29 12 2018
Saranda Bogujevci
Shkrime
Emri i plotë
Saranda Bogujevci
Pozita
Nënkryetare e Kuvendit
Saranda Bogujevci është e lindur më 12 qershor 1985 në Podujevë. Ajo ka diplomuar në Universitetin Metropolitan te Mançesterit në Britani. Aktualisht është në përfundim të nivelit Master në Akademi të Gjenevës në Drejtësi Tranzicionale, Drejta të Njeriut, Ligj dhe Rend. Është artiste ndërkombëtare e aktiviste e luftës për drejtësi, të drejtave të njeriut e barazisë së grave në shoqëri.
Që nga paslufta, ajo është pjesë e organizatës “Manchester Aid Kosovo”, me të cilën kanë realizuar shumë projekte në komunën e Podujevës duke përfshirë edhe “Parkun e Paqes” në qytet. Ka qenë bashkëartiste e ekspozitës familjare “Bogujevci // Histori Vizuale”, e cila pati sukses të jashtëzakonshëm në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë. Saranda gjatë luftës së fundit në Kosovë ka qenë e plagosur rëndë në masakrën e Podujevës ku humbi një pjesë të madhe të familjes. Ajo së bashku me fëmijët e axhës së saj janë fëmijët e parë në botë që dëshmuan në një gjykatë për krime të luftës.
Në vitin 2003 Saranda Bogujevci është shpërblyer së bashku me familjen me çmimin ndërkombëtar për Kurajo Morale “Anna Frank”, në Britani. Për tre vite ka qenë e angazhuar si Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës, nën udhëheqjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Saranda Bogujevci ka qenë deputete për dy mandate me radhë. Në legjislaturën e VII, ajo ka qenë anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, si dhe në dy legjislaturat e fundit ka qenë e angazhuar si anëtare e Grupit të Grave deputete në Kuvendin e Kosovës.