25 10 2014

Prizren: Shumica parlamentare është ajo që duhet ta zgjedhë Kryetarin e Kuvendit

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot tubim me qytetarët e Prizrenit, për të diskutuar bashkë me ta zgjidhjen për ndryshimin e situatës aktuale në Kosovë. Në këtë tubim ishin të pranishëm deputetët Visar Ymeri dhe Mytaher Haskuka, si dhe Koordinatori i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Prizren, Jeton Jagxhiu.

Deputeti Visar Ymeri tha në këtë tubim se partia që ka fituar më shumë vota në zgjedhje nuk po mund ta formojë Qeverinë, ndërkohë që po tenton ta mbajë të bllokuar shtetin përmes kapjes që ia ka bërë tashmë. “Po tentohet të krijohet një situatë e mjegulluar, dhe po tentohet të bindet qytetari që në këtë situatë nuk ka rrugëdalje. Situata është shumë e thjeshtë: Janë katër subjekte në njërën anë që i kanë 63 deputetë, shumicën absolute të Kuvendit, dhe në anën tjetër e kemi një subjekt të vetëm me 37 deputetë që përmes kapjes së shtetit, kapjes së Gjykatës Kushtetuese, po e mbajnë të bllokuar shtetin. Shumica në Kuvend e ka mundësinë, të drejtën dhe detyrën për t’i themeluar institucionet. Kjo është e vërteta, që rrallë po del nëpër media”, tha Ymeri, duke shtuar se VETËVENDOSJE! mban qëndrimin se duhet të vazhdojmë me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, e më pas t’i hapim rrugë formimit të Qeverisë.

Qytetarët ishin të interesuar që të dijnë më shumë për mënyrën e thirrjes së seancës konstituive, ngase ata tashmë janë të bindur se PDK-ja bashkë me Presidenten dhe Gjykatën Kushtetuese kanë bërë që Kuvendi të bllokohet e të mos konstituohet ende. Lidhur me këtë çështje, deputeti Ymeri shpjegoi në detaje të drejtën e deputetëve për ta zgjedhur Kryetarin e tyre. Kryetari i Kuvendit të Kosovës zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve. E siç e dimë, shumica e deputetëve nuk është në anën e PDK-së që po bllokon, por në anën e subjekteve tjera që tashmë kanë marrëveshje të përbashkët të parimeve, të nënshkruar më 10 shtator të këtij viti. Ndërkaq, lidhur me çështjen e ngritur nga qytetarët se nëse partitë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje do të heqin dorë nga pozita e Kryeparlamentarit, Ymeri tha se një çështje e tillë nuk është diskutuar asnjëherë në takimet mes përfaqësuesve të LAN-it dhe VETËVENDOSJE!-s, dhe se partitë nënshkruese të marrëveshjes mbajnë qëndrimin e përbashkët për të mos lëshuar pe karshi PDK-së.

Njëri nga qytetarët e pranishëm në këtë tubim, tha se kemi një kryesuese të rastësishme të Kuvendit, për shkak të moshës që ka. “Nuk mund të kemi ligjshmëri e kushtetueshmëri përderisa një kryesuese ceremoniale që e mbanë atë pozitë për shkak të moshës, e bllokon Kuvendin duke thënë se e thërras seancën konstituive vetëm nëse partitë merren vesh. Nga po e merr kjo këtë të drejtë?”, pyeti ai. “Ju si VETËVENDOSJE!, bashkë me subjektet e LAN-it, duhet të insistoni në të drejtën tuaj, ngase jeni shumicë, duke e respektuar ligjin dhe rregulloren e Kuvendit, duke e shqyrtuar mundësinë edhe për shkarkimin e saj meqë nuk po e kryen punën që i takon”, u shpreh ai. Në këtë tubim ndër të tjera u fol edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast qytetarët thanë se duhet pasur guxim dhe vullnet nga ana e të gjitha subjekteve që janë përfshirë në marrëveshje, për ta kundërshtuar e për të mos e pranuar këtë vendim. Ata theksuan faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është në përputhje me parimet bazë të Kushtetuesës, pasi që po e pezullon pa të drejtë mandatin e deputetit deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Përderisa Qeveria në ikje po vazhdon që të marrë vendime, e në anën tjetër ka bllokuar të gjitha institucionet tjera, veçanërisht Kuvendin, e keqja është edhe më e madhe. Gjendja ekonomike dhe sociale po vazhdon të rëndohet edhe më shumë në vend. Prandaj, është e domosdoshmë rrëzimi i kësaj qeverie, ndryshimi thelbësor i politikave ekonomike dhe sociale, ashtu që ta vendosim Kosovën në binarët e duhur. Qeveria e re e Republikës së Kosovës do të ishte qeveri që do t’i hapte rrugë zhvillimit ekonomik, dhe do t’ia niste seriozisht luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

25 tetor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!

http://www.vetevendosje.org/news_post/prizren-shumica-parlamentare-eshte-ajo-qe-duhet-ta-zgjedhe-kryetarin-e-kuvendit/

Kontribo