Pasnesër – dy javë prej fitores së grave e burrave
Në tubimin mobilizues me gra aktiviste e anëtare të Lëvizjes u theksua rëndësia e grave si një forcë organizative e barabartë si brenda Lëvizjes ashtu edhe në proceset ekonomiko-shoqërore në Kosovë. Drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Nazile Bala rikujtoi fitoren e VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë në zgjedhjet lokale të 2013, duke thënë, “Forca, angazhimi, vullneti dhe qëndrimi i çdo gruaje i dhanë fuqi, forcë, vullnet e zemër çdo aktivisti e aktivisteje të Lëvizjes që u kurorëzua me një fitore shumë të bindshme në Prishtinë.”
Pabarazia gjinore, në këtë tubim u trajtua e lidhur me fenomenet shoqërore dhe ekonomike në Kosovë. Nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Fatmire Kollçaku përmendi disa shembuj problematik si braktisja e arsimit nga vajzat, papunësia e madhe e grave, vështirësitë e pavlerësuara të të qënët amvisë, tentativat për shkurtimin e lejes së lehonisë, përqindja tejet e vogël e grave që trashëgojnë pasuritë familjare, dhe pushimet nga puna si pasojë e kontratave afatshkurtra. Më specifikisht znj. Kollçaku u shpreh se për pushimin e lehonisë, Lëvizja VETËVENDOSJE! me të ardhur në qeverisje do ta ndajë atë në mes të dy prindërve.
Në fjalën e mbajtur, kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti duke ritheksuar domosdoshmërinë e angazhimit të grave në shoqëri dhe në institucione tha, “Lëvizja VETËVENDOSJE! duke qenë e vetmja forcë e qendrës së majtë, është social-demokrate, e vetmja forcë progresive në Republikën e Kosovës.” Sipas Ahmetit, ky prograsivitet reflektohet në kritikën ndaj patriarkalizmit, në propozimet konkrete të Lëvizjes për regjistrimin e pronave familjare jo vetëm në emrat e burrave dhe djemve, por edhe të grave dhe vajzave brenda familjeve dhe në propozimet e tjera të programit të VETËVENDOSJES!. Ai i inkurajoi gratë që të marrin sa më shumë përgjegjësi brenda institucioneve.
Kurse, kandidati për kryeministër, Albin Kurti e bëri diferencimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga forcat e tjera. Ai tha, “Ne jemi ata të cilët sigurojmë barazi gjinore për shkak se ne e kemi në programin tonë kemi barazinë shoqërore. Ata të cilët janë kundër barazisë shoqërore nuk mund të sjellin barazi gjinore. Lëvizja Vetëvendosje me qeverisjen e saj pas 11 qershorit do të sjelli edhe barazi gjinore edhe barazi shoqërore.” Kurti përmendi edhe propozimet e tjera të Vetëvendosjes për të realizuar këto dy barazi mes të cilave bëjnë pjesë: pesëfishimi i çerdheve në të gjithë Kosovën me shtimin e 160 çerdheve, pagesat gjatë lejes së lehonisë me gjysmën e financimit nga buxheti shtetëror dhe gjysmën nga punëdhënësit privat, dhe rritja e pjesmarrjes së grave në qeverisjen e Vetëvendosjes. Në mbyllje të fjalës së tij zoti Kurti i inkurajoi gratë që të mobilizohen në organizata që kanë synim barazinë gjinore duke thënë se, “pa solidaritet gjinor nuk mund të zvogëlohet pabarazie dhe të realizohet barazia”. Ndërkaq duke inkurajuar për angazhim sa më të madh, citoi një autore: “ne nuk mund të presim nga shtypësit një ndjenjë bujarie falas”.
Tubimi u mbyll nga Nazile Balaj pasi u shpreh: “As nuk jemi numra, as nuk jemi statistikë, as nuk jemi përqindje, por pjesë e barabartë e kësaj shoqërie.”