Prezantimi i plotë i programit qeverisës (2021-2025) nga kryeministri Albin Kurti
Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/945002286232893
I nderuar Kryetar i Parlamentit,
E nderuara Nën-kryetare,
Kabinet qeveritar, deputetë dhe qytetarë të dashur,
Demokracia jonë është përfaqësuese, që do të thotë se qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në parlament për të krijuar qeverinë dhe institucionet tjera. Si kurrë më parë, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, vullneti i shumicës së popullit reflektohet në institucionet tona udhëheqëse.
Sot kemi shumicë parlamentare, qeveri, presidente dhe institucione të cilat janë në harmoni jo vetëm me shumicën e numrave në parlament por edhe me shumicën e vullnetit të popullit jashtë parlamentit.
Populli jonë ka qenë çdoherë i organizuar dhe ka besuar te fuqia e tij si shumicë kundrejt diktaturave, shtypjes dhe okupimit nga armiqtë e huaj por edhe kundrejt abuzuesve e keqpërdoruesve të brendshëm.
Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin riafirmim i vitalitetit tonë si shoqëri dhe si popull. Ishin konfirmim i besimit në vlerat më bazike të punës dhe të dijes, mirësjelljes dhe përuljes, ndershmërisë dhe sinqeritetit. Besimi se fitimi vjen nga puna e ndershme dhe se pushteti nuk është i rezervuar për të pasurit apo të korruptuarit, por për secilin që angazhohet me dije e me integritet, me punë dhe përkushtim, me sakrificë dhe atdhedashuri. E më në fund, këto virtyte në popull u takuan me një qeveri që përfaqëson pikërisht këto vlera.
Sot duhet ta festojmë këtë standard që e kemi arritur së bashku dhe kjo duhet të na frymëzojë për demokracinë tonë të re e cila duhet të rritet e të fuqizohet tash me reforma të thella e me punë të mëdha, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë dhe i gjithë populli që na shohin sot të mund të ëndërrojnë pak më shumë dhe të vendosin standarde më të larta.
Prandaj edhe jam këtu para jush sot. Të flas jo vetëm me burrat dhe gratë në këtë sallë por të flas direkt me gratë dhe burrat që me votën e tyre na sollën të gjithëve këtu.
Jam i vetëdijshëm se për shumë qytetarë që po na shohin sot, pyetjet kryesore që kanë është se kur do të shohin rezultate konkrete në drejtësi dhe në punësim, por edhe se kur do të çlirohemi më në fund nga ankthi i pandemisë dhe të kthehemi në normalitet.
Këto pyetje janë të drejta dhe sot do të mundohem të jem sa më i thjeshtë dhe sa më i qartë.
Sot janë bërë 55 ditë nga marrja e detyrës së qeverisë sonë.
Në këto 55 ditë kemi bërë shumë punë të cilat do të hedhin bazat drejt zhvillimit dhe progresit për katër vitet e ardhshme.
Siç e kemi thënë edhe në program, prioriteti më urgjent është menaxhimi i pandemisë. Me marrjen e mandatit ne kemi hartuar pa humbur kohë një plan i cili synonte që së pari të ndalte trendin e rrezikshëm që e trashëguam të rritjes së infektimeve dhe të vdekjeve, dhe pastaj të kthenim mbrapsht këtë trend me synim eliminimin e vdekjeve si pasojë e COVID-19.
Pas 41 ditësh të hyrjes në fuqi të masave të reja, unë mund të raportoj këtu se këto masa ishin efektive dhe të suksesshme. Edhe falë këtyre masave sot kemi një situatë krejt tjetër. Në dy javë para hyrjes në fuqi të masave të reja, nga 23 mars deri më 5 prill në total kishim 10 mijë e 939 raste të reja me një mesatare ditore prej 781 raste në ditë, ndërsa në dy javët e fundit, nga 2 deri në 15 maj kemi 1 mijë e 379 raste të reja dhe një mesatare prej 98 rasteve në ditë, pra një ulje prej 87.4% të numrit të rasteve, që do të thotë se qeverisja e mirë funksionon.
Paralelisht me marrjen dhe zbatimin e masave të reja, kemi punuar pa u ndalur që të sigurojmë sa më shumë e sa më shpejtë vaksina dhe të përgatisim administrimin e tyre në mënyrë që të kemi një proces të rrjedhshëm dhe të pandalshëm të vaksinimit. Edhe në këtë drejtim siç e dini trashëguam një situatë ku muajt kritik për sigurimin e vaksinave kishin kaluar pa plan konkret dhe kur ne erdhëm në detyrë nuk gjetëm asnjë vaksinë dhe asnjë kontratë për sigurimin e tyre.
Në këto 55 ditë kemi arritur të sigurojmë 74 mijë e 100 vaksina ndërsa deri në fund të këtij muaji do të kemi edhe 142 mijë e 530 vaksina tjera që gjithsej arrijnë në 216 mijë e 630 vaksina. Me këto dhe me pritjet që kemi për muajin qershor, jemi në rrugë të mirë për të garantuar imunizimin e 60% të popullsisë në grup moshën e atyre që duhet vaksinuar deri në fundin e vitit 2021.
Natyrisht se kjo situatë e lehtësuar me COVID-in nuk është rezultat vetëm i qeverisë, por edhe i bashkëpunimit të bizneseve dhe qytetarëve, bashkëpunim i cili duhet të vazhdojë në mënyrë që të ruajmë jetën e secilit.
Pra, të jeni të sigurt se qeveria është në krye të detyrës për të menaxhuar me pandeminë dhe për të siguruar vaksinat dhe se po e trajton me seriozitetin e duhur pa e neglizhuar dhe injoruar siç është bërë më përpara.
Por, kjo është vetëm një pjesë e punës në këto 55 ditë.
Arsyeja se përse jemi mbledhur sot është për të shpalosur e debatuar programin katër vjeçar të qeverisë, i cili nëse pyeteni ju është i vonuar por nëse pyeten administrata dhe ministrisë, koha nuk ishte e mjaftueshme.
E vërteta është se programi i qeverisë për katër vite duhet të marrë kohën e nevojshme për të vendosur objektivat e arritshme dhe të matshme e të cilat janë në përputhje me pritjet e qytetarëve. Qytetarët duan punë dhe drejtësi dhe duan një program i cili përputhet me nevojat e të drejtat e tyre.
Sot kemi një program të tillë. Programi që keni para jush është reflektim i premtimeve jo vetëm të fushatës elektorale por i premtimeve ndaj së ardhmes. Është më shumë se numra dhe shkronja dhe më shumë se kursime dhe shpenzime sepse është projektim i modelit të shoqërisë që duam të ndërtojmë së bashku.
Është ajo për të cilën kemi folur tashmë një kohë të gjatë. Ndërtimin e një shoqërie ku secili fiton pjesën që meriton dhe paguan detyrimin që i takon, një shoqërie ku askush nuk mbetet mbrapa dhe secili arrin të realizojë potencialin e dhënë nga zoti a natyra.
Ne duam të ndërtojmë një shoqëri të barabartë dhe me mundësi të barabarta që kujdeset për më të dobëtit dhe ata që fitojnë më së paku prandaj edhe kemi zhvilluar një program që rritë pagën minimale dhe e ngrit pragun e pagës që nuk tatohet – sepse, në Kosovë askush që punon 8 orë në ditë nuk duhet të marrë më pak se 10 euro në ditë dhe askush nuk duhet të tatohet për mbijetesë.
Një shoqëri që investon në arsim që të fitojë të ardhmen përmes edukimit të fëmijëve dhe të rinjve tanë që të jenë të gatshëm të konkurrojnë në tregun global është preokupim kryesorë i yni.
Prandaj do të investojmë në shkolla dhe çerdhe publike me kujdes dhe edukim cilësor dhe shujta falas. Përmes investimeve ne 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave në institucione shkollore, përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme rritet nga 7% në 24% për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38% në 64% për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Kur kësaj i shtohet rritja e kapaciteteve në sektorin privat, atëherë mund të pritet rritje edhe më e madhe e pjesëmarrjes.
Në Kosovë për të marrë edukimin e duhur nuk duhet të ketë rëndësi se sa fitojnë dhe ku punojnë prindërit, por kush është mësuesi. Andaj dinjitetin e diturinë në shkollat tona do t’i kthejmë duke rikthyer vëmendjen te mësuesi.
Do të punësojmë 400 pedagogë, psikologë dhe punëtorë social në kuadër të konsolidimit të shërbimit psiko-pedagogjik në shkolla.
Do të bëjmë 500 vlerësimeve te jashtme te shkollave për të siguruar vlerësim të drejtë dhe cilësor.
Do të trajnojmë 5 mijë mësimdhënës brenda çdo viti dhe do të licencojmë 9 mijë mësimdhënës në bazë të vlerësimit të performancës në mënyrë që të sigurohemi se fëmijët tanë marrin edukimin që meritojnë. Do të investojmë në biblioteka dhe do të ofrojmë bursa për studentët, sidomos për vajzat 1 mijë bursa studentore me përparësi ato që zgjedhin të studiojnë shkencë, teknologji e inxhinieri sepse vendi ynë është i vogël por kemi dëshmuar se kemi potencial të madh kur ekzistojnë mundësitë e barabarta.
Ne jemi për arsim publik falas. Në institucionet publike do të hiqen tarifat për pagesën e semestrit dhe do të bëjmë organizimin e punës praktike për studentë në institucionet publike dhe private.
Për herë të parë do të kemi një program i cili shkollat i sheh si vend i dijes për fëmijët e rininë ku pasurohet shoqëria e fiton shteti jo si tender ku pasurohet individi apo familjarët.
Do të investojmë në shëndetësi.
Sistemi ynë shëndetësor është i dobët dhe i pa zhvilluar. Për shumë kohë spitalet e qendrat tona shëndetësore janë parë si vendtakim me mjekun vetëm sa për të marrë recetën për t’u drejtuar në klinikë private apo për të blerë barna në barnatoret afër. Kjo qasje ka bërë që të mungojnë investimet kritike në shëndetin publik dhe të bjerë besimi në shëndetësinë publike.
Pa marrë parasysh me sa përgjegjësi jetojmë jetët tona, sa shëndetshëm ushqehemi apo sa sportiv jemi, kohë të vështira e fati i keq apo një sëmundje e papritur mund ta godasë çdo njërin nga ne. Prandaj edhe duhet të kemi sigurime shëndetësore të cilat mundësojnë që askush të mos bankrotojë pse sëmuret apo të vdes në mungesë të kujdesit shëndetësor dhe të ilaçeve.
Me këtë program do ta reformojmë sistemin shëndetësor.
Do të rrisim inspektimin dhe monitorimin duke rekrutuar 30 inspektorë shëndetësorë dhe farmaceutikë dhe do të mbajmë premtimin për një mjek familjar për 2,000 banorë.
Do të investojmë në barazi, mbrojtje dhe mundësi të barabarta.
Progresi jonë shoqëror duhet të matet jo me jetesën që bëjnë ata që fitojnë më së shumti por me jetesën dhe mundësitë që kanë ata që fitojnë më pak, ata që fitojnë më së paku. Tashmë kemi një program që hedh hapat e parë drejt krijimit të një shoqërie më të barabartë, siç është skema për punësim të garantuar për të rinjtë ku do të paguajmë pagën minimale për 1 vit për secilin të ri që punësohet për herë të parë.
Do të kemi masat aktive për punësimin e grave dhe përmirësimin e likuiditetit për bizneset në pronësi dhe udhëheqje të grave, si dhe masat për nxitjen e vet-punësimit të grave të reja nga zonat rurale ku do të kemi 40 ndërmarrje të udhëhequra nga gratë.
Do të fillojmë zbatimin e programit të shtesave për fëmijët. Fëmijët nën moshën 2 vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove në muaj, ndërsa fëmijët nën moshën 16 vjeçare, do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 10 euro në muaj. Do të ndryshojmë pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, në atë mënyrë që të dy prindërit ta kenë këtë mundësi. Për nënat e papuna, do të paguajmë pagën minimale prej 250 euro, për 6 muajt e pushimit të lehonisë.
Për të moshuarit që presin ndihmën tonë do t’i ndërtojmë edhe 5 shtëpi të tjera me shërbime të përkujdesjes për ta. Kurse nëpërmjet programit “120×120” dhe “150×150” sidomos për çiftet e reja do të përfitohen banesa me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove në muaj, për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120 muaj, përkatësisht 150 muaj.
Me skemat për punësim të garantuar sezonal për familjet në ndihmë sociale; me shtesat për fëmijët; me mbështetje për lehonat dhe me banimin e përballueshëm të cilat do të realizohen me këtë program qeverisës do ta nxjerrim shoqërinë nga varfëria dhe do të sjellim më shumë barazi shoqërore dhe gjinore, sepse barazia gjinore nuk mund të jetë vetëm slogan për të fituar votat por program për të ndryshuar vendin.
Do të investojmë në ekonomi që hapë vende të reja të punës.
Unë besoj se reforma ekonomike duhet të zgjerojë klasën e mesme, të nxisë rritjen ekonomike dhe të sigurojë jetesë të dinjitetshme për të gjithë. Për të dalë nga një sistem ekonomik i cili është i orientuar në import dhe i varur nga punësimi publik duhet të investojmë në edukim, trajnim, teknologji, energji dhe infrastrukturë të cilat krijojnë vende të reja të punës dhe nxisin prodhimtarinë. Por për të gjitha këto janë të nevojshme dy reforma thelbësore: reforma e prokurimit publik dhe reforma e administratës publike.
Rritja e prodhimit kërkon energji të qëndrueshme dhe të pandërprere e cila ndjekë hovin e zhvillimit ekonomik. Pjesë të TC ‘Kosova A’ do të dekomisionohen kurse investimet në TC ‘Kosova B’ do të bëhen asisoj që të mos rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike gjatë tranzicionit. Ndotja që prodhohet nga përdorimi i linjitit mund të reduktohet me teknologji të re e cila na lejon të përmbushim kërkesat e energjisë derisa gradualisht diversifikojmë burimet e energjisë, rrisim efiçensën dhe shtojmë energjinë e ripërtrishme.
Përmes krijimit të instrumenteve për investim, do të sigurohemi që kapitali i mërgatës sonë të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Prandaj, duke filluar nga viti i parë, do të emetohen bono thesare të dedikuara për mërgatën.
Pasuria jonë do të mbrohet përmes krijimit të Fondit Sovran, i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit, dhe sidomos sjellje të investimeve për zhvillim dhe rritje të vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës.
Me Grantin e Katërt për Komuna do të financojmë projekte infrastrukturore të cilat jo vetëm që gjenerojnë vende të reja të punës por edhe ndërtojmë infrastrukturën kritike për ringjalljen dhe urbanizimin e komunave.
Në kuadër të mbështetjes së bizneseve, gjithashtu do ta themelojmë edhe Bankën Zhvillimore të Kosovës. Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar.
Do të themelojmë Fondin për Ndërmarrësit e Rinj dhe do të alokojmë 2000 grante në vit për ndërmarrjet e të rinjve sepse nuk ka asnjë arsye se përse shpikjet e reja të mos ndodhin në Kosovë. E kur jemi tek rinia dhe sfidat e vazhdueshme me të cilat ajo ballafaqohet, diçka që gjithnjë ka munguar është bashkëpunimi ndër-institucional të cilat qeveria i adreson me hulumtime dhe politika horizontale në mënyrë që askush të mos mbetet mbrapa sepse të rinjtë nga Hani i Elezit me të rinjtë e Prizrenit janë të barabartë dhe duhet të kenë mundësitë e barabarta për zhvillim. Qeverisja e mirë për të rinjtë është ndër-sektoriale, ajo përfshin së paku arsimin, ekonominë, punësimin, shëndetin, sigurinë e drejtësinë. Gjatë qeverisjes sonë kjo do të rregullohet me draftimin e strategjisë kombëtare për rininë brenda së cilës janë të përfshira të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e saj.
Agjencinë Kosovare për Privatizim do ta shuajmë dhe do ta transferojmë në agjenci brenda qeverisë e do të krijojmë Agjencinë Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.
E për numrin e madh të agjencive ekzekutive e mbikëqyrëse do ta përfundojmë procesin e racionalizimit i cili do të reduktojë numrin e madh dhe të panevojshëm të agjencive me mandate të përziera dhe funksione të dyfishta. E pikërisht për shkak të mandateve të përziera dhe funksioneve të dyfishta puna nuk kryhet dy here por nuk kryhet fare. Kjo reformë e racionalizimit do të forcoj ekzekutivin si rregullator, do të fuqizojë Kuvendin si mbikëqyrës dhe do të rrisë efektivitetin dhe llogaridhënien e agjencive.
Politika jonë fiskale do të reformohet dhe ekonomia do të formalizohet.
Këtë do ta bëjmë nëpërmjet zbatimit të politikave të reja, që përfshijnë analiza të sistemit tatimor, rishikimin e formatit të tatimit për bizneset e vogla dhe të mesme, ndryshimin e formës së deklarimit të tatimit në të ardhura personale dhe vendosjen e obligimit për deklarimin vjetor të tatimit në të ardhura personale. Kjo do të ndihmojë që të kemi më shumë transparencë dhe më shumë përgjegjësi në shfrytëzimin e financave publike.
Me qëllim të luftimit të ekonomisë joformale, do të fuqizojmë kapacitetet e inspektorëve tatimorë, aftësitë hetimore dhe të inteligjencës dhe koordinimin më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe ndalimin e punës së padeklaruar.
E krahas disiplinës së shtuar fiskale dhe formalizimit të ekonomisë, do të mbrojmë të drejtat e punëtoreve dhe do të përmirësojmë kushtet e tyre të punës duke shumëfishuar numrin e inspektorëve sepse zhvillimi ekonomik duhet të rrisë mirëqenien dhe mundësitë për të gjithë pa shfrytëzuar e shkelur punëtorët dhe të drejtat e tyre. Rritja ekonomike bëhet zhvillim ekonomik e më tutje progres socio-ekonomik atëherë kur zhvillimin ekonomik e shoqërojmë me drejtësi sociale.
Bujqësia do të marrë vëmendjen që i takon.
Kosova është vend me potencial të madh të prodhimit të ushqimit dhe ky potencial duhet të shfrytëzohet jo vetëm për të prodhuar për nevojat e brendshme por edhe për të eksportuar aty ku kemi përparësi krahasuese. Shteti do të mbrojë prodhuesit vendor përmes sigurimit të çmimeve minimale për produktet strategjike, grante dhe subvencione dhe investime infrastrukturore të cilat ndihmojnë që bujqësia të kthehet në sektor profitabil që siguron jetë të dinjitetshme për bujqit.
Projektet infrastrukturore të lëna në gjysmë do t’i përfundojmë kurse ato të reja do t’i fillojmë. Do të përfundojmë ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë-Gjilan, zgjerimin e rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe autoudhën Kijev-Zahaq. Do të zbatojmë projektet e reja sikurse ndërtimi i unazës së jashtme të Prishtinës, zgjerimi i rrugëve nacionale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë-Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan-Kumanovë.
Kultura dhe sporti do të zhvillohen dhe mbështetën.
Aty ku ka dështuar politika dhe diplomacia ka pasur sukses arti dhe sporti. Ajo që ne jemi dhe kemi si shoqëri, më së miri është përfaqësuar nga sportistët dhe artistët tanë. Imagjinoni sikur ne të punonim sa ata! Potenciali i tyre kërkon vëmendjen e shtetit për të krijuar kushtet për zhvillim sepse suksesi i tyre është suksesi i shtetit tonë. Kosova mund të bëhet vendi që pret gara e kampionate, festivale e koncerte te cilat e vendosin vendin tonë ne hartën e botës, dhe njëkohësisht sjellin rritje ekonomike për gjithë shoqërinë kosovare.
Zgjerimi i hapësirave kulturore, ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit, Teatrit të ri Kombëtar, Muzeut të Artit Bashkëkohor dhe Rrjetit të kinemave të Kosovës janë disa nga veprimet konkrete të cilat ne synojmë, e të cilat do të kthejnë vëmendjen kah arti dhe artistët.
Do të përmirësojmë infrastrukturën sportive dhe investojmë në sportin elitar që Kosova të rezultojë sa më lart në arenën ndërkombëtare.
Drejtësia
Për të gjithë ata që tash e dy dekada presin për drejtësi, më në fund kemi një qeveri dhe program qeverisës që drejtësinë e ka vendosur prioritetin kryesor.
Krijimi i një shoqërie me të drejta dhe mundësi të barabarta kërkon një sistem të drejtë, të paanshëm dhe efektiv. Kërkon gjykatës me kompetencë dhe ekselencë si dhe prokurorë të dijshëm dhe të ndershëm dhe energjikë të cilët garantojnë se secili qytetar, pa marrë parasysh sa fiton e nga vjen, i mbrohen të drejtat e garantuara me kushtetutën dhe ligjet tona.
Vetingu për gjykatës e prokurorë dhe nivele të larta të sigurisë; finalizimi i hartimit të Kodit të Procedurës Penale; hetimi dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme dhe formimi i Gjykatës Komerciale, Administrative dhe asaj të Punës, do të jenë disa nga veprimet konkrete të cilat do të sjellin shtetin e së drejtës.
E për drejtësinë e vonuar ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë vitit 1998-1999 më në fund do themelojmë institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe do të ngirsim padi për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Politika e jashtme dhe Dialogu
Politika jonë e jashtme është po ashtu shtyllë e rëndësishme e subjektivitetin tonë ndërkombëtarë por shtetndërtimit tonë demokratik. Ajo duhet të na mbrojë nga armiqtë dhe të na thellojë bashkëpunimin me miqtë tanë, prandaj edhe orientimet tona janë të qarta për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të thellohet mbi bazën e vlerave të përbashkëta dhe Forca jonë e Sigurisë do të vazhdojë të forcojë kapacitetet për t’u bërë forcë e denjë për ruajtjen e sigurisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale.
Anëtarësimi në BE mbetet prioritet i cili nuk duhet të zëvendësohet por edhe proces i cili nuk duhet të ngadalësohet.
Zgjidhja e çështjeve të hapura me Serbinë duhet të bëhet përmes dialogut parimor. Kosova e pranon dialogun me Serbinë si palë e barabartë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, sikurse zbardhja e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur me dhunë, borxhet dhe dëmet e luftës, reparacionet dhe suksesioni.
Kosova nuk pranon dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë tryezë ku trajtohet si temë e dialogut dhe jo si palë.
Të nderuar deputetë,
Unë pres që ne të bashkohemi rreth qëllimeve të përbashkëta. Kjo nuk është thirrje për të mos bërë opozitën apo thirrje për të ulur kritikën. E kundërta, qeveria është e interesuar për debat konstruktiv me opozitën, për shkëmbim të mendimeve dhe ideve dhe argumente rreth fakteve të përbashkëta të cilat përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe zhvillojnë demokracinë.
Por le të synojmë të bashkohemi karshi temave në të cilat mund të gjejmë konsensus e për të cilat mospajtimi bën dëm të madh. Në fjalimin tim inaugurues pata tëhnë se për çështje kapitale do të kërkojmë koordinim dhe bashkërendim me opozitën, prandaj më lejoni ta përsëris edhe njëherë se cilat janë këto pesë tema.
– Politika e jashtme dhe dialogu me Serbinë.
Ne mund të mos pajtohemi për shumë çështje por le të provojmë të pajtohemi karshi politikës ndaj Serbisë. Në secilën ditë të javës e në secilën orë të ditës unë jam i gatshëm të takohem me cilindo lider të opozitës i cili nuk pajtohet me parimet e qëndrimet tona për dialogun dhe ka propozime tjera se si ta mbrojmë më mirë interesin e Republikës. Por, mos harroni se ju që keni qenë në opozitë, më falni në pushtet paskët qenë, në këto dy dekada që lëmë pas keni bërë tashmë një trashëgimi që na ka ngelur neve. Pjesa më e madhe e punës dhe energjisë time në dialog është në zhbërjen e dëmit që keni shkaktuar ju. Marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshja për Fusnotën, Marrëveshjet për Gjykatat e Universitetin paralel në Veri të Mitrovicës, hapjen e çështjes së statusit, krijimin e diskursit për shkëmbime territoriale e marrëveshje të tjera të dëmshme ju na i latë trashëgim.
Nëse i keni rënë pishman për këto marrëveshje, e me sa ju kam dëgjuar shpresoj që po, atëherë ejani të punojmë së bashku që t’i përmirësojmë. Tash kemi qeveri e cila jo vetëm që nuk do të sjellë marrëveshje të dëmshme por është e angazhuar që të zhbëjë edhe dëmet që keni shkaktuar ju. Po të kishim një qeveri të tillë sa ne ishim në opozitë do të bashkëpunonim në secilin hap.
Por më lejoni ta përsëris edhe njëherë. Karshi Serbisë duhet të jemi të bashkuar në parim e qëndrim. Te projektet dhe ndjekja e politikave të cilat e dëmtojnë sovranitetin dhe interesin e republikës unë jam kundërshtari i parë, dhe këtë e kam dëshmuar tashmë qëmoti.
Temat tjera për të cilat kërkojmë debat shterues drejt konsensusit janë:
– Reforma në Arsim
– Siguria nacionale dhe mbrojtja
– Fondi për Sigurimet Shëndetësore dhe
– Politika energjetike.
Këto janë reforma të cilat prekin gjeneratat që vijnë dhe duhet të ndërtojmë konsensus në mënyrë që veprimet të jenë afatgjata sepse vetëm një konsistencë në veprime mund të jep frytet e nevojshme të qëndrueshme
Por përtej programit 4 vjeçar ju ftoj të bashkëpunojmë në një strategji për të ardhmen. Një strategji që shkon përtej 3 viteve të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, apo 5 viteve të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim me një shikim kah e ardhmja. Le ta quajmë Kosova 2030 apo edhe Kosova 2040 por le ta kemi sepse e ardhmja e vendit tonë varet nga veprimet që i bëjmë sot por edhe mendimet e planet afatgjate. Besoj të gjithë pajtohemi se s’ka rëndësi kush është në pushtet e në opozitë kur është në pyetje e ardhmja prosperuese e vendit, e popullit, e sidomos e rinisë dhe fëmijëve. Le të planifikojmë më gjatë, sidomos në këto çështje kapitale për vendin.
Unë besoj se nëse bashkojmë mendjet mund të jemi të suksesshëm jo vetëm në xhudo dhe muzikë por edhe në shkencë, teknologji dhe fusha tjera.
Këtë shans e kemi tash dhe qeveria jonë sot është e përkushtuar për ide dhe plane të mëdha sepse ne besojmë në potencialin e popullit tonë.
Pra, ky është programi dhe kjo është qasja jonë ndaj të ardhmes. Natyrisht, ky program nuk është i shkruar në gur dhe presim çdo sugjerim dhe çdo kritikë për ta përmirësuar, për ta avancuar.
Tani para se të fillojë debati e ta thonë edhe ministrat pjesën e tyre përkatëse, dëshiroj t’ua bëjë me nga një fjali profilin secilit prej tyre:
Këtë pjesën poshtë e ka propozuar Luani:
Tani para se zëvendëskryeministrat dhe ministrat t’i prezantojnë pjesët e tyre, dëshiroj t’ua bëj një profil-një-fjali atyre veç e veç:
1) ZvKM1 Besnik Bislimi: Zhvillim i qëndrueshëm, Integrim Evropian dhe Dialog të mirëfilltë.
2) ZvKM2 Donika Gërvalla: Forcim i subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
3) ZvKM3 Emilija Rexhepi: Një shoqëri e përbashkët që ofron mundësi për të gjithë qytetarët dhe të gjitha pakicat.
4) Ministri i MFPT Hekuran Murati: Sistem i qëndrueshëm i financave publike që mundëson zhvillim ekonomik dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët.
5) Ministrja e MD Albulena Haxhiu: Drejtësi e pavarur dhe e paanshme.
6) Ministri i MM Armend Mehaj: Forcë e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontribuese në paqe.
7) Ministri i MPB Xhelal Sveçla: Vend i sigurt dhe shërbime efikase për qytetarin.
8 ) Ministri i MSH Arben Vitia: Popullatë e shëndetshme.
9) Ministrja e MASHTI Arbërie Nagavci: Për shoqëri konkurrente dhe bashkëpunuese e dijes.
10) Ministri i MKRS Hajrulla Çeku: Rinia, kultura e sporti motor i zhvillimit të qëndrueshëm.
11) Ministri i MAPL Elbert Krasniqi: Qeverisje lokale e qëndrueshme.
12) Ministri i MPHI Liburn Aliu: Zhvillim i qëndrueshëm në harmoni me mjedisin e pastër dhe mobilitetin.
13) Ministri i MBPZHR Faton Peci: Zhvillim bujqësor që përmirëson jetën rurale dhe bilansin tregtar.
14) Ministrja e MINT Rozeta Hajdari: Ndërmarrje konkurruese.
15) Ministrja e ME Artane Rizvanolli: Zhvillim ekonomik i qëndrueshëm përmes energjisë së pastër dhe të përballueshme dhe qeverisjes së mirë të ndërmarrjeve publike.
16) Ministri i MZHR Fikrim Damka: Zhvillim i balancuar dhe i qëndrueshëm rajonal.
17) Ministri për MKK Goran Rakic (njejtë si ZvKM Rexhepi): Një shoqëri multietnike që ofron mundësi për të gjithë.
Të nderuar deputet, pas këtij programi qeveritar secili funksion formal i ministrave e merr këtë epitet përmbajtësor.
Me këtë rast ekipi i kabinetit tonë qeverisës është një ekip i cili do t’i afirmojmë tri vlera themelore që pikë së pari ne i kultivojmë brenda vetes, e ato janë: Kompetenca profesionale, Ndershmëria qytetare dhe Disiplina organizative.
Kompetencë profesionale në kundërshtim me amatorizmin dhe diletantizmin.
Ndershmëri qytetare në kundërshtim me nepotizmin dhe interesat individuale e grupore.
Dhe, Disiplinë Organizative në kundërshtim me kaosin që e kemi gjetur gjithandej ministrive.
Prandaj, me këto tri vlera themelore të kabinetit tonë qeveritarë ne do të qeverisim drejt dhe mirë jo për vete por për popullin, përfshirë edhe juve.
Dhe disiplinë organizative karshi kabinetit