26 10 2015

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tryezën e Evropës Qendrore për pushtetin lokal

Lëvizja VETËVENDOSJE! është ftuar të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët për Evropën Qendrore që u organizua në Vjenë nga data 22-24 tetor 2015 nga Eurodeputetja, Monika Vana. Në këtë tryezë morrën pjesë mbi tridhjetë këshilltarë komunalë të partive të gjelbra nga njëmbëdhjetë shtete të ndryshme të Evropës. Ndërkohë që Kosova dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! u përfaqësuan në këtë tryezë nga Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Hatixhe Latifi-Pupovci dhe Kreshnik Ahmeti.

Tri temat kryesore të kësaj tryeze ishin zgjidhjet që duhen ofruar për krizën e refugjatëve në Evropë, rreziku nga tendencat autoritare në shtete të ndryshme të Evropës, si dhe shkëmbimi i praktikave të mira qeverisëse në nivelin lokal.

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë tryezë paraqitën gjendjen e përgjithshme ekonomiko-politike në Kosovë dhe prirjen e Qeverisë së Kosovës drejt autoritarizmit. Më tej ata prezantuan edhe organizimin dhe programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! qoftë sa i përket alternativës qeverisëse për nivelin qendror, qoftë sa i përket punës dhe arritjeve të deritanishme të qeverisjes në Komunën e Prishtinës. Përveç takimeve të shumta me pjesëmarrësit, dy përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! patën mundësinë të takoheshin edhe me Eurodeputeten Monika Vana dhe me stafin e saj për te diskutuar mbi situatën në Kosovë.

Pjesëmarrësit dhe organizatorët në këtë tryezë u zotuan që të rrisin nivelin e komunikimit dhe bashkëpunimit në të ardhmen.

26 tetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo