12 09 2019

Yllza Hoti

29

Shkrime

Emri i plotë

Yllza Hoti

Yllza Hoti u lind në shtator të vitit 1995 në Prizren. Studimet universitare i përfundoi në RIT Kosovo (Universiteti Amerikan i Kosovës) në drejtimet Menaxhment, Ekonomi, dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo u vlerësua me titullin Valedictorian, si studentja me notën mesatare maksimale gjatë katër viteve të studimit. Në temën e saj të diplomës ajo ka identifikuar disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen bizneset e sektorit të teknologjisë së komunikimit në Kosovë, si dhe mundësitë për zhvillim të mëtejmë. Momentalisht është kandidate për diplomën Master në Menaxhment nga University of Minnesota në ShBA, ku studion si fituese e bursës KAEF për studime jashtë vendit.

Yllza është zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019. Ka qenë anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Transfere dhe anëtare e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Para se të angazhohej si deputete, Yllza ka punuar si Koordinatore për Pranim të Studentëve në Universitetin Amerikan të Kosovës, dhe si instruktore e Matematikës në programin përgatitor për studentë në të njëjtin institucion. Gjatë studimeve Yllza është angazhuar edhe si vullnetare në klube të ndryshme të studentëve. Ajo ka qenë Presidente e Klubit të Bamirësisë, Sekretare e Klubit të Ekonomistëve, si dhe e Klubit të Mjedisit të RIT Kosovo. Është fituese e disa bursave dhe çmimeve të ndryshme, duke përfshirë bursën Youth Exchange and Study për studime në ShBA gjatë shkollës së mesme, si dhe çmimet “Outstanding Scholar” dhe “Excellence in Student Life” nga Rochester Institute of Technology në New York. Poashtu, në vitin 2019 ajo u zgjedh si një nga katër fituesit e bursës KAEF (Kosovo American Education Fund) për studime Master në SHBA me financim të plotë.