PANELI PËR POLITIKAT E MBROJTJES DHE SIGURISË
Paneli i sotëm Politikat e Mbrojtjes dhe Sigurisë në Kosovë ngjalli një interesim të lartë te anëtarët e Këshillit dhe një diskutim të gjerë në rrjedhën e tij. Bashkëbiseduam për arritjet e rëndësishme të institucioneve të Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe masat e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë publike, me folës eksperten e sigurisë, shefen e kabinetit në MPB-së, Jeta Tela, ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
Jeta Tela, eksperte e sigurisë dhe shefe e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, theksoi progresin e jashtëzakonshëm të arritur në fushën e sigurisë publike në tërë Kosovën me theks në pjesën veriore. Një prej arritjeve të mëdha ajo tha se është largimi përfundimtar i targave të regjimit të Millosheviqit dhe zëvendësimi i tyre me targa të Republikës së Kosovës, që simbolizon një kapitull të ri në kontrollin dhe sovranitetin shtetëror. Fuqizimi i ushtrisë dhe policisë kanë sjellë rezultate të prekshme në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes. Sot nuk kemi banda të organizuara dhe struktura të tjera kriminale, kemi qytete, fshatra dhe kufinj të sigurtë, tha Tela.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vuri në dukje sinkronizimin e institucioneve të sigurisë përmes udhëheqjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që ka kontribuar në përmirësimin e situatës në veri të vendit. Maqedonci njoftoi për investimet e mëdha në armatim, me qeverinë që ka shpenzuar 238 milionë euro deri në vitin 2023 për blerjen e sistemeve të sofistikuara të armatimit, të realizuara përmes marrëveshjeve direkte me shtetet prodhuese. Ai theksoi përparimet në stërvitjet e përbashkëta me forcat partnere, si “Defender Europe 23”, dhe çertifikimin e një regjimenti për mbrojtjen e personelit. Ai kujtoi që deri më tash janë rekrutuar 1971 ushtarë të ri, në proces janë edhe 300 të tjerë dhe deri në fund do të dyfishohet numri me 2,271 ushtarë të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në lidhje me çështjen e ushqimit të ushtarëve të FSK, ministri Maqedonci kujtoi që prej vitit 2015 e deri në këtë vit furnizimi gjithmonë ka qenë përmes konceptit ekstrem emergjent, domethënë në ditën e fundit. Ai tha se ajo formë ka lënë gjithnjë hapësirë për keqpërdorim andaj është vlerësuar që të vazhdohet me konceptin e vetëqëndrueshmërisë që është përbrenda vizionit tonë për një ushtri të kompletuar pra që kujdeset për secilin aspekt edhe atë të sigurimit të ushqimit që i duhet.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndau arritjet në forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit, veçanërisht në pjesën veriore të vendit. Sveçla kujtoi se 17% e territorit të Kosovës në atë pjesë më parë ishte në një situatë të rëndë të sigurisë dhe se vetëm falë veprimeve të ndërmarra atje është rikthyer siguria. Në këtë periudhë, janë ngritur 9 nënstacione të reja për sigurinë kufitare dhe është siguruar infrastruktura e rrjetit të Valës dhe radiolidhjeve për Policinë e Kosovës. Në lidhje me ndërtimin e një stacioni policor Sveçla ndau një ngjarje interesante ku tregoi se si teksa po shikonin shpronësimin e perimetrit të sigurisë të stacionit policor kishin parë që si pronar figuronin Veselinoviqi, Berat Buzhala, Bujar Musa e Akan Ismajli. Ministri Sveçla një pjesë të prezantimit e ndau për betejën në Banjskë të cilën e quajti fitore të rëndësishme për sigurinë e vendit ku u parandalua aneksimi i territorit të Republikës. Ne kemi fituar në Banjskë për shkak të përgatitjeve të mëdha paraprake, tha ai, duke theksuar se shëmbëlltyra e asaj fitore është rënia e rreshterit Afrim Bunjaku. Ministri Sveçla po ashtu kujtoi përmirësimet tjera që kanë ardhë me kthimin e sigurisë dhe sovranitetit në pjesën veriore duke kujtuar që tash në pjesën veriore shpenzojmë 35% më pak energji, 35% energji pra që më parë vidhej. Të gjitha sukseset tona nuk janë arritur vetëm për shkak të vullnetit të policëve ose të ministrisë së brendshme por edhe për shkak të vendimit të Lëvizjes VETëVENDOSJE! që rendi dhe ligji, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, të jetë objektivi numër 1 i qeverisë Kurti, tha në fund ministri Sveçla.