20 12 2018

Politika e jashtme e Republikës së Kosovës – Një vit përplot premtime, shumë dështime e skandale pafund

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media mbi premtimet e dështuara dhe skandalet që s’kanë të ndalur nga politika e jashtme e Republikës së Kosovës. Në konferencë foli deputetja dhe anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Fitore Pacolli. Viti 2018 është viti i premtimeve të papërgjegjshme për politikën e jashtme me mjete e tentativa kaotike e të rrezikshme për realizimin e tyre dhe si përfundim me rezultate dëshpëruese.

Këtë vit, dialogu 8-vjeçar pa parime e pa kushte me Serbinë, në vend të njohjes nga Serbia premtuar nga qeveria jonë, ka mbërritur në vënien në dyshim të shtetësisë së Kosovës me idenë e “korrigjimit të kufijve” të Presidentit Thaçi. “Presidenti Thaçi e ka kthyer vendin në kohën para shpalljes së pavarësisë. Ka dobësuar subjektivitetin ndërkombëtar dhe ka fuqizuar Serbinë. Ka krijuar kështu hapësirë më të gjerë lobimi kundër shtetësisë së Kosovës”, tha deputetja Fitore Pacolli.

Në këto kushte, Serbia ka intensifikuar fushatën kundër Kosovës tek shtetet që ende nuk na kanë njohur. Ndërkohë, institucionet e politikës tonë të jashtme japin deklarata kundërthënëse dhe të çakorduara mbi tërheqjen e njohjeve nga vendet që na kanë njohur më parë, duke konfirmuar më shumë antifushatën e Serbisë sesa fushatën për Kosovën. Po ashtu, edhe presidenti i vendit i ka hedhur benzin zjarrit të kësaj antifushate të Serbisë me takimet e tij me Medvedevin dhe Putinin, kundërshtarët kryesorë të Pavarësisë së Kosovës. Nuk mund dhe nuk duhet zëvendësuar Gjermania, dhe partneriteti strategjik me të, me Rusinë.

Më tutje, përgjatë këtij viti diplomacia jonë nuk ka arritur asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare dhe as aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për të cilën Qeveria ka thënë se është gati që në muajin prill. Ndërsa për rastin e INTERPOL-it, jo vetëm që nuk siguruan anëtarësimin, por i morën edhe fytyrën shtetësisë së vendit me mungesën e dinjitetit dhe integritetit në paraqitjen e tyre.

Në lidhje me nivelin e diplomacisë, deputetja Pacolli renditi problematikate saj duke thënë, “shërbimi i Jashtëm dhe funksionimi i përfaqësive diplomatike e konsullore nuk ka përmirësime. Degradimi i mëtejshëm dëshmohet edhe nga diplomatët tashmë të dorëhequr. Kanë ndërmarrë vendime arbitrare, për interesa partiake e individuale të cilat bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi nga Presidenti te Ministri i Punëve të Jashtme. Ligji për Shërbimin Diplomatik në Kosovë e përcakton që kuota për përfaqësuesit diplomatikë është 50% politikë dhe 50% të emëruar nga detyra në Shërbimin e Jashtëm, apo siç njihen ndryshe ambasadorë të karrierës. Në Kosovë kjo kuotë është tejkaluar, duke bërë që gati 80% të përfaqësuesve diplomatikë në vendet e huaja të jenë të emëruar politikë”.

Po ashtu, Qeveria s’kishte hezituar të premtonte marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2018. Ky proces lidhet direkt me zbatimin e Planit Kombërare të MSA-së dhe reformave kyçe në kuadër të Agjendës për Reformë Evropiane. Deputetja Pacolli përmendi nivelin e progresit për këto reforma, “informatat zyrtare paraqesin se vetëm 13% e prioriteteve në Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së janë përmbushur, ndërsa vetëm 4 prioritetet prej 22 prioriteteve të Agjendës Evropiane për Reforma janë përmbushur plotësisht”.

Kjo qeveri dështoi edhe me Liberalizimin e Vizave, premtuar në mënyrë të përsëritur prej vitit 2009. Madje, Kryeministri ende po e premton këtë fundvit liberalizim e tyre edhe pse, për informacion, institucionet e BE-së nga data 21 deri më 2 janar marrin pushimet dimrërore. Por edhe për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, që ka qenë kriter kryesor i vendosur për liberalizim, sipas raportit të ekspertëve të Komisionit Evropian është theksuar mungesë e vullnetit për zbatimin e ligjit dhe e kapaciteteteve institucionale me përgatitje profesionale për të luftuar korrupsionin në nivelin e lartë dhe të ardhurat nga krimi dhe shpëlarjen e parave.

Në mbyllje të viti 2018, mund të themi pa mëdyshje se me këtë mendësi të qeverisje nuk mund të presim avancime në proceset e integrimit dhe në politikën e jashtme. Pa politikë të brendshme zhvillimore, të qëndrueshme dhe me integritet, politika e jashtme është vetëm një iluzion.

Kontribo