25 08 2015

Policia e Kosovës e ka ndaluar lirinë e lëvizjes dhe lirinë e shprehjes

Veprimi i sotëm i Policisë së Kosovës tregon qartë se Policia e Kosovës është vënë në shërbim të individëve që kanë krijuar pasuri marramendëse në Kosovë, pra pushtetarëve të Kosovës. Policia e Kosovës e ka ndaluar lirinë e lëvizjes dhe lirinë e shprehjes, përderisa aktivistët tanë ishin nisur në një aksion krejtësisht paqësor.

Përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel po i shërbejnë interesave të Serbisë. Marrëveshja e fundit e arritur sot për telekomunikimin tregon se kah po shkon Kosova përmes negociatave dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Edhe njëherë Serbia i ka realizuar interesat e saja në Kosovë. Edhe njëherë është cenuar sovraniteti dhe integriteti i Kosovës në aspektin e telekomunikimit. Kjo për shkak se me marrëveshjen e sotme Serbia e ruan të drejtën që të ketë kompani të saj të telekomunikimit në Kosovë, prefiksin e saj në Kosovë, tarifat e njëjta. Praktikisht Kosova shihet si zonë e njëjtë me Serbinë sa i përket telekomunikimit përmes kompanisë së vet, kurse Kosova nuk e merr të drejtën të aplikoj si shtet i pavarur për prefiksin e vetë. Për ne, do të aplikojë Austria.

Në kuadër të marrëveshjeve gjithnjë e më të dëmshme për Kosovën, është edhe kjo e sotmja. Në anën tjetër, Policia e Kosovës për interesa personale të Isa Mustafës i ndëshkon, i sulmon dhe i arreston qytetarët e Republikës.

Dje e patëm edhe skandalin me tenderin që i ka dhënë Isa Mustafa djalit të tij, skandal ky që zuri në vend në shumë media edhe ndërkombëtare. Për çudi, nuk kemi asnjë reagim të ambasadorëve për këtë skandal. Jemi mësuar që ata të reagojnë për çdo gjë, madje edhe të mbushin gropa nëpër Prishtinë, por ambasadorët nuk reaguan për një skandal të tillë. Kjo tregon se ata janë të kënaqur me Isa Mustafën, për shkak se Isa Mustafa po i përmbush apetitet e Serbisë në Kosovë.

I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera që nëse kjo është përgjigja e tyre ndaj aksioneve tona paqësore e të drejta përmes të cilave i shprehim pakënaqësitë tona lidhur me këtë që po i ndodhë Kosovës, atëherë mendojmë se ky është provokim i situatës edhe ashtu të rënduar nga këto marrëveshje të dëmshme, dhe mund të çojë në eskalim të situatës që VETËVENDOSJE! nuk e dëshiron. Nëse kjo ndodh, përgjegjësinë do ta bartë Kryeministri dhe institucionet tjera përgjegjëse si Policia e Kosovës që vënë në shërbim të këtyre interesave.

25 gusht 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo