17 04 2015

Kryetari Visar Ymeri i reagon kryeministrit Mustafa:

Shteti është i kapur. Ky është fakt. Është kapur nga ShIK-u, agjentët e të cilit, gjithnjë nën udhëheqjen e Kadri Veselit e Hashim Thaçit, kontrollojnë secilin segment të shtetit. Dhe po, janë krijuar rrjete të cilat e kanë kthyer hapësirën publike në hapësirë për vete, duke e uzurpuar kështu atë. Uzurpimi është zaptim. Zaptimi kapje. E zaptuesit kanë emër.
Por emër kanë edhe apologjetët e këtij zaptimi. Apologjet është Isa Mustafa. Tash prej se është bërë kryeministër është shndërruar edhe në shërbim të kapjes. Ç‘është e vërteta, gjithnjë me prospektin e kapjes së ardhshme të shtetit. Që nga marrëveshja e koalicionit me PDK-në ku ishin dakorduar që kapjen ta ndajnë në dysh 50% me 50% sikur dikasteret qeveritare.
E pritshme. Dëshmitë po dalin që ky kishte interes që të bëhej pjesë e kësaj kapjeje. Dje në Kuvend e pranoi se për të më dosjet për korrupsion e shkelje të ligjit e procedurave në Prishtinë nuk kanë ndikim. Tash i quan spektakle. Sepse kështu e duan këta shtetin: hapësirë spektakli për qytetarët për ta fshehur të vërtetën prapa tij. E e vërteta është e vërtetë e kapjes së shtetit, që e pengon hetimin e gjykimin e rasteve të korrupsionit, të zhvatjes, uzurpimit, haraçit… Isa Mustafa po e pranon që është shndërruar në të paprekshëm. E qartë: I është bashkuar Thaçit e Veselit, në këtë vallen e të paprekshmëve.
Ka një transformim të thellë të profilit publik të Isës. Nga kryetar i Prishtinës që e akuzonte ShIK-un për duar të përgjakura, në kryeministër të Republikës së Kosovës në bashkëpunëtorin më të ngushtë të kreut të ShIK-ut. Për Isën ShIK-ut iu paskan pastruar duart. Tash pyetja këtu është kush ia pastroi?

Kontribo

16 04 2015

Orët digjitale = Hajni qytetarëve

Aksioni i sotëm u organizua për t’i kundërshtuar fuqishëm keqpërdorimet që po i bën korporata KEDS me faturat e qytetarëve duke i vjedhur ata nëpërmjet orëve digjitale. Qeveria e kaluar na tha se shitja e rrjetit të energjisë elektrike dhe shpërndarjes do të çrrënjosë korrupsionin dhe do të furnizonte qytetarët me energji elektrike pa pengesa.

Institucionet e Kosovës po heshtin para këtij krimi që po i ndodh popullit të Kosovës, por kur institucionet heshtin atëherë flet populli.

Andaj i bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve të cilët janë zhvatur nga KEDS-i që të shtunën më 18 prill, ora 14:00 t’i bashkohen protestës sonë kundër kapjes së shtetit .

Kontribo

16 04 2015

Përkrahje protestës kundër humbjes së territorit të Kosovës

Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrah protestën kundër humbjes së territorit të Kosovës në procesin e demarkacionit me Malin e Zi. Ne e konsiderojmë të dretjë protestën e sotme të banorëve që i kanë pronat në kufi me Malin e Zi, kundër demarkacionit të padrejtë me këtë shtet, me ç’rast padrejtësisht po humben pronat e këtyre banorëve e rrjedhimisht edhe territori Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka tërhequr vëmendjen me kohë se Kosovës disa herë i është marrë territori në këtë pjesë. Në vitin 1996 regjimi i Millosheviqit e zhvendosi kufirin me Malin e Zi 8 kilometra në brendësi të Kosovës me ç’rast janë humbur 2900 hektarë. Ndërkaq, në vititn 1999, në vend se të kthehen këto, KFOR-i e ka sjellë vijën kufitare te “piramidat e betonit”, edhe 5 kilometra të tjera në brendësi të Kosovës, gjë që bëri të humben edhe 3.700 hektarë të tjerë. Kësisoj, Kosova rrezikon të humbë mijëra hektarë.

Kërkojmë që të merret si pikë reference harta e ish Jugosllavisë të vitit 1974, e cila qartë e përcakton kufirin e Kosovës me Malin e Zi, ashtu siç e potencojnë edhe banorët lokalë. Por, e përkrahim edhe kërkesën për shkarkimin e Komisioni shtetëror për demarkacion të kufirit me Malin e Zi duke qenë se nuk ka bërë asgjë në lidhje me këtë. Nëse kjo nuk realizohet deri nesër, bëjmë thirrje që protestuesit për këtë çështje të bashkohen në protestën e 18 prillit.

16 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

15 04 2015

Protestën e 18 prillit, deri tash e kanë mbështetur këto organizata:

– Sindikata e Pensionistëve dhe të Moshuarëve të Kosovës
– Federata Sindikale e Bujqëve të Kosovës
– Sindikata e Pavarur e “Fabrikës së Amortizatorëve”
– Këshilli grevist i punëtorëve të ish-ndërmarrjes “Ballkani” nga Theranda (Suhareka)
– Perfaqesuesit e punëtorëve të Fabrikës së Gypave
– Këshilli i Veprimit Rinor Lokal – Ferizaj
– Lëvizja e Re Demokristiane

Gjatë ditëve në vijim, protestës do t’i bashkohen edhe shumë organizata të ndryshme.

Mobilizimi qytetar për protestën e së shtunës tregon se kërkesat e protestës janë kërkesa të qytetarëve, për përmbushjen e të cilave do të protestohet fuqishëm dhe masivisht.

Kontribo

15 04 2015

Më 18 prill – kundër kapjes së RTK-së

Aktivistët të tri subjekteve opozitare kanë realizuar një aksion simbolik tek ndërtesa e Radio Televizionit të Kosovës. Ata kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të menaxhmentit të RTK-së dhe kanë kërkuar zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve të dala nga seanca e Kuvendit. Nga aty, po ashtu është bërë thirrje për protestë më 18 prill, në ora 14:00.

“Në bazë të ligjit, transmetuesi publik, Radiotelevizioni i Kosovës ka mision informues, edukues, kulturor e argëtues, është i pavarur në shërbim të qytetarëve e jo në shërbim të interesave të caktuara partiake”, ka thënë anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Marigonë Drevinja.

Radiotelevizioni i Kosovës nuk është thjesht një nga institucionet publike – ai është media e vetme publike në Kosovë dhe mbanë përgjegjësi të lartë sa i përket informimit të drejtë dhe të paanshëm të qytetarëve.

Tashmë është bërë e qartë që Radiotelevizioni i Kosovës anon dhe është në shërbim të Qeverisë, pra, është shndërruar në zëdhënës të saj – apo nëse shikojmë pak më hollësisht, mund të themi madje se është tërësisht në shërbim të PDK-së.

“Animi politik nuk është problemi i vetëm i këtij institucioni. Logjika qeverisëse e keqpërdorimeve financiare, punësimeve familjare e partiake, ndëshkimit të kundërshtarëve është bartur edhe tek transmetuesi publik”, shtoi Drevinja.

Përpjekja për shtypjen e çdo lloj iniciative sindikaliste në interes të punëtorëve dhe të transmetuesit publik nga ana e menaxhmentit, e posaçërisht drejtorit Mentor Shala, është e papranueshme.

Me këtë menaxhment dezinformimi i qytetarëve do të vazhdojë, prandaj ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të këtij menaxhmenti, dhe kërkojmë zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve të dala nga seanca e Kuvendit.

Kjo është edhe njëra prej kërkesave të protestës të së shtunës në të cilën i ftojmë gjithë qytetarët që të marrin pjesë.

15 prill 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

15 04 2015

Kryetari i Lëvizjes, Visar Ymeri, i reagon zv.kryeministrit Hashim Thaçi:

“Me deklaratën e tij kërcënuese, zv.kryeministri Thaçi, e tregoi planin e Qeverisë për të shtypur protestat paqësore. Paralajmërimi i vetëm për protesta të dhunshme, po vjen nga Qeveria. Kjo pra flet për planet e qeverisë dhe aspak për planet e subjekteve opozitare.
Siç e kemi thënë deri tash, protesta e së shtunës do të jetë paqësore dhe po organizohet për realizimin e këtyre kërkesave:

– Të shfuqizohen vendimet e ZRrEE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike,
– Trepça të shpallet me ligj ndërmarrje publike me status të veçantë,
– Të shkarkohet Hajredin Kuçi,
– Të dorëhiqet Enver Hasani,
– Të shkarkohet menaxhmenti i RTK-së dhe
– Të ndalet krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të distancohet nga deklaratat e tilla të zv.kryeministrit Thaçi, që kanë për qëllim shtypjen me dhunë të protestave paqësore.
Në vend që Qeveria e Kosovës t’i kërcënojë qytetarët me dhunë, ajo duhet të kujdeset për mirëqenien e tyre dhe t’iu garantojë siguri gjatë protestave.”

Kontribo

10 04 2015

Policia hesht krimin urbanistik, arreston Drejtorin që po e lufton këtë krim

Policia e Kosovës ka arrestuar sonte Drejtorin për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliun, lidhur me rastin për të cilin u akuzua sot.

Me këtë akt, dëshmohet edhe njëherë instrumentalizimi i Policisë së Kosovës për interesa të politikave ditore të partive në pushtet, që arrestojnë kësisoj njeriun i cili po e lufton krimin urbanistik në Komunën e Prishtinës, krim ky tradicional përgjatë 15 viteve të udhëheqjes së LDK-së me këtë Komunë. Për më tepër, arrestimi i Drejtorit Liburn Aliu i del në mbrojtje provokatorëve të cilët për interesat e tyre të ngushta personale e partiake, duan që krimi urbanistik të vazhdohet edhe më tutje në Komunën e Prishtinës.

I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që ta lirojë menjëherë Drejtorin Aliu, dhe që bashkë me gjykatat t’i hetojnë dhe t’i arrestojnë sa më parë të gjithë të përfshirët nëpër dosjet që tashmë Liburn Aliu i ka dorëzuar para organeve kompetente, dhe që lidhen direkt me kaosin urbanistik të cilin po e lufton ai. Luftën ndaj krimit urbanistik në Komunën e Prishtinës, nuk mund ta ndal më askush.

10 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

09 04 2015

Kushtetuta e Republikës së PDK-së

Me Enver Hasanin si kryetar të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shndërruar në instrument që i hap rrugën dhe e legalizon praninë e Serbisë në Kosovë, por edhe i zgjatë jetën pushtetit të PDK-së. Enver Hasani i ka shërbyer PDK-së kur ka bërë interpretimin për grupin më të madh parlamentar, i ka shërbyer edhe kur ka interpretuar mbi mandatarin e Qeverisë, por kulmi i skandaleve të tij është falsifikimi i kuorumit që ka bërë me rastin e zgjatjes së mandatit mbi gjyqtarët ndërkombëtarë. Me këtë rast nuk po flasim për shkelje procedurale, por kemi të bëjmë me vepër penale.

Kontribo

09 04 2015

Në mbështetje të protestave të universitarëve në Tiranë

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh mbështetjen e saj ndaj qytetarëve dhe universitarëve të organizuar në Tiranë rreth Lëvizjes “Për Universitetin”, të cilët po vazhdojnë protestat kundër komercializimit të arsimit të lartë në Shqipëri.

Këto protesta po vijnë duke u zgjeruar, për shkak të drejtësisë së çështjes, por edhe për shkak të sinqeritetit në organizim, dy elemente thelbësore për të ngritur një reagim politik qytetar.

Në alternativën e saj qeverisëse Lëvizja VETËVENDOSJE! parasheh një Universitet më të fortë Publik. Ne jemi për lidhjen e Universitetit me ekonominë, por jo për shndërrimin e Universitetit në treg. Logjika autoritare e tregut do të diktonte mbi Universitetin synime të palidhura me dijen, dhe do të kthente përfitimin në shkak lëvizës për gjithë aparatin universitar, ndërkohë që i vetmi shkak lëvizës i pranueshëm do të duhej të qe thjesht e vetëm dëshira për t’iu përkushtuar dijes.

Lëvizja “Për Universitetin” në Tiranë është duke i bërë jehonë organizimeve të ngjashme të cilat në vitet e fundit po ndodhin në shumë vende të botës, kundër zbatimit të dogmës neoliberale dhe kundër privatizimit në një prej terreneve më të rëndësishme publike, siç është universiteti.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga autoritetet vendimmarrëse në Shqipëri, të marrin parasysh kërkesën e aktivistëve, qytetarëve dhe të universitarëve, e të mos imponojnë në dëm të së mirës publike një reformë jodemokratike, e cila do të rriste çmimin e arsimit të lartë apo do të shpërndante të ardhurat publike në universitetet private të cilave u ndërrohet veç emërtimi. Protestuesit kanë të drejtë.

9 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

08 04 2015

NGA DEKLARATA PËR DITËN NDËRKOMBËTARE ROME

Romët sot kanë nevojë për shkolla, për kultivim të gjuhës së tyre e të gjuhës së shumicës, për mësim të profesioneve, e mbi të gjitha për punësim e për jetë dinjitoze. Por pushteti shpesh i trajton ata thjesht si një shkronjë, pjesë e akronimit “RAE”, e i braktis në mëshirë të fatit, pasi vëmendjen e ka tek minoritete “më të rëndësishme”.

Këtë deklaratë të plotë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm:
http://www.vetevendosje.org/…/deklarate-per-diten-nderkomb…/

Kontribo

06 04 2015

Takim në Ambasadën e Sllovenisë në Kosovë

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, dhe Anëtari i Kryesisë, Belgzim Kamberi, u pritën sot në takim nga Ambasadori i Sllovenisë, Miljan Majhen, për të diskutuar rreth situatës politike në Kosovë dhe marrëdhënies mes dy shteteve.

Kryetari Ymeri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që shteti slloven i ka dhënë Kosovës ndër vite. Më tej, ai u ndal te rëndësia e zbatimit të parimit të reciprocitetit në raport me dialogun me Serbinë. Gjithashtu, ai paraqiti kritikat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndaj programit qeveritar, si dhe alternativën për ta transformuar situatën e rëndë socio-ekonomike që është krijuar. Duke folur për planet e ardhshme, Kryetari Ymeri shpjegoi edhe arsyet për organizmin e protestës së datës 18 prill dhe rëndësinë e saj për qytetarët e Kosovës.

Ambasadori Majhen bëri një shpjegim të modelit se si shteti slloven ka zhvilluar marrëdhëniet me shtetet fqinje, si dhe trajtimin që i ka bërë privatizimeve. Më tej ai shprehu mirëkuptim për disa prej shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOJSE! dhe gatishmërinë e tij për ta zhvilluar më tej bashkëpunimin në të ardhmen.

6 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

04 04 2015

Thirrje për protestë

Mjerimi në Kosovë po rritet, por veprimet dhe programet e qeverisë nuk na japin shpresë për zbutjen e varfërisë e uljen e çmimeve. Për njerëzit e thjeshtë është bërë shumë e vështirë që të sigurohet punë, ndërsa pushteti po dëshiron t’i punësojë vetëm njerëzit e vet duke e fryrë ekzekutivin. Qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike. Drejtësia në Kosovë është uzurpuar, po ashtu televizioni publik është kthyer në zëdhënës të Qeverisë. Ndërkohë, Kosovës po i ndodh një erozion i vazhdueshëm i sovranitetit dhe integritetit territorial për shkak të qasjes së Qeverisë sonë ndaj negociatave me Serbinë e cila na e solli Asociacionin e Komunave serbe si një entitet brenda shtetit tonë. Këto kanë qenë disa prej arsyeve që Glauk Konjufca, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dhënë në lidhje me thirrjen për protestë më 18 prill 2015, ora 14:00.

Kontribo

03 04 2015

REAGIM NGA QENDRA E VETËVENDOSJE!-s NË SKENDERAJ

Ne anëtarët e Grupit Punues dhe aktivistët e tjerë të Qendrës së Skenderajt, distancohemi nga deklaratat e pabaza të znj. Ajnishahe Halimi. Fillimisht, VETEVENDOSJE! në Skenderaj, ka pasur zyre edhe para ardhjes së znj. Ajnishahe. Transferimi i zyrës në pronën e saj është bërë për arsye të përfitimit personal dhe çdo vendim i tillë jo i drejtë, neve aktivistëve të Qendrës, na është transmetuar duke thënë “e di unë çka bëj, sepse kam folur edhe me Prishtinën për këtë”, deri atëherë kur ne e kemi kuptuar që kjo është një e pavërtetë dhe se ajo asnjëherë nuk është konsultuar me nivelin qendror të Lëvizjes. Është e pavërtetë që na kanë larguar nga zyra e mëparshme, por ndryshimi i zyrës është bërë me vendim të znj. Ajnishahe, për interes të saj. Pronari i zyrës së kaluar, Jeton Murtezaj, është ende i gatshëm të na e lëshoj zyrën e njëjtë.

Ne e kundërshtojmë tendencën që znj. Ajnishahe Halimi ka pasur në vazhdimësi që tërë aktivitetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj t’ia atribuoj vetes së saj, duke e mohuar dhe duke mos e përmendur punën e palodhshme të gjithë atyre aktivistëve që janë angazhuar tash e 10 vite në Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Skenderaj.

Në fund, znj. Ajnishahe ka vazhduar keqpërdorimet edhe këto ditë. Në një reagim të lëshuar dje gjoja nga Grupi i Punës i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Skenderaj, znj. Halimi është thirrur në emra të aktivistëve që nuk janë pyetur fare për këtë reagim, dhe kjo është bërë pa njoftimin e tyre. Pra janë keqpërdorur nënshkrimet e tyre në mënyrë shumë jokorrekte. Konkretisht, Avni Ramadani dhe Imer Halili, në emrat e të cilëve është thirrur dje znj. Ajnishahe, nuk e kanë mbështetur deklaratën e lëshuar dje dhe nuk janë dakord me të.

Ne kemi raportuar për shkeljet dhe keqpërdorimet e Ajnishahe Halimit, dhe jemi të kënaqur që Lëvizja VETËVENDOSJE! ka marrë masat e duhura për t’i ndaluar këto keqpërdorime, prandaj e mbështesim fuqishëm vendimin e fundit për përjashtimin e saj nga anëtarësia e VETËVENDOSJE!-s.

Nga 8 anëtarët e Grupit Punues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj, 6 prej tyre janë plotësisht dakord me këtë vendim të VETËVENDOSJE!-s. Më poshtë i gjeni emrat tonë dhe të aktivistëve të tjerë që e dërgojnë këtë deklaratë:

Avni Ramadani – Anëtar i Grupit Punues dhe përgjegjës për financa

Hysni Mehani – Anëtar i Grupit Punues dhe përgjegjës për media

Florim Musliu – Anëtar i Grupit Punues

Besa Baliu – Anëtare e Grupit Punues dhe Koordinatore e Nënkomiteteve

Leonora Kadriu – Anëtare e Grupit Punues dhe përgjegjëse për Depart. e Votës

Imer Halili – Anëtar i Grupit Punues

Arton Dani – Delegat në Këshillin e Qendrës

Fitim Musliu – Koordinator i Pikës në fshatin Klinë e Poshtme

Blerim Dani – Koordinator i Pikës së fshatit Ticë

Hamide Zabeli – Aktiviste

Bahri Zabeli – Delegat nga Rezalla në Këshillin e Qendrës

Fidan Zabeli – Aktivist

Vjollca Ramadani – Aktiviste

Besart Ahmeti – Delegat nga Likovci në Këshillin e Qendrës

Abedin Fetahu – Aktivist

Granit Halili – Aktivist

3 prill 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Skenderaj

Kontribo

02 04 2015

NJOFTIM

Sot, pas pranimit të një letërankese është mbledhur Komisioni Disiplinor, me ç’rast ka shqyrtuar letërankesën ndaj anëtarëve Ajnishahe Halimi dhe Arben Gecaj. Të njëjtët janë thirrur, por nuk i janë përgjigjur ftesës së Komisionit.

Më tej, Komisioni ka vazhduar punën lidhur me shqyrtimin e pretendimeve të përfshira në letërankesën e parashtruar. Me këtë rast Komisioni erdhi në përfundim se:

– Anëtarja Ajnishahe Halimi, duke abuzuar me detyrat e besuara ka krijuar favore financiare në kundërshtim me detyrat e saj, me ç’rast ushtrimi i këtyre detyrave është bërë nën rrethanat e konfliktit të interesit.

– Po ashtu, Anëtarët Ajnishahe Halimi dhe Arben Gecaj me paraqitjet e tyre publike kanë shkelur Nenin 24, paragrafi 1, Pikën c të Statutit përkitazi me respektimin e parimeve, dokumenteve themeltare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Pikën ç lidhur me pranimin e vendimeve të shumicës dhe respektimin e mendimit ndryshe dhe pikën e, lidhur me mospërfshirjen në aktivitete apo sjellje që janë komprometuese për Lëvizjen VETËVENDOSJE! që e cenojnë imazhin e saj;

Për shkak të këtyre arsyeve, Komisioni duke u mbështetur në dispozitat e Nenit 88, Paragrafi 10 të Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mori vendim që këtyre dy anëtarëve t’iu shqiptohet masa disiplinore nga Neni 88, Paragrafi 11, Pika ë: përjashtimi i plotë nga organet dhe anëtarësia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

2 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

01 04 2015

Reagim me fakte ndaj shpifjeve të reja të znj. Halimi

Lëvizja VETËVENDOSJE! reagon sërish ndaj shpifjeve të reja të Ajnishahe Halimit në lidhje me gjoja keqpërdorime në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më transparent dhe më korrekt në Kosovë sa i përket aspektit financiar. Të gjitha financat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë të publikuara me kohë dhe sipas afateve e kritereve të përcaktuara nga KQZ-ja gjë për të cilën ne jemi cilësuar si subjekti më transparent dhe korrekt në aspektin financiar, nga organizatat e shoqërisë civile të cilat kanë bërë hulumtime në fushën e financave të subjekteve politike në Kosovë.

Për të dëshmuar me fakte se deklarimet e znj. Halimi janë tërësisht të pavërteta dhe qëllimkëqija, në këtë reagim po ua bashkëlidhim dy dokumente:

1. Dokumenti që dëshmon pagesën e rregullt të qirasë për zyrën qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të cilën znj. Halimi shpifë se nuk paguajmë qira dhe se qenka donacion.

2. Listën e pagave që i paguan Lëvizja VETËVENDOSJE, përmes bankës, ku po ashtu dëshmohet se pagat në Lëvizjen VETËVENDOSJE! jepen në mënyrë transparente dhe në përputhje të plotë me ligjin, për të cilat paga znj. Halimi prapë shpifë duke thënë se në Lëvizjen VETËVENDOSJE! administratorët paguhen në kesh e jo përmes xhirollogarisë.

Në çdo deklaratë të saj, Ajnishahe Halimi po e përgënjeshtron veten, duke tentuar që t’i ikë përgjegjësisë për keqpërdorimet e saj përmes shpifjeve joserioze si këto që po i shohim sot.

1 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

28 03 2015

Në përkujtim të rënies së 10 anëtarëve të familjes Rama nga Kastrioti

Në përkujtim të rënies së 10 anëtarëve të familjes Rama nga Kastrioti, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Rexhep Selimi, tha se ashtu siç e mbrojtën nderin kombëtar dëshmorët e kombit, ashtu edhe ne të gjallët duhet ta mbrojmë luftën dhe idealin e tyre. “Mbrojtja e luftës së drejtë të tyre sot mbetet sfidë përballë gjykimeve të padrejta. Ne duhet ta mbrojmë luftën e pastër çlirimtare. Kujtimi më i mirë për dëshmorët është mbrojtja e idealit, flamurit dhe atdheut për të cilin ata ranë”, tha ndër të tjera Selimi.

Kontribo

26 03 2015

Homazhe në Viti

Sot, me datë 26 mars, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Viti, bëri homazhe tek varrezat e dëshmorëve të mbarë trojeve shqiptare në Viti.

Deputeti, Salih Salihu, në prononcimin e tij për këtë ngjarje tha se “26 marsi i vitit 2001 na përkujton një betejë të ashpër me forcat armike serbe si dhe luftën e Komandantit Njiazi Azemi (Komandant Mjekrra) që ra dëshmorë në njërën nga betejat dhe ngjarjet më të rëndësishme të luftës së UÇPMB-së.”

Kontribo

07 03 2015

Prizren: Kundër degradimit të arsimit!

Sot, më 7 mars, në ditën e mësuesit, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren së bashku me “Qytetarët aktivë”, Shoqatën e Veteranëve të Arsimit dhe subjektet tjera opozitare ka organizuar protestë kundër degradimit të sektorit të arsimit në Prizren.

Edhe pas 128 viteve nga hapja e mësonjëtoreve të para shqipe, qytetarët e Prizrenit nuk mund të kërkojnë arsimim të mirëfilltë pa pasur problem me pushtetin. Përmes frikësimeve, shantazheve dhe kërcënimeve që ka bërë dhe po i bënë punëtorëve të arsimit, pushteti aktual me të gjitha mekanizmat e vetë po vazhdon ta luftoj çdo përpjekje për shprehje të pakënaqësisë qytetare për një jetë më të mirë dhe shërbime publike më të dinjitetshme. Drejtoria e Arsimit, drejtorët e shkollave dhe sindikatat e kapura të arsimit janë vënë në veprim për t’i zmbrapsur punëtorët e arsimit që të marrin pjesë në këtë protestë. Kjo gjë vendin tonë e kthen 128 vite prapa, kur kërkesa për arsimim konsideroj krim.

Drejtoria e Arsimit në Prizren është njëri nga sektorët më të kriminalizuar të qeverisjes së Ramadan Mujës. Që nga trashëgimi i pozitave nëpër shkolla deri tek punësimi jashtë kritereve, që nga abuzimi me paranë publike deri tek shitja e vendeve të punës, që nga punësimet partiake e deri tek punësimet me porosi nga lartë, ky sektor falë qeverisjes kriminale të këtij pushtetit ka arritur pikën më të lartë të degradimit te tij, me cilësi më të keqe në 50 vite të fundit, dhe standard me të ulët se sa në vitet 90’ta.

Skandalet e publikuara së fundmi flasin qartë për gjendjen e pashpresë në arsim, degradimi i së cilës kulmoi në menaxhimin e drejtorit Nexhat Çoçaj. Artan Abrashi nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren shprehi habinë për mosveprimin e organeve të drejtësisë pas publikimeve të shumta të parregullsive në këtë sektor. Sipas legjislacionit në fuqi, Prokuroria e shtetit duhej te vepronte me automatizëm, sipas detyrës zyrtare, sa herë që flitet për vepra të cilat cenojnë ligjet në fuqi. Gjithashtu Këshilli Prokurorial i Kosovës duhej të vepronte sa here që ndonjë prokuror nuk i përmbahet funksionit të tij zyrtar. Mirëpo këto gjëra nuk po ndodhin edhe pse Prokuroria Publike e Qarkut në Prizren ka zgjedhur heshtjen dhe dorëzimin para krimit. Rrjedhimisht kemi një situatë ku organet e ndjekjes nuk ndjekin keqbërësit, dhe organet e drejtësisë nuk ndajnë drejtësi për abuzimet e pushtetarëve.

Përgjegjësia kryesore për degradimin e arsimit në Komunën e Prizrenit bie mbi Nexhat Çoçajn dhe pushtetin që përfaqëson ai. Ky pushtet i ardhur me blerje dhe vjedhje të votës, me sistemin e tij shtypës dhe abuziv po e bënë atë që nuk mundi ta bënte asnjë okupatorë, ta shkatërrojë arsimin prizrenas. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se largimi i kësaj qeverisjeje të keqe tashmë paraqet kusht ekzistencial për një të ardhme më proesperuese të shoqërisë sonë.

7 mars 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prizren

Kontribo

27 02 2015

Albin Kurti, pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Ditmir Bushatin

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, i shoqëruar nga Puhie Demaku, Sekretare për Marrëdhënie me Jashtë dhe Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kanë pritur sot në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, delegacionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, prirë nga Ministri z. Ditmir Bushati, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Drejtori i Kabinetit të Ministrit, Pirro Vengu, Drejtor i lartë në Ministri, Bashkim Rama, e të tjerë .

Në takimin e përbashkët u diskutua për aktualitetin politik në Kosovë dhe për qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me këtë aktualitet politik. Kurti tha se temat që do të kryesojnë agjendën politike në Kosovë për muajt e ardhshëm janë Trepça, Gjykata Speciale, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe energjia e ndërtimi i termocentraleve te reja.

Temë e veçantë e takimit ishte bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë në disa fusha, si institucionale, politike, ekonomike, arsimore, sociale etj, ku të dyja vendet do të mund ta plotësonin njëra tjetrën.

Z. Kurti e njoftoi Ministrin Bushati edhe për ndryshimet brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! si organizatë dhe për sfidat që e presin lidershipin e ri të Lëvizjes, si dhe rolin që Lëvizja VETËVENDOSJE! e luan në zhvillimet politike si opozita kryesore në vend, brenda Kuvendit dhe jashtë tij.

27 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

25 02 2015

Gjyqi politik i zgjat paraburgimin aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot pushteti kishte urdhëruar mbajtjen e seancës gjyqësore për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të arrestuar për protestën e zhvilluar në 25 gusht 2009, kundër EULEX. Në këtë seancë u prunë para gjyqit aktivistët e arrestuar, Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi, Fatmir Kurtaj, Glauk Konjufca, Kasim Uka, Kujtim Kosumi, Kushtrim Zeqiri, Pajtim Demaj dhe Skënder Mërturi.

Për shkak të mospjesëmarrjes së dëshmitarëve, të cilët janë zyrtarë të Policisë së Kosovës, u vendos që seanca të shtyhet për datën 16 mars 2016, ndërsa për aktivistët u vendos që të mbahet e njëjta masë sigurie, pra paraburgimi. Arsyeja pse u zgjat paraburgimi për aktivistët është thjesht politike. Me mbajtjen e tyre pushteti synon të dobësojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila tashmë është pjesë e organizimit të protestave gjithëpopullore që kërkojnë të ndalin bërjen president të Hashim Thaçit dhe dorëheqjen e qeverisë antikushtetuese. Kurrë më shumë se në këtë seancë nuk është vënë re anshmëria politike e gjyqësorit.

Ky gjyq i padrejtë është i urdhëruar politikisht. Prania e EULEX në Kosovë vazhdon të ketë një natyrë koloniale, pasi EULEX nuk e njeh pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Po ashtu EULEX nuk ka ndihmuar për të sjellë drejtësi në Kosovë. Përkundrazi, nën mbikëqyrjen e EULEX, ashtu si edhe më përpara në mbikëqyrjen e UNMIK, drejtësia e Kosovës ka dështuar, është korruptuar edhe më shumë, dhe nuk ka mbërritur të vërë para përgjegjësisë fajtorët për krime të mëdha të cilët janë të veshur me pushtet politik dhe ekonomik. Siç raportohet nga mediet dhe nga persona të brendshëm të EULEX, korrupsioni i drejtësisë vendore nuk ka mbetur pa prekur edhe vetë EULEX-in. Pra protesta jonë e vitit 2009 ishte e drejtë. Drejtësia nuk importohet. Sistemi vendor i drejtësisë e i gjyqësorit, së bashku me vlerat politike e shoqërore që e mbështesin, mund të ndërtohen vetëm si pasojë e një ideali demokratik e atdhedashës.

Glauk Konjufca, kryesuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i arrestuar edhe pse me imunitet parlamentar, mbajti një fjalim para trupit gjykues ku tha se qëllimi kryesor i dërgimit në burg të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE është drejtpërdrejtë i lidhur me qëllimin për t’i izoluar ata prej ngjarjeve politike të rëndësishme që po ndodhin në Kosovë, dhe jo për të bërë drejtësi. “Kjo çka po e përjetojmë ne është dëshmi që shefi juaj i vërtetë nuk është Kushtetuta por kryeministri, pasi po të mos ishte kështu, ne nuk do të ishim në sallë. Arsyeja kryesore pse jemi këtu është sepse jemi kundërshtarë të Zajednicës. EULEX ka dështuar në qëllimet e veta, që ishin sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Kështu që ky rast duhet të hidhet poshtë, kjo aktakuzë e padrejtë duhet të hidhet poshtë”, tha Konjufca.

Edhe Dardan Molliqaj, sekretar organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e mbajti një fjalim përpara trupit gjykues. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë aktivistëve, një pjesë e madhe e të cilëve janë arrestuar një ditë përpara protestës gjithëpopullore të 17 shkurtit, me qëllim që të dobësohej protesta dhe që të provokohej masa. Molliqaj ka thënë se gjyqtarët dhe policia po kontrollohen me urdhëra të drejtpërdrejtë politikë, dhe se po bëhen vegël e pushtetit. “Sapo të lirohemi nga burgu do të bëjmë publike të gjitha rastet e korrupsionit dhe të marrjes së mitos që kanë bërë prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës. Këto raste janë të shumta, dhe po na i tregojnë vetë të burgosurit që po i takojmë në burgjet e ndryshme të Kosovës ku po mbahemi”.
Lëvizja VETËVENDOSJE! proteston kundër këtyre proceseve të padrejta gjyqësore, të cilat nuk janë asgjë tjetër përveçse përndjekje e opozitës dhe persekutim politik. Gjyqësori dhe prokuroria në një shtet të së drejtës do të duhej të merreshin me hajnat e mëdhenj dhe me korrupsionin qeveritar që po e mbyt krejt ekonominë e Kosovës. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve, dhe ndaljen e përndjekjes.

25 shkurt 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

23 02 2015

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s presin në takim deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, Visar Ymeri, Ismajl Kurteshi, Hydajet Hyseni dhe Belgzim Kamberi, pritën sot në takim deputetët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, z. Riza Halimin dhe z. Shaip Kamberin.

Në këtë takim u diskutua për pozitën e rëndë politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe rolin të cilin duhet ta kenë Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në përmirësimin e pozitës dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje.

Z. Halimi dhe z. Kamberi i njoftuan përfaqësuesit e Lëvizjet për problemet e vazhdueshme me të cilat ballafaqohen shqiptarët atje që prej diplomave të fakulteteve të cilat nuk u pranohen nga Serbia e deri te mungesa absolute e përfaqësimit proporcional në gjyqësi dhe polici. Presheva si komunë me shumicë dërmuese të popullsisë shqiptare nuk ka fare gjykatë themelore, edhe pse një të tillë e ka pasur më herët, ndërkohë që prokuroria për tërë rajonin gjendet në Vranjë. Në kuadër të Gjykatës ka12 gjykatës prej të cilëve vetëm tre janë shqiptarë, ndërsa 9 janë serb. Dy vendet e lira, sistematizim të përcaktuara për gjykatës shqiptarë, për gati dy vite, nuk janë plotësuar.

Kjo është në shpërputhje të plotë me koncesionet të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës po i bën në këtë fushë, sikur në fushat tjera, ndaj Serbisë. Asnjëherë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka ngritur në Bruksel shtypjen dhe diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të mbetet e përkushtuar që t’i ndihmojë përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në kërkesat e tyre politike, si dhe të kërkojë përgjegjësi nga Qeveria e Republikës së Kosovës për angazhimin e tyre institucional në të mirë të shqiptarëve atje.

23 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo