PANELI POLITIKAT QEVERITARE PËR GRATË DHE VAJZAT
Në panelin e sotëm me temë “Politikat Qeveritare për Gratë dhe Vajzat”, u diskutuan arritjet dhe planet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me fuqizimin e vajzave dhe grave përmes një qasjeje të integruar dhe gjithëpërfshirëse. Në panel morën pjesë: Sekretarja Organizative e GVV-së Agnesa Kastrati, ministri i Financave Hekuran Murati, ministrja e MASHT-it Arbërie Nagavci, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, dhe ministrja e Drejtësisë, Kryetarja e GVV-së, njëherazi Koordinatorja Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore Albulena Haxhiu. Këta panelistë ndanë masat dhe politikat konkrete të ndërmarra nga qeveria qendrore në drejtim të fuqizimit të grave në shoqëri.
Agnesa Kastrati, Sekretare e Organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, njëherazi moderatore e panelit, theksoi rolin aktiv të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbështetjen dhe fuqizimin e grave në sferën publike. Ajo vuri në pah se më shumë se 60% e votës për VETËVENDOSJE!-n duke numëruar dy arsye kryesore për këtë. Së pari për shkak të angazhimit të vazhdueshëm të subjektit tonë në raport me vajzat dhe gratë dhe së dyti për shkak të programit politik me të cilin kemi kandiduar në zgjedhje, e i cili ka përmbajtë një paketë masash ekonomiko sociale që kanë qenë alternativë e duhur për vajzat dhe gratë në vendin tonë, vjen nga gratë, falë angazhimit të vazhdueshëm për fuqizimin e tyre përmes një pakete ekonomiko-sociale, e cila për herë të parë është dëgjuar në Kosovë. Kastrati theksoi se kjo pako ka përmbysur konceptin e kufizimit të grave në sferën private dhe i ka bërë ato pjesë të jetës publike, çka përkufizohet si një çështje fundamentale për barazinë gjinore.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, foli për politikat e qeverisë në mbështetje të fuqizimit ekonomik të grave, përfshirë ndihmën për punësimin e tyre përmes masave që kanë subvencionuar bizneset që punësojnë gratë. Murati nënvizoi se me qeverisjen tonë për herë të parë, rreth 150 milionë euro ndahet në vit për vajzat dhe gratë dhe për herë të parë 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare. Qeveria ka siguruar gjithashtu bursa për studente vajza dhe ka ndërtuar platformën “Superpuna” për të rinjtë, ku mbi 50% e të punësuarve janë gra. Gjithashtu, u është dhënë prioritet ndërtimit të çerdheve të reja dhe masave për mbështetjen e fëmijëve dhe nënave lehona.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberie Nagavci, theksoi përpjekjet e qeverisë për përfshirjen e vajzave në arsim dhe programe STEM. Falë bursave të ofruara për vajza në STEM, numri i vajzave në këto programe është rritur për 50%, duke kaluar madje numrin e vajzave që studiojnë këto fusha edhe në vende brenda Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se përveç mbështetjes në arsim të lartë, janë ndarë bursa për vajza në shkolla profesionale, duke promovuar përfshirjen e tyre në fusha ku tradicionalisht janë angazhuar djemtë dhe burrat.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, prezantoi politikat shëndetësore që kanë përmirësuar dhe shtuar shërbimet për gratë. Ndër masat ai përmendi mamografinë dhe rikonstruktimin e gjirit falas, amniocentezës që tash bëhet në institucione publike falas, ndërhyrjet në onkologji dhe gjinekologji, si dhe vaksinën HPV që parandalon deri në 95% kancerin e qafës së mitrës, e që tashmë është në kalendarin e përditësuar të vaksinimit publik. Ministri Vitia njoftoi gjithashtu për fillimin e ndërtimit të një klinike të re gjinekologjike që do të jetë klinika më e dallueshme në rajon dhe më gjerë.
Ministrja e Drejtësisë, Kryetarja e Gratë për VETËVENDOSJE!, njëherazi Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore Albulena Haxhiu foli për angazhimet institucionale në mbrojtjen e grave nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore. Secili ministër në qeverinë Kurti e ka pasë parasysh që duhet të bëjë më shumë për gratë, kjo ka lehtësuar shumë punën dhe nuk e kam pasë aspak të vështirë adresimin e politikave që prekin vajzat dhe gratë tha ministrja Haxhiu. Strategjia Kombëtare kundër Dhunës në Familje është zbatuar ose në zbatim e sipër për mbi 80%, dhe janë miratuar protokolle të reja për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale. Janë ofruar shërbime juridike falas për viktimat dhe janë ngritur zyrat mobile të ndihmës juridike në të gjithë Kosovën. Ministrja Haxhiu gjithashtu theksoi masat për të ndaluar martesat e hershme, si dhe masat për punësimin e viktimave të dhunës.
Ky panel tregon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të krijuar politika gjithëpërfshirëse dhe progresive që fuqizojnë vajzat dhe gratë, duke e bërë çështjen e barazisë gjinore thelbësore për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit.