25 01 2025
Xhelal Sveçla
Xhelal Sveçla u lind me 21 prill 1970 në Prishtinë. Studimet universitare i kreu në Universitetin e Tiranës
në degën e Stomatologjisë. Aktivizmin e tij politik e filloi si një ndër organizatorët e protestave
studentore kundër regjimit serb, si zyrtar ekzekutiv në Unionin e Pavarur të Studentëve, në Komisionin e
Mjekësisë. Në vitin 1998 iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në planin profesional mjekësor ai punoi pranë organizatave dhe shoqërisë civile, në Prishtinë dhe
Tiranë, si Koordinator në International Medical Corps Tirana dhe Drejtor Nacional në “SOS Kinderdorf
International”. Në vitin 2003, Xhelal Sveçla u angazhua në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN) që
synonte ndryshime shoqërore dhe qytetari aktive.
Në vitin 2013, u emërua si Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, ku pati si detyrë
vendosjen dhe respektimin e ligjshmërisë në Komunën e Prishtinës.
Si deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në legjislaturën e VI-të, ka qenë Kryetar i Komisionit për
Komunitete, Anëtar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje dhe Kryetar i Komisionit Hetimor lidhur me
dëbimin e 6 shtetasve turq.
Me formimin e Qeverisë Kurti, në shkurt të vitit 2020 Sveçla emërohet zv. Ministër në Ministrinë e
Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ndërsa nga 19 marsi deri me 3 qershor të po atij viti ai
kreu funksionin e u.d Ministrit në po të njejtën Ministri.
Në Kurti 2, Xhelal Sveçla u emërua Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në kuadër të këtij
funksioni publik, ai është fokusuar në sundimin e rendit dhe ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe
korrupsionit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit si dhe shtrirjes së sovranitetit dhe ruajtjes së
tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës. Si Ministër përgjegjës për administratë publike, ai është
angazhuar për një administratë me sistem të bazuar në meritokraci dhe shërbime efikase për qytetarët
tanë.
Xhelal Sveçla është i martuar dhe ka tre fëmijë.