Projektligji për Rimëkëmbje ndihmon oligarkët dhe varfëron qytetarët
Si VETËVENDOSJE! kemi kërkuar që qytetarët të ndihmohen nga buxheti i shtetit e jo të detyrohen t’i prekin kursimet e tyre në Trustin Pensional në këtë kohë krize. Sot, kjo qeveri e paligjshme bashkë me PDK-në e kaloi projektligjin që me para të taksapaguesve ndihmon bizneset që edhe ashtu kanë qenë të favorizuara kurse qytetarët i varfëron duke i shërbyer ata me kursimet e tyre edhe ashtu të mangëta. Madje me këto kursime e përmes tyre kjo qeveri po mundohet të zëvendësojë një detyrim të saj në kuptimin e ngritjes së kërkesës agregate. Kjo është shkelje e kushtetutës pasi shteti duhet t’i ndihmoj qytetarët në kohë krize dhe jo e kundërta. Tutje ky projektligj vetëm sa e rritë pabarazisë sociale e i favorizon milionerët dhe bizneset e tyre, thanë Hekuran Murati dhe Mimoza Kusari Lila, dy deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në konferencën për media të mbajtur pas përfundimit të seancës.
—
Hekuran Murati tha se përmes këtij projektligji qeveria po synon t’i ndihmojë oligarkët dhe bizneset e afërta me ta.
“E kemi parë në të kaluarën, 60 milionëshi që është shpërndarë, kryesisht shumicën e mjeteve e kanë përfituar kompanitë, korporatat e mëdha të cilat jo domosdoshmërisht kanë qenë të mbyllura gjatë pandemisë por përkundrazi kanë pasur fitime rekorde siç janë supermarketet. Edhe tash, këto amendamentet e fundit e pamë që janë të dizajnuara për t’iu dedikuar një oligarku, një kompanie e cila operon në Kosovë, e që për më tepër kanë kërkuar amendamente që të lirohen nga tantiema apo renta minerare, që është shumë milionëshe dhe po ashtu të lirohen edhe nga pagesa e energjisë së ripërtrishme.”
Këto dy kosto, por edhe shumën e nxjerrë të 10%-shit do t’i bartë taksapaguesi i varfër i Kosovës andaj kjo assesi nuk mund të quhet rimëkëmbje ekonomike tha ai, duke theksuar se ky ligj merr para nga të varfrit dhe i orienton ato drejtë të pasurve e oligarkëve në vend.
Deputetja Kusari-Lila tha se ky ligj është gjithçka përveçse ligj për rimëkëmbjen ekonomike dhe e bëri një krahasim të tij me Pakon Emergjente të Qeverisë Kurti.
“Ligji për rimëkëmbje është gjithçka përveçse ligj për rimëkëmbje. Për dallim nga Pakoja Emergjente e Qeverisë Kurti e cila e ka shpërndarë ndihmën për të gjitha kategoritë, kjo pako së pari nuk e ka transparencën, nuk e ka formën që përshkruan se sa mjete shkojnë në secilin sektor as në aspektin e industrisë dhe as në aspektin e shërbimeve. Nuk e inkurajon sektorin prodhues e as ndonjë sektorë në veçanti. Ka shumë sektorë ekonomik në Kosovë të cilët gjatë kohës së pandemisë kanë ardhur me forma kreative të të bërit biznes po nuk ka stimulim të tyre. Nuk ka stimulim as të kompanive shërbyese e as të Startup-ave por ka vetëm pako të përgjithësuara në shuma milionëshe që nuk barazohen mes vete. As nga propozuesit dhe as nga kjo qeveri e paligjshme nuk mund të thuhet se cilat biznese do të përfitojnë nga vlera e përgjithshme e kësaj pakoje.”