, Të nderuar të pranishëm,
Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në këtë mbledhje të 48 të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Në këtë muaj u bënë një vit e gjysmë nga fitorja e madhe e 14 shkurtit 2021. Ndërkaq, në muajin e ardhshëm bëhen një vit e gjysmë nga qeverisja jonë demokratike e progresiste. Ka shumë gjëra që kanë ndryshuar që nga atëherë. Kemi filluar kthesën e madhe si shtet e shoqëri drejt zhvillimit demokratik dhe avancimit të gjithanshëm, të cilave ua kemi dedikuar gjithë kohën dhe ua kemi dhënë maksimumin e energjisë, duke ia bashkangjitur rritjen dhe zhvillimin ekonomik pikërisht këtij përparimi demokratik. E megjithatë, ky angazhim në qeveri nuk e ka ndalur angazhimin tonë në Lëvizje: kemi mbajtur mbledhjet e rregullta dhe gjithëpërfshirëse, kemi marrë vendime transparente dhe kemi hapur Lëvizjen për secilin e për secilën që ndanë vlerat e qëllimet tona të përbashkëta. Sepse ne besojmë që demokracia e brendshme dhe transparenca në subjektet politike është e lidhur ngushtë me demokracinë dhe transparencën në qeveri.
Prandaj edhe themi që Lëvizja jonë nuk është e jona e as për ne. Është mundësi e platformë për gratë dhe burrat e popullit tonë që përmes garës e procedurave demokratike të ndryshojnë e perfeksionojnë shoqërinë. Në këtë kuptim, as subjekti politik e as qeveria nuk janë qëllim të vetvetes dhe për këtë janë garanci qytetarët, meqenëse edhe Lëvizja edhe qeveria janë nga qytetarët e për qytetarët. Liritë individuale marrin kuptimin kur secili mbi bazën e besimit e të vlerave që përfaqëson arrinë të gjejë jo vetëm hapësirën por edhe mundësinë për të realizuar potencialin e vet. Është detyrë e secilit dhe secilës që Lëvizjen ta bëjë shembull të një platforme dhe forumi demokratik ku idetë përparimtare e kritikat konstruktive e mbajnë Lëvizjen e hapur, të përgjegjshme dhe funksionale.
E unë jam zgjedhur që të jem bartës, së bashku me ju e në mesin e të barabartëve, i të gjitha këtyre ndryshimeve demokratike që po i bëjmë edhe të tjerat të cilat do t’i bëjmë në të ardhmen. Mirëpo zhvillimi i shtetit e demokracisë tonë kërkon më shumë se një individ e një grup të njerëzve të cilët besojnë në vlerat e demokracisë e të progresit shoqëror. Nënkupton gjithë Lëvizjen tonë, dhe jo vetëm. Qeverinë e mirë e demokratike që kemi tani nuk mund ta marrim të mirëqenë nëse platformat përmes të cilave fitohet pushteti nuk kanë demokraci të brendshme. Lëvizja është dhe mbetet e hapur për të gjithë, por jo ndaj të gjithëve. Hapja dhe demokracia e brendshme në Lëvizje është në funksion të promovimit të vlerave të përbashkëta që e çojnë përpara progresin shoqëror. Ne besojmë në liri individuale, në barazinë gjinore, në drejtësisë sociale. Ne besojmë në të drejtat e njeriut.
I them këto edhe për shkak se jemi subjekti më i madh demokratik në Kosovë dhe jemi shpresë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Andaj edhe kemi përgjegjësinë që njëjtë siç motivuam ndryshimet në lidership të disa subjekteve politike në Kosovë, të motivojmë edhe reformat demokratike brenda tyre përmes udhëheqjes me shembull.
Nuk është për t’u çuditur se një qeveri e cila punon për të siguruar barazi dhe të drejta të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim, udhëhiqet nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më demokratik në vend. Dhe vetë koncepti i demokracisë ngërthen në vete parimet e barazisë dhe të respektimit të drejtave të njeriut. Pa garantimin e lirisë së shprehjes dhe të tubimit, pa siguruar të drejtën e votës për të gjithë, demokracia nuk mund të funksionojë. Dhe parimi thelbësor i çdo demokracie, parimi “një person, një votë”, na detyron që të konceptojmë secilin qytetar si të barabartë me të tjerët, me të drejta dhe liri të barabarta. Është pikërisht ky parim thelbësor demokratik, “një person, një votë”, ai që i bën kaq të rëndësishme zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Përmes këtyre zgjedhjeve, të gjithë ata që synojnë një pozitë zyrtare brenda Lëvizjes, i nënshtrohen një procesi demokratik, ku vota e një anëtari të thjeshtë nuk ka më pak peshë sesa vota e vetë kryetarit. Në këtë proces, të gjithë kemi të drejta dhe liri të barabarta, pa asnjë dallim. Prandaj, iu bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që të marrin pjesë sa më gjerësisht në këto zgjedhje të brendshme. E ardhmja e Lëvizjes sonë, e ardhmja e vendit tonë, varet jo prej meje, prej asnjërit prej nesh, por prej të gjithë neve bashkë.
Tani më lejoni të flas për punën e rëndësishme që kemi bërë dhe po bëjmë në qeveri. Siç e dini, dy nga prioritetet tona kryesore mbeten puna dhe drejtësia. Në këtë drejtim, vitin e kaluar e kemi mbyllur me 10,53% rritje ekonomike kurse në tremujorin e parë të këtij viti kemi rritje ekonomike prej 4,9% pasi që të hiqet inflacioni. E këtë vit për herë të parë, vlera e eksportit pritet të kap shifrën e një miliard eurove.
Kemi ngritur mirëqenien sociale me prezantimin për herë të parë të shtesave për lehonat dhe fëmijët.
Në drejtësi këtë vit kemi bërë funksionalizimin e Gjykatës Komerciale si gjykatë e specializuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznesore që do të ndihmojë për zhvillimin e biznesit por edhe në sjelljen e investimeve. Është punuar në reformën e Këshillit Prokurorial, kemi miratuar Koncept Dokumentin për krijimin e fondit të konfiskimit dhe Projektligjin për Sanksionet e Shënjestruara kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut.
Në 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 ligje në qeveri dhe së bashku kemi kaluar pastaj ato në kuvend, ku 87 ligje kaluan vetëm në gjysmën e parë të këtij viti.
Prioritet kryesor në drejtësi mbetet vettingu i sistemit të drejtësisë dhe këtë do ta bëjmë së bashku me kuvendin e në bashkëpunim me gjithë spektrin politik.
Kemi vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi pasur mbi 700 operacione policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit dhe janë arrestuar mbi 2000 persona, prej të cilëve afër 300 janë zyrtarë publik; janë shkatërruar 65 grupe kriminale e është konfiskuar 1,5 ton narkotikë. Kemi luftuar monopolizimin dhe ilegalitetin duke bërë fiskalizimin e resortit të skijimit në Brezovicë, zhbllokimin e rrugëve në terminalin e Hanit të Elezit dhe heqjen e liçensës korruptive të homologimit. Operacionet policore për sundim të ligjit janë zhvilluar në çdo cep të vendit, duke përfshirë edhe veriun ku janë shkatërruar 5 laboratorë të substancave narkotike, laboratorë për prodhimin e kriptovalutave dhe janë mbyllur 11 rrugë ilegale. Sundimi i ligjit, luftimi i kriminalitetit do të mbetet prioritet në gjithë vendin pa dallim etnie e prejardhjeje.
Në shëndetësi ka vazhduar menaxhimi i pandemisë COVID-19 si prioritet primar ndërkohë që po punohet në Ligjin për Shëndetësinë, atë për Sigurime Shëndetësore dhe në Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2023-2030. Këto do të rezultojnë me zgjerimin e trajtimeve shëndetësore, ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe rekrutimin e specializantëve të ri për fushat deficitare.
Arsimin përveçse e kemi bërë falas, kemi shtuar testet dhe kemi rritur buxhetin me qëllim të shtimit të profesionalizmit e të kualitetit mësimdhënës dhe ngritjes së infrastrukturës adekuate. Kemi filluar me hapa konkret për arsimin dual duke nënshkruar marrëveshje me bizneset për 3 profile për vitin shkollor 2022/2023. E për mërgatën, në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, në këtë 1 shtator do ta kemi abetaren e përbashkët për mësim e kultivim të gjuhës shqipe. Prioritet deri në fund të ktëij viti mbetet përfundimi i ndërtimit të 15 çerdheve të reja për gjithsej 1,800 fëmijë.
Kemi bërë dhjetëra ndërhyrje emergjente dhe restauruese në monumentet e trashëgimisë kulturore në gjithë vendin. Dinamizim të punëve në infrastrukturën kulturore, rinore dhe sportive dhe renovim të ndërtesave të institucioneve të kulturës. Kemi rritur mbështetjen financiare të skenës së pavarur të kulturës dhe të artit e të federatave të sportit dhe për herë të parë kryeqyteti ynë është nikoqir i një prej bienaleve më të mëdha nomade në botë – “Manifesta”. Qysh tani në verë, dihet që viti 2022 është viti më i mirë në Kosovën e pasluftës për nga ngjarjet e zhvillimet kulturore, për nga avancimi i skenës artistike.
Për komunat kemi trefishuar grantin e përformancës dhe kemi filluar digjitalizimin e shërbimeve dhe aktiviteteve komunale, me ç’rast do të zhvillohet edhe platforma e-Komunat që parasheh ofrimin e 50 shërbimeve të digjitalizuara. Ndërkaq, buxheti që do t’u ndahet komunave për vitin 2023 është për 15% më i lartë sesa buxheti i vitit 2022.
Kemi miratuar Projektligjin për Bashkëfinancimin e Studimit të Fizibilitetit për Hekurudhën Durrës-Prishtinë, e cila do ta lidh portin e ri të Durrësit me portin e thatë të Prishtinës. Kemi marrë masa që të mbrohen konsumatorët nga spekulimet dhe keqpërdorimi me çmime të derivateve dhe do të vazhdojmë edhe me produkte të tjera elementare, sepse në kohë krize na duhet solidaritet me njëri-tjetrin, që ta ruajmë njëri-tjetrin, që t’i mbrojmë të gjithë, sidomos ata në nevojë, që të mbrohemi bashkarisht.
Sa i përket integrimeve euro-atlantike, pas një pauze të gjatë të vetë-izolimit, si mungesë e dijes por edhe e ndëshkimit për shkak të korrupsionit, kemi zgjeruar lidhjet e vendit me botën dhe kemi kthyer Kosovën në integrimet euro-atlantike dhe ndërkombëtare. Kemi aplikuar në Këshillin e Evropës si një vend demokratik, liridashës e paqedashës që mbron dhe promovon të drejtat e njeriut, barazinë dhe drejtësinë. Kemi themeluar grupin punues për anëtarësim në NATO dhe Programin për Paqe të NATO-s. Kemi themeluar grupin punues për anëtarësim në Bashkimin Evropian ku do ta dorëzojmë sivjet aplikacionin. Kemi hequr çdo pengesë e dyshim te vendet hezituese të Bashkimit Evropian për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave përmes luftimit të krimit e korrupsionit dhe zhvillimit demokratik që e kanë përmirësuar shumë imazhin tonë. Jemi rreshtuar me vendet demokratike duke dënuar ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke ju bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Federatës Ruse dhe jemi solidarizuar me popullin ukrainas duke hequr vizat dhe duke strehuar gazetarë të saj që tash janë banorë të kryeqytetit tonë.
E me punën që kemi bërë së bashku jemi ngritur për 17 vende në Indeksin e Transparency International dhe po aq vende në indeksin e lirisë së mediave, teksa jemi renditur të parët në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit sipas World Justice Project.
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, kemi përpara disa procese delikate për të cilat jemi të bindur që do të arrijmë të kemi rezultate të mira. Por, kjo kërkon durim dhe këmbëngulje në mbështetjen e vazhdueshme të aktivistëve e anëtarëve për Lëvizjen. Mbështetja nuk duhet të vijë si duartrokitje, vetëm kur e korrim ndonjë fitore, sepse duartrokitjet për fitoret na i japin edhe partitë e tjera. Por, prej anëtarëve dhe aktivistëve, na duhet mbështetja e besimi edhe në ato javët e gjata, kur ne angazhohemi e ballafaqohemi me sfidat për të cilat nuk mund të komunikojmë aty-për-aty, sepse çdo komunikim do ta dëmtonte rezultatin. Pra na duhet mbështetja para fitores, lloji i vetëm i mbështetjes që është kontribuese në fitore.
Jemi dëshmitarë se ka investim në keqinformim dhe në përçarje e çoroditje të opinionit publik. Ka edhe njerëz e ndonjë kanal medial në Kosovë që interesin kryesor e kanë të besohet më shumë lajmi me origjinë nga Beogradi se sa lajmi me origjinë nga Prishtina. Pavarësisht se ne po përpiqemi të japim shembull për korrektesë e vërtetësi, ndërsa nga Beogradi prej dekadash vijnë sensacionalizma dhe lajme të rrejshme. I bëjnë jehonë çka thotë filani e fisteku, pastaj më thonë mua e ministrave të mi pse nuk e komenton atë çka tha ai, pse nuk po flet, çka po fshehni. E pra një gjë po e them sot dhe mbase nuk do të duhet ta përsëris më: çdo komunikim i imi për media, si kryeministër, do të jetë vetëm në kuadër të interesit të Kosovës, dhe asgjë tjetër. Çdo komunikim i imi për media, si kryetar i Lëvizjes, do të jetë vetëm në kuadër të interesit të Lëvizjes dhe asgjë tjetër. Nuk jam unë në pozitë që të them çdo mendim që kam dhe të komentoj gjithçka, sepse ajo prishë punë. Madje i këshilloj gjithë vartësit e mi, të ndjekin të njëjtin parim. Duhet ta ulim pak këtë zhurmën e spektaklit, dhe të komentimit për komentimet pambarim për gjithçka, sepse vetëm ashtu do të mund të dëgjojmë më mirë njëri-tjetrin dhe të lidhemi bashkë.
Të nderuar delegatë,
Ekonomia globale është në një moment të vështirë. Nuk ka nevojë ta fshehim këtë gjë që mund ta lexoni në çdo medie serioze ndërkombëtare, madje përditë. Janë lidhur shumë faktorë me njëri-tjetrin. Pandemia që ndërpreu konsumin dhe dëmtoi zinxhirët e ofertës, post-pandemia që solli një konsum më të madh se sa ishte e përgatitur ekonomia globale, lufta pushtuese e agresore e Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet, që kanë shkaktuar rritje të çmimeve të gazit e naftës, por edhe të hekurit e drithit, tensioni mes Kinës dhe perëndimit për çështjen e Tajvanit, kriza klimatike që po shoqërohet me thatësira të mëdha në shumë vende të botës, të gjitha këto e influencojnë inflacionin.
Ne jemi ekonomi e vogël, jemi një vend në zhvillim, edhe pse as vendet e mëdha dhe të zhvilluara nuk kanë përgjigje të shpejtë për këto probleme. Por e kemi dhe ne një të mirë: jemi mësuar me vështirësi, dhe do t’ia dalim, duke ndihmuar njëri-tjetrin. Qeveria do të ketë këto parime për krizën: 1. do të angazhohet 100% të kohës për të zbutur dhimbjen ekonomike që do ndjejnë pjesët më të brishta të shoqërisë; 2. do të ketë vazhdimisht qasje zhvillimore për të afruar investime të huaja direkte; 3. në aspektin gjeopolitik e gjeoekonomik, ne do të jemi gjithnjë me kahje atlantiste dhe europianiste; 4. korrupsioni te ne nuk ka vend, dhe ata aktorë privatë apo politikë që përpiqen ta shfrytëzojnë krizën për të avancuar ndonjë veprimtari korruptive apo për të shantazhuar shtetin, do të hasin në vështirësi që nuk ua pret mendja; dhe 5. do të afrohemi ekonomikisht me Shqipërinë, sepse jemi komplementarë dhe ballafaqohemi me vështirësi të ngjashme, por edhe do të nxisim marrëdhënie ekonomike dhe me gjithë vendet të cilat e njohin Kosovën.
Politikat tona sociale dhe ekonomike nuk maten nga teket e askujt. Pakoja e ringjalljes ekonomike ka arritur gjithsej vlerën prej 7% të Bruto Produktit Vendor. Jemi qeveria që ka ndërmarrë më shumë politika sociale se cilado qeveri para nesh. Por edhe në krahasim me rajonin, qeveria jonë ka dhënë mbështetje të madhe ekonomike, nëse llogarisim për kokë banori. Me inflacionin, jemi ndër vendet me shifra më të ulëta krahasuar edhe me vende të zhvilluara evropiane. Sa i përket mbështetjes ekonomike që po i japim sektorit të energjisë, sipas Financial Times, Kosova është vendi i katërt në Evropë. Kjo mbështetje është me disa forma, që nga përkrahja për konsumatorin, e deri te mbështetja e prodhuesve. Mirëpo çmimet po rriten. Është mirë të kursejmë, këtë po e thonë shumë qeveri në Evropë, pra: jo pesimizëm, por realizëm ekonomik. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm. Ata që thonë “mos kurseni”, duan t’ju vjedhin.
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,
Egoizmat, karrierizmat, edhe brenda lëvizjes ku jemi në zgjedhje, po edhe në raport me shtetin e me qeverinë, e me kuvendin, nuk janë mënyra për të ecur përpara. Na duhet punë kolektive, punë ekipore, ku personat që e marrin një detyrë dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre. Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar. Ministrat dhe zëvendësministrat në qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize. E shoqëruar me vendosmërinë të cilën e kemi pasur përherë.
Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës. Nuk mjafton që të thuhet se ministri apo zëvendësministri i VETËVENDOSJE!-s nuk po vjedh, por patjetër duhet që kjo të shoqërohet me rezultate sipas programit tonë qeveritar dhe planit tonë të punës. Nuk mjafton të themi që punojnë më shumë se qeveritë e kaluara. Të gjithë ministrat, zëvendësministrat duhet të shkojnë më shpesh në terren, të takohen me sektorët dhe me qytetarët që i prek fushëveprimtaria e ministrisë së tyre, duhet t’i zgjidhin problemet konkrete që janë brenda mundësive të qeverisë, duhet të vijnë me projekte e ide të reja zhvillimore, gjithnjë brenda programit tonë dhe sidomos të ketë zbatim të tyre. Të ketë zbatim të tyre deri në fund. Nuk mund ta nisim një punë që nuk e përfundojmë dhe nuk mund t’i lëmë punët përgjysmë sepse sado të mira që janë ato moszbatimi i tyre i plotë i delegjitimon.
Duhet të reformojnë administratën, sepse nuk tolerohet një administratë e trashëguar ku ka plot elementë që nuk e bëjnë punën për të cilën paguhen. Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe, sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush dhe asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm.
Në raport me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, asnjëri nuk duhet ta harrojë se për çka është votuar. Askush nuk e ka votuar deputetin tonë që të mungojë në seanca. Kemi bërë punë të mirë. Të gjithë deputetët kanë punuar mirë, dhe unë ju falënderoj përjetë e ju jam mirënjohës përditë për këtë gjë, por e keni mundësinë të shkëlqeni. Mirë nuk është shkëlqyeshëm. Midis jush mund të ketë edhe ministra e zëvendësministra të ardhshëm, e njerëz që udhëheqin projekte e procese sot, në të ardhmen, e ndoshta edhe një ditë kur unë nuk jam kryeministër, por nëse nuk përkushtoheni tash dhe këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti e vetëpërmbajtje në jetën e përditshme dhe kudo ku jeni e tërë kohën, nëse nuk e ndihmoni qeverinë, gjasat janë që edhe në mesin e deuteteëve që kemi sot do të ketë nga ata të cilët nuk do të jenë në lista herën e ardhshme.
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, të dashur aktivistë,
Më lejoni të flas për dy çështje të cilat kërkojnë sa vëmendjen për informim po aq edhe mirëkuptimin e bashkëpunimin e të gjithë neve. E, këto janë energjia dhe dialogu me Serbinë.
Siç e dini muajin e kaluar kemi nënshkruar grantin mbi 200 milionësh me Korporatën e Mijëvjeçarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mjete të cilat do të shkojnë në energji të gjelbër, duke investuar në bateri që ruajnë energjinë e vjelur nga era e nga dielli. Ky investim së bashku me investimin në Parkun e Erës në Bajgorë dhe Selac me kapacitet prej 105 MW, e po ashtu edhe investimet e planifikuara për parkun energjetik afër Korporatës Energjetike të Kosovës me kapacitet prej 100 MW, përbëjnë hapat tonë konkret jo vetëm në adresimin e hendekut në rritje të mungesës së energjisë por edhe në investimin në diversifikimin e burimeve të energjisë drejt një energjie të gjelbër e të qëndrueshme.
Për situatën të cilën e kemi trashëguar, kemi folur dhjetëra herë. Termoelektrana të stërvjetruara, kapacitete të pamjaftueshme, dhe mungesë të investimeve për dekada. Në krye të kësaj kemi krizën botërore me energji për të cilën fola, e cila ka sjellë edhe një krizë të ekonomisë që e ndjejnë të gjithë evropianët jo vetëm qytetarët e shtetit tonë me rritje të çmimeve që e rëndojnë dhe e vështirësojnë jetën e secilit. E me ditët e ftohta që po afrohen vjen edhe nevoja për t’u ngrohur. Në mungesë të investimeve në ngrohje alternative, burimi kryesor për shumë qytetarë për ngrohje vazhdo të jetë energjia elektrike. Për ta përballë konsumin e rritur në dimër energjia duhet të blihet. Në bursën Hupex, një orë MW, sot shkon deri në 800 euro. Kurse në pikun kur kemi më së shumti nevojë, parashihet të shkojë deri në 1500 euro. Me një çmim të tillë, nëse blejmë në kohën e pikut, ne do të humbim miliona euro në ditë, mjete këto të cilat nëse do të shkonin në blerje të energjisë do të shkatërronin të gjitha shanset për investime në projekte zhvillimore duke ndalur progresin tonë dhe duke dëmtuar të ardhmen.
Ne tashmë kemi ndarë 100 milionë euro për të zbutur ndikimin e rritjes së faturave të energjisë për qytetarët por çmimi i energjisë është vazhdimisht në rritje. Prandaj, edhe na duhet një debat i hapur dhe i sinqertë mes nesh mbi gjendjen që jemi dhe sfidën që kemi përpara në mënyrë që gjatë dimrit të fokusohemi në atë që është e mundur e që mbi të gjitha siç e theksova është kursimi i energjisë.
Tema tjetër është dialogu dhe marrëdhëniet tona me Serbinë. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe duam marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët mbi bazën e barazisë dhe të reciprocitetit. Serbia nuk njeh dhe lufton pavarësinë tonë andaj edhe marrëdhëniet tona nuk janë normale. Dhe, për shkak se marrëdhëniet tona nuk janë normale ne jemi në një proces normalizimi. Ne dëshirojmë që të ketë normalizim dhe këtë ta bëjmë përmes një marrëveshje ndërkombtarisht e ligjërisht të obligueshme për normalizim të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Në takimin e fundit në Bruksel kam prezantuar një kornizë të përgjithshme me 6 kapituj, me shumë elemente, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për t’u takuar edhe më shpesh, në mënyrë që ta finalizojmë këtë marrëveshje.
Por në mungesë të marrëveshjes do të ketë reciprocitet të plotë i cili do të vendoset gradualisht. Reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë. Ne nuk mund të mos e ushtrojmë sovranitetin të cilin e kemi shpallur, njëjtë siç nuk mund të sillemi neutral ndaj vetes apo të marrim vendime të cilat krijojnë dualizëm në sistemin tonë ligjor.
Do të donim që me Serbinë të kishim marrëdhënie normale, sikur që do të dëshironim që të kishim si fqinj një Serbi demokratike që ballafaqohet me të kaluarën e saj, një Serbi që e trajton seriozisht se si u bë që pas rënies së Millosheviqit u zbuluan pesë varreza të mëdha masive atje me njerëz të vrarë e kufoma të rrëmbyera, gjithsej 950 shqiptarë deri më tash, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak.
Prandaj edhe vendimet tona sikur ato për referendumin, zgjedhjet e deri te këto për targat e kartat identitetit, por edhe tek vendimet tjera në të ardhmen, janë asgjë më shumë e më pak sesa shprehje e ushtrimit të sovranitetit.
Unë jam i angazhuar dhe i përkushtuar që në mënyrë aktive e kreative, në bashkëpunim e koordinim me partnerët e aleatët tanë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, të arrijmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme me njohjen e ndërsjelltë në qendër, marrëveshje kjo që sjell paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe do t’i kontribuojë sigurisë ballkanike.
Dhe për këtë do të punoj së bashku me gjithë spektrin politik. Ne jemi për dialog me parime dhe për proces transparent prandaj edhe sot i dërgoj ftesë tre krerëve opozitar për t’i informuar e për të diskutuar për takimin e fundit që kemi pasur në Bruksel dhe sfidat që i ka shteti ynë përpara.
Ne jemi demokraci e demokracia është e zhurmshme edhe e komplikuar. Secili prej nesh kemi mendimet tona dhe kur përballemi me vendime të mëdha është e natyrshme që të kemi edhe dallime e mos-pajtime, por asnjëherë dallimet tona nuk duhet të tejkalojnë interesin tonë shtetëror e kombëtar, shoqëror e qytetar. Angazhimi e aktivizmi ynë në Lëvizje kurrë s’ka qenë për hir të kundërshtimit por çdoherë në mbrojtje të sovranitetit, të barazisë dhe të trajtimit me dinjitet.
Do të kemi fitore edhe të tjera, ashtu siç kemi patur arritje me çështjen e zgjedhjeve, apo këto të fundit raportet bilaterale me Serbinë, apo ato të rritjes ekonomikë e të politikave sociale. Por këto fitore nuk janë kundër askujt, nuk e lëndojnë askënd, nuk e dëmtojnë asnjeri. Këto janë vetëm fitore të barazisë mes popujve, e të barazisë brenda popullit. Ne do të punojmë fort, dhe do të pranojmë zgjidhje e formula të cilat siç do të zbatohen nga Kosova, simetrikisht do të zbatohen nga Serbia. Nuk është puna këtu çfarë do japim e çfarë do marrim, as kush fiton e kush lëndohet, është puna të jemi të barabartë, dhe angazhimi ynë është vetëm në këtë drejtim, dhe i tillë që është pa kursim e pa rezervë.
Të dashur aktivistë,
Para disa viteve thoshim “kush qëndron, fiton”, kurse tash themi “bashkë, vetëm bashkë, përparojmë, përparojmë shumë”.
Pas një procesi një vjeçar të diskutimeve me komunitetin, hulumtimeve dhe analizave, në mbledhjen e fundit të qeverisë u miratua Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë, duke i hapë kështu rrugë Ligjit të ri të Kulturës, Ligjit të ri të Kinematografisë, rregullimit ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjisë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës.
“Ky moment i rëndësishëm është rezultat i punës së madhe të stafit civil dhe kabinetit politik të Ministrisë së Kulturës, zyrtarëve të institucioneve publike të kulturës, zyrtarëve të ministrive të linjës dhe të Zyrës së Kryeministrit, pjesëtarëve të komunitetit artistik e organizatave të skenës së pavarur, konsulentëve vendorë dhe nga jashtë. Hapat e ardhshëm të reformës më të madhe kulturore në vend do të bazohen në këtë dokument, i cili do të jetë udhërrëfyes i yni shtetëror për çdo lloj mase që duhet të ndërmarrim për t’i ngritur më tutje të gjitha kapacitetet kreative në vend”, tha ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Gjilanit, Kamenicës dhe Shtimes në konferencë të përbashkët
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe ai i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu mbajtën konferencë të përbashkët për media me ç’rast shprehën distancimin e tyre nga qëndrimet e Asociacionit të Komunave të Kosovës për padinë ndaj dy ministrive të Qeverisë së Kosovës.
Në këtë konferencë kryetarët theksuan se veprimet e fundit të Asociacionit të Komunave të Kosovës me padinë e ngritur ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë për çështjen e kontratës kolektive janë edhe një hap tutje që dëshmon edhe një herë se ky Asociacion iu shërben qëllimeve të caktuara politike, por jo edhe arsyes dhe qëllimit të themelimit-nevojave dhe interesave të komunave dhe qytetarëve.
Në fund u theksua se kjo padi përveç tjerash nuk po bëhet në kohën e duhur dhe adresën e saktë ngase kontrata kolektive është lidhur kohë më parë kur dy ministritë drejtoheshin nga qeveri të tjera dhe se asnjëherë nuk ishin zotuar mjete, kësisoj kjo padi është e padrejtë dhe me tendencë ndaj qeverisë aktuale.
Javën e kaluar ministrja e MASHTI-së, Arbërie Nagavci ka filluar turin e diskutimeve të hapura me mësimdhënës gjithandej komunave të Kosovës. Deri tash ajo ka zhvilluar diskutime të frytshme me mësimdhënës të komunës së Gjilanit, Pejës, Podujevës e Mitrovicës, duke trajtuar kështu problematikat që prekin direkt punën dhe angazhimin e gjithë punëtorëve të arsimit.
Jemi të vetëdijshëm që gjendja në arsim sikur në secilin sektor nuk është aspak e mirë, por qeveria e Kosovës ka dijen, vullnetin dhe përkushtimin që të ndërrohet gjendja në këtë sektor.
‘’14 shkurti ka qenë moment i kthimit të madh për rregullimin e secilit sektor shoqëror tashmë të dëmtuar rëndë, ndër të cilët pothuajse më së rëndi ky i arsimit. Dhe padyshim fajtorët nuk janë anonim. Jam shumë e vetëdijshme për gjendjen aktuale, por çdo ditë po marrim iniciativa e vendime që do të na nxjerrin përfundimisht nga kjo gjendje. Kemi e do të kemi pengesa, por kemi edhe vullnetin e hekurt që besimin që kemi marrë nga qytetarët për programin tonë ta çojmë deri në fund’’, ka theksuar ministrja Nagavci.
Prishtinë, 15 gusht, 2022 – Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
Falë punës dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) dhe Korportatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike.
Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike.
Bashkëpunimi me Shqipërinë në do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi.
Ditën e sotme qytetarët janë njoftuar për ndërprerje të energjisë elektrike në orare të caktuara nga KEDS/KESCO.
Për situatën e krijuar duam të ju njoftojmë si në vijim:
Prodhimi ditor i Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) është rreth 507 MWh.
Kërkesa për konsum është deri në 750 MWh.
Çmimi në bursën Hungareze (HUPX) është rreth 430 euro për MWh.
Humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe teknike të Kompanisë KEDS janë 19%. Këto humbje ende mbulohen nga të gjithë, pra prodhimi ose importi, jo nga vet KEDS-i.
Institucionet përgjegjëse që monitorojnë punën e akterëve të furnizimit me energji, janë duke marrë të gjitha hapat që furnizimi me energji elektrike t’i kthehet normalitetit.
Kriza energjetike ka kapluar Evropën, siç kemi paralajmëruar me rastin e shpalljes së gjendjes emergjente në furnizimin me energji elektrike. Është me rëndësi që secila e secili prej nesh të kemi kujdes dhe të kursejmë shpenzimin e energjisë elektrike gjatë gjithë ditës. Kursimi i vogël individual do ta lehtësonte tejet shumë furnizimin me energji elektrike, si dhe to të lehtësonte vështirësitë të mëdha që po kalon dhe do të kalojë vendi.
Ne jemi duke bërë gati masat jo vetëm për furnizim të rregullt, por veçanërisht për të ndërprerë përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike, pra humbjet nga vjedhjet. Këto humbje vazhdojnë të jenë shumë të larta e për të cilat kompania dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur rezultate.
Askush, e aq më pak qytetarët dhe buxheti i vendit, nuk duhet të paguajnë çmimin e lartë të importit për ata që tolerohen të vjedhin energji. Prandaj, në këto kushte Qeveria, me mjetet dhe kompetencat e saj, do të ndërhyjë për ta minimizuar deri në ndalje të plotë këtë dukuri, pa asnjë kompromis.
Tutje, Qeveria do të marrë masa për çështjen e ngrohjes gjatë muajve në vijim për të ndihmuar qytetarët. Prandaj, të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, të cilët janë duke planifikuar të bëjnë investime në sistemet e tyre të ngrohjes, ftohen e rikujtohen që t’i ndërrojnë ato nga energjia elektrike në forma të tjera të burimit të energjisë.
Po ashtu ju njoftojmë dhe me të dhënat nga Korporata Elektroenergjitike e Kosovës si më poshtë:
Kosova A – A3 dhe A4 janë në prodhim;
Kosova B – B1 është përfunduar remonti dhe është në prodhim; B2 remonti ka filluar dhe do të përfundojë më 26 gusht 2022.
Ministrja e MAShTI-së, Arbërie Nagavci sot ka marrë vendim të rëndësishëm në dritë të ndaljes dhe parandalimit të plagjiaturave në Universitetet në Republikën e Kosovës.
Me këtë vendim këto institucione janë të obliguara të publikojnë disertacionin e doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara.
“Me këtë vendim, obligohen të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim”, ka shkruar ministrja Nagavci.
Shpallen zgjedhjet e brendshme për kandidatët për pozicionet drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!
Pas përfundimit të procesit zgjedhor në nivelin e parë organizativ, në Pika, ku janë zgjedhur strukturat drejtuese të shtrira në lagje e fshatra, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme dhe në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Lëvizja VETËVENDOSJE!, nga sot, shpallë zgjedhjet e brendshme për nivelin e dytë dhe të tretë organizativ, që përfshinë kandidatët për:
Niveli i tretë:
– Kryetar/e të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
– Kryetare të GVV.
– Kryetar/e të RVV.
Niveli i dytë:
– Kryetar/e Qendre.
– Kryetare të GVV në Qendër.
– Kryetar/e të RVV në Qendër.
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm dhe Komisionet Zgjedhore Ad-hoc-e të qendrave (KZAQ) njoftojnë të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilët janë të interesuar për të kandiduar për pozicionet e lartëcekura, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës nga sot, 15 gusht deri më 23 gusht 2022.
Kandidatët e interesuar për të kandiduar, deklaratën e kandidaturës për të gjitha pozitat dhe nivelet mund ta marrin në zyrën e qendrës përkatëse dhe të njëjtën ta dorëzojnë te Komisioni Zgjedhor i Ad-hoc i Qendrës (KZAQ) (për nivelin e dytë) dhe në Komisionin Zgjedhor të Përgjithshëm (niveli i tretë) ashtu siç është e paraparë me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më demokratik e më transparent sa i përket vendimmarrjes, veprimtarisë e organizimit. Në frymën e demokracisë së brendshme ne urojmë për një proces zgjedhor sa më të mirë dhe ftojmë për përfshirje sa më të madhe në këtë proces.