25 01 2025
Brunilda Gjura Tafili
Brunilda Gjura ka lindur në Peshkopi, Shqipëri, dhe që nga viti 2009 jeton dhe vepron në Kosovë.
Aktiviste politike që nga viti 2017, ajo është pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe aktualisht shërben
si Këshilltare në Sekretariatin e Përgjithshëm të Lëvizjes. Brunilda është duke përfunduar Masterin e
dytë në Gazetari dhe Komunikim Masiv.
Një emër i shquar në fushën e autosportit, Brunilda është kampione e Kosovës për tre vite radhazi
dhe e para grua shqiptare që ka fituar çmimin prestigjioz “Helmeta e Artë.” Me mbi 45 çmime dhe
trofe në karrierë, ajo arriti sukses të jashtëzakonshëm duke u renditur e gjashta në botë në Lojërat
Olimpike të Motorsportit (Auto Slalom Electric për femra) të mbajtura në Spanjë në tetor 2024.
Autosportin e ka përdorur si platformë për thyerjen e barrierave gjinore dhe për të promovuar
kauza të rëndësishme, si sensibilizimi për kancerin e gjirit dhe mbështetja për të mbijetuarit e
dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Si deputete e ardhshme, Brunilda synon të përqendrohet në barazinë gjinore dhe politikat
gjithëpërfshirëse, mbrojtjen e të drejtave të grupeve të margjinalizuara dhe zhvillimin e sportit me
fokus në gjithëpërfshirje. Angazhimi i saj reflekton përkushtimin për një shoqëri më të drejtë dhe
mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës.