07 03 2015

Prizren: Kundër degradimit të arsimit!

Sot, më 7 mars, në ditën e mësuesit, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren së bashku me “Qytetarët aktivë”, Shoqatën e Veteranëve të Arsimit dhe subjektet tjera opozitare ka organizuar protestë kundër degradimit të sektorit të arsimit në Prizren.

Edhe pas 128 viteve nga hapja e mësonjëtoreve të para shqipe, qytetarët e Prizrenit nuk mund të kërkojnë arsimim të mirëfilltë pa pasur problem me pushtetin. Përmes frikësimeve, shantazheve dhe kërcënimeve që ka bërë dhe po i bënë punëtorëve të arsimit, pushteti aktual me të gjitha mekanizmat e vetë po vazhdon ta luftoj çdo përpjekje për shprehje të pakënaqësisë qytetare për një jetë më të mirë dhe shërbime publike më të dinjitetshme. Drejtoria e Arsimit, drejtorët e shkollave dhe sindikatat e kapura të arsimit janë vënë në veprim për t’i zmbrapsur punëtorët e arsimit që të marrin pjesë në këtë protestë. Kjo gjë vendin tonë e kthen 128 vite prapa, kur kërkesa për arsimim konsideroj krim.

Drejtoria e Arsimit në Prizren është njëri nga sektorët më të kriminalizuar të qeverisjes së Ramadan Mujës. Që nga trashëgimi i pozitave nëpër shkolla deri tek punësimi jashtë kritereve, që nga abuzimi me paranë publike deri tek shitja e vendeve të punës, që nga punësimet partiake e deri tek punësimet me porosi nga lartë, ky sektor falë qeverisjes kriminale të këtij pushtetit ka arritur pikën më të lartë të degradimit te tij, me cilësi më të keqe në 50 vite të fundit, dhe standard me të ulët se sa në vitet 90’ta.

Skandalet e publikuara së fundmi flasin qartë për gjendjen e pashpresë në arsim, degradimi i së cilës kulmoi në menaxhimin e drejtorit Nexhat Çoçaj. Artan Abrashi nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren shprehi habinë për mosveprimin e organeve të drejtësisë pas publikimeve të shumta të parregullsive në këtë sektor. Sipas legjislacionit në fuqi, Prokuroria e shtetit duhej te vepronte me automatizëm, sipas detyrës zyrtare, sa herë që flitet për vepra të cilat cenojnë ligjet në fuqi. Gjithashtu Këshilli Prokurorial i Kosovës duhej të vepronte sa here që ndonjë prokuror nuk i përmbahet funksionit të tij zyrtar. Mirëpo këto gjëra nuk po ndodhin edhe pse Prokuroria Publike e Qarkut në Prizren ka zgjedhur heshtjen dhe dorëzimin para krimit. Rrjedhimisht kemi një situatë ku organet e ndjekjes nuk ndjekin keqbërësit, dhe organet e drejtësisë nuk ndajnë drejtësi për abuzimet e pushtetarëve.

Përgjegjësia kryesore për degradimin e arsimit në Komunën e Prizrenit bie mbi Nexhat Çoçajn dhe pushtetin që përfaqëson ai. Ky pushtet i ardhur me blerje dhe vjedhje të votës, me sistemin e tij shtypës dhe abuziv po e bënë atë që nuk mundi ta bënte asnjë okupatorë, ta shkatërrojë arsimin prizrenas. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se largimi i kësaj qeverisjeje të keqe tashmë paraqet kusht ekzistencial për një të ardhme më proesperuese të shoqërisë sonë.

7 mars 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prizren

Kontribo