05 07 2021

26 01 2021

Gramos Agusholli

Gramos Agusholli u lind në janar të vitit 1976 në Pejë. Në qytetin e lindjes ai përfundoi shkollimin fillor e atë të mesëm, për të vazhduar specializimin si laborant dentar në Stamboll përgjatë viteve të 90-ta. Përkrahe punës si laborant dentar, Gramosi vazhdoi studimet për Menaxhment Biznesi në Prishtinë. Profesionin si laborant dentar e si ndërmarrës e ka kulmuar me një laborator të suksesshëm dentar në qytetin e Pejës.

Gramosin e karakterizon tipari i të qenit njeri i përkushtuar. Ai, përpos që është i përkushtuar në përmirësimin e statusit ekonomik të qytetarëve, është shumë i angazhuar për të mbështetur profesionistet e rinjë në hapat e tyre të parë në fushat e tyre përkatëse.

I përkushtuar është Gramosi edhe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ku angazhohet për të jetësuar Alternativën Qeverisëse, dhe sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale e ka prioritet

Gramosi beson që si deputet do të japë kontribut të çmuar që secili qytetar i Kosovës të ketë të drejtën për kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës dhe cilësor, që mund t’i përgjigjet nevojave reale të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.

Kontribo

26 01 2021

Driton Hyseni

Driton Hyseni u lind më 29 shtator 1977 në Besianë. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike e Kompjuterike – Dega Kompjuterikë, në Universitetin e Prishtinës. Ato pasuniveristare në program MBA-Biznes Ndërkombëtar në Universitetin Donau në Krems të Austrisë. Ai është gjithashtu i diplomuar në fushën e Aviacionit Civil nga Organizata Ndërkombëtare e Transportuesve Ajror me seli në Montreal të Kanadasë.

Në maj të vitit 1998 iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa nga nëntori 1998 ishte i angazhuar në Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, Adem Demaçit. Nga prilli i vitit 1999, rrethanat diktuan që ai të kthehet sërish në brigadat luftarake në Zonën e Llapit. Pas përfundimit luftës, për një vit, deri në qershor 2000 ishte Oficer i Sektorit Operativ në kuadër të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Në maj 2002 u punësua në Zyrën Rregullative të Aviacionit Civil si zyrtar administrate, funksion që e ushtron deri në janar të vitit 2005, kohë kjo kur përzgjedhet Menaxher për koordinimin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, tani aeroporti “Adem Jashari”. Nga viti 2011 e deri më tani përveç planifikimit të fluturimeve, është i angazhuar edhe në pjesën e Marketingut të Aviacionit Civil. Në maj të vitit 2018 ka zyrtarizuar anëtarësimin në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Bazuar në përgatitjen dhe përvojen profesionale, synon të angazhohet në fushën e aviacionit civil, fushën e ekonomisë, gjithashtu edhe në fushën e telekomunikacionit.

Kontribo

26 01 2021

Alban Bajrami

Alban Bajrami është i lindur më 9 qershor 1993, jeton dhe vepron në Ferizaj.

Ai ka studiuar Shkenca Politike, në Universitetin “Hasan Prishtina” në nivelin Bachelor dhe vazhdon studimet e nivelit Master për Integrimet Evropiane.

Ka punuar si drejtor në një kompani private, për menaxhimin e resurseve humane për dy vitet e fundit. Ai është  i angazhuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! që nga mosha 20 vjeçare, fillimisht si aktivist në Pikë, pastaj si kryetar Pike, anëtar Kryesie dhe ushtrues detyre i Sekretarit Organizativ, Qendra në Ferizaj. Angazhimi i tij politik nga fillimi ka qenë i nxitur nga mungesa e barazisë shoqërore e gjinore, gjithashtu nga gjendja e rëndë e papunësisë dhe mungesa e meritokracisë.

Mungesa e një sistemi të pakorruptuar të drejtësisë e nxitë atë që të angazhohet që sa më parë Kosova të fillojë procesin e vettingut. Albani është kandidat për deputet nga lista e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

26 01 2021

Milazim Salijaj

Milazim Salijaj është i lindur më 12 gusht 1963 në fshatin Duraj, Komuna e Kaçanikut, Ai mbaroi shkollën e mesme të gjeodezisë në Gjakovë. Studioi në Universitetin e Prishtinës – FNA – drejtimi Hidroteknikë si dhe mbaroi studimet në Kolegjin ESLG në drejtimin Menagjimi i Patundshmërive me Infrastrukturë.

Punoi si gjeodet në Kuvendin Komunal në Kaçanik, në sektorin e Kadastrit deri në vitin 2004, pastaj punoi në N.SH “ Gjeoprojekt “ si pjesë e sektorit privat të Kadastrit si gjeodet i licencuar; ekspert Gjyqesor në lëmin e kadastrit dhe të gjeodezisë, tani menaxhon N.SH ” GjeoProjekt” me seli në Kaçanik.

Është kryetar i Shoqates së Gjeodeteve për regjionin e Ferizajit si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës së Gjeodeteve të Kosovës.

Ai me punën e tij do të përqendrohet në rregullimin e çështjeve kadastrale dhe pronësore, planifikimin urban dhe hapësinor, si dhe në ruajtjen e ambientit.

Salijaj është i martuar dhe baba i tre fëmijëve

Kontribo

26 01 2021

Vendenis Lahu

Vendenis Lahu është lindur në nëntor të vitit 1992 në Gllamnik të Besianës.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje. U regjistrua ne Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës nga ku në vitin 2018 diplomoi dhe mori titullin Doktor i Mjekësisë.

Pas diplomimit shërbeu për një kohë në Klinikën e Neurologjisë në njësinë anti-COVID, për të vazhduar për disa muaj si mjek në Klinikën Emergjente. Aktualisht është duke vijuar shkollimin specialistik nga lemia e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Është anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga viti 2010. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 fitoi mandatin e asambleistit në Asamblenë Komunale të Besianës. Ishte shef i Grupit të Asamblesë, anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe pastaj anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Fuqizimi i zërit të rinisë në skenën politike të vendit dhe avancimi e përmirësimit të sistemit shëndetësor në vend janë fokusi i aktivizmit të tij politik.

Kontribo

26 01 2021

Ekrem Mustafa

Ekrem Mustafa u lind më 25 gusht 1979 në Komogllavë-Ferizaj. Është i diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, drejtimi Komunikacion rrugor, në Universitetin e Prishtinës. Mustafa ka përvojë shumë vjeçare në politikë. Është zgjedhur dy herë asembleist në Kuvendin Komunal të Ferizajt, njëherë në vitin 2013 dhe pastaj në vitin 2017. Gjatë viteve 2015-2018 ka shërbyer si  Kryeshef Ekzekutiv N.P.L “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj, ndërkaq gjatë viteve 2015-2016 ishte kryetar e klubit “Kf Ferizaj”.

Ai synon të përqendrohet në modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe sigurinë rrugorë në Kosovë, ndërkaq në fushën e arsimit synon të angazhohet me digjitalizimin e mësimnxënies. Ai po ashtu do të fokusohet në ngritjen e çështjeve në lidhje me mirëqenien e pensionistëve.

Mustafa është përfaqësues i iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Kontribo

26 01 2021

Mefail Bajqinovci

Mefail Bajqinovci u lind në korrik të vitit 1977, në Prishtinë. Ka përfunduar studimet në drejtimin “Komunikim Masiv” në Prishtinë.

Si i angazhuar në gazetarinë hulumtuese, autor dhe drejtues i emisionit “Puls” në KTV, për 18 vite ka qenë një zë i fuqishëm kritik ndaj keqqeverisjes dhe abuzimeve me pozitat zyrtare. Ka trajtuar tema mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin institucional, duke i shpërfaqur ato përmes faktesh e informacionesh ekskluzive. Ai është angazhuar që nga shtatori i vitit 2019 në Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Prishtinë.

Ai u zgjodh deputet në Legjislaturën e VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Bajqinovci ka qenë anëtar i Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ai do të ngrisë çështje rreth problemeve në sistemin e sigurisë, korrupsionit dhe krimit te organizuar.

Është i martuar dhe ka një fëmijë.

Kontribo

26 01 2021

Mirsad Shkreta

Mirsad Shkreta ka lindur më 7 shkurt 1976 në Shkup. Ai është specialist i kirurgjisë orale dhe Doktor i Shkencave Mjekēsore. Studimet universitare i i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në drejtimin Stomatologji. Aktivitetin e tij profesional e ka ushtruar në institucione shëndetësore publike dhe private duke dhënë kontribut edhe në fushën e mësimdhënies akademike dhe atë të kërkimit shkencor.

Aktualisht është kirurg oral pranë Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës dhe ligjërues në Fakultetin e Stomatologjisë të UBT-së.

Angazhimi i tij politik shumëvjeçar zë fill me pjesëmarrjen gjatë studimeve në protestat studentore të viteve ’90. Pas luftës ka qenë Këshilltar Komunal për disa mandate në Komunën e Hanit të Elezit dhe në vitin 2014 i është bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të vazhduar me angazhimin në aktivitete politike kryesisht në fushën e shëndetësisë. Është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm  të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe anëtar i Komitetit të Shëndetësisë.

Në Qeverinë Kurti ka shërbyer si Këshilltar i Lartë dhe Shef Kabineti i Ministrit të Shëndetësisë.

Mirsad Shkreta rikthehet në garën për deputet në Kuvendin e Republikës me synimin që, në kuadër të programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE, të angazhohet në luftimin e pabarazisë, në përmirësimin e legjislacionit në fushën e shëndetësisë në favor të forcimit të sistemit publik shëndetësor, ofrimit të sigurimeve shëndetësore, avancimit të të drejtave të profesionistëve shëndetësor dhe rritjen e mirëqënies për të gjithë qytetarët.

Mirsadi është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kontribo

26 01 2021

Adriana Matoshi

Adriana Matoshi u lind më 5 shkurt 1980 në Gjilan. Shkollimin fillor e të mesëm e kreu në vendlindje ndërsa studimet për aktrim në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve, në klasën e prof. Faruk Begollit.

Është njëra nga aktoret më të shquara shqiptare dhe më të kërkuarat në industrinë e filmit në vend. Ajo është e vlerësuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Në Greqi, ka marrë çmimin “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Kthimi” të regjisores Blerta Zeqiri, poashtu edhe në Itali ajo u shpërblye me çmimin “Aktoren më e mirë” në Festivalin FilmLAB Festival. Në Brazil, Paris dhe në Valencia të Spanjës mori çmimin për aktoren më të mirë për rolin e saj në filmin “Zana”, si dhe në Berlin dhe Nju Jork u shpërblye për rolin e saj në filmin “T’padashtun”.

Ajo është zgjedhur “Personalitet i vitit”, në Komunën e Gjilanit për sukseset dhe angazhimet e saj në fushën e kulturës. Përpos roleve të luajtuara në film, ajo ka luajtur shumë shfaqje teatrale si “Mësimi”, “Kumbara”, “Dejzilend”, “Shtëpia e Berndarda Albës”, “Këmisha e gjakut”, “Tudje srce”, “Romeo and Juliet”, etj. Me rolet në filmat e shfaqjet e saja ajo është paraqitur në vende të ndryshmë të botës si Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje, Francë, Spanjë, Gjermani, Poloni, Itali, Zvicër, Rumani, Amerikë, etj.

Matoshi është anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit. Ajo ka qenë drejtoreshë e Teatrit të Gjilanit (2007) dhe poashtu edhe kryetare e bordit drejtues të këtij teatri.

Është nënë e katër fëmijëve. Aktualisht jeton dhe vepron në Prishtinë.

Kontribo

26 01 2021

Luan Aliu

Luan Aliu është i lindur në Gjilan më 6 korrik 1983. Ai ka studiuar degën Kriminalistikë, dhe mban titullin Bachelor i Arteve në Kriminalistikë.

Ai është njëri nga themeluesit e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan. Ai është asistent administrativ në Qendrën e Gjilanit.

Në qeverinë Kurti ai ka shërbyer si këshilltar politik i Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla. Si dhe çështjet e sigurisë janë ekspertiza e tij profesionale ku edhe do të angazhohej nëse do të zgjidhej deputet i Kuvendit të Kosovës.

Luan Aliu kandidon për herë të parë si deputet në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

26 01 2021

Jeta Statovci

Jeta Statovci u lind në Prishtinë më 3 qershor 1994. Studimet e nivelit Master i përfundoi në London School of Economics (LSE), në Mbretërinë e Bashkuar, e përqendruar në drejtimin “Ekonomia dhe Politikat Shëndetësore”. Ajo ishte përfituese e një nga bursave me prestigjioze ndërkombëtare, Chevening Scholarship. Ndërsa, studimet e nivelit Bachelor i përfundoi në Rochester Institute of Technology (RIT Kosovo), në drejtimin e Ekonomisë dhe Menaxhmentit.

Së fundi, Jeta ka mbajtur pozitën e këshilltares për politika shëndetësore dhe sociale e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht dhe ushtruese e detyrës së Presidentës, Vjosa Osmani. Ajo është gjithashtu e angazhuar në mësimdhënie në nivelin universitar me fokus mbi menaxhimin shëndetësor. 

Paraprakisht, Jeta ka punuar si konsulente e ekonomisë shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë në kuadër të Lux-Development, dhe zëvendës-prorektore për hulumtime dhe cilësi në një kolegj privat. Eksperienca e saj në ekonominë shëndetësore prek dhe rrafshin ndërkombëtar.

Ajo kandidon për herë të parë për deputete të Kuvendit të Kosovës si përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë, dhe ka per synim të trajtojë temat mbi financimin shëndetësor, si dhe rikuperimin e shëndoshë pas pandemisë. Fokusi i saj shtrihet edhe mbi grupet e margjinalizuara në shoqëri.

Kontribo

26 01 2021

Burim Karameta

Burim Karameta u lind më 19 qershor 1980 në Ferizaj. Ai diplomoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Mjekësisë, dega Mjekësi e Përgjithshme dhe ka përfunduar gjithashtu studimet në Psikologji në Fakultetin Filozofik, në po të njejtin universitet. Gjatë kohës së studimeve ka punuar si udhëheqës në dy Qendra Diagnostike Terapeutike në Prishtinë. Aktualisht është në mbrojtje të specializimit në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, Prishtinë. Për katër vite ka punuar si mjek në Ferizaj, ndërsa në cilësinë e psikologut ka punuar në “Caritas Kosova”, ku ka qenë gjithashtu menaxher dhe koordinator i projekteve me karakter ndërkombëtar e nacional në fushën e edukimit, arsimit e shëndetësisë. Ka qenë udhëheqës i Qendrës Sociale Edukative në Dubravë, ku ka implementuar projektin EU-SIMRAES me komponentën e arsimit dhe kulturës për komunitetin romë, ashkali dhe egjiptas.

Gjatë viteve 2013-2017 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Ferizajt. Ai ishte edhe pjesëmarrës në programe të shumta për shëndetin publik, edukimin dhe mirëqenien në cilësinë e trajnerit dhe ligjëruesit.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 është zgjedhur asambleist, si më i votuari në Ferizaj. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Ferizaj dhe pjesëmarrës në aktivitete politike e rinore që nga shkollimi i mesëm.

Aktualisht është Këshilltar Politik i u.d. të Presidentës së vendit, znj. Vjosa Osmani, Kryesues Regjional i Komisionit për Licencimin e Institucioneve Private Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe është përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Është i martuar dhe ka dy vajza.

Kontribo

26 01 2021

Doarsa Kica Xhelili

Doarsa Kica – Xhelili u lind në Prishtinë më datë 25 shtator 1990, ku vazhdon të jetojë edhe tani. Familja e saj ka prejardhje nga Veleshta, afër Strugës.

Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku mori titullin Juriste e Diplomuar. Ajo ishte përfituese e bursës së Universitetit Loyola në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku i përfundoi studimet e nivelit Master në vitin 2014 dhe mori titullin Magjistre e Sundimit të Ligjit për Zhvillim.

Gjatë studimeve universitare, Doarsa ishte pjesëmarrëse në trajnime dhe gara të ndryshme për hulumtim dhe përfaqësim ligjor në Prishtinë, Strasbourg, Hagë, Budapest dhe Vjenë, ndër të cilat veçojmë garën Williem C. Vis për Arbitrazhin Komercial Ndërkombëtar në Vjenë, ku ajo mori pjesë për dy vite radhazi.

Para vijimit të studimeve Master, Doarsa ka punuar dy vite në sektorin e shoqërisë civile. Në vitin 2012 punoi në organizatën “Diaspora për Zhvillim si Hulumtuese Ligjore”, ndërsa në vitet 2013-2014 punoi si Zyrtare e Programit në Programin për të Drejtat Civile në Kosovë.

Licencën e ushtrimit të profesionit të avokatisë e mori në vitin 2018. Doarsa është përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Nga viti 2015, e deri në momentin kur iu bashkua iniciativës së Osmanit, ajo punoi si Avokate në Shoqërinë e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini” në Prishtinë.

Është e martuar, dhe nënë e një vajze.

Kontribo

26 01 2021

Ardian Gola

Ardian Gola është i lindur më 22 shkurt 1979 në Gjakovë. Po në këtë qytet kreu shkollimin fillor dhe Gjimnazin e përgjithshëm. Studimet themelore dhe ato Master i kreu në Universitetin e Prishtinës në drejtimin e Sociologjisë. Ndërsa studimet e doktoratës, në po të njëjtin drejtim, i kreu në Universitetin e Tiranës.

Nga viti 2005 deri 2007 punoi si Zyrtar i Lartë për Informim në Ministrinë e Shërbimeve Publike. Më pas, u zgjodh Drejtor i Zyrës për Integrime Evropiane në po të njëjtin institucion, ku qëndroi deri në 2010.

Në vitin 2007 u zgjodh Asistent në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht në Departamentin e Sociologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik. Ndërsa, në vitin 2018, pas pesë viteve në cilësinë e ligjëruesit, avancohet në Profesor Asistent në po të njëjtin institucion. Gjatë kësaj kohe, ka mbajtur disa pozita institucionale, si: nga 2008 – 2010 Sekretar i Departamentit; nga 2010 – 2011 Koordinator për Zhvillim Akademik; nga 2014 – 2021 Shef i Departamentit. Ndërsa gjatë 2014 ishte angazhuar në cilësinë e këshilltarit të u.d Rektorit të UP-së. Gjatë vitit 2010, ishte si studiues vizitor për një semestër në Universitetin e Champaign Urbana në Illinois të ShBA.

Angazhimi i parë politik i prof. Golës është në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, në të cilën u anëtarësua në janar të 2021-ës. Përndryshe ai është i njohur me paraqitjet e tij publike, si nëpër media konvencionale ashtu edhe media sociale, si intelektual kritik.

Nga pozita e parlamentarit, ndër tjerash, në mënyrë të fokusuar ai synon t’i jep zë çështjeve që kanë të bëjnë me të pagjeturit dhe viktimat e luftës, arsimin, mirëqenien sociale, dhe administratën publike.

Kontribo

26 01 2021

Haxhi Avdyli

Haxhi Avdyli u lind në Prizren më 21 janar 1972. Shkollën fillore dhe të mesme të mjekësisë i kreu në Prizren. Në vitin 1990 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë, të cilin e kreu në vitin 1996 duke u shpallur edhe “Student i dalluar”. Në vitin 1996-97 punoi si mjek në ambulancat humanitare “Nënë Tereza”, kurse nga viti 1998 punoi si mjek në fshatin Grejkoc-Therandë. Pas fillimit të luftës ka punuar si mjek terreni me refugjatë, civilë të plagosur dhe ushtarë të UÇĶ-së, në zonat e luftës në Budakovë.

Pas çlirimit vazhdoi shkollimin specialistik në Neurokirurgji në Prishtinë e Tiranë nën mentorimin e Prof. Mentor Petrela, dhe në vitin 2003-04 në klinikën Neurokirurgjike në Ulm të Gjermanisë nën mentorimin e Prof. Hans Peter Richter. Në 2005 filloi punën si specialist Neurokirug në QKUK. Në 2007 përfundoi studimet postdiplomike në UN University for Peace në Menagjment Shëndetësor Spitalor. Nga viti 2007-2009 udhëheq Qendrën për Hulumtime Shëndetësore; 2009-2014 ka qene aktiv në Këshillin e ekspertëve të LDK-së kryesisht për shëndetesi dhe me 2015-16 punoi si mësimdhënës në Kolegjin “Heimerer”.

Me 2014, zgjedhet kryetar i degës së LDK-së në Prizren, të cilën pozitë e mban deri në vitin 2019. Në 2017 zgjedhet deputet i Kuvendit të Kosovës për herë të parë, kurse në 2019 zgjedhet për mandat të dytë. Në legjislaturën e fundit ka qenë nënkryetar i Komisionit për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale dhe iniciues e nënkryetar i Komisionit Hetimor për Procesin e Punës së Hidrocentraleve. Ai është përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Kontribo

26 01 2021

Adnan Rrustemi

Adnan Rrustemi është lindur më 27 prill të vitit 1982, në fshatin Rufc i Vjetër në komunën e Lipjanit. Jeton në Lipjan. Ka mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës, Faktulteti Filozofik, drejtimi Shkenca Politike dhe Administratë Publike. Ndërsa studimet master i ka vijuar në degën Shkenca Politike, Shoqëri Civile dhe Zhvillim Lokal. 

Gjatë viteve 2004 – 2009 ka punuar si mësimdhënës. Në dy vitet e fundit të këtij angazhimi ka qenë mësimdhënës në programin për të rritur “Edukimi Gjatë Gjithë Jetës”. Në katër vitet pasuese ishte shërbyes civil në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa përgjatë viteve 2013 – 2020 përfaqësoi Lëvizjen VETËVENDOSJE! si anëtar i KQZ-së. Vitin e fundit është angazhuar si këshilltar politik i Nënkryetares së Kuvendit të Kosovës dhe koordinator i Grupit parlamentar nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga viti 2013, dhe është angazhuar si Koordinator i asambleistëve të Lëvizjes dhe Kryesues i Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës.

Angazhimi i tij si kryetar i ardhshëm do të fokusohet në qeverisjen e mirë, transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve para qytetarëve; për një administratë publike efektive dhe fuqizim të qeverisjes lokale.

Kontribo

26 01 2021

Armend Muja

Armend Muja u lind më 20 nëntor 1981 në Mitrovicë. Është drejtor i Kolegjit Riinvest dhe ligjërues i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare. Armendi ka kryer studimet në London School of Economics dhe Corvinus University. Në studimet e nivelit Master dhe ato të doktoraturës, ai ka hulumtuar rreth ekonomisë politike të Evropës Juglindore. Më herët ka shërbyer si Drejtor për Çështje Aakademike në Kolegjin UBT. Ai ka punuar gjithashtu si këshilltar në projektet e Programit për Reforma Ekonomike (ERP), Planin e Zhvillimit Kombëtar dhe Vlerësim të Planit Strategjik Arsimor për GIZ, UNDP dhe Këshillin e Evropës.

Si qëllim parësor Armendi ka promovimin e një shoqërie më ambicioze përmes reformave institucionale në drejtësi, përshpejtimin e integrimit evropian dhe përmirësimin e pozitës së Kosovës në botë. Ai gjithashtu do të punojë për promovimin e mundësive të barabarta për të rinjtë përmes investimit në shkollim relevant për ekonominë bashkëkohore dhe investimin për të ardhmen dhe promovimin e pjesëmarrjes së diasporës në ekonominë e Kosovës, në fuqizimin e ndërmarrjeve publike, biznesit të vogël dhe promovimit të sektorëve të rinj, si teknologjia informative, inteligjenca artificiale dhe mjekësia.

Kontribo

26 01 2021

Shqipe Mehmeti Selimi

Shqipe Mehmeti Selimi është e lindur në Gjilan, është nënë e dy fëmijëve dhe jeton në Prishtinë.

Studimet e nivelit bazike dhe ato Master i ka të përfunduara në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë, flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjermane.

Është anëtare e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që nga vitit 2010. Ajo ka zhvilluar aktivitetin e saj politik përbrenda Lëvizjes në kuadër të pikës së Bregut të Diellit në Prishtinë. Prej vitesh është anëtare e Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri në kuadër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Ishte pjestare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  gjatë vitit 1998 ishte e vendosur në Zonën Operative të Drenicës, ndërkaq, gjatë vitit 1999 ajo luftoi në Zonën Operative të Karadakut. Më vonë ajo shërbeu si pjesëtare e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, në Zonën e VI Mbrojtëse gjatë viteve 2000-2009, ku mbante pozitën e Oficerës në Qendrën Operative të Zonës së VI. Në Akademinë e Mbrojtjes të Kosovës në Komandën e Trajnimit dhe Doktrinës, ajo shërbeu si Oficere në Qendrën Simulative. Gjatë shërbimit në TMK, Shqipja mbante gradën ushtarake Kapiten.

Shqipja beson fuqishëm në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave kombëtare. Ajo kandidon për herë të parë për deputete në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kontribo

26 01 2021

Avni Dehari

Avni Dehari ka lindur më 3 maj 1947, në fshatin Sllupçan, rrethi i Kumanovës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, kurse gjimnazin në Preshevë. Më 1974 është diplomuar në Fakultetin e Filologjisë ‒ Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Nga viti 1969 deri më 1981 ka qenë mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Ferizaj, Gjilan dhe në Kumanovë.

Në nëntor të vitit 1981, për shkak se i ka kundërshtuar masat për mohimin e së drejtës së shkollimit të mesëm në gjuhën shqipe, është përjashtuar nga gjimnazi i Kumanovës dhe është përndjekur politikisht nga pushteti. Që nga viti 1981 deri më 1999 ka jetuar në Zvicër.

Në vitet 80-të është anëtarësuar në Lëvizjen Popullore të Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtar i Redaksisë së “Zërit të Kosovës”, kryeredaktor (më 1991), anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe anëtar i Kryesisë së kësaj organizate.

Veprimtarit të çështjes kombëtare, Avni Dehari, në vitin 1999 iu ka mundësuar kthimi në vendlindje. Për disa muaj ka redaktuar lajmet në radiostacionin “Kosova e Lirë” në Prishtinë. Nga 2001 deri në vitin 2007 ka punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamenti i Çështjeve Jorezidente. Në vitin 2007 ka qenë redaktor i rubrikës së kulturës në të përditshmen “Lajm”. Nga viti 2008 deri në pension, më 2012, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka bërë punën e korrektorit gjuhësor.

Që nga fillimi ka mbështetur aktivitetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Avni Dehari deri më tash ka botuar 33 libra letrarë për fëmijë dhe për të rritur.

Kontribo

26 01 2021

Vasfije Krasniqi

Vasfije Shaip Krasniqi u lind më 13 korrik 1982 në Stanovc të Ulët në Vushtrri.

Ajo ka punuar më parë si konsulente për sigurime të ndryshme në kompani të shtrira në tregun amerikan. Si anëtare e Sema Global Network dhe e Qendrës Kosovare për Rehabilitmin e të Mbijetuarave të Torturës, nga qershori i vitit 2018 ka marrë pjesë në takime e konferenca të shumta të cilat i janë kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftërave dhe konflikteve, takime këto të cilat kishin karakter senzibilizues dhe avokues.

Ajo ka dëshmuar gjithashtu në Kongresin Amerikan për dhunimet në Kosovë gjatë luftës së fundit. Vasfija ka ngritur zërin për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftërave në parlamente të ndryshme, kështu duke u bërë figurë e mirënjohur ndërkombëtarisht për këtë kauzë.

Në saje të aktivitetit të saj sensibilizues dhe avokues për mbrojtjen e të drejtave të viktimave seksuale të luftës, ajo është shpërblyer, mes të tjerash, edhe me çmimin për paqe Kim Bon Dong 2019 në Korenë e Jugut.

Ajo synon të punojë për drejtësi dhe mirëqenie të kategorive të ndjeshme të shoqërisë sonë.

Kontribo