Sot, Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari-Lila, bashkë me kryetarin e komisionit për legjislacion, deputetin, Adnan Rrustemi, përmes një konference për media paraqitën punën dhe aktivitetin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për sesionin pranveror.
Ky është sesioni i parë ku shumica jonë parlamentare dhe qeverisëse ka vijuar punimet me programin e vet, me atë që edhe janë fituar zgjedhjet në shkurt të vitit 2021, dhe me buxhetin tërësisht të planifikuar prej fillimit të vitit, tha Mimoza Kusari-Lila.
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! drejton 7 komisione parlamentare nga 14 sa janë gjithsej, ndërsa në 7 të tjera ka zëvendëskryesues. Po ashtu, grupi ynë parlamentar drejton edhe dy grupe shumë të rëndësishme në kuadër të Kuvendit, grupin e grave dhe grupin e rinisë. Gjithashtu jemi drejtues të delegacionit të shtetit të Kosovës, në Këshillin e Evropës, në Parlamentin e Evropës, në Asamblenë e NATO-së, dhe në organizatën ndërkombëtare të Frankofonisë. Me gjithë këto përgjegjësi, na mbetet obligimi që ta rrisim standardin e performancës dhe nivelin e kënaqshmërisë të qytetarëve të Republikës me punën e Kuvendit. Në këtë kuptim besoj që kemi ende shumë punë për të bërë për standardin që synojmë”, tha Kusari-Lila.
Tutje, Kryetarja e GP të LV, theksoi se ka nevojë të shtohet aktiviteti raportues dhe mbikëqyrja aktive e proceseve kryesore të planifikimeve dhe rezultati final që ato u japin institucioneve dhe qytetarëve.
“Si grup parlamentar do të inkurajojmë dhe mbështesim sa më shumë takime publike të specializuara apo të përgjithshme nga secili komision për shumicën e temave që ata mbulojnë. Po ashtu do të punojnë që niveli i punës së Kuvendit të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve ndaj qytetarëve të Republikës. Është synim i yni dhe politik që Kuvendin e Republikës ta shndërrojmë në një res publica ekselente ku publikja merr formën e vet më të lartë si parakusht i çdo dimensioni të ushtrimi të demokracisë direkte apo përfaqësuese”, tha në fund të fjalës së saj, Mimoza Kusari-Lila.
Deputeti Adnan Rrustemi, foli për punën konkrete në pjesën e legjislativit që edhe është pjesë e programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Me 282 mbledhje, 1329 pika të rendit, 87 projektligje të shqyrtuara, 2588 amandamente të shqyrtuara, 68 grupe punuese, shqyrtimin e përplot raporteve, pritjet dhe vizitat jashtë vendit, është bërë punë e hatashme përgjatë këtij sesioni parlamentar ku janë miratuar shumë ligje që janë jetike për jetën e qytetarëve tanë, në shumë fusha, prej drejtësisë e ekonomisë tek mjedisi e bujqësia e arsimi, tha Rrustemi.
“Për herë të parë, pas një përpjekje 12 vjeçare, Kuvendi ka miratuar Rregulloren e Punës së Kuvendit, kurse ligjet e miratuara si Kodi i Procedurës Penale, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Deklarimi i Pasurisë e Ligji për Financimin e Subjekteve Politike janë pjesë të reformës evropiane e kërkesa të përvitshme të raportit të progresit. Po ashtu, me rëndësi jetike janë edhe ligjet si Ligji për Gjykatën Komerciale, KPK, të Drejtën Ndërkombëtare Private, Ligji për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Ligji për markat tregtare e ligje të tjera.”
“Ne kemi dhe një synim politik shumë të rëndësishëm për të mbërritur e ai është miratimi i legjislacionit që buron nga programi ynë politik, rrjedhimisht nga programi qeverisës. Ndaj përkushtimi ynë në punë i kërkon dyfishin e angazhimit të parë deri tani në kuvend”, tha Rrustemi.
Tutje, Rrustemi paralajmëroi kontribut të shtuar në sesionin vjeshtor në mbështetje të çështjeve dhe grupeve që kanë nevojë.
“Kontributi ynë përtej procesit ligjvënës është dhe do të jetë edhe më i shtuar në sesion vjeshtor, në betejën për të çuar deri në fund vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës, mbështetjen për familjet e dëshmorëve, martirëve dhe vet viktimat e dhunës seksuale, betejën antikorrupsion, të drejtat në punë e pagë, përparimin e të drejtave të grave dhe vajzave, mbrojtjen e interesave të grupeve shoqërore në vështirësi ekonomike arsimore e shëndetësore.”
“Mbështetjen e parezervë për minoritetet dhe të zbatimit e të drejtave të tyre. Si dhe kontributin për hapjen e një rruge të re drejt politikave të mbrojtjes së mjedisit. Mbështetjen dhe promovimin për artistët dhe sportistët. Dhe pa dyshim përfaqësimin sa më të denjë në institucionet ndërkombëtare të Kuvendit dhe shtetit tonë.”
“Si grup parlamentar do të punojnë që niveli i punës së Kuvendit të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve pra deputetëve ndaj qytetarëve të Republikës”, tha Rrustemi në fund të fjalës së tij.