25 01 2025
Adriana Matoshi
Adriana Matoshi është lindur më 5 shkurt 1980 në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesme i përfundoi
në vendlindje, ndërsa studimet për aktrim i përfundoi në Fakultetin e Arteve të Universitetit të
Prishtinës, nën udhëheqjen e prof. Faruk Begollit.
Adriana Matoshi është një nga aktoret më të shquara dhe të suksesshme të skenës artistike vendore
dhe ndërkombëtare, duke përfaqësuar denjësisht Republikën e Kosovës me dhjetëra çmime të
fituara në festivalet më prestigjioze të filmit. Ajo është shpërblyer me çmimin “Aktorja më e mirë”
në Greqi për filmin “Kthimi” të Blerta Zeqirit, në Itali në FilmLAB Festival, si dhe në Brazili, Paris dhe
Valencia të Spanjës për rolin e saj në filmin “Zana”. Gjithashtu, në Berlin dhe Nju Jork është
shpërblyer për interpretimin e saj në filmin “T’padashtun”.
Në fushën teatrale, ajo ka luajtur në një sërë shfaqjesh të njohura, si “Mësimi”, “Kumbara”,
“Dejzilend”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Këmisha e gjakut”, “Romeo dhe Juliet” etj., duke e shtrirë
punën e saj artistike në vende të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë,
Francën, Spanjën, Gjermaninë, Poloninë, Zvicrën, Rumaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Adriana është aktorja e vetme shqiptare që ka luajtur në një film të pranishëm në platformën
“Netflix”, përkatësisht filmin “Cold November”. Një tjetër sukses i madh ishte fitorja e filmave
“Kthimi” dhe “Hive” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sundance në SHBA, ndërsa filmi “Hive” u
përfshi në listën e ngushtë për çmimin Oscar, duke shënuar një moment historik për
kinematografinë kosovare.
Përveç suksesit të saj artistik, Adriana Matoshi mbetet një avokate e fuqishme për të drejtat e grave
dhe kundër dhunës në familje, duke dhënë kontribut të madh për forcimin e rolit të gruas në shoqëri
dhe përmirësimin e barazisë gjinore.