24 01 2025
Salih Zyba
Salih Zyba ka lindur më 1 janar 1977 në Prizren. Studimet universitare i kreu në Menaxhment dhe
Informatikë, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Ka një histori të spikatur si ushtar i tri luftrave çlirimtare. Pas luftës, ai u angazhua në shërbimet
publike, duke punuar në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, deri në largimin e tij për shkak
të përfshirjes aktive në aktivitetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Anëtar i Lëvizjes që nga themelimi, Salih Zyba ka mbajtur pozita të rëndësishme brenda organizatës,
duke qenë anëtar i Kryesisë për dy mandate, pjesë e Këshillit të Përgjithshëm dhe kryetar i Qendrës
së Lëvizjes në Therandë. Ai ka shërbyer gjithashtu si Drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës.
Në karrierën e tij parlamentare, Zyba është zgjedhur deputet për tri mandate radhazi në Kuvendin e
Kosovës. Si deputet, ka shërbyer në komisione kyçe, duke përfshirë Komisionin për Bujqësi, Pylltari,
Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore,
Persona të Pagjetur dhe Peticione, si dhe Komisionin Hetimor Parlamentar për Hidrocentrale.
Aktualisht, në legjislaturën VIII, ai është Nënkryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së
Kosovës për Inteligjencë dhe anëtar i Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe
Zhvillim.
Salih Zyba mbetet i përkushtuar në promovimin e sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit, duke ofruar
kontribut të vazhdueshëm në këto fusha përmes angazhimit të tij politik.