25 01 2025
Blerim Gashani
Blerim Gashani ka lindur më 25 dhjetor 1974 në fshatin Tërstenik, Komuna e Drenasit. Fillimisht,
studioi Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës dhe përfundoi studimet për
Komunikim Masiv dhe Gazetari në Universitetin AAB, ku aktualisht ndjek studimet Master.
Karriera e tij përfshin një përvojë të gjatë në arsim, institucione ndërkombëtare dhe administratë
publike. Midis viteve 1994-2000, punoi si mësimdhënës në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në
Tërstenik. Nga viti 2000 deri më 2008, ishte pjesë e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë
dhe më pas, deri në vitin 2014, shërbeu në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit.
Nga viti 2014 deri në 2021, punoi për NI-CO, një organizatë britanike që implementon projekte në
fushën e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë.
Më 2021, u emërua Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ka mbajtur disa role
të rëndësishme si Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz, për Menaxhimin e Integruar
të Kufirit, dhe për Armë të Vogla dhe të Lehta. Gjithashtu, ka mbikëqyrur reagimet emergjente
përmes Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave.
Blerimi është autor i qindra artikujve gazetareskë dhe dy librave: “Vjeshtë e ngrime” dhe “Kronikë e
rrënimit të Kosovës”. Me përvojë si redaktor dhe lektor, ai ka kontribuar në botime akademike
dhe publicistike.