09 10 2017

PDK në Prizren ta ndalë gjuhën përçarëse dhe të urrejtjes

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren mbajti një konferencë për media, në të cilën prezantoi audio-incizime, që shpërfaqin metodat anti – demokratike të cilat po i përdor kandidati i PDK-së, për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj dhe ekipi i tij. Bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe fjalorit tejet diskriminues.

Në dy tubime parazgjedhore, në Has dhe në lagjen “Jeta e re”, z. Totaj dëgjohet duke folur me gjuhë përçarëse dhe fashiste, duke iu referuar kandidatit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në audio incizimet që i posedon Qendra e Lëvizjes në Prizren dhe të cilat i ka publikuar në këtë konferencë, Totaj dëgjohet të shprehet: “A mendon se dikush tjetër, turqelia që s’din me fol shqip, ka me ardh me ta rregullu cashtjen e ujit e t’rrymës?”. Poashtu, “Ka ardhë koha që duhet me menu, që qytetin e Prizrenit edhe Hasin mos me ia lonë në dorë njerëzve që s’dinë me folë shqip.”

Aludimi është i qartë, ai shpif për kandidatin e Lëvizjes në Prizren, z. Mytaher Haskuka, gjoja se nuk është shqiptar. Pos shpifjes, mesazh i tij shpërfaq një gjuhë të papranueshme të urrejtjes, përçarëse dhe fashiste.

Shumica e qytetarëve të Komunës sonë i njohin shumë mirë kandidatin tonë për kryetar, ashtu edhe familjen Haskuka. Gjyshi i z. Haskuka, ka qenë ndër të burgosurit e parë politikë shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ka vuajtur 4 vite burg, mes viteve 1945 e 1949, nga regjimi i Jugosllavisë për çështje kombëtare.

Prof. dr. Mytaher Haskuka është njëri prej themeluesve të Departamentit të Psikologjisë pranë Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron në gjuhën shqipe mbi dhjetë gjenerata të studentëve tanë. Ai ka doktoruar në Stamboll dhe studimet postdiplomike i ka kryer në Mynhen.

Para se të kyçet në politikë, ai ka punuar për 10 vite në UNDP. Dy herë është zgjedhur deputet në Parlamentin e Kosovës, me përkrahje të madhe të qytetarëve të Komunës sonë dhe më gjerë.

Prof. dr. Mytaher Haskuka flet 5 gjuhë dhe në secilin aspekt është shumë më superior kundrejt kandidatit të PDK-së. Si në aspektin akademik, si në aspektin profesional, si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin moral.

Prizreni njihet për një bashkëjetesë tradicionale, e Shaqir Totaj dhe mendësia e tij e cenon këtë si dhe vlerat demokratike të cilat shoqëria jonë mëton t’i praktikojë e zhvillojë. Luftën e pandershme të kundërshtarëve tanë e konsiderojmë si provincializëm mesjetar që çon në instalim të fashizmave rajonalë.

Ndryshimi i domosdoshëm në Prizren, vjen vetëm me njerëz të ndershëm, të dijshëm e punëtorë sikurse është profesori Mytaher Haskuka.

Audio incizimi me zërin e Shaqir Totajt:

https://www.facebook.com/LVVPrizren/videos/1705724712805710/

Kontribo