06 10 2024

PANELI PËR DREJTËSINË

Fuqizimi i sistemit të drejtësisë: rezultatet e reformave dhe rruga përpara

Në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u mbajt paneli për drejtësi, i cili u fokusua në temat kryesore që lidhen me sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, duke diskutuar përpara delegatëve lidhur me të arriturat dhe sfidat kryesore gjatë mandatit të tyre.

Panelistët, përfshirë ministren Albulena Haxhiu, zëvendësministrat, Blerim Sallahu dhe Vigan Qorrolli, si dhe kryetarin e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi, ofruan një përmbledhje të arritjeve të deritanishme gjatë mandatit, duke përmendur rezultatet e reformave të ndërmarra dhe sfidat që kanë penguar një zhvillim më të shpejtë.

Diskutimi u përqendrua në nismat e mëdha reformuese, duke përfshirë procesin e vetingut, reformën në Këshillin Prokurorial dhe krijimin e Gjykatës Komerciale dhe Administrative. Panelistët trajtuan gjithashtu problematikën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes prezantimit të masave si Task-forca Anti-Korrupsion dhe Byroja Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Nga ana tjetër, u ngritën shqetësime rreth vonesave në zbatimin e reformave dhe në gjykata, si dhe sfidat e bashkëpunimit ndër-institucional.

Veçanërisht u theksua rëndësia e përmirësimit të komunikimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve kyçe të drejtësisë, për të arritur një sistem më efikas dhe transparent. Po ashtu, u diskutua për përpjekjet e Ministrisë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe fuqizimin e shërbimeve sociale, si dhe për rolin e Kosovës në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar.

Delegatët patën mundësinë të shtronin pyetje rreth çështjeve të diskutuara, duke kontribuar me mendime dhe sugjerime për përmirësimin e mëtejshëm të politikave të drejtësisë dhe sfidave që duhet të adresohen në vazhdim.

Angazhimi për transformimin e sistemit të drejtësisë, me rezultate të shumta nga nisma të ndryshme, u vlerësua si shumë e suksesshme dhe një tregues i qartë i rrugës së drejtë drejt përmbushjes së plotë të reformave.

Implementimi i reformave të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë kërkon përkushtim më afatgjatë, derisa ato të jenë plotësisht të etabluara në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës, për të cilat u theksua gjithashtu se mandati i ardhshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në qeverinë e re, do të jetë garantues për të.

Kontribo