25 01 2025
Ilir Gashi
Ilir Gashi ka lindur më 21 maj 1978 në Prizren, ku edhe jeton, ai është i martuar dhe baba i katër
fëmijëve. Përveç gjuhës shqipe, ai flet rrjedhshëm anglisht, turqisht dhe serbisht.
Studimet i ka ndjekur në Shkencat Politike dhe ka përfunduar masterin në drejtimin e Trashëgimisë
Kulturore dhe Menaxhimit të Turizmit.
Një pjesë të madhe të karrierës së tij, ka qenë i angazhuar në organizatat e shoqërisë civile, duke
realizuar projekte të shumta kulturore dhe edukative. Ka menaxhuar organizimin e 15 edicioneve të
panairit të librit në Prizren, panairit kulturor dhe projektit “Promovimi i Diversitetit Kulturor në
Kosovë.” Gjithashtu, ka kontribuar në disa media elektronike lokale si redaktor i programeve
informative dhe kulturore.
Angazhimi i tij politik ka filluar në vitin 2017 me zgjedhjen si anëtar i Kuvendit Komunal në Prizren,
ku vazhdon të shërbejë gjatë mandatit të tij të dytë.
Si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai synon të kontribuojë në përmirësimin e qeverisjes
lokale, mbrojtjen dhe promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit, si dhe
në adresimin e çështjeve që lidhen me ambientin, urbanizmin dhe mirëqenien sociale.