14 09 2019

Mytaher Haskuka

Shkrime

Emri i plotë

Mytaher Haskuka

Vendbanimi

Prizren

Pozita

Kryetar i komunës së Prizrenit si dhe kandidat për kryetar komune në Prizren

Mytaher Haskuka ka lindur më 12 Tetor 1973 në Prizren.

Gradën doktor i shkencave të psikologjisë sociale e ka fituar në Universitetin “Ludwig Maximilian” në Mynih të Gjermanisë, drejtimi kryesor në Shkenca Psikologjike dhe drejtimi dytësor në Shkenca Politike. Studimet post-diplomike master i ka kryer gjatë viteve 1998 – 2001 në Universitetin Bogazici në Stamboll, në drejtimin Psikologji Sociale. Studimet universitare po ashtu i ka përfunduar në Universitetin Bogazici në Stamboll, në departamentin e shkencave sociale në psikologji.

Ka qenë njëri ndër themeluesit e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ka ligjëruar Metodat e Hulumtimit Deskriptiv, Metodat Eksperimentale, Statistikë, Metodat Hulumtuese të Avancuara dhe Analiza dhe Modifiki i Sjelljes. Po ashtu deri në vitin 2014 ka qenë udhëheqës i ekipit për Hulumtime, Politika, Çështje Gjinore dhe Komunikim në UNDP-Kosovë. Ka punuar në shumë hulumtime zhvillimore dhe analiza të ligjeve dhe politikave. Ndër raportet më të rëndësishme në të cilat ka punuar janë Raportet e Zhvillimit Njerëzor.

Mytaher Haskuka është zgjedhur dy herë deputet në Kuvendin e Kosovës. Gjatë mandatit të parë ai ka qenë edhe anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 është zgjedhur Kryetar i Komunës së Prizrenit.

Si kryetar komune ka përmbushur apo është në përfundim të 95% të premtimeve elektorale, andaj si kryetar që e mban fjalën, dëshiron ta vazhdojë mandatin ashtu që ta bëjë Prizrenin qytet të gjelbër, me zonën më të madhe për këmbësorë në rajon dhe kryeqytet të zhvillimit, prodhimit, turizmit, kulturës dhe rinisë.   

Përveç gjuhës amtare shqipe, Mytaheri flet atë angleze, turke, serbo-kroate, boshnjake dhe maqedone.

Haskuka është i martuar dhe i ka dy fëmijë.