22 01 2018

Procesi më i mirë i zgjedhjeve të brendshme për kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i organizuar deri më tani

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur konferencë për media për procesin dhe rezultatet e zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky proces u zhvillua në të gjitha komunat e Kosovës ku është i shtrirë organizimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, 29 në total, si dhe në 6 shtete të Evropës ku Lëvizja VETËVENDOSJE ka ngritur Qendrat e saj pranë mërgatës shqiptare.

Kryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi shpjegoi se rezultatet paraprake të këtyre zgjedhjeve u publikuan mbrëmë pas procesit të numërimit, ku kandidati Albin Kurti ka fituar 98.82% të votave. Si pasojë e traditës tashmë të krijuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, rezultatet paraprake u shpallën mbrëmë ashtu siç janë prezantuar edhe rezultatet paraprake për kryetar të vitit 2015.

Kjo është hera e tretë që Lëvizja VETËVENDOSJE! mban zgjedhje për kryetar. Zgjedhjet e para janë mbajtur në pranverën e vitit 2011, para se të miratohej Statuti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe para se të shkruhej e miratohej Rregullorja e Zgjedhjeve të Brendshme, me të cilën ne funksionojmë që prej vitit 2012. Votimi për kryetar në vitin 2011 nuk është zhvilluar në një ditë të vetme, por përgjatë një periudhe tre mujore. Gjithashtu në atë kohë nuk kishim vendosur as opsionin “abstenim” në fletëvotime. Për nga lloji i tij, votimi gati tre mujor që ka ndodhur në vititn 2011, është i pakrahasueshëm me zgjedhjet për kryetar të vitit 2015 dhe ato të vitit 2018.

Në vitin 2015 ne mbajtëm për herë të parë zgjedhjet për kryetar sipas Statutit dhe Rregullores së Zgjedhjeve të Brendshme. Për ta lehtësuar menaxhimin e procesit të votimit të vitit 2015, si dhe për të mundësuar një pjesëmarrje më të lartë, Qendrat e Lëvizjes u ndanë në dy grupe, dhe votimi u mbajtë në dy ditë, në datat 21 dhe 22 shkurt 2015: një herë në gjysmat e Qendrave, pastaj në gjysmën tjetër. Në këto zgjedhje për kryetar, për herë të parë morën pjesë edhe Qendrat tona në mërgatë, si dhe ne përfshim për herë të parë në fletëvotim opsionin “abstenim”. Në zgjedhjet e për kryetar të vitit 2015 kanë marrë pjesë në votim 5,350 anëtarë, nga 19,576 anëtarë në total. Pra, përqindja e pjesëmarrjes në këto zgjedhje ka qenë 27.43%.

Zgjedhjet 2018 për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë përmirësime shumë të dukshme në raport me vitin 2015, sa i përket menaxhimit të procesit dhe pjesëmarrjes. Për shkak të fuqizimit të strukturave tona, dhe përvojës së shtuar, i gjithë votimi u mbajt në një ditë brenda dhe jashtë Kosove. Sot që kemi marrë të dhëna më të plota nga terreni, kemi analizuar se numri total i anëtarëve tanë që prej vitit 2015 është rritur me gati në 60 %, ndërkaq numri i anëtarëve që kanë votuar dje në këto zgjedhje është rritur thuajse me 100%. Në procesin e votimit të mbajtur dje, të gjithin në një ditë, kanë marrë pjesë 10,606 anëtarë, nga 31,350 anëtarë në total. Përqindja e pjesëmarrjes në votimin e djeshëm është 33.83%. Këto shifra shënojnë rekorde në pjesëmarrje sa i përket këtij lloj procesi zgjedhor në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Pa asnjë dyshim, ky është procesi më i mirë i zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga të gjitha proceset e deritanishme. Sigurisht që ka ende nevojë të bëhen përmirësime, por kemi bindjen e thellë se tashmë Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka konsoliduar praktikën e zgjedhjeve të brendshme për kryetar, ngjashëm me shumë subjekte të tjera politike demokratike në Perëndim. Për këtë pjesëmarrje të shtuar dhe për menaxhimin e këtij procesi, dëshirojmë të falenderojmë edhe një herë të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të përfshirë në praktikat e demokracisë tonë të brendshme, si dhe stafin e KQZ-së për gjithë asistencën dhe materialet e votimit që na e kanë lehtësuar administrimin e këtij procesi.

Prishtinë, 22 janar 2018
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo