14 09 2019

Fatmire Kollçaku

Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe Specializimin në fushën e Epidemiologjisë. Ka vijuar studimet post-diplomike për Menaxhment Shëndetësor, në kuadër të Agjencionit Evropian në partneritet me Universitetin e Prishtinës. Karrierën si mjeke e ka filluar në organizatën “Nënë Terezë”, në Prishtinë.

Në mesin e shumë trajnimeve të kryera janë edhe “Médicins Sans Frontièrs (Mjekët pa Kufij) – Trajnim mbi kujdesin psikologjik post traumatik”, “Forcimi i Kapaciteteve në Ministrinë e Shëndetësisë, Kosovë” dhe “Trajnimin për Menaxhimin e Programit/DFID 2005- 2006. Ajo ka vijuar “Shkollën Rajonale Verore mbi Sigurimet Shoqërore 2006”. Në kuadër të programit “Hope Fellowship” ajo ka kryer trajnimin dhe vizitën studimore në Washington: “Leadership Study Tour 2007″. Ka kryer trajnimin për Epidemiologji në Athinë, në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional. Ka marrë pjesë në mbi dhjetë konferenca shkencore dhe kongrese, si autore dhe koautore me punime shkencore.

Deputete në Kuvendin e Kosovës gjatë legjislaturës 2004-2007, 2017-2019 dhe 2019-2021. Gjatë mandatit të pare ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale. Në legjislaturën e VI-të, ishte anëtare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Komisionit për Integrime Europiane. Ishte bashkëkryesuese e Komisionit Joformal të Deputetëve të Gjelbër. Në legjislaturën e fundit ajo e ka kryesuar Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe ka qenë anëtare e Komisionit pë Punë të Jashtme dhe Disaporë.

Nga viti 2000 ajo vazhdon të jetë e angazhuar në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Gjatë aktivitetit të saj 19 vjeçar në politikë, ka qenë e angazhuar në veçanti në sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

Aktualisht znj. Kollçaku është Nënkryetare e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

14 09 2019

Fitore Pacolli

Fitore Pacolli është kandidate për doktoraturë në Universitetin e Gracit, Austri, në programin “Ligji dhe Politika”. Studimet master i ka përfunduar në London School of Economics (LSE), Londër, drejtimi “Politika dhe qeverisja e Bashkimit Evropian”. Kurse studimet bachelor i ka përfunduar në London Metropolitan University, Londër, drejtimi “Politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare”, si dhe në Universitetin e Prishtinës, drejtimi “Gjuhë dhe Letërsi Angleze”.

Në mandatin e parë të udhëheqjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë ka kryer detyrën e Shefes së Kabinetit të Kryetarit. Gjatë qëndrimit të saj në Londër ka qenë e angazhuar në zgjedhjet parlamentare në Britani, hulumtuese në International Diplomatic and Business Exchange si dhe aktiviste në Amnesty International UK. Ka 11 vite përvojë pune në mësimdhënie në kolegje dhe institucione edukative.

Gjatë periudhës 2017-2019 dhe 2019-2021 ka qenë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përgjatë legjislaturës së fundit, znj. Pacolli ka qenë zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe anëtare e Komisionit për Integrim Evropian. Si dhe e ka udhëhequr Asamblenë Parlamentare të SEECP-së, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Fitore Pacolli është Nënkryetare e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë dhe anëtare e Kryesisë së Lëvizjes.  

Kontribo

14 09 2019

Tinka Kurti

Tinka Kurti është anëtare e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ajo u lind  në vitin 1989, në Gjakovë. Ka përfunduar studimet për Gazetari në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës.

Nga viti 2008 ajo ka punuar si gazetare në disa prej mediave të Kosovës, përfshirë televizionin nacional KTV, rrjetin e gazetarisë hulumtuese BIRN (gazeta “Jeta në Kosovë”) dhe në organizatën ÇOHU. Znj. Kurti me një ndjeshmëri të madhe ka shkruar për varfërinë e pabarazinë. Ka botuar disa shkrime autoriale rreth të drejtave të punëtorëve, barazisë sociale dhe skandaleve politike. Ndër të tjera, ajo është edhe autore e disa shkrimeve letrare. Shkrimet e saj janë pjesë e angazhimit dhe aktivizmit politik. 

Si aktiviste e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ajo ka udhëhequr për një kohë Sekretariatin për Media dhe Komunikim. Vitin e fundit ka jetuar në Vjenë të Austrisë prej nga dëshiron t’i sjellë si ide projektet më të dobishme për jetën e qytetarëve. 

Tinka është nënë e një vogëlushi dhe është e martuar.

Kontribo

13 09 2019

Arbëreshë Kryeziu Hyseni

Arbëreshë Kryeziu – Hyseni u lind më 24 maj 1989 në Gjilan. Ka studiuar për Gazetari në Fakultetin Filologjik, Universiteti i Prishtinës.

Bursiste në Universitetin e Gentit të Belgjikës, ku edhe i ka përfunduar studimet e Gazetarisë. Pjesë e mediave një kohë, duke qenë më pas pjesë e shoqërisë civile. Tani anëtare e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, delegate e Këshillit të Qendrës dhe atij në nivel qendror, si dhe udhëheqëse e Sekretariatit për Media dhe Komunikim. Gjithashtu, Arbëresha ka qenë asambleiste aktive e Kuvendit Komunal në Gjilan.

Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, ajo u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës. Gjatë kësaj legjislature ajo ishte anëtare e Komisionit për Integrim Evropian, anëtare e Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për MSA-në.

Arbëresha është e martuar dhe nënë e një fëmije.

Kontribo

12 09 2019

Jetmire Vrenezi

Jetmire Vrenezi ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Aktualisht është në përfundim të studimeve pasuniversitare në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa kompani private të ndërtimit në Malishevë e Prishtinë.

Jetmira kontributin e saj profesional e ka dhënë në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës dhe aktualisht është duke punuar në Drejtorinë e Inspektorateve në Komunen e Prizrenit. Ajo është angazhuar në aktivitete politike si aktiviste e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që nga viti 2012.

Një kontribut me rëndësi ka dhënë edhe në Kuvendin Komunal të Malishevës, ku është vlerësuar si një nga anëtaret më aktive që ka patur Kuvendi Komunal i Malishevës, duke artikuluar dhe adresuar shumë probleme e shqetësime të qytetarëve.

Kontribo

12 09 2019

Arijeta Rexhepi

Arijeta Rexhepi u lind më 7 korrik 1976, në Gjilan. Ka studiuar në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë në drejtimin Matematikë-Informatikë.

Mësimdhënëse e matematikës dhe informatikës për afër 25 vite, ndërsa momentalisht është mësimdhënëse në shkollën e mesme të ulët “Selami Hallaçi” në Gjilan. Aktiviste e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që nga viti 2011, asaj ju dha besimi nga Qendra e Lëvizjes në Gjilan si rezultat i aktiviteteve të saj të ndryshme në lidhje me të drejtat dhe barazinë gjinore.

Disa vite me radhë është udhëheqëse e Sekretariatit të Gruas Aktiviste si dhe Nënkryetare e Dytë e Lëvizjes në Gjilan. Aktualisht është në mandatin e dytë si Këshilltare e Kuvendit Komunal të Gjilanit.

Si deputete e zgjedhur ajo do të angazhohet në përmirësim të politikave mbi edukimin dhe në çështjen e barazisë gjinore.

Është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.

Kontribo

12 09 2019

Artan Abrashi

Artan Abrashi ka lindur më 14 gusht 1986, në Prizren. Aktivist i Lëvizjës VETËVENDOSJE! që nga viti 2005. Në vitin 2010 u zgjodh Nënkryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Qendrën e Prizrenit.

Në zgjedhjet e vitit 2013 zgjedhet Këshilltar i Kuvendit Komunal në Prizren. Në vitin 2015 zgjedhet anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kurse që nga viti 2016 është edhe Kryetar i Qendrës së Prizrenit. Artan Abrashi nga viti 2018 deri në 2019 ka ushtruar funksionin e Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Artan Abrashi u zgjodh deputet për herë të parë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019. Gjatë kësaj legjislature ai ishte anëtar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjensisë Kundër Korrupsionit dhe anëtar i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Kontribo

12 09 2019

Fitim Uka

Fitim Uka u lind më 21 mars 1987, në Prishtinë. Studimet bazike për psikologji i kreu në Universitetin e Prishtinës. Studimet master i ka përfunduar në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut, Gjermani në një fushë të veçantë si ajo e “Shkencave të të Mësuarit”, ku ka përvetësuar një qasje multidisciplinare mbi të mësuarit dhe edukimin në përgjithësi. Temën e doktoraturës e ka mbrojtur në Universitetin e Freiburgut në Gjermani, me fokus në edukimin e hershëm dhe më specifikisht, me një studim që ka synuar identifikimin e ndërlidhjes në mes të aftësive vetë-rregulluese, inteligjencës dhe suksesit të hershëm akademik të fëmijëve. Për studimet e post-doktoraturës ka qëndruar për një semestër në Universitetin Illinois të Çikagos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i kanë hapur një perspektivë të re studimi në fushën e migrimit dhe shëndetit.

Është ligjërues i psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, themelues i Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale e Mjekësore dhe botues i revistës psikologjike “Psika”. Ai ka një bagazh intelektual dhe potencial të jashtëzakonshëm. Fitimi ka disa punime të rëndësishme shkencore në revistat më të njohura ndërkombëtare të psikologjisë. Gjithashtu, numëron mbi 60 paraqitje në konferenca të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Si deputet në legjislaturën e fundit z. Uka u angazhua maksimalisht në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport si dhe në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku është dalluar për kontributin e tij në përpilimin e Ligjit anti-COVID dhe për amandementimin e statuteve të universiteteve publike në Kuvend.

Fitim Uka është i martuar dhe ka një fëmijë.

Kontribo

12 09 2019

Mimoza Kusari Lila

Mimoza Kusari Lila u lind më 16 tetor 1975 në Gjakovë. Është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.

 Studimet i mbaroi në Universitetin “Hasan Prishtina”, në Fakultetin Ekonomik. Studimet post-diplomike i përfundoi në ShBA në fushën Administrim Biznesi, në Duquesne University, Pittsburgh, Pennsylvania. Ajo ishte bursiste e programit “Ron Brown” nga Departamenti i Shtetit të ShBA. Para se të angazhohej në politikë, ajo ka udhëhequr Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë në vitet 2006 – 2009. Ajo ka qenë po ashtu asistente e lëndës së Mikroekonomisë në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ligjëruese në lëndën e Menaxhimit të Proceseve në Universitetin Amerikan të Kosovës – AUK.

Kusari-Lila u zgjodh deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e 6-të dhe të 7-të dhe 8-të ku në këtë të fundit ka qenë Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në vitin 2010 ishte gruaja më e votuar në Kosovë. Ajo për tre vite (2011-13) ka shërbyer si Zëvëndës Kryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës. Mimoza Kusari Lila më parë ka mbajtur pozitën e Kryetares së Komunës së Gjakovës që nga dhjetori i vitit 2013, duke arritur të bëhet gruaja e parë kryetare e një komune në Kosovë.

Përgjatë dy legjislaturave, Mimoza Kusari Lila është angazhuar në politikat për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave dhe ngritjen e përfaqësimit të tyre në vendimarrje. Kusari – Lila përgjatë dy legjislaturave radhazi kishte inicuar formimin dhe kishte udhëhequr Grupin e Deputetëve të Gjelbërt, politika dhe veprime të cilat do të vazhdojë t’i ndjek edhe në legjislaturën e 8-të.

Si Kryetare e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila do të transformojë komunën në qendër të inovacionit dhe kreativitetit, me modelin më të mire të bashkëpunimit ndërkufitar me Malësinë e Gjakovës, në politika miqësore mjedisore dhe zbatim të planit të mobilitetit urban në përputhshmëri me politikat e gjelbërta. 

Turizmi dhe artizanantet do të jenë pjesë e promovimit të pasurisë natyrore, hisorike dhe kulturore. Bujqësia dhe blegtoria do të inkurajohen në bashkërendim e Ministrinë e Bujqësisë, fuqizimin e grave fermere dhe fermerëve në përgjithësi. Kthimi i të rinjëve, transparenca dhe llogaridhënia dhe politikat sensitive gjinore do të jenë themel i gjithë qeverisjes tonë katër vjeçare.

Kontribo

12 09 2019

Jahja Kokaj

Jahja Kokaj është i lindur më 1 qershor 1948 në Gjakovë. Studimet universitare dhe pasuniveristare i ka perfunduar në Universitetin e Prishtinës, Zagrebit dhe Moskës – Lomonosov. Ai u specializua në Zagreb, Institutin Lomonosov, MIT-Harvard dhe Universitetin Carnegie Mellon në Pittsburgh (ShBA), ku ka qenë edhe si Post-Doc. Në këtë të fundit ka qenë profesor-vizitues dhe profesor, ku dhe ishte i kyçur në projekte shkencore të financuara nga NASA, LITTON dhe DARPA. Aktualisht është profesor i Laboratorit të Laserëve në Kuvajt.

Ai ishte themelues i Institutit Alb-Shkenca, ku dhe ishte drejtor. Jahja Kokaj ka themeluar Qendrën Edukative Shkencore Kozmosi dhe Njeriu. Ai poashtu ishte themelues i Qendrës Hulumtuese për Zhvillimin e Kosovës. Ka mbi 100 punime shkencore botërore. Librat e parë në qjuhën shqipe i ka botuar në Universitet të Prishtinës, “Laseret dhe Zbatimet” dhe në Universitet të Tiranës, “Teknologjia e Lasareve”. Poashtu Jahja Kokaj është dhe autor i disa librave nga lëmia e politikës.

Jahja Kokaj ishte deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në legjislaturën e fundit ku ishte edhe zëvendëskryetar i parë i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Kontribo

12 09 2019

Haki Abazi

Haki Abazi është lindur më 9 dhjetor të vitit 1974 në Prishtinë. Ai është i diplomuar në drejtimin Inxhinieri, Shkenca Kompjuterike dhe Menaxhim Biznesi.

Në zgjedhjet e vitit 2019 është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe mëpastaj Zëvendës Kryeministër në Qeverinë Kurti.

Hakiu është bartës i shumë pozitave në institucione ndërkombëtare. Ka rreth 20 vite përvojë pune në pozita të larta menaxheriale në organizata të ndryshme ndërkombëtare, dhe deri më tash numëron një shifër të lartë të projekteve të realizuara.

Ai ka publikuar me dhjetëra shkrime, analiza dhe artikuj akademik në media dhe gazeta profesionale, si dhe ka zhvilluar programe unike në fushën e përkrahjes së zhvillimit të demokracisë, ndërtimit të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Është mbështetës dhe promovues i politikave që luftojnë ndryshimet klimatike dhe perkrahës i mbrojtjes së mjedisit në Kosovë dhe rajon.

Është i martuar dhe ka tre femijë.

Kontribo

12 09 2019

Yllza Hoti

Yllza Hoti u lind në shtator të vitit 1995 në Prizren. Studimet universitare i përfundoi në RIT Kosovo (Universiteti Amerikan i Kosovës) në drejtimet Menaxhment, Ekonomi, dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo u vlerësua me titullin Valedictorian, si studentja me notën mesatare maksimale gjatë katër viteve të studimit. Në temën e saj të diplomës ajo ka identifikuar disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen bizneset e sektorit të teknologjisë së komunikimit në Kosovë, si dhe mundësitë për zhvillim të mëtejmë. Momentalisht është kandidate për diplomën Master në Menaxhment nga University of Minnesota në ShBA, ku studion si fituese e bursës KAEF për studime jashtë vendit.

Yllza është zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019. Ka qenë anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Transfere dhe anëtare e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Para se të angazhohej si deputete, Yllza ka punuar si Koordinatore për Pranim të Studentëve në Universitetin Amerikan të Kosovës, dhe si instruktore e Matematikës në programin përgatitor për studentë në të njëjtin institucion. Gjatë studimeve Yllza është angazhuar edhe si vullnetare në klube të ndryshme të studentëve. Ajo ka qenë Presidente e Klubit të Bamirësisë, Sekretare e Klubit të Ekonomistëve, si dhe e Klubit të Mjedisit të RIT Kosovo. Është fituese e disa bursave dhe çmimeve të ndryshme, duke përfshirë bursën Youth Exchange and Study për studime në ShBA gjatë shkollës së mesme, si dhe çmimet “Outstanding Scholar” dhe “Excellence in Student Life” nga Rochester Institute of Technology në New York. Poashtu, në vitin 2019 ajo u zgjedh si një nga katër fituesit e bursës KAEF (Kosovo American Education Fund) për studime Master në SHBA me financim të plotë.

Kontribo

29 12 2018

Arbër Rexhaj

Arbër Rexhaj ka lindur me 16 dhjetor 1985 në Prizren. Ka mbaruar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, duke u përzgjedhur si student i dalluar, si dhe ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Politike. Momentalisht i vijon studimet post-diplomike për “Letërsi Shkencore” ne Universitetin e Prishtinës.

Punoi si profesor në shkollën e mesme “Remzi Ademaj” për 10 vite. Botues i veprave letrare, romane, poezi, monografi, recensione dhe publicistikë. Kryetar për dy mandate i Asociacionit të Shkrimtarëve të Prizrenit dhe Klubit Letrar “Fan S. Noli”.

Arbër Rexhaj ka qenë Kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren nga viti 2010 deri në vitin 2013. Asambleist në Asamblenë Komunale të Prizrenit në periudhën 2014-2017, ku edhe është përzgjedhur si asambleisti më aktiv i legjislaturës nga KDI. Ndër të tjera, ai ka ushtruar edhe detyrën e Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim në Komunën e Prizrenit.

Z. Rexhaj u zgjodh deputet për dy legjislatura me radhë, 2017-2019 dhe 2019-2021. Në legjislaturën e fundit ai ishte anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim si dhe anëtar i Komisionit për mbikëqyrjen e Agjensisë së Kosovës për Inteligjencë.

Arbër Rexhaj është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

29 12 2018

Hydajet Hyseni Kaloshi

Hydajet Hyseni – Kaloshi u lind më 10 mars 1954, në Përlepnicë të Gjilanit. Ka studiuar Gazetari dhe Diplomaci në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar gazetar i “Rilindjes” dhe më vonë redaktor dhe kryeredaktor i gazetës ”Bujku”.

Ka qenë pjesë e Lëvizjes së fshehtë çlirimtare të kohës dhe i shtypit ilegal. Për shumë vite ka qenë i burgosur politik. Pas lirimit nga burgu, nuk e ka reshtur veprimtarinë politike në lëvizjën e fshehtë të LPK-së dhe njëkohësisht ka qenë i angazhuar në alternativën politike të kohës si dhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ. Ai ishte anëtar i delegacionit në konferencën e Rambujesë, anëtar i Qeverisë së përkohshme, bashkëdrejtues në Strukturat e Përbashkëta Administrative dhe poashtu, deputet i disa legjislaturave që prej vitit 2000.

Aktualisht është kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, drejton Shoqatën e ish të burgosurve politik dhe është anëtar i këshillit global të Federatës për Paqe Universale. Ai është gjithashtu autor e bashkëautor i një sërë botimesh letrare e publicistike.

Është i martuar dhe baba i katër fëmijëve.

Kontribo

29 12 2018

Saranda Bogujevci

Saranda Bogujevci është e lindur më 12 qershor 1985 në Podujevë. Ajo ka diplomuar në Universitetin Metropolitan te Mançesterit në Britani. Aktualisht është në përfundim të nivelit Master në Akademi të Gjenevës në Drejtësi Tranzicionale, Drejta të Njeriut, Ligj dhe Rend. Është artiste ndërkombëtare e aktiviste e luftës për drejtësi, të drejtave të njeriut e barazisë së grave në shoqëri.

Që nga paslufta, ajo është pjesë e organizatës “Manchester Aid Kosovo”, me të cilën kanë realizuar shumë projekte në komunën e Podujevës duke përfshirë edhe “Parkun e Paqes” në qytet. Ka qenë bashkëartiste e ekspozitës familjare “Bogujevci // Histori Vizuale”, e cila pati sukses të jashtëzakonshëm në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë. Saranda gjatë luftës së fundit në Kosovë ka qenë e plagosur rëndë në masakrën e Podujevës ku humbi një pjesë të madhe të familjes. Ajo së bashku me fëmijët e axhës së saj janë fëmijët e parë në botë që dëshmuan në një gjykatë për krime të luftës.

Në vitin 2003 Saranda Bogujevci është shpërblyer së bashku me familjen me çmimin ndërkombëtar për Kurajo Morale “Anna Frank”, në Britani. Për tre vite ka qenë e angazhuar si Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës, nën udhëheqjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Saranda Bogujevci ka qenë deputete për dy mandate me radhë. Në legjislaturën e VII, ajo ka qenë anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, si dhe në dy legjislaturat e fundit ka qenë e angazhuar si anëtare e Grupit të Grave deputete në Kuvendin e Kosovës.

Kontribo

29 12 2018

Valon Ramadani

Valon Ramadani u  lind në  qershor të vitit 1985, në Ferizaj. Studimet bazë i ka përfunduar në Tetovë, në Universitetin e Evropës Juglindore, në drejtimin Administratë Publike, kurse ato pasdiplomike i ka ndjekur në fushën e diplomacisë. Prej vitit 2017 Valon Ramadani ka fituar tre herë me radhë mandatin e deputetit në zgjedhjet nacionale, si pjesë e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Gjatë tre legjislaturave të Kuvendit të Kosovës ku ai ka marrë pjesë si deputet, Valoni është angazhuar në Komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media. 

Valon Ramadani është kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, ku gjatë drejtimit të tij ky subjekt ka dalë vazhdimisht i pari në zgjedhjet nacionale, falë punës së palodhur të aktivistëve e qytetarëve, në bashkëpunim me kandidatët cilësorë nga Komuna e Ferizajit, dhe në drejtimin frymëzues të kryetarit Albin Kurti.

Si kryetar i Komunës së Ferizajit Valon Ramadani vjen me një ekip profesionistësh të fushave të ndryshme dhe me vendosmërinë për të bashkëqeverisur, duke mbajtur gjithmonë derën hapur për qytetarët pa dallim prejardhje apo partie. Programi i Valon Ramadanit ka si prioritet rritjen e investimeve, sidomos për bizneset e reja, mbështetje për gratë, zhvillimin e jetës kulturore në komunë, zgjidhjen e problemit me ujë të pijshëm, zgjidhjen e problemit të mbeturinave, vendosjen e standardit urbanistik,  ndërtimin e një ‘’lagjeje të zbavitjes’’, kthimin e higjienës në shkolla, funksionalizimin e një spitali të ri e modern si dhe investim serioz në infrastrukturë për sport.

Me Valon Ramadanin kryetar të Komunës dhe me Albin Kurtin kryeministër, Ferizaji do të jetë motori lëvizës i Kosovës drejt zhvillimit dhe mirëqenies.

Kontribo

29 12 2018

Drita Millaku

Drita Millaku u lind më 31 gusht 1971 në Prizren. Ka përfunduar studimet bazike si dhe ato master në Fakultetin Filologjik në Prishtinë.

Nga viti 2003 ka punuar në Bibliotekën Ndërkomunale në Prizren. Ka qenë asambleiste në Kuvendin Komunal të Prizrenit nga radhët e Lëvizjes nga viti 2013 deri në vitin 2017.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës. Përgjatë asaj legjislature, Drita Millaku ka qenë anëtare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Është e martuar dhe ka dy fëmijë.

Kontribo