PANELI PËR EKONOMI: ZHVILLIMI I VENDIT ME MASA TË GUXIMSHME!
Sot në kuadër të Mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në pjesën e dytë, u mbajt paneli për ekonomi ku me pjesëmarrjen e zv. kryeministrit Besnik Bislimi, ministrit të Financave Hekuran Murati, ministres së Zhvillimit Ekonomik Artane Rizvanolli, ministres së Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari dhe deputetit Armend Muja, u zhvillua një diskutim i rëndësishëm mbi ekonominë në vendin tonë.
Ministri i Financave Hekuran Murati përmendi përpjekjet për të formalizuar punësimin, duke siguruar më shumë të drejta për punëtorët dhe duke paguar borxhet e mëdha ndaj sipërmarrjeve. Gjithashtu, përmendi mbështetjen për zhvillimin ekonomik përmes subvencionimit të kredive dhe aksesit në financa, si dhe projekteve që nxisin punësimin afatgjatë dhe kërkesën agregate.75 mijë vende të reja pune i krijoi kjo qeveri, shumica prej të cilëve gra dhe të rinj, pra kategori që kanë qenë të nënpërfaqësuar më parë në tregun e punës, tha Murati.
Mnistri i Bujqësisë Faton Peci, foli për ndryshimin rrënjësor në bujqësi, me një rritje prej 27% të aktivitetit bujqësor në kushte të vështira globale. Ai theksoi mbështetjen totale prej 300 milionë eurosh nga qeveria dhe përfitimet e rritura për fermerët, duke përfshirë edhe përfaqësimin gjinor me grante prej 7.2 milionë euro për gratë fermere. Për herë të parë, kemi miratuar 30 ligje për bujqësinë dhe kemi arritur marrëveshje ndërkombëtare në këtë fushë.
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli theksoi rëndësinë e skemës së subvencionimit të pajisjeve të ngrohjes dhe izolimit të shtëpive, ku deri në fund të vitit do të mbështeten 42 mijë familje. Gjithsej, 50 mijë familje kanë përfituar nga masat e eficiencës, duke ndikuar pozitivisht në kursimin e energjisë dhe cilësinë e jetesës. Qeveria është e fokusuar në forcimin e pavarësisë energjetike përmes prodhimit të energjisë së ripërtëritshme dhe nga thëngjilli.
Rozeta Hajdari, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, foli për progresin e bërë në krijimin e politikave sektoriale dhe ligjeve për të bërit biznes të drejtë, të adaptueshëm dhe konkurrues dhe për investime të përgjegjshme dhe të qëndrueshme. Nga viti 2021 deri në shtator të 2024, janë regjistruar 40,349 biznese të reja në Kosovë, ku llojet kryesore janë sh.p.k. dhe biznese individuale. Ajo nënvizoi angazhimin për të shpalosur potencialin e industrisë prodhuese dhe përdorimin e burimeve tona natyrore e njerëzore për zhvillimin tonë. Ajo përmendi shtatë sektorë industrial prodhues dhe përpunues, të cilët kanë potencial të madh të pashpalosur e që mund të kontribuuojnë në zhvillim e punësim: industria e drurit, metalike dhe jo metalike, e tekstilit, e pijeve dhe ushqimeve, si dhe industria kimike dhe industria plastike. Me rritjen e mbështetjes për biznese, eksportet dhe investimet e jashtme janë dyfishuar.
Armend Muja, kryetari i Komisionit për Buxhet, kujtoi se si deri vonë mbi 400 milionë euro janë shpenzuar pë energjinë e konsumuar në pjesën veriore të Republikës. Ne e kemi ndalë atë. Muja kujtoi po ashtu themelimin e bllok tarifës që ndërpret padrejtësinë në inkasimin e faturave të energjisë. Tutje, ai foli edhe për keqpërdorimet me prona shtetërore dhe me burime natyrore që kanë bërë më parë politikanët në bashkëpunim me oligarkët – keqpërdorimet me toka, me ujë dhe me taksa mbi miniera, të gjitha këto u ndalën me qeverisjen tonë, theksoi Muja.
Zv. Kryeministri Besnik Bislimi nënvizoi krijimin e politikave të ambientit për të bërë biznes në vend dhe vendosjen e rregullave në tregun e naftës. Ai theksoi se përfituesit e ndryshimeve janë shumë grupe shoqërore dhe çdo familje në vend, ndërsa humbësit janë të koncentruar në grupet e mëparshme të pushtetit.
Këto masa dhe politika të qeverisjes tregojnë angazhimin tonë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët!