29 08 2020

Për pjesëmarrje masive të shqiptarëve në zgjedhje në Mal të Zi

Të dielën e 30 gushtit në Mal të Zi mbahen zgjedhjet në nivel qendror dhe në nivel lokal në disa nga komunat. Në zgjedhjet qendrore, shqiptarët garojnë në dy lista: Lista Shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za”.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë së saj, Lëvizja VETËVENDOSJE! trajtoi këtë çështje. Këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme për Malin e Zi dhe për rajonin, dhe jo vetëm për shqiptarët që jetojnë atje. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! u bën thirrje shqiptarëve që me votën e tyre të kontribuojnë në rritjen e numrit të përfaqësuesve shqiptarë nëpër institucione shtetërore të Malit të Zi.

Natyrisht mbetemi me shpresë se përfaqësimi të jetë sa më i denjë e cilësor, që të mund të konstatojmë progres në legjislaturën e ardhshme.

Me këtë rast, Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh keqardhjen e saj për mosunifikimin e shqiptarëve në një listë zgjedhore. Duket që elementet problematike të ndarjes e përçarjes nga viti 2012 kur ne provuam të krijojmë një listë të përbashkët janë po aty edhe sot e kësaj dite. Tani jemi ku jemi, dhe kjo nuk do të thotë që këto zgjedhje nuk mund të prodhojnë një rezultat të favorshëm nëse pjesëmarrja e shqiptarëve është masive. Dy listat shqiptare nuk forcohen duke e dobësuar njëra-tjetrën, por duke i kthyer votuesit shqiptarë që votojnë partitë joshqiptare.

Megjithëkëtë, kurrsesi s’bën të harrojmë, që çështja themelore është ligji diskriminues i zgjedhjeve në Mal të Zi dhe jo thjesht mungesa e unifikimit të shqiptarëve në një listë. Edhe sikur subjektet shqiptare të ishin të bashkuara në një listë të vetme, ligji ekzistues nuk u jep mundësi për më shumë se tre deputetë.

Sidoqoftë, dalja masive e shqiptarëve në zgjedhje dhe dhënia e votës kandidatëve të tyre, do të shprehet në rezultat më të mirë për shqiptarët.

Kontribo