25 01 2025
Saranda Bogujevci
Saranda Bogujevci është lindur më 12 qershor 1985 në Podujevë. Ajo ka diplomuar në Universitetin
Metropolitan të Mançesterit në Britani dhe është në përfundim të studimeve Master në Drejtësi
Tranzicionale, të Drejtat e Njeriut, Ligj dhe Rend në Akademinë e Gjenevës.
Saranda është artiste dhe aktiviste, e njohur për angazhimin në organizatën “Manchester Aid Kosovo,”
ku ka realizuar projekte të rëndësishme në Podujevë, përfshirë krijimin e “Parkut të Paqes.” Ajo është
bashkëartiste e ekspozitës “Bogujevci // Histori Vizuale,” e cila ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në
Kosovë, Shqipëri dhe Serbi.
Saranda është një nga të mbijetuarat e masakrës së Podujevës gjatë luftës në Kosovë, ku humbi një
pjesë të madhe të familjes. Ajo dhe fëmijët e axhës janë fëmijët e parë në botë që dëshmuan për krime
të luftës në gjykatë.
Në vitin 2003, ajo u nderua me çmimin ndërkombëtar për Kurajo Morale “Anna Frank” në Britani.
Politika dhe aktivizmi i saj filluan si Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, nën
udhëheqjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Si deputete në legjislaturën VI dhe VII, ajo ka qenë anëtare e
Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Grupit të Grave Deputete.
Aktualisht, Saranda është Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe Kryesuese e Delegacionit të Kosovës
në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke kontribuar fuqishëm në avancimin e të drejtave
njerëzore dhe fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.