Po demokracisë parlamentare – JO abuzimeve të vjetra
Sot është hera e dytë me radhë që PDK, LDK, AAK, Lista Sërpska në kundërshtim me ligjin provojnë ta formojnë komisionin për hetim parlamentar për masat e ndërmarra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë. Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është i gatshëm ta mbështes këtë komision hetimor apo çfarëdo komisioni tjetër hetimor dhe në lidhje me cilëndo sekuencë të qeverisjes tonë, por, jemi që kjo të bëhet sipas ligjit dhe duke respektuar rregullat, tha shefja e GP, të LV, Mimoza Kusari Lila.
Kusari Lila po ashtu bëri të ditur që si pasojë e lëshimit të sallës nga ana e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së mbetën pa u votuar 4 marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në vlerë prej 100 milionë eurove. 1) Marrëveshja mes RKS dhe RSH për ndihmë juridike falas; 2) Marrëveshja për kredi mes RKS dhe Bankës Evropiane për Investime për impiantin e ujërave të zeza në Mitrovicë. 3) Marrëveshja për kredi me BERZh-in për projektin e trajtimit të ujërave të zeza; dhe 4) Reforma e sistemit të ndihmës sociale në Kosovë, që njëherit përbën marrëveshjen e parë ndërkombëtare të rrëzuar njëherë në Kuvend nga LDK-ja.
Sipas ligjit në fuqi dhe frymës së Kushtetutës ku flitet për komisione hetimore, përcaktohet qartë kriteri i përbërjes dhe i kryesimit të komisionit. Të gjithë ata që nënshkruajnë kërkesën për komision hetimor parlamentar janë iniciues të saj, rrjedhimisht asnjë deputet nga grupet parlamentare nënshkruese nuk mund ta kryesojë komisionin, kjo bie ndesh me ligjin. PDK, LDK, AAK, dhe Lista Sërpska kanë bllokuar vetën proceduralisht dhe nuk po mund të procedojnë tutje, dhe krejt çfarë bëjnë tani është akuzojnë mazhorancën, pozitën, që kinse po i bllokon, tha deputeti Adnan Rrustemi.
“Nuk mund të na kërkohet që të votojmë diçka për të cilën jemi të bindur që është e kundërligjshme. Nuk është hera e pare që Kuvendi po shqyrton themelimin e komisioneve hetimore. Nëse reflektojnë e besojnë tanimë që rregullat i kanë bërë gabim sa ishin në pushtet, i ftojmë të fillojmë nga ndryshimi i ligjit të ri për hetimin parlamentar. Gjithë idetë e tyre se si duhet të jetë hetimi parlamentar le t’i paraqesin në atë projektligj. Kështu punohet me ndershmëri dhe me parime demokratike”, tha Rrustemi në fund, duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës të reflektojnë e të procedojnë sipas ligjit drejt formimit të këtij komisioni.