25 01 2025
Arjeta Fejza
Arjeta Fejza është lindur më 12 prill 1992 në Mitrovicë. Ajo ka përfunduar studimet themelore dhe
master në Filozofi në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin 2017, filloi ligjërimin e lëndëve të Filozofisë dhe Logjikës në Gjimnazin “Frang Bardhi” në
Mitrovicë. Përveç angazhimit në mësimdhënie, ka marrë pjesë në projekte të ndryshme si ligjëruese
mbi tema filozofike, duke kontribuar në zhvillimin e mendimit kritik në shoqëri.
Në vitin 2021, Arjeta Fejza u zgjodh deputete në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës. Ajo
shërben si nënkryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe si anëtare në Komisionin për Arsim,
Kulturë, Rini dhe Sport, është angazhuar një kohë edhe në Komisionin për të Drejtat e
Komuniteteve. Gjithashtu, ishte pjesë e dy komisioneve hetimore: për tekstet shkollore dhe për
dhunën në familje.
Angazhimi i saj politik filloi në vitin 2011 me Lëvizjen Studentore për Barazi, Studim, Kritikë dhe
Veprim në Universitetin e Prishtinës. Në të njëjtin vit, ajo iu bashkua Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku ka
bartur përgjegjësi të ndryshme organizative në Qendrën e Mitrovicës.
Aktualisht, ajo është kryetare e Gruas së VV-së në Mitrovicë, anëtare e kryesisë së GVV-së në nivel
qendror dhe anëtare e kryesisë së Qendrës në Mitrovicë.
Si deputete, Arjeta Fejza synon forcimin e politikave arsimore, rinore dhe gjinore, si dhe mbrojtjen e
të drejtave të njeriut, duke promovuar transparencën dhe përgjegjshmërinë në qeverisje. Vizioni i
saj politik fokusohet në krijimin e një sistemi arsimor cilësor dhe të qasshëm për të gjithë, fuqizimin
e rinisë si motor të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.