Policia e Thaçit dhe e Mustafës ka bastisur të gjitha tendat në kampin protestues paqësor opozitar
Hashim Thaçi është i vendosur që të kurorëzojë veten me pushtet, me çfarëdo lloj mënyre. Si një diktator shembullor ai e ka mbushur Kuvendin e Kosovës me policë të njësisë speciale. Më pas, me urdhër të tij, u përjashtuan prej Kuvendit të Kosovës deputetët opozitarë. Ky është koncepti i pushtetit të Thaçit, të mbajë mbledhje të Kuvendit pa opozitë.
Përveç kësaj, Thaçi, bashkë me partnerin e tij Isa Mustafa dhe me vartësin e tyre Skënder Hyseni, ka organizuar terror policor në rrugët e Prishtinës. Ai i ka urdhëruar snajperët të dalin në kulmet e banesave, dhe ka nxjerrë autoblindat, topat e ujit, dhe reparte speciale me qen policorë, kundër protestuesve.
Policia e Thaçit dhe e Mustafës ka bastisur të gjitha tendat në kampin protestues paqësor opozitar, dhe po i ndjek protestuesit në drejtim të rrugës “Ilir Konushevci”, si dhe në drejtim të sheshit “Nëna Terezë”. Barbaria policore është si kurrë më parë. I vetmi brutalitet që e tejkalon policinë e urdhëruar prej pushtetit, është ai i vetë pushtetit, i Thaçit që kurrë nuk ngopet duke uzurpuar e privatizuar shtetin dhe postet publike.
Me gjithë këtë dhunë, Hashim Thaçi e vazhdoi votimin e tij në Kuvend, pa opozitën. Në këtë votim absurd, ai arriti të marrë vetëm 50 vota. Kjo flet shumë për “unitetin” që ofron kjo figurë përçarëse, e urryer nga shumë prej subjekteve e grupeve shoqërore në Kosovë.