25 01 2025
Albulena Haxhiu
Albulena Haxhiu ka lindur në Prishtinë më 11 maj 1987, ku jeton me familjen e saj. Është e martuar dhe
nënë e tre fëmijëve, Malit, Tomorrit dhe Andrrës. Ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të
Universitetit të Prishtinës dhe ka vazhduar studimet pasuniversitare në të drejtën penale në
Universitetin e Evropës Juglindore.
Në vitin 2010, Albulena iu bashkua Lëvizjes VETËVENDOSJE! duke u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës si
deputetja më e re në moshën 23-vjeçare. Në katër mandate të saj si deputete, ka qenë ndër gratë më të
votuara dhe ka udhëhequr Komisionin për Legjislacion dhe nënkomisionin për mandate, imunitete dhe
rregullore. Albulena ka mbrojtur të drejtat e grave dhe politikat feministe, duke përqafuar çështje të
drejtësisë dhe barazisë.
Me formimin e Qeverisë Kurti I në vitin 2020, ajo u emërua Ministre e Drejtësisë, detyrë që vijon ta
mbajë në Qeverinë Kurti II. Gjithashtu shërben si Koordinatore Kombëtare për parandalimin e dhunës në
familje dhe është kryetare e organizatës, Gratë për VETËVENDOSJE!.
Si deputete e ardhshme, Albulena synon të kontribuojë në fushat politike, drejtësi, çështje sociale dhe
politika feministe, duke avancuar drejtësinë sociale dhe barazinë në Kosovë.