PANELI PËR ARSIM, RINI, KULTURË DHE SPORT
Ditën e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e filluam me panelin për Arsim, Rini dhe Kulturë ku folës ishin ministrja e Arsimin, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nënkryetarja e Lëvizjes, Mrika Limani Myrtaj, Mytaher Haskuka, anëtar i kryesisë së Lëvizjes, Taulant Kelmendi, zv. ministër në Ministrinë e Arsimit, Daulina Osmani, zv. ministre në Ministrinë e Kulturës, si dhe Nora Arapi, Këshilltare në Ministrinë e Kulturës.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci foli për reformat që janë kryer në fushën e arsimit gjatë qeverisjes sonë, rishikimin e teksteve shkollore, ndryshimet në edukimin e hershëm, atë parauniversitar dhe universitar, po ashtu edhe ndryshimet në shkencë ku për herë të parë e kemi programin e shkencës. Gjithashtu ministrja përmendi edhe sfidat me të cilat janë përballur me komunat për hapjen e çerdheve të reja, dhe se pavarësisht sfidave puna po vazhdon. Diçka e re që erdhi bashkë me qeverinë tonë ishte edhe Mësimi Dual në shkolla, ku sot i kemi 12 profile me 1500 nxënës. Një arritje e rëndësishme ishte edhe pavarësia e Këshillit Shtetëror të Cilësisë që po rikthehet si anëtare e asociaur në ENQA. Ndarja e 3000 bursave për vajzat që studiojnë shkencën dhe mbi 10.000 studentë që kanë marrë mbështetje nga qeveria nga programe të shumta të bursave që jep Ministria e Arsimit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli për sukseset e qeverisë në fushën e kulturës brenda mandatit tonë, ku ka nisur hartimi i masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, restaurimin e 100 monumenteve të kulturës, gjë që nuk është bërë brenda 20 viteve të kaluara. Ai theksoi mbështetjen me mbi 9 milionë euro për projektet kulturore, po ashtu Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 ku Kosova pret 5000 sportistë, dhe infrastruktura sportive që ka të buxhetuar mbi 200 milionë. Gjithashtu ministri Çeku tregoi se janë duke u bërë gati për ndërtimin e stadiumit nacional dhe janë duke studiuar vendin, por me shumë siguri që hapja e lojrave mesdhetare do të jetë në atë stadium. Tutje, ai foli edhe për artin në shkolla ku së bashku me Ministrinë e Arsimit duan që fëmijët tanë të kalojnë më shumë kohë me art e sport.
Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi përmendi sfidat me të cilat është përballur ministria si dhe procesin e digjitalizimit të sistemit arsimor. Kelmendi tha se pavarësisht se ministria edhe në emrin e saj e ka teknologjinë ajo asnjëherë as që ka planifikuar të merret me teknologji. Ai tregoi se e kanë dërguar në prokurorinë speciale kontratën që kurrë nuk u realizua për digjitalizimin dhe pavarësisht letargjisë së Prokurorisë Speciale për ta trajtuar ne po vazhdojmë punën. Pavarësisht sfidave, Kelmendi përmendi edhe disa prej sukseseve që janë bërë, si shtrirjen e rrjetit brezgjerë në 250 shkolla, digjitalizimin e licencimit të mësimdhënësve dhe vendosja e lëndës së kodimit në shkollat tona.
Daulina Osmani, zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, theksoi disa prej proceseve në reformën sportive, ku fillimisht kanë punuar në masat e menjëhershme dhe janë përgatitur për politikat afatgjata. Ajo tha se sot në Kosovë nuk ka federatë sportive që nuk e njeh shteti e që nuk ka qasje në fondet publike, gjë që më herët ministria nuk ka pasur as informacion e aq më pak proces të licencimit. Osmani përmendi edhe subvencionimin me mbi 12 milionë euro për federatat sportive, mbështetjet e talenteve në sport duke ndarë 4 milionë euro për programin Supersportistët, hartimin e programit “Kosova shtet i Xhudos’ dhe lidhjen midis sportit, shkollave dhe shëndetit.
Mytaher Haskuka, anëtar i kryesisë së Lëvizjes, foli për reformat që janë bërë në aspektin legjislativ dhe bazamentin për zhvillim në të ardhmen. Ai tha se në arsim nuk mund të shihen menjëherë ndryshimet por nëse bëhet një analizë e përgjithshme, Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës kanë bërë një punë shumë të madhe dhe se janë paraprijëse të zhvillimit ekonomik.
Strategjia për Rininë nga Ministria e Kulturës është një bazament për punë të mirë, arsimi publik falas, bursat, statuti i ri i Universitetit të Prishtinës e shumë punë që janë bërë.
Këshilltarja e Ministrisë së Kulturës, Nora Arapi, fokus të veçantë i dha trashëgimisë. Ajo tha se për trashëgiminë kanë nisur menjëherë ndërhyrjet emergjente dhe kanë filluar me restaurimet ku të përfunduara tashmë janë 100 objekte, ndërsa në proces janë edhe 50 të tjera. Gjithashtu tha se po merren edhe me rrjetëzimin e qytetit të Janjevës. Për kryeqytetin tha se kemi hartuar planin e konservimit për qendrën historike. Po ashtu, projekti i Ulpianës që ka nisur në 2022 dhe Ulpiana bashkë me lokalitetin në Dresnik janë prona tashmë shtetërore dhe nuk ka rrezik të ndonjë dëmtimi.