Pranvera në Kosovë vjen e mbushur me kujtime e përkujtime për dëshmorët e kombit.
Me rastin e përkujtimit të dëshmorëve të Llapit, së pari ndaluam në Batllavë tek përmendorja e Zahir Pajazitit. Sa herë që jemi në Llap, UÇK-në e kemi edhe më afër nesh. Nuk është rastësi që edhe baza e parë e UÇK-së ishte në Lladovc të Llapit. Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushefci dhe Edmon Hoxha u nderuan nga një delegacion i Lëvizjes i prirë nga kryetari, Albin Kurti, deputetët Xhelal Sveçla e Saranda Bogujevci dhe zyrtarë nga Qendra e Besianës, Bajram Ajeti, Ajet Potera dhe aktivistë tjerë nga Qendra.
Kryengritja popullore është simboli më sublim i Republikës sonë. Sakrificat e mëdha të popullit tonë i japim kuptim fundamenteve të Shtetit tonë. Janë 120 dëshmorë që nderohen për çdo vit në Llap. Gra, burra, vajza e djem, të rinj e të moshuar, me e pa profesione, të shkolluar e të arsimuar, të varfër e më të varfër, shtëpi e bagëti, asgjë nuk u kursye. Vrasje mizore, dhunë e tortura ç’njerëzore e plaçkitje masive janë ato të cilat llapjanët i përjetuan në lëkurën e familjarët e tyre.
Një numër kaq i madh i martirëve, gjithandej Kosovës tregon se kush ishte vërtetë agresori. Mirëpo një numër po kaq i madh i dëshmorëve të kombit tregon edhe se populli shqiptar nuk e duron shtypjen dhe se shpeshherë ka bërë kryengritje.