PEJA E VENDOSUR: 11 QERSHORI DO TË JETË DITA E NDRYSHIMIT
Tubimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë u hap me frazën “Peja është lulja e Dukagjinit e vyshkur nga pushteti, dhe vetëm duke larguar këtë pushtet mund të lulëzojë Peja dhe e gjithë Kosova”. Në fjalën hapëse, Nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s dhe kandiatja për deputete, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku përsëriti rëndësinë qëndrore për VETËVENDOSJE!-n të idesë së barazisë duke thënë: “Aty ku nuk ka barazi për të gjithë, nuk mund të ketë barazi për grupe të ndryshme, apo për individ dhe vetëm ku ka barazi sociale ka ndryshim.”
“Mos votoni për hir të së kaluarës, por për hir të së ardhmes”, ishte porosia me të cilën Mulhaxha-Kollçaku e mbylli fjalën e saj duke u bërë thirrje për pejanët që të votojnë VETËVENDOSJE!-n.
Në vazhdim, Ali Lajçi, pasi përmendi fitoret e Lëvizjes me zbrapsjen e “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi, u kërkoi pejanëve që të zbrapsin po ashtu edhe ato subjekte që u afrohen për t’u blerë votat gjatë fushatës zgjedhore.
Ndërsa Dukagjin Gorani rreshtoi tre qëllimet që mbledhin qytetarët rreth Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
“Të kemi shoqëri të drejtë, t’i hapim rrugë zhvillimit, dhe të krijojmë një atdhe të sigurtë.”, tha kandidati për deputet, Dukagjin Gorani.
Shpend Ahmeti bëri ndarjen e Alternativës së Lëvizjes, e cila përfaqëson një shumësi grupesh shoqërore, nga koalicionet e tjera të cilat synojnë të marrin mbështetjen e grupve shoqërore specifike. Po ashtu Ahmeti e kundërshtoi sloganin e koalicionit të PDK-AAK-Nisma duke thënë se “nuk mund të ketë Fillim të Ri me dajë të vjetër, por se Fillimi vërtetë i Ri i qeverisjes është ndjekja e modelit të drejtimit të Komunës së Prishtinës nga VETËVENDOSJE!”.
Tubimi u mbyll me fjalën e kandiatit për kryeministër, Albin Kurtit. Kurti tha se dy koalicionet që më shumë janë një koalicion në dy lista janë përvoja e hidhur e qytetarëve dhe se Lëvizja VETËVENDOSJE! është shpresa e re e këtij vendi.
Në vazhdim të fjalimit, nga kandidati për kryeministër u ritheksua karakteri i fortë social-demokrat i Lëvizjes i cili i përfshin qytetarët e përjashtuar në zhvillim përmes rikthimit të ekonomisë në prodhim, dhe rikthimin e prodhimit në treg përmes rikthimit të tregut në lidhje të afërt me prodhimin vendor. Kurti po ashtu përforcoi karakterin barazitar të programit qeverisës së VETËVENDOSJE!-S në lidhje me minoritetet kombëtare, më specifikisht duke thënë se “Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i respektojë të drejtat e pakicës serbe, jo sepse e kërkon Beogradi, por se ne besojmë te respektimi i të drejtat e njeriut.” Tubimi u mbyll duke mbetur zotimi i Kurtit se, “me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s merr fund terri i krimit, dhe vjen drita e drejtësisë!”