PANELI PËR SHËNDETËSI
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, zv. ministrja, Dafina Gexha, deputetja Fatmire Kollçaku, deputeti Mirsad Shkreta, si dhe këshilltari i kryeministrit, Jusuf Ulaj ishin pjesë e panelit të sotëm të shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e filloi diskutimin duke treguar se Lëvizja për mbi një dekadë ka hartuar qëndrime, analiza e programe për çdo sektor të shëndetësisë dhe se politikat publike për shëndetësinë për herë të parë kanë zënë vend qendror. Në politika e shprehura në legjislacion kemi pasur synim ligjin për shëndetësinë, ligjin për çmimin e barnave, ligjin për sigurimet shëndetësore, ligji për produktet dhe pajisjet medicinale. Ministri, po ashtu përmendi edhe sukseset e qeverisë në aspektin shëndetësor, si menaxhimi i pandemisë me sigurimin e vaksinave ku në mars 2021 nuk kishte asnjë vaksinë, ndërsa në fund të po atij viti arritëm që të vaksinonim mbi 60% të popullatës. Pas pandemisë kemi pasur ndërhyrje direkte në infrastrukturën rrënjësore të klinikave të spitaleve. Rritjen e pagave më substanciale në historinë e sistemit tonë. Një sukses tjetër është edhe shtimi i buxhetit, kemi premtuar t’i shtojmë 40 milionë euro për katër vite, por arritëm ta bëjmë atë brenda 3 viteve.
Zëvendësministrja, Dafina Gexha tha se efektet në mbrojtjen e shëndetit publik të këtyre investimeve që po bëhen, nuk janë vetëm sot për sot, ato do të ndjehen edhe pas 10-20 viteve. Gexha, po ashtu tha se Kosova pas suksesit të vaksinimit, që siguruam 500 mijë vaksina për më pak se një vit, sot Kosova ftohet për të dhënë shembull sesi zgjerohet gama e programit të vaksinimit. Zëvendësministrja përmendi edhe investimet në laboratoret mikrobiologjike, ajo tha se këto investime janë bërë me shumë sfida por janë përafrime me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Deputeti, Mirsad Shkreta solli në vëmendje klasën politike me të cilën jemi përballur. Shëndetësia nuk ka qenë prioritet. Ai tha se ne nuk po krahasohemi më me qeveritë paraprake, por me synimet që i kemi ne. Gjithashtu, Shkreta foli edhe për rritjen e buxhetit për shëndetësinë dhe llojet e barnave e pajisjeve që iu shtuan listës së blerjeve.
Jusuf Ulaj, këshilltar i kryeministrit Kurti, tha se kritikat që na bënë opozita, janë larg më të dobëta se kritikat që ia bëjmë vetvetes. Ai tha se ne jemi tepër kritik ndaj vetës sepse ne kemi plane dhe aspirata dhe se për herë të parë kemi qeveri plotësisht demokratike. Ulaj theksoi se nuk ka më lista që shkojnë nga zyra e kryeministrit tek drejtuesit e spitaleve për punësime, nuk ka më asnjë interferim në tendera nga asnjë nivel politik në shëndetësi, nuk ka asnjë punësim nepotist.
Ndërsa deputetja, Fatmire Kollçaku foli për ligjet në Komisionin e Shëndetësisë, ajo tha se si komision, kemi punuar krahas me qeverinë për të mbështetur programin tonë. Deputetja foli edhe për gjendjen se si e kemi trashëguar shëndetësinë dhe se duhen ndryshime rrënjësore. Kollçaku tha se politikat nga qeveria jonë janë të gjitha në shërbim të shëndetit. Prej masave të eficiencës së energjisë deri tek kontrolli i ushqimit, subvencionimi i fermerëve, tek mbrojtja e mjedisit janë të gjitha në mbrojtje të shëndetit.